Mendime
Vangjush Saro: Përballimi i 'mjerimit'
E hene, 08.07.2013, 08:04 PM
Përballimi i ‘mjerimit’
Nga Vangjush Saro
Ajo që
shikojmë përditë në vendet tona, pra në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në
hapësirat e tjera ku jetojnë shqiptarë, në Evropë a në kontinente gjetiu, është
jeta plot strese e politikë, e tanishmja e shtypur përherë nga e shkuara,
kacafytje ideologjike, qejfmbetje, vendime qeveritare demagogjike, Prodhimi i
Brendshëm vjetor për frymë më i ulëti në kontinentin tonë, turizmi në rënie dhe
në halle të infrastrukturës me probleme, arka e shtetit bosh, sjellje brutale
në politikë dhe në media, etj.; me pak fjalë, mjerim ekonomik dhe shpirtëror.
Dikur, këto tallaze do të mpaken; pasi të kemi përparuar mjaft në rrugën e
bashkimit me njëri-tjetrin dhe me Evropën e Perëndimin në tërësi; pasi të kemi
mposhtur tiranët dhe tiraninë brenda vetes, si dhe djallin e ekstremizmit e të
llafazanërisë pa kuptim; pasi të kemi hedhur tej mjerimin që na bezdis tash e
shumë vjet.
Këtë
shkrim, po e bie te lexuesi si një bisedë. Kështu që shpesh do të tregoj, jo
gjatë, duke shpresuar të mos e lodh askënd. Në një nga romanet e tij, ai me
titull “Njerëz të varfër”, F. Dostojevski rrëfen për jetën e një çifti të
çuditshëm platonik: dy njerëz të thjeshtë e të varfër, në moshë të shkuar, që
shkëmbejnë letra adhurimi e plot mirësi me njëri-tjetrin. Plaku ishte një
kopjues i mjerë*; njëherë, gjatë vizitës së një eprori të lartë në zyrë, i
vendosur në fund të reshtit sipas hierarkisë, nga trazimi, ai zu të luante me
një kopsë të uniformës; dikur ajo iu këput e ra. I shkreti burrë, u përkul,
bëri ta kapte, por kopsa filloi të rrotullohej nëpër dysheme; dhe ai shkonte
pas saj…“Çështë ky njeri? - pyeti eprori i lartë - Ndihmojeni!” Kryeministri
ende në detyrë i Shqipërisë, megjithëse i pasur, sikundër familja dhe rrethi i
tij i ngushtë, prapëseprapë seç ka diçka të përafërt me këtë të mjerë të
përshkruar nga F. Dostojevski. Ai i bie pas kopsës së humbur të uniformës...Që
nuk e ka dhe nuk ka për ta pasur më.
Mjerimi
shfaqet para nesh në pamje të ndryshme. Në romanin e V. Hygoit “Të mjerët”,
Tenardjetë nuk e përballuan dot mjerimin, as zilinë; ata shkuan në krim. Edhe
Uriah Ip-i i Dikensit nuk e përballoi dot mjerimin, egoizmi i doli jashtë
kontrollit; nuk përfundoi mirë i shkreti. Kurse personazhet e novelës
“Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë” të Markez-it, e përballojnë me shumë
dinjitet mjerimin e tyre. Po ashtu bën heroina e romanit “Fëmija i pestë” i D.
Lesing. Një shembull i gjetur i daljes nga kontrolli dhe i mospërballimit të
mjerimit, është ai i disa personazheve të komedisë “Pas vdekjes” të A. Z.
Çajupit. (Adhamudhi, bie fjala.) Edhe Akademia jonë e Shkencave, ka kohë që nuk
e përballon dot mjerimin. Muzafer Korkuti, një emër shumë i njohur i historisë
dhe arkeologjisë shqiptare, shprehet: “Ndërsa ne si Akademi Shkencash ecnim
pas, Akademia e Maqedonisë shtrembëroi historinë, duke vënë në dyshim
autoktoninë e shqiptarëve.” Kurse një tjetër i mjerë, që për fat të keq na
qenka deputet në Kosovë, paskej thënë që Skënderbeu ishte thjesht hero i
katolicizmit(!) Dhe pastaj, qahemi ne shqiptarët për turqit e për serbët...
