E premte, 26.04.2024, 11:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Vangjush Saro: Thani Naqo - ''I fundmi i shalëgjatëve''

E hene, 17.06.2013, 08:32 PM


Kur lënda jetësore dhe talenti gjejnë ‘gjuhën’

Shënime rreth romanit “I fundmi i shalëgjatëve” të shkrimtarit Thani Naqo

Nga Vangjush Saro

“I fundmi i shalëgjatëve” i shkrimtarit Thani Naqo, në vështrimin e autorit të këtyre radhëve, është një roman tejet jetësor, pa zbukurime, por edhe larg skemave të konsumuara, (me një fillim e një mbarim, me ca lotë dhe pastaj edhe me ca lule përmidis). Ky është një roman që iu përngjet shumë gjërave dhe asgjëje. “I fