| E hene, 08.07.2013, 07:55 PM |
Shqipëria
pas Asphaltierkünsten* Qeverisë
Nga Halil Matoshi
Aty ku
njeriu kërcënohet me jetë ose vritet për votën e lirë, nën daullet vëllavrasëse
të dy liderëve oligarkë, si Berisha e Rama, ai vend nuk meriton respekt.
Shqipëria gjatë këtyre vjetëve nën qeverisjen e së majtës ose duhet ta
kapërcejë trashëgiminë tribale dhe të garantojë një proces demokratik zgjedhor,
ose do t’i rikthehet ciklit të dhunës dhe shkatërrimit
Këtë
shkrim megjithatë po e
Të
qeverisësh me opozitën, ky duhet të jetë çelësi i suksesit të një demokracie të
re, të mos i trajtosh të humburit në zgjedhje si të humbur në luftë, si klasë e
degraduar shoqërore, kjo duhet të jetë dalja nga rrethi vicioz i dhunës
politike!
Të mos
ndërhysh në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e pavarura të shtetit,
duke abuzuar me mbifuqinë e pushtetit politik, të mos prekësh të paprekshmet,
siç janë liria e shprehjes, liritë themelore politike e të njeriut...
Në
fjalimin e tij prej fituesi, Rama e premtoi këtë!
Në anën
tjetër, urimi për kundërshtarin fitues duke i uruar që ta shpjerë në cak
rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, shmangia e gjuhës së urrejtjes dhe mbajtja
e një qëndrimi prej burrë shteti në fund, ishte dita më e mirë e Berishës në
tërë epokën e transicionit, në udhën e tij 23-vjeçare të njeriut të pushtetshëm
në Shqipëri. Por në Shqipërinë e varfër e të pamodernizuar, votohen oligarkitë
e konsoliduara, pra dy organizatat e mëdha të milionerëve postkomunistë, që
kanë vjedhur e zhvatur popullin sipas rendit dhe që kanë bashkëpunuar e
vazhdojnë të bashkëpunojnë me krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme
(blloku blu apo rozë) duke abuzuar me paranë publike dhe duke u mundësuar
oligarkëve pasurim nga zyrat publike. Pra, në këtë transicion të rëndë e plot
përplasje (të kujtojmë këtu vetëm luftën civile të vitit 1997) trupi politik
shqiptar ka manifestuar sindrome të
rrezikshme të sëmundjes së zvetënimit e shterimit, duke mos mundur tutje të
prodhojë as ide të reja dhe as organizata politike të spektrit qytetar, e aq më
pak të konsolidojnë institucione të fuqishme e të pavarura demokratike
shtetërore – modernizuese e perëndimorizuese! Këso Shqipërie, mjerisht s'e merr
kush seriozisht në raportet ë përbotshme!?
Duke qenë
se gjithmonë në raportet ndërkombëtare mbetet në krye të vendeve më të
korruptuara, më të varfra, ku shkelet liria e medies, madje në një nga raportet
e fundit, del se Shqipëria është ndër vendet më raciste në Europë!?
Nuk diti
t’u shmangej përplasjeve kulturore e politike, që e ravijëzojnë ndarjen
jug-veri, ish komunistë-demokratë, të majtë - të djathtë, duke i trajtuar
mbështetësit e së majtës shqiptare si të mundur në betejën antikomuniste.
Berisha
nuk e menaxhoi mirë rindarjen e pronave, ish të përndjekurit politikë të
regjimit stalinist, por as ish-eksponentët e Partisë së Punës, të cilët mezi e
mbijetuan të gjallë shtrëngimin e pushtetarëve të rinj. Ai madje burgosi
fillimisht tërë nomenklaturën komuniste (Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën me
shokë) por ai e martirizoi edhe liderin e Partisë Socialiste, Fatos Nano, i
cili, me maniret e tij ia lëkundi balancat e pushtetit dhe thuajse e dërmoi më
1997.
Berisha,
me ta konsoliduar sadopak demokracinë, i fali këta eksponentë duke u dhënë
qetësinë dhe dinjitetin e mohuar, mirëpo kjo falje ishte më tepër kompromis
sesa drejtësi.
