E shtune, 27.04.2024, 05:54 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Brikena Qama

E merkure, 19.06.2013, 07:33 PM


Brikena Qama

 

Nga libri: Pëshpërimat brenda meje

 

Ksenjës

 

-Ti, akoma je aty

Mundohesh të kuptosh heshtjen,

Vorbullën e grimcave

Fjalësh të pathëna.

-Aty.

Edhe pse unë, gjymtyrëprerë

Nuk mund të të ofroj

Lëngun e zi gjumëprishësh

E t’i harrojmë ëndrrat dhe për sot.

-Ti je aty

Gjithmonë në pritje.

E unë nuk mund ta mbush

Boshllëkun planetar

Me fjalë e arsyetime

Vjedhur zotit

Pak para flijimit të Birit.

O Zot!

T’i vodha fjalët, por jo guximin

E, pa të nuk di të flas.

Nuk di...

 

 

Erdhe?

 

T’i putha ëmbël sytë

Dhe flatrave të gjumit

Të përcolla

Me ndrojë e frikë

Mos ulësh siparin e ditës

Pa mua.

 

 

Pa peshë

 

Edhe pse jargosjes së dyshimtë

I mungon qëllimi,

Rrëzëllimi i lotit nuk është i kot

Folmë!

 

A ka më të shenjtë se fjala?

 

M’i lësho duart

Të kryej mëkatin

Së fundmi

Shpirtin e cënuar

Lejo të vërtitet

Midis asgjësë dhe jetës.

 

 

Të vërteta të lëna gjysëm

 

-Lermëni të jetoj!

U çorra

Dhe më latë.

Pa më thënë se një ditë do të vdes.

-Lërmëni të dua!

Luta

Dhe më latë.

Pa më  thënë se një ditë gjithçka humbet.

-Lërmëni të vdes!

Mëshirë!

Me shpresën se këtë rradhë

Nuk do t’më lini.

 

Ushtarë të bindur të qëllimit,

Ja arritët.

Perëndimit të fllashkët

Endet shpirti

Ndërmjet puthjes hyjnore

Të detit dhe diellit.

...   ...   ...

Ai tha:” E megjithatë,

Ajo rrotullohet!”

Pas shumë vitesh dikush tjetër:

“Ndaleni! Dua të zbres.”

 

Ç’më mbeti mua?

Më e shenjta

Të vendos rrota nën planet.

 

 

Dritëhije

 

Unë fle e zgjohem

Me ankthin e pritjes.

Mos eja!

As për një çast.

Mos më lejo të end

Brenda një nate

Pëlhurën e lashtë;

Akoma dhe nëse,

(si ajo e vërteta)

Zgjat njëzet vjet.

 

Lëri dhëndurët të më vërdallosen

Pritja të takon veç ty.

 

Por edhe nëse vjen

Rastësisht, gabimisht, apo qëllimisht,

Mos fol...

Vetëm më prek...

 

 

Pa më pyetur në doja

 

Ma falni çalltimin sekondor

Ritmiken e tundjes së kokës

Ngrënien e thonjëve vend e pa vend

Shkumëjargën cepave të buzëve

Në përpjekjen e gjetjes së fjalëve.

Dua të shoh shtrembërimin e fytyrës

Sa herë që ju kam përballë.

Kjo përvojë

Më ka ngelur mangët në jetë,

Gjithçka tjetër

Ma dhuruat pa më pyetur.

 

 

Ndrojë nga primitiviteti

 

Nën dritën e vobektë

Uni lëshon hije caqeve këndor

Pa dashur të hyj në qortim human.

Drithërimës i shton

Ndjesi të pafalshme seksuale.

Aty zhvendoset lehtas,

Nyjeve dhomcake

Për të më braktisur,

Përfundimisht

Nën ndrojën e të qënit

Akoma majmun.

 

 

Erotika

 

Fjalë të pakuptimta  rreshtash të hallakatur,

Belbëzohen ofshamash

Ripërsëriten rutinës së pashmangshme

E hidhen në harresë

Pak çaste mbas fundit,

Thellë të fshehura

Në unin e paqëllimtë,

Shfaqen vetëm kur riti i moçëm

Kërkon ushqim për të mbetur i tillë.

 

 

Vetmohim

 

Thërmija kotësie...

Majëqelqta

Ma gërvishtin trungun,

Aq sa hija ime

Deformohet dhunshëm.

Si është e mundur

Të mbij sërish  gjethi?

 

 

Çmimi i kureshtjes

 

Harruar  e kam

Këmishën e natës

Varur

Mbas derës sakate

Që, as mbyllet

As hapet.

 

E lakuriqtë

Ngjaj

Venus i shformuar.

Brilantët e trupit

As të mekur

As venitur

Por kurrsesi të shndritshëm

(siç duhet)

Rënkojnë orgazmave

Gjysmake

 

Këmisha mplaket

Mbas derës

Sakate.

 

 

Romantizëm vjeshte

 

Hapa indiferent

Pranë gjethes së rënë

Mes zhurmash e kuqërremta

Dëbon me inat

Simotrën e gjelbër

Ardhur para kohe.

 

-The gjë...?

-Jo...!

-A...

Ishte zhurma e gjetheve.

 

 

Vërtitje

 

Duhet të rrotullohem 360?.

Rreth  vetes

Të buzëqesh ngërdheshshëm

Të ngjall sadisfaksion

Përndryshe

Nuk do ta meritoj

Karamelen që mban

Në dorën e mbyllur fort.

 

 

Kronologjikisht

 

Eci zbathur

Majemaleve të thepisur,

Shtrënguar në duar

Kam fjalën

Atë që (këtu ku ndodhem)

Nuk më bën punë.

Veç më ndihmon

Në mbajtjen e ekuilibrit

Të ndarjes së specieve.

 

Mjaft!

Mu gjakosën këmbët,

E dorëzoj fjalën!

Në vend të saj, krahë dua.

E parë nga lart

Toka nuk më josh më.

 

 

Përshkrime udhëtimesh kohore

 

Të fshehtat  e mia

I hodha në letër

Më pas

Letrat në zjarr

Zjarri...

U shua e u bë hi

Hirin.

E mori krahu i erës

Dhe shpërndau kudo

Ato që tani

S´janë më të fshehta.

 

 

Prezantim

 

Gjithçka

Meritoj në këtë jetë

Unë ,

Pranvera,

Frymëmarrja e gjithësisë.

Edhe zverdhjen

E vjeshtës thatanike.

Edhe akullsinë

E ?shpirtrave dimëror?.

Edhe për etjen

E verës zvarranike...

Kam nevojë...

 

E kompletuar krejt

Me bukuri e trishtim

(natyrisht fisnike)

Mbishkrimin vendos

Rrudhave të ballit

Unë,

Pranvera.

Frymëmarrja e gjithësisë



(Vota: 24 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora