Mendime
Alma Lama: Letër e hapur votuesve të mi
E premte, 05.07.2013, 07:53 PM
LETËR E
HAPUR VOTUESVE TË MI
Nga Alma Lama
Kam
vendosur t’ju drejtohem të gjithëve ju, që kur u afruat pranë kutive të
votimit, në zgjedhjet e vitit 2010, në mendje kishit emrin tim, dhe dora juaj
rrumbullakësoi pikërisht numrin që përkonte me këtë emër.
Ju
drejtotem sepse në një shoqëri demokratike, të vetmit që japin legjitimitet
demokratik, janë pikërisht votuesit, pjesë e sovranit që quhet popull. Vetëm ju
mund t’i jepni mundësinë dikujt t’ju përfaqësojë, të bëhet zëri juaj.
Ndihem e
privilegjuar që ma dhatë mundësinë të bëhem pjesë e Kuvendit të Kosovës,
institucionit më të lartë në vend dhe jam e vetëdijshme çdo çast për
përgjegjësinë e madhe që kam marrë mbi supe.
Me një
vetëdije të tillë, jam përpjekur të jem zëri juaj, zëri i mijëra njerëzve që e dëshironi
një Kosovë të ndryshme nga ajo që është sot, që dëshironi një shtet më të
fortë, më demokratik, një shtet që kujdeset për ju, që respekton e garanton
liritë tuaja, që i respekton miqtë që na dolën në krah, atëherë kur gjysma e
kombit- Kosova rrezikohej nga zhbërja.
Në tetor
të vitit 2010 iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! me dëshirën dhe vullnetin më
të mirë për të dhënë kontributin tim për ndërtimin dhe konsolidimin e
demokracisë në shtetin e Kosovës.
Iu
bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! me besimin e plotë se vetëm në këtë subjekt
mund të punoja për çuar përpara ëndrrën tonë të përbashkët për bashkim
kombëtar.
Iubashkova
Lëvizjes Vetëvendosje! pa pasur as dyshimin më të vogël se kjo organizatë do
bënte çmos për të ruajtur identitetin tonë kombëtar, atëherë kur ndonjë gjarpër
i pabesë do të tentontetë na futej në gjirin tonë për të na e helmuar shpirtin
dhe mendjen, siç na ka ndodhur shpesh përgjatë historisë.
Iu
bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! me bindjen e plotë se kjo do të ishte
gjeneratori i moderimit të shoqërisë, i instalimit të kulturës demokratike
përendimore, që do ta dërrmonte politikën klienteliste, klanore e të errët që
sot po e mban peng politikën dhe vetë jetën.
Iu
bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! sepse i besova programit të saj.
Iu
bashkova Lëvizjes Vetëvendosje! sepse kam besuar se vërtet kjo lëvizje do t’i
kthejë politikës moralin e munguar.
Sot, pas
më shumë se dy vitesh e gjysmë që jam pjesë e këtij subjekti politik, mund t’ju
them se shumica ekoncepteve dhe parimeve që permenda më lart, janë ngulfatur
dhe zvetënuar nga radikalizmi, nga mjetet të cilat shpesh përfundojnë në
promovim të dhunës, e që kompromentojnë çfarëdolloj qëllimi të mirë.
Radikalizmi
po i ngulfat edhe vlerat më të mira që i kanë shumica e vajzave dhe djemve të
Vetevendosjes!
Qytetarët
e Kosovës kanë kaluar nëpër periudha shumë të dhimbshme të dhunës së imponuar,
plagët janë ende të hapura, dhe unë mendoj se riciklimi i saj, në çfarëdolloj
niveli apo intensiteti, qoftë edhe simbolik, nuk i ndihmon askujt, as
qytetarëve, as demokracisë, as imazhit të Kosovës, as interesit kombëtar.
Përdorimi
i dhunës si mjet për arritjen e synimeve politike, nuk ka qenë pjesë të
programit të Lëvizjes, por kjo po ndodh në praktikë gjithnjë e më shpesh. Asnjë
forcë serioze nuk mund të ecë përpra duke u bazuar në këtë mjet. Mjeti i gabuar
degradon vetë qëllimin.
I kam
shprehur në mënyrë të vazhdueshme këto brenga dhe qëndrime të mia brenda
Lëvizjes, kam kërkuar me ngulm që të respektojmë rregullat e lojës demokratike,
të respektojmë institucionet dhe ligjin, por për fat të keq zëri im nuk është
dëgjuar, ka qenë vazhdimisht i izoluar brenda strukturave, ku debatet janë
vetëm nuance e së njejtës ngjyrë.
Kam
shpresuar gjatë gjithë kësaj kohe se gjërat do të ndryshojnë me jetën
institucionale, që kjo do të sillte edhe pjekurinë politike. Mirëpo kjo nuk po
ndodh, përkundrazi, radikalizmi po thellohet nga dita në ditë. Jemi dëshmitarë
të gjithë të asaj që ndodhi në Kuvendin e Kosovës; në tentativën për të ndaluar
deputetët të hyjnë në Kuvend, në trajtimin jodiplomatik që iu bë ambasadores së
vendit që është mbështetësi më i madh, i lirisë dhepavaresisë së shtetit të
Kosovës; në përleshjet e vazhdueshme me policinë me qëllimin për të prodhuar
konflikt; në polarizimineskajshëm të shoqërisë.
