E premte, 26.04.2024, 10:10 AM (GMT+1)

Mendime

Matoshi: Shqipëria pas Asphaltierkünsten Qeverisë

E hene, 08.07.2013, 07:55 PM


Shqipëria pas Asphaltierkünsten* Qeverisë

Nga Halil Matoshi

Aty ku njeriu kërcënohet me jetë ose vritet për votën e lirë, nën daullet vëllavrasëse të dy liderëve oligarkë, si Berisha e Rama, ai vend nuk meriton respekt. Shqipëria gjatë këtyre vjetëve nën qeverisjen e së majtës ose duhet ta kapërcejë trashëgiminë tribale dhe të garantojë një proces demokratik zgjedhor, ose do t’i rikthehet ciklit të dhunës dhe shkatërrimit

Këtë shkrim megjithatë po e nis nga fundi: Aty ku përfundoi procesi zgjedhor, me të cilin përfundoi një epokë dhe filloi një tjetër, në pikën e ndarjes në të cilën që të dy oligarkët shqiptarë (Edi Rama dhe Sali Berisha) impresionuan publikun me fjalime prej burrështetasish. Rama falënderoi  Berishën për veprat e mira dhe i kërkoi të falur për fjalorin shpesh tepër agresiv ndaj tij – mirëpo as Berisha nuk do t’ia kishte lënë më lehtë - e ky i fundit e pranoi humbjen e zgjedhjeve, ndonëse me tri ditë vonesë e përtesë, por sidoqoftë me dinjitet prej shtetari, duke u tërhequr nga pushteti politik në Partinë e tij Demokratike.

Të qeverisësh me opozitën, ky duhet të jetë çelësi i suksesit të një demokracie të re, të mos i trajtosh të humburit në zgjedhje si të humbur në luftë, si klasë e degraduar shoqërore, kjo duhet të jetë dalja nga rrethi vicioz i dhunës politike!

Të mos ndërhysh në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e pavarura të shtetit, duke abuzuar me mbifuqinë e pushtetit politik, të mos prekësh të paprekshmet, siç janë liria e shprehjes, liritë themelore politike e të njeriut...

Në fjalimin e tij prej fituesi, Rama e premtoi këtë!

Në anën tjetër, urimi për kundërshtarin fitues duke i uruar që ta shpjerë në cak rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, shmangia e gjuhës së urrejtjes dhe mbajtja e një qëndrimi prej burrë shteti në fund, ishte dita më e mirë e Berishës në tërë epokën e transicionit, në udhën e tij 23-vjeçare të njeriut të pushtetshëm në Shqipëri. Por në Shqipërinë e varfër e të pamodernizuar, votohen oligarkitë e konsoliduara, pra dy organizatat e mëdha të milionerëve postkomunistë, që kanë vjedhur e zhvatur popullin sipas rendit dhe që kanë bashkëpunuar e vazhdojnë të bashkëpunojnë me krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme (blloku blu apo rozë) duke abuzuar me paranë publike dhe duke u mundësuar oligarkëve pasurim nga zyrat publike. Pra, në këtë transicion të rëndë e plot përplasje (të kujtojmë këtu vetëm luftën civile të vitit 1997) trupi politik shqiptar ka  manifestuar sindrome të rrezikshme të sëmundjes së zvetënimit e shterimit, duke mos mundur tutje të prodhojë as ide të reja dhe as organizata politike të spektrit qytetar, e aq më pak të konsolidojnë institucione të fuqishme e të pavarura demokratike shtetërore – modernizuese e perëndimorizuese! Këso Shqipërie, mjerisht s'e merr kush seriozisht në raportet ë përbotshme!?

Duke qenë se gjithmonë në raportet ndërkombëtare mbetet në krye të vendeve më të korruptuara, më të varfra, ku shkelet liria e medies, madje në një nga raportet e fundit, del se Shqipëria është ndër vendet më raciste në Europë!?