Të
pretendosh të jesh i djathtë si Berisha e ta denigrosh Ibrahim Rugovën i cili
shumë shpejt do ta linte Rinasin dhe do të udhëtonte jashtë nga aeroporti i
Shkupit; ta dërgosh në Prishtinë për ambasador Islam Laukën, njeriun e bërë prej
fjalamanisë nacional-romantike e recidiviste socialiste, që po i torturon
faktet historike dhe po i shtyp ato, që shan e pështyn secilin kosovar që
mendon ndryshe nga ai, që ndonëse pa kompetencë në dije shan historianët që
shkruajnë libra për kauzën e Kosovës, si Oliver jens Schmitt, anëtar i
Akademisë Austriake të Shkencave; Të jesh i djathtë dhe të shpallësh qytetarë
nderi të qyteteve shqiptare gangsterë, zhvatës të popullit të Kosovës, e të
dyshuar për krime lufte, vërtet nuk e rrokë rradakja!?
Edi Rama
duhet t’i rimendojë këto pozicione që ngrenë plot hendeqe, ai nuk guxon të
bjerë në to...
Zgjedhjet
e 23 qershorit 2013 shënuan fundin e një oligarku, Berishës demokrat dhe
fillimin e një tjetri, Ramës socialist, porse ky i fundit e ka edhe një shans
të fundit, ta ndryshojë veten duke e ndryshuar Shqipërinë!
Sali
Berisha, sidoqoftë i ka shërbyer shtetit shqiptar me tërë potencialin e vet
qytetar, politik e kombëtar, ndonëse me një fillim energjik dhe prej njeriu
modest, që jetonte në një apartament rreth 100 metrash katrorë, të dhënë nga
shteti si mjek kardiolog, porse sidomos në qeverisjen e fundit ai u lëshua me
lehtësi të padurueshme në lakmitë njerëzore, duke u mundësuar klaneve të tij
familjare e klienteliste jo vetëm poste të larta publike por edhe pasurim
marramendës e të shpejtë.
Me të
marrë një faks nga një biznesmen shqiptaro-amerikan, Berisha ngre në Gërdec
“Fabrikën e vdekjes” ku mbajti në kushte mizerable krahë pune, gra e fëmijë së
bashku me shumë burra në riciklimin e municioneve për përfitime të kompanive të
afërta me pushtetin e tij derisa i ndodhi Gërdeci, një tragjedi kjo thërrmuese
për një demokraci të brishtë.
28 të
pandehurit e tragjedisë së 15 marsit 2008, kur vdiqën 26 persona dhe u plagosën
300 të tjerë, u liruan nga akuzat më të rënda për vrasje, me motivacionin se
nuk kishin për qëllim vrasjen me paramendim!?
Megjithëse
Prokuroria kishte kërkuar tri burgime të përjetshme dhe miliona lekë
dëmshpërblim, dënimet u zbritën në mënyrë drastike.
Familjarët
nuk morën dëmshpërblimet e dinjitetshme për humbjen e të afërmve.
Ai nuk
menaxhoi mirë revoltën e 21 janarit 2010 kur nga paniku urdhëroi vrasjen e
katër protestuesve të dirigjuar nga Rama.
Ish-amabasadori
amerikan në Tiranë, John Withers, një vit pasi që e la Tiranën, komentoi:
“Katër veta vdiqën, u derdh gjak në rrugët e Tiranës, gjak i çmuar shqiptarësh.
(…) Dhe në vend se t’i mbështeste hetuesit e prokurorët, Qeveria i sulmoi ata
dhe në këtë rast kryeministri përdori një gjuhë të tmerrshme kundër Prokurores
së Përgjithshme, një gjuhë, e cila që të flasim hapur ishte e padenjë. Ishte
turpëruese për vendin. Një kryeministër nuk duhet të bëjë gjëra të tilla”.
Ky ishte
Berisha inatçi që urdhëroi heqjen e Ina Ramës nga detyra.
Edhe
ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, foli për këtë. Ai po fliste për
veprimet e Qeverisë siriane ndaj popullit të vet dhe kur u pyet për ndryshimin
mes sirianëve dhe shqiptarëve, për sa i takon incidentit të hapjes së zjarrit,
ai tha se nuk ka asnjë ndryshim. Një jetë shqiptare është po aq e vlefshme sa
edhe një jetë siriane, apo çdo jetë tjetër.
Si ndodhi
që presidenti i Francës të shfaqej më i dhembshur dhe më i shqetësuar për
gjakun e shqiptarëve se sa establishmenti i Berishës?
Kështu
kardiologu komunist që u konvertua në antikomunist ishte oligark dhe nuk
qeverisi, por sundoi mirë e keq.
Ai ka
ndërtuar qindra kilometra rrugë të asfaltuara, me standarde të larta, siç është
edhe “Rruga e kombit”, siç po cilësohet sipas traditës nacionaliste shqiptare,
ka ndërtuar qindra shkolla të reja, ambulanca e spitale si dhe ka rritur rrogat
e pensionet shumëfish që nga 2006-a.