Unë nuk
mund të pajtohem me këto sjellje, nuk mund t’i mbështes. Janë plotësisht në
kundërshtim me bindjet e mia.
Nuk
pajtohem me politikat e qeverisë aktuale, kam qenë dhe jam kritikuese e ashpër
e praktikave korruptive të qeverisjes, e dështimit në bisedime me Serbinë, e
dhënies së autonomisë për serbët në veri.Vota ime ka shkuar kundër të gjitha
këtyre vendimeve, por nuk mund të pajtohem kurrsesi që sjellja irracionale të
zëvendësojë racionalen, që dhuna të zëvendësojë argumentet, që polarizimi i
shoqërisë të zëvendësojë tolerancën, dhe të gjitha këto sjellje të dëmshme,
aspak të mos e ndryshojnë realitetin e kritikuar. Përkundrazi, thjesht po e
legjitimojnë qeverisjen e korruptuar, e cila për ironi, shpesh bëjnë të duket
më e moderuar.
Përgjatë
gjithë kësaj kohe, kam kuptuar se nuk janë vetëm metodat me të cilat unë nuk
pajtohem, por janë edhe vetë konceptet ideologjike të Lëvizjes Vetëvendosje!.
Unë jam për demokraci liberale, për respektimin e lirisë së individit, të
sferës private, për lirinë e tregut, jam për korigjimin dhe përmirësimin e
përditshëm të sistemit demokratik, jo për ideologji të tjera dhe ndryshime radikale
të cilat do të mund të kishin pasoja fatale.
Të dashur
votues,
Nuk mund
ta fsheh para jush se ndihem thellësisht e zhgënjyer nga qëndrimi më i fundit i
Lëvizjes Vetëvendosje! në lidhje me fenë dhe raportin me identitetin tonë
kombëtar. Flirtimi politik me rrymat radikale fetare, qoftë edhe për arsye
pragmatike siç është vota, për mua është joparimor dhe për pasojë i
papranueshëm. Janë disa arsye të fuqishme që më shtyjnë drejt këtij qëndrimi
por më kryesorja sepse jam e bindur se këto rryma, të cilat nëpërmjet
indoktrinimit fetar të popullatës, synojnë identifikimin me fenë dhe jo me
kombin, na e rrezikojnë identitetin kombëtar, na çojnë në regres, në epokën e
diskriminimit të grave, larg kulturës përendimore. Këto rryma në fund të ditës,
mund të na e rrezikojnë lirinë, për të cilën u derdh shumë gjak.
Çfarëdo
tendence për të keqinterpretuar fjalën time dhe qendrimet e mia publike në
lidhje me fenë islame në përgjithësi, ka qenë një luftë speciale e grupacioneve
të caktuara politike, të cilët i shoqëruan me kërcënime, linçim publik dhe me
fyerjet më të ulëta që iu është bërë ndonjëherë grave shqiptare. Jam ndjerë e
shokuar nga niveli i këtij diskursi.
Prandaj
të heshtesh apo me vetëdije të mbash qëndrime relativizuese ndaj synimeve te
grupacioneve të tilla, që kërcënojnë, prodhojnë gjuhën e urrejtjes, linçimit
publik, fanatizmit, fondamentalizmit, antishqiptarizmit, që bëjnë diversion
kombëtar, për mendimin tim është e pajustifikueshme.
Për mua
pra kjo është një çështje që ndan dy botë, është një zgjedhje mes errësirës dhe
dritës, prandaj dhe pozicionimi im është i pakompromis me këdo dhe kurdo.
Për mua
tashmë kjo është edhe një çështje e dinjitetit personal.
E kam të
qartë se politika ndërtohet mbi kompromise por një devijim kaq i madh nga
parimet dhe programi, nga ana e Lëvizjes për mua ka qenë i papërfytyrueshëm.
Të dashur
votues,
Për shkak
të këtyre qëndrimeve të shpjeguara më lart, por dhe shumë çështjeve të tjera
shumë të rëndësishme , të cilat nuk do t’i rendis në këto radhë, mua më është
bërë i pamundur qëndrimii mëtejshëm në Lëvizjen Vetëvendosje! Ndryshimet
konceptuale mes meje dhe drejtuesve të LVV janë fondamentale; qëndrimet për
çështjet më të rëndësishme nacionale nuk përputhen dhe metodat për të arritur
synimet politike, janë të papajtueshme mes nesh.
Shpreh
keqardhjen e thellë që gjërat nuk shkuan në drejtimin e duhur, në drejtimin në
të cilin unë besoja kur iu bashkova Lëvizjes Vetëvendosje!, me vullnetin më të
mirë që nëpërmjet saj të jepja kontributin për vendin dhe shoqërinë.
Mandatin tim si deputete në Kuvendin e Kosovës tani e tutje do ta përmbush jashtë grupit parlamentar. Do të vazhdoj të jem zëri juaj në Kuvend, deri në fund të mandatit, duke punuar më përkushtim dhe aktivizëm në interes të vendit dhe aspiratave tona të përbashkëta për demokraci dhe bashkimin të kombit.