Nuk diti t’u shmangej përplasjeve kulturore e politike, që e ravijëzojnë ndarjen jug-veri, ish komunistë-demokratë, të majtë - të djathtë, duke i trajtuar mbështetësit e së majtës shqiptare si të mundur në betejën antikomuniste.

Berisha nuk e menaxhoi mirë rindarjen e pronave, ish të përndjekurit politikë të regjimit stalinist, por as ish-eksponentët e Partisë së Punës, të cilët mezi e mbijetuan të gjallë shtrëngimin e pushtetarëve të rinj. Ai madje burgosi fillimisht tërë nomenklaturën komuniste (Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën me shokë) por ai e martirizoi edhe liderin e Partisë Socialiste, Fatos Nano, i cili, me maniret e tij ia lëkundi balancat e pushtetit dhe thuajse e dërmoi më 1997.

Berisha, me ta konsoliduar sadopak demokracinë, i fali këta eksponentë duke u dhënë qetësinë dhe dinjitetin e mohuar, mirëpo kjo falje ishte më tepër kompromis sesa drejtësi.

Të pretendosh të jesh i djathtë si Berisha e ta denigrosh Ibrahim Rugovën i cili shumë shpejt do ta linte Rinasin dhe do të udhëtonte jashtë nga aeroporti i Shkupit; ta dërgosh në Prishtinë për ambasador Islam Laukën, njeriun e bërë prej fjalamanisë nacional-romantike e recidiviste socialiste, që po i torturon faktet historike dhe po i shtyp ato, që shan e pështyn secilin kosovar që mendon ndryshe nga ai, që ndonëse pa kompetencë në dije shan historianët që shkruajnë libra për kauzën e Kosovës, si Oliver jens Schmitt, anëtar i Akademisë Austriake të Shkencave; Të jesh i djathtë dhe të shpallësh qytetarë nderi të qyteteve shqiptare gangsterë, zhvatës të popullit të Kosovës, e të dyshuar për krime lufte, vërtet nuk e rrokë rradakja!?

Edi Rama duhet t’i rimendojë këto pozicione që ngrenë plot hendeqe, ai nuk guxon të bjerë në to...

Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 shënuan fundin e një oligarku, Berishës demokrat dhe fillimin e një tjetri, Ramës socialist, porse ky i fundit e ka edhe një shans të fundit, ta ndryshojë veten duke e ndryshuar Shqipërinë!

Sali Berisha, sidoqoftë i ka shërbyer shtetit shqiptar me tërë potencialin e vet qytetar, politik e kombëtar, ndonëse me një fillim energjik dhe prej njeriu modest, që jetonte në një apartament rreth 100 metrash katrorë, të dhënë nga shteti si mjek kardiolog, porse sidomos në qeverisjen e fundit ai u lëshua me lehtësi të padurueshme në lakmitë njerëzore, duke u mundësuar klaneve të tij familjare e klienteliste jo vetëm poste të larta publike por edhe pasurim marramendës e të shpejtë.

Me të marrë një faks nga një biznesmen shqiptaro-amerikan, Berisha ngre në Gërdec “Fabrikën e vdekjes” ku mbajti në kushte mizerable krahë pune, gra e fëmijë së bashku me shumë burra në riciklimin e municioneve për përfitime të kompanive të afërta me pushtetin e tij derisa i ndodhi Gërdeci, një tragjedi kjo thërrmuese për një demokraci të brishtë.

28 të pandehurit e tragjedisë së 15 marsit 2008, kur vdiqën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, u liruan nga akuzat më të rënda për vrasje, me motivacionin se nuk kishin për qëllim vrasjen me paramendim!?

Megjithëse Prokuroria kishte kërkuar tri burgime të përjetshme dhe miliona lekë dëmshpërblim, dënimet u zbritën në mënyrë drastike.

Familjarët nuk morën dëmshpërblimet e dinjitetshme për humbjen e të afërmve.