Ai ka
inkurajuar investimet e huaja dhe bizneset në vend, duke hequr çdo lloj takse
dhe duke dhënë astete kombëtare me koncesion, sipas sistemit “gjithçka një
euro”.
Berisha
është dashur të largohej si burrat e dheut – duke ua lënë trashëgimi PD-në, të
rinjve, siç janë Selami, Olldashi, Basha, etj.!
Që vetë
të mbetej në historinë e shtetit shqiptar si qytetar i devotshëm dhe patriot
konstitucional.
Burrë
shteti i vërtetë.
Mirëpo,
Berisha nuk shkon kokulur nga froni i Tiranës. Shqiptarët ia dinë për nder
veprat e tij të mëdha!
Tashti
suksesi ose dështimi i pasardhësit të tij në krye të vendit të shqiponjave,
Rama, do të varet para së gjithash nga sjellja e tij ndaj gjysmës së kombit, se
si do t'i trajtojë humbësit e zgjedhjeve. A do t'i trajtojë qytetarë të
barabartë e të mbrojtur nga ligji, qytetarë që duhet qeverisur edhe me ta (të
qeverisësh me opozitën!) apo si të mundur!?
Rama
është njeri mendjemprehtë, por agresiv dhe i paskrupullt.
Ndërsa ai
që i shërbeu Shqipërisë për një balancë të re mes së majtës dhe së djathtës,
Ilir Meta, është cinik. Ai u shërben oligarkëve si monedhë për kusuritje, por
më së tepërmi barkut të tij prej oligarku.
Nëse Rama
hyn në udhën qorre të provokimit të humbësve në zgjedhje, nëse ai nxjerr nga
puna eksponentë të Berishës dhe militantë të PD-së, nëse u rikthehet sharjeve
dhe pështymave, ai do të dëshmojë se është i njëjtë me paraardhësin Berisha,
pinjoll i PPSH-së në kushtet e pluralizmit!
Dhe si i
tillë do t'ia hajë Shqipërisë kot një mandat elektoral.
Për ta
rikthyer në vitin zero!?
Shqipëria pas Asphaltierkünsten
Qeverisë (2)
Nga Halil Matoshi
Pse
kosovarët nuk është dashur ta përligjnin atë që u thotë e majta shqiptare, se
janë mercenarë të Berishës?
Shqipëria
ka aplikuar për të marrë statusin e kandidates së BE-së në prill të vitit
2009, por
dy herë me radhë i është hedhur poshtë aplikimi, megjithëse i është dhënë
“Schengeni i bardhë” – duke ia hequr regjimin e vizave në vendet e zonës
Schengen të BE-së në vitin 2010.
Nëse
trandet (në fjalimin e tij prej fituesi dha një ogur të mirë) dhe nuk sillet si
paraardhësit e tij socialistë (Nano & Co), nëse nuk bën rrëmujë me
pushtetin dhe nëse nuk e përdor atë kundër së djathtës, kundër medias e
shoqërisë civile dhe kundër institucioneve të pavarura, ka gjasa t’i lërë vetes
një emër të mirë e t’ia bëjë Shqipërisë së lodhur nga transicioni një shërbim
të mirë!
Ramën pos
atyre cilësive morale që i përmendëm, e mban në pushtet vetëm marrja e datës
për nisjen e negociatave për aderimin e Shqipërisë në BE.
Nëse jo,
Rama do të dalë nga loja pa e përmbushur mandatin dhe këtë herë me fishkëllima,
jo vetëm nga spektri i djathtë, por këtë
herë edhe nga votuesit rozë!?
Rama
duhet ta mënjanojë oligarkinë nga pushteti shqiptar si formë qeverisjeje.
Asfalt
kanë shtruar shumëfish më shumë se Berisha edhe Hitleri e Musolini, por
nazifashizmi e pllakosi botën në mjerim, e theu progresin e humanizmit dhe
kësisoj u dënua dhe u ndëshkua botërisht…
Dhe në
fund duhet thënë disa fjalë rreth perceptimit në Tiranë se kosovarët janë pro
Berishës në të gjitha versionet e tij?
Ata edhe
nuk janë të tillë, është thjesht perceptim i të dyja blloqeve politike në
Tiranë.
Kosovarët
nuk duhet ta “shesin” veten si mercenarë të Berishës?!