Mjerimi
nuk është thjesht gjendja ku njeriu nuk ngop dot barkun me bukë. Rëndom, ai e
cënon në kockë një familje, individin. Ndonjëherë shtresa të tëra. Në dekadat e
socializmit, shumë njerëz nuk e përballuan dot mjerimin; ata u ‘regjistruan’
komunistë. Që të përfitonin ç’të mundnin. (Nuk e kemi fjalën për njerëz që
kishin dhe kanë bindje aso.) Një pjesë u ‘regjistruan’ edhe spiunë. Njoh një
njeri që për të bërë shkollë, pranoi të bëhej spiun. Dhe ja ç’ndodh më tej. Në
vitin 1988, kinoregjisori A.Xholi shfaqi në publik kinokomedinë “Shkëlqim i
përkohshëm”, që siç e kam thënë në një tjetër shkrim, pasqyronte përpjekjet e
dëshpëruara të një djali për t’iu ikur mundimeve të fshatit. Një prej atyre që
“iu hodhën në grykë” filmit, ishte ky i mjeri me dosje. Më kujtohet si tani që
shkroi te një gazetë e njohur se autorët e filmit “nuk e kanë pasur parasysh
fjalimin e shoku Ramiz Alia, mbajtur me të rinjtë e Kolonjës…” Etj. Me një
fjalë, autorët e filmit kanë shkuar kundër direktivave të Partisë(!) Mirë. Por
pas viti ‘90, ky miku u bë demokrat i flaktë, madje jo i radhës…
Po e zëmë
tani se je një popull i mjerë; (disa e quajnë popull humbës; pse jo popull i
humbur?) Le të themi se ata që ke zgjedhur në krye, tallen me ty e të
poshtërojnë, duke abuzuar me pushtetin, duke u pasuruar dhe, mandej, duke u
shtirur sikur iu pikon zemra gjak për ty. Si përballohet kjo? Njëra mënyrë për
ta përballuar, është votimi me mend në kokë. Po si i bëhet kur ty të kanë
edukuar (dhe mbase ashtu e ke racën) që të orientohesh në mënyrë të polarizuar?
Një pjesë e mirë e jotja e ka të vështirë të bëjë zgjedhje. Ajo qan për
Enverin. Po qan edhe për Saliun. Ajo nuk arrin të kuptojë ç’është tirania dhe
shtirja. Atëherë, mbetet që të edukohet më mirë. Edhe ky është njëlloj mjerimi
që duhet përballuar. Por do kohë…
E zëmë se
një parti politike është rudhur, ka rënë në mjerim. Midis të tjerave, dy nga
drejtuesit e saj janë edhe thuthuqë. Tani, nuk kemi pse vështrojmë cenet fizike
te njerëzit; por kur ata fillojnë e fajësojnë popullin pse ranë nga fiku,
mandej sillen edhe si shpëtimtarë për nesër, ne nuk jemi aq lëkurëtrashë sa të
mos e vëmë re dhe të mos e cekim sadopak edhe cenin e tyre, që vjen në harmoni
me “thpirtin” prej revanshisti...Në këtë rast, mjerimi nuk është më një dukuri,
por një armë në duart e dikujt që duhet përmbajtur…Nuk mund të shkosh në
opozitë me ëndrra për pushtet. Ekzyperi thotë diku: “Asnjëherë nuk mund të jesh
i kënaqur atje ku je.” Por duhet të kthjellohesh njëherë, të mbledhësh mendjen,
të rudhësh gjuhën, të lexosh ç’të ka shkruar në pusullën e lamtumirës ai
populli i humbur; mandej, ke kohë të modelosh një rikthim pa mjerim.
E zëmë më
në fund se je një intelektual apo krijues i vonuar, relativisht i panjohur; nuk
po themi i talentuar apo jo; në kohën tonë menaxhimi i krijimtarisë letrare dhe
klasifikimet janë një gjë fort e vështirë. Gjithsesi, je në kushte të tilla që
nuk po e arrin dot lavdinë e dëshiruar. Edhe ky është njëlloj mjerimi. Duhet
përballuar. Po si? Duke iu vërsulur të tjerëve - atyre që kanë më shumë emër e
famë - për t’i përbaltur? Apo duke u përpjekur ta vizatosh jetën dhe
krijimtarinë e një vendi e të një kohe (kur ti nuk ishte në tavë) si
shkretëtirë e tela me gjemba e njerëz me recka, në mënyrë që diku të ngresh
“oazin” tënd? Mendoj se nuk janë këto mënyrat më të mira për t’u realizuar.
Ndër porositë që A. Linkoln i jepte mësueses të të birit, ishte edhe kjo:
“Mësojini fillimisht se mendjemëdhenjtë janë të parët që humbasin.”
Sot më
shumë se kurrë mjerimi duhet kufizuar, duhet bërë i padëmshëm. Një shoqëri që
synon të emancipohet, një forcë politike e mundur, një individ që ëndërron më
shumë famë, një media që shumë a pak e ka një emër, nuk mund të përparojnë dot
duke rimarrë në dorë kamxhikët e urrejtjes e të zilisë gjer në mjerim. Nëse
këtë, ndër të tjerë, e bëjnë edhe njerëz me kulturë dhe vështrim perspektiv,
është edhe më keq. Nuk dua ta besoj. Fundja, një falë e urtë popullore thotë:
“Nuk pritet kumbulla se i bën hije kungullit...”
Ani. Le
të shpresojmë pra, të ketë sa më pak mjerim.
.......
* Ishte koha kur shkresat dhe
aktet zyrtare (dhe jo vetëm) kopjoheshin me dorë, me penë. Njeriu që bënte këtë
punë, quhej kopjues apo kopist; ishte nëpunësi më i ulët për nga hierarkia dhe
paguhej keq.