Po, gabimin më të madh në qeverisjen e fundit Berisha e bëri në ditën kur masa e rebeluar mësyu rezidencën e tij. Ai urdhëroi Gardën kombëtare të shtinte mbi ta.

Ai nuk menaxhoi mirë revoltën e 21 janarit 2010 kur nga paniku urdhëroi vrasjen e katër protestuesve të dirigjuar nga Rama.

Ish-amabasadori amerikan në Tiranë, John Withers, një vit pasi që e la Tiranën, komentoi: “Katër veta vdiqën, u derdh gjak në rrugët e Tiranës, gjak i çmuar shqiptarësh. (…) Dhe në vend se t’i mbështeste hetuesit e prokurorët, Qeveria i sulmoi ata dhe në këtë rast kryeministri përdori një gjuhë të tmerrshme kundër Prokurores së Përgjithshme, një gjuhë, e cila që të flasim hapur ishte e padenjë. Ishte turpëruese për vendin. Një kryeministër nuk duhet të bëjë gjëra të tilla”.

Ky ishte Berisha inatçi që urdhëroi heqjen e Ina Ramës nga detyra.

Edhe ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, foli për këtë. Ai po fliste për veprimet e Qeverisë siriane ndaj popullit të vet dhe kur u pyet për ndryshimin mes sirianëve dhe shqiptarëve, për sa i takon incidentit të hapjes së zjarrit, ai tha se nuk ka asnjë ndryshim. Një jetë shqiptare është po aq e vlefshme sa edhe një jetë siriane, apo çdo jetë tjetër.

Si ndodhi që presidenti i Francës të shfaqej më i dhembshur dhe më i shqetësuar për gjakun e shqiptarëve se sa establishmenti i Berishës?

Kështu kardiologu komunist që u konvertua në antikomunist ishte oligark dhe nuk qeverisi, por sundoi mirë e keq.

Ai ka ndërtuar qindra kilometra rrugë të asfaltuara, me standarde të larta, siç është edhe “Rruga e kombit”, siç po cilësohet sipas traditës nacionaliste shqiptare, ka ndërtuar qindra shkolla të reja, ambulanca e spitale si dhe ka rritur rrogat e pensionet shumëfish që nga 2006-a.

Ai ka inkurajuar investimet e huaja dhe bizneset në vend, duke hequr çdo lloj takse dhe duke dhënë astete kombëtare me koncesion, sipas sistemit “gjithçka një euro”.

Berisha është dashur të largohej si burrat e dheut – duke ua lënë trashëgimi PD-në, të rinjve, siç janë Selami, Olldashi, Basha, etj.!

Që vetë të mbetej në historinë e shtetit shqiptar si qytetar i devotshëm dhe patriot konstitucional.

Burrë shteti i vërtetë.

Mirëpo, Berisha nuk shkon kokulur nga froni i Tiranës. Shqiptarët ia dinë për nder veprat e tij të mëdha!

Tashti suksesi ose dështimi i pasardhësit të tij në krye të vendit të shqiponjave, Rama, do të varet para së gjithash nga sjellja e tij ndaj gjysmës së kombit, se si do t'i trajtojë humbësit e zgjedhjeve. A do t'i trajtojë qytetarë të barabartë e të mbrojtur nga ligji, qytetarë që duhet qeverisur edhe me ta (të qeverisësh me opozitën!) apo si të mundur!?

Rama është njeri mendjemprehtë, por agresiv dhe i paskrupullt.

Ndërsa ai që i shërbeu Shqipërisë për një balancë të re mes së majtës dhe së djathtës, Ilir Meta, është cinik. Ai u shërben oligarkëve si monedhë për kusuritje, por më së tepërmi barkut të tij prej oligarku.

Nëse Rama hyn në udhën qorre të provokimit të humbësve në zgjedhje, nëse ai nxjerr nga puna eksponentë të Berishës dhe militantë të PD-së, nëse u rikthehet sharjeve dhe pështymave, ai do të dëshmojë se është i njëjtë me paraardhësin Berisha, pinjoll i PPSH-së në kushtet e pluralizmit!

Dhe si i tillë do t'ia hajë Shqipërisë kot një mandat elektoral.

Për ta rikthyer në vitin zero!?

 

Shqipëria pas Asphaltierkünsten Qeverisë (2) 

Nga Halil Matoshi

Pse kosovarët nuk është dashur ta përligjnin atë që u thotë e majta shqiptare, se janë mercenarë të Berishës?

Shqipëria ka aplikuar për të marrë statusin e kandidates së BE-së në prill të vitit

2009, por dy herë me radhë i është hedhur poshtë aplikimi, megjithëse i është dhënë “Schengeni i bardhë” – duke ia hequr regjimin e vizave në vendet e zonës Schengen të BE-së në vitin 2010.

Nëse trandet (në fjalimin e tij prej fituesi dha një ogur të mirë) dhe nuk sillet si paraardhësit e tij socialistë (Nano & Co), nëse nuk bën rrëmujë me pushtetin dhe nëse nuk e përdor atë kundër së djathtës, kundër medias e shoqërisë civile dhe kundër institucioneve të pavarura, ka gjasa t’i lërë vetes një emër të mirë e t’ia bëjë Shqipërisë së lodhur nga transicioni një shërbim të mirë!

Ramën pos atyre cilësive morale që i përmendëm, e mban në pushtet vetëm marrja e datës për nisjen e negociatave për aderimin e Shqipërisë në BE.

Nëse jo, Rama do të dalë nga loja pa e përmbushur mandatin dhe këtë herë me fishkëllima, jo vetëm nga spektri i djathtë,  por këtë herë edhe nga votuesit rozë!?

Rama duhet ta mënjanojë oligarkinë nga pushteti shqiptar si formë qeverisjeje.

Po ashtu, ai duhet të investojë shumë mund e mend në institucione vërtet të pavarura shtetërore, në demokratizim dhe modernizim të shoqërisë e jo ta rikthejë sërish në skenë artin e asfaltimit (Asphaltierkünsten)!?

Asfalt kanë shtruar shumëfish më shumë se Berisha edhe Hitleri e Musolini, por nazifashizmi e pllakosi botën në mjerim, e theu progresin e humanizmit dhe kësisoj u dënua dhe u ndëshkua botërisht…

Dhe në fund duhet thënë disa fjalë rreth perceptimit në Tiranë se kosovarët janë pro Berishës në të gjitha versionet e tij?

Ata edhe nuk janë të tillë, është thjesht perceptim i të dyja blloqeve politike në Tiranë.

Kosovarët nuk duhet ta “shesin” veten si mercenarë të Berishës?!

Nuk kam pasur asnjëherë pas rënies së komunizmit preferenca se kush duhet t’i fitojë zgjedhjet nacionale në Shqipëri, duke iu përmbajtur parimit se kjo është një çështje e brendshme e trupit politik të Republikës së Shqipërisë dhe nuk i përket fare Kosovës, si entitet politik i veçantë, me një trup vetjak politik, prandaj çdo interferim nga Kosova e vrojtoj si të dëmshëm dhe të pakompetencë. Natyrisht se Ligji për dyshtetësinë ua mundëson këtë shqiptarëve jashtë Republikës së Shqipërisë, mirëpo ky ligj duhet të rishikohet, të amendamentohet dhe të “riparohet”, ta zëmë konform me ligjin britanik, ku qytetari mund të ketë disa shtetësi, por të drejtën e votës e siguron vetëm në vendin ku i paguan taksat dhe thjesht të pabazë.