Nuk kam
pasur asnjëherë pas rënies së komunizmit preferenca se kush duhet t’i fitojë
zgjedhjet nacionale në Shqipëri, duke iu përmbajtur parimit se kjo është një
çështje e brendshme e trupit politik të Republikës së Shqipërisë dhe nuk i
përket fare Kosovës, si entitet politik i veçantë, me një trup vetjak politik,
prandaj çdo interferim nga Kosova e vrojtoj si të dëmshëm dhe të pakompetencë.
Natyrisht se Ligji për dyshtetësinë ua mundëson këtë shqiptarëve jashtë
Republikës së Shqipërisë, mirëpo ky ligj duhet të rishikohet, të amendamentohet
dhe të “riparohet”, ta zëmë konform me ligjin britanik, ku qytetari mund të
ketë disa shtetësi, por të drejtën e votës e siguron vetëm në vendin ku i
paguan taksat dhe thjesht të pabazë.
Në anën
tjetër një deputet i Kuvendit të Kosovës (Arben Gashi) e bëri publike votën e
tij në Tiranë duke shkaktuar bujë në publik, duke qenë se i njëjti është betuar
mbi Kushtetutën e Kosovës për lojalitet shtetit të tij dhe tashti, me votimin e
tij në një shtet tjetër, ai realisht pavetëdijshëm i bie mohit betimit që ka
bërë, sepse ia ka dhënë besimin (votën e lirë) një pushteti tjetër!?
Motivet
pse ai e bëri publike votën e tij janë shumë personale, porse me këtë akt ka
dëshmuar se nuk është një patriot konstitucional, por një patriot romantik.
Duke
pasur parasysh kontekstin e luftës politike në Shqipëri, ndërhyrja e votuesve
kosovarë në këtë trup politik përligj fantashkencën e majtë se Berisha po
paguan mercenarë nga Kosova për ta sunduar Shqipërinë, ose se ai u ka dhënë
dhjetëra-mijëra pasaporta kosovarëve vetëm që ta dominojë Shqipërinë.
Asnjëra
natyrisht se nuk është e vërtetë, sepse me aq sa dihet, janë vetëm rreth pesë
mijë kosovarë që kanë shtetësi shqiptare, e të cilët nuk mund ta përmbysin
rezultatin zgjedhor në kurrfarë rrethanash.
Analisti
nga Tirana, Andrea Stefani, ka deklaruar në një debat televiziv se një pjesë e
madhe e kosovarëve kanë një simpati tribale për Sali Berishën.
“Vërehet
logjika se unë të simpatizoj ty se je nga Tropoja, e unë jam nga Dukagjini. Nuk
është e vërtetë se kosovarët e duan Berishën sepse thjesht është kryeministër,
sepse këtë simpati nuk e kanë pasur për Fatos Nanon”.
Mirëpo
Stefani është për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, për ta krijuar një trup
unik politik, një trup normal, pa e thënë përse partia që e ka në program këtë
ide, ajo e Kreshnik Spahiut pësoi fiasko në zgjedhjet vendore!?
Kur
flitet për votën e qytetarëve të Kosovës, përmendet fakti që kryeministri i
Shqipërisë, Sali Berisha, premtoi nënshtetësi për të gjithë qytetarët e
Kosovës, por më pas u tërhoq duke u arsyetuar se kjo nuk lejohej sipas
standardeve evropiane.
Ideja e
Berishës për dhënien e pasaportave të gjithë shqiptarëve edhe ashtu hodhi shumë
benzinë në zjarr duke ashpërsuar konstelacionet e forcave në Shqipëri, prandaj
edhe u prolongua nga vetë ai. Por kjo “ide e tij” do të përdorej në heshtje nga
elektorati shqiptar si armë kundër vetë atij duke u shndërruar në njërin nga
faktorët kyç në humbjen e zgjedhjeve.
Berisha i
kishte hyrë një rruge të pakrye, sepse me këtë ide mund ta pengonte projektin e
liberalizimit të vizave për kosovarët në një anë dhe mund ta cenonte vetë idenë
e shtetit të pavarur të Kosovës, që ende vuan foshnjërinë e vet.
Nëse tërë
Kosova merr dyshtetësi, kjo e prish balancën politike të krijuar në Shqipëri
për këto 20 vjetet e fundit, madje që shkon edhe me thellë në historinë e
shtetit shqiptar.
Në këtë
mënyrë jo vetëm që prishet balanca ndërmjet dy forcave të mëdha politike, por
prishen edhe balancat kulturore, gjuhësore dhe gjeopolitike në ravijëzimet
jug-veri.
Ideja e
bashkimit (ekzaltimet me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë kombëtare) është
ide e të gjitha elitave kulturore e politike të shqiptarëve të Kosovës, porse
ajo keqpërdoret si prononcim politik (për të shtënë në dorë pushtetin politik,
pra fuqi) kurse strategjia e të dyja shteteve, Shqipërisë dhe Kosovës për këtë
ide, si dhe puna për jetësimin e saj është
kurrfarë, boshësi dhe kapardisje nacionaliste. Kombet nuk bashkohen me
parulla socrealiste e nacional-socialiste, por me ide të reja, kondolidim e
fuqizim të shteteve e shoqërive përkatëse, mirëqenie ekonomike e beteja
diplomatike, duke krijuar miq të rinj e simpati tek armiqtë e shqiptarëve, duke
dëshmuar besim se shqiptarët prodhojnë siguri në rajon, por edhe më gjerë,
siguri në NATO dhe forcë kohezioni në BE.
Së
këndejmi, shqiptarëve u duhet punë vigane e sa më pak fjalë – sepse shqiptarët
janë pengje të idesë së kombit të pambaruar, kufijtë e të cilit përputhen me
kufijtë e një shteti unik.
Pra, ata
për një shekull mbeten nacionalistë antishtet!.
Rama si
kryeministër duhet ta shmangë retorikën nacionaliste për të mos i mbajtur peng
energjitë e shqiptarëve për të krijuar mirëqenie e prosperitet. Ai duhet të
krijojë një strategji të re edhe në raport me shqiptarët në shtetet tjera, në
Kosovë, FYROM dhe Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi. Përfundimisht duhet ta
mënjanojë sjelljen prej paternalisti dhe të bashkëpunojë me shtetet përkatëse
për të prodhuar siguri e stabilitet.
Ai duhet
t’i përmbahet idesë së tij shumë praktike dhe humane njëkohësisht, që në vend
të retorikëve të zjarrta nacionaliste, në Preshevë të investojë p.sh. në një
maternitet, që gratë e kësaj treve të lindin fëmijët e tyre në vendin e tyre.
Rama
duhet të dijë se për Brukselin hiq s'ka rëndësi fakti se sa shtete ka me
shumicë shqiptare (ose me pakicë të madhe shqiptare) në Evropën Juglindore -
për Brukselin kanë rëndësi vlerat e përbashkëta, standardet e lirive dhe të
drejtave, rritja ekonomike, dhe së fundi të qenët faktor stabiliteti.
Mbi të
gjitha, vetë ideja e BE-së është zvogëlimi
i dhunës dhe me këtë motivacion edhe e mori “Nobelin” për paqe vitin e kaluar!
Berisha
ka pasur natyrisht plot gabime, mirëpo finalja e super-gabimit të tij ishte
dita kur vendosi të hynte në garë për mandatin e tretë radhazi për ta qeverisur
vendin.
Dalja e
tij në zgjedhjet e fundit si lider i PD-së pa dyshim ishte gabimi më i rëndë,
mund të thuhet jetësor i tij.
Kjo
tingëllon neveritshëm, ngase ai sikur mësynte të hynte dhunshëm në histori, për
jetëgjatësinë e mbajtjes së pushtetit për gjysmën e kohës sa qëndroi në fron
ish-diktatori Enver Hoxha!?
Shqipëria
pati boll autokratë e autokraci!?
Në
Ballkan, sipas traditës, zgjidhen në pushtet oligarkët e fuqishëm dhe ata duan
të vdesin të pushtetshëm e me nam historik. Në demokraci, ndërkaq, pushteti është
vetëm një shërbim ndaj shtetit (qytetarëve) që përthekon kryesisht dy mandate
(tetë vjet) për t’u harruar...
Shqiptarëve
u duhen menaxherë të mirë të intersubjektivitetit dhe konfliktualitetit
shoqëror, u duhen njerëz të shërbimit
dhe profesionistë të fushës, që s'i mban mend askush, sidomos jo për përçarje e
nxitje dhune…
Njerëz të
urtë e jo egërshanë e mizorë …
Ambasadori
amerikan Withers mendon se Shqipërisë i
duhet një Skënderbe sot, më shumë se kurrë ndonjëherë më parë. Por në
Shqipërinë e sotme nuk ka Skënderbe…
“Dhe mua
më vjen keq për një gjë të tillë” – thotë ai.
Sidoqoftë,
Shqipëria përjetoi një proces zgjedhor që sado i mirë të ishte, u përgjak në
Laç, duke i shkaktuar edhe një plagë kësaj shoqërie.
Shteti
shqiptar, sipas gjasave, do të jetë edhe katër vjet të tjera larg marrjes së
datës si vend kandidat për BE.
Mirupafshim
më 2017!