Në anën tjetër një deputet i Kuvendit të Kosovës (Arben Gashi) e bëri publike votën e tij në Tiranë duke shkaktuar bujë në publik, duke qenë se i njëjti është betuar mbi Kushtetutën e Kosovës për lojalitet shtetit të tij dhe tashti, me votimin e tij në një shtet tjetër, ai realisht pavetëdijshëm i bie mohit betimit që ka bërë, sepse ia ka dhënë besimin (votën e lirë) një pushteti tjetër!?

Motivet pse ai e bëri publike votën e tij janë shumë personale, porse me këtë akt ka dëshmuar se nuk është një patriot konstitucional, por një patriot romantik.

Duke pasur parasysh kontekstin e luftës politike në Shqipëri, ndërhyrja e votuesve kosovarë në këtë trup politik përligj fantashkencën e majtë se Berisha po paguan mercenarë nga Kosova për ta sunduar Shqipërinë, ose se ai u ka dhënë dhjetëra-mijëra pasaporta kosovarëve vetëm që ta dominojë Shqipërinë.

Asnjëra natyrisht se nuk është e vërtetë, sepse me aq sa dihet, janë vetëm rreth pesë mijë kosovarë që kanë shtetësi shqiptare, e të cilët nuk mund ta përmbysin rezultatin zgjedhor në kurrfarë rrethanash.

Analisti nga Tirana, Andrea Stefani, ka deklaruar në një debat televiziv se një pjesë e madhe e kosovarëve kanë një simpati tribale për Sali Berishën.

“Vërehet logjika se unë të simpatizoj ty se je nga Tropoja, e unë jam nga Dukagjini. Nuk është e vërtetë se kosovarët e duan Berishën sepse thjesht është kryeministër, sepse këtë simpati nuk e kanë pasur për Fatos Nanon”.

Mirëpo Stefani është për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, për ta krijuar një trup unik politik, një trup normal, pa e thënë përse partia që e ka në program këtë ide, ajo e Kreshnik Spahiut pësoi fiasko në zgjedhjet vendore!?

Kur flitet për votën e qytetarëve të Kosovës, përmendet fakti që kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, premtoi nënshtetësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, por më pas u tërhoq duke u arsyetuar se kjo nuk lejohej sipas standardeve evropiane.

Ideja e Berishës për dhënien e pasaportave të gjithë shqiptarëve edhe ashtu hodhi shumë benzinë në zjarr duke ashpërsuar konstelacionet e forcave në Shqipëri, prandaj edhe u prolongua nga vetë ai. Por kjo “ide e tij” do të përdorej në heshtje nga elektorati shqiptar si armë kundër vetë atij duke u shndërruar në njërin nga faktorët kyç në humbjen e zgjedhjeve.

Berisha i kishte hyrë një rruge të pakrye, sepse me këtë ide mund ta pengonte projektin e liberalizimit të vizave për kosovarët në një anë dhe mund ta cenonte vetë idenë e shtetit të pavarur të Kosovës, që ende vuan foshnjërinë e vet.

Nëse tërë Kosova merr dyshtetësi, kjo e prish balancën politike të krijuar në Shqipëri për këto 20 vjetet e fundit, madje që shkon edhe me thellë në historinë e shtetit shqiptar.

Në këtë mënyrë jo vetëm që prishet balanca ndërmjet dy forcave të mëdha politike, por prishen edhe balancat kulturore, gjuhësore dhe gjeopolitike në ravijëzimet jug-veri.

Ideja e bashkimit (ekzaltimet me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare) është ide e të gjitha elitave kulturore e politike të shqiptarëve të Kosovës, porse ajo keqpërdoret si prononcim politik (për të shtënë në dorë pushtetin politik, pra fuqi) kurse strategjia e të dyja shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës për këtë ide, si dhe puna për jetësimin e saj është  kurrfarë, boshësi dhe kapardisje nacionaliste. Kombet nuk bashkohen me parulla socrealiste e nacional-socialiste, por me ide të reja, kondolidim e fuqizim të shteteve e shoqërive përkatëse, mirëqenie ekonomike e beteja diplomatike, duke krijuar miq të rinj e simpati tek armiqtë e shqiptarëve, duke dëshmuar besim se shqiptarët prodhojnë siguri në rajon, por edhe më gjerë, siguri në NATO dhe forcë kohezioni në BE.

Së këndejmi, shqiptarëve u duhet punë vigane e sa më pak fjalë – sepse shqiptarët janë pengje të idesë së kombit të pambaruar, kufijtë e të cilit përputhen me kufijtë e një shteti unik.

Pra, ata për një shekull mbeten nacionalistë antishtet!.

Rama si kryeministër duhet ta shmangë retorikën nacionaliste për të mos i mbajtur peng energjitë e shqiptarëve për të krijuar mirëqenie e prosperitet. Ai duhet të krijojë një strategji të re edhe në raport me shqiptarët në shtetet tjera, në Kosovë, FYROM dhe Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi. Përfundimisht duhet ta mënjanojë sjelljen prej paternalisti dhe të bashkëpunojë me shtetet përkatëse për të prodhuar siguri e stabilitet.

Ai duhet t’i përmbahet idesë së tij shumë praktike dhe humane njëkohësisht, që në vend të retorikëve të zjarrta nacionaliste, në Preshevë të investojë p.sh. në një maternitet, që gratë e kësaj treve të lindin fëmijët e tyre në vendin e tyre.

Rama duhet të dijë se për Brukselin hiq s'ka rëndësi fakti se sa shtete ka me shumicë shqiptare (ose me pakicë të madhe shqiptare) në Evropën Juglindore - për Brukselin kanë rëndësi vlerat e përbashkëta, standardet e lirive dhe të drejtave, rritja ekonomike, dhe së fundi të qenët faktor stabiliteti.

Mbi të gjitha, vetë ideja e  BE-së është zvogëlimi i dhunës dhe me këtë motivacion edhe e mori “Nobelin” për paqe vitin e kaluar!

Berisha ka pasur natyrisht plot gabime, mirëpo finalja e super-gabimit të tij ishte dita kur vendosi të hynte në garë për mandatin e tretë radhazi për ta qeverisur vendin.

Dalja e tij në zgjedhjet e fundit si lider i PD-së pa dyshim ishte gabimi më i rëndë, mund të thuhet jetësor i tij.

Kjo tingëllon neveritshëm, ngase ai sikur mësynte të hynte dhunshëm në histori, për jetëgjatësinë e mbajtjes së pushtetit për gjysmën e kohës sa qëndroi në fron ish-diktatori Enver Hoxha!?

Shqipëria pati boll autokratë e autokraci!?

Në Ballkan, sipas traditës, zgjidhen në pushtet oligarkët e fuqishëm dhe ata duan të vdesin të pushtetshëm e me nam historik. Në demokraci, ndërkaq, pushteti është vetëm një shërbim ndaj shtetit (qytetarëve) që përthekon kryesisht dy mandate (tetë vjet) për t’u harruar...

Shqiptarëve u duhen menaxherë të mirë të intersubjektivitetit dhe konfliktualitetit shoqëror, u duhen  njerëz të shërbimit dhe profesionistë të fushës, që s'i mban mend askush, sidomos jo për përçarje e nxitje dhune…

Njerëz të urtë e jo egërshanë e mizorë …

Ambasadori amerikan Withers mendon se  Shqipërisë i duhet një Skënderbe sot, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Por në Shqipërinë e sotme nuk ka Skënderbe…

“Dhe mua më vjen keq për një gjë të tillë” – thotë ai.

Sidoqoftë, Shqipëria përjetoi një proces zgjedhor që sado i mirë të ishte, u përgjak në Laç, duke i shkaktuar edhe një plagë kësaj shoqërie.

Shteti shqiptar, sipas gjasave, do të jetë edhe katër vjet të tjera larg marrjes së datës si vend kandidat për BE.

Mirupafshim më 2017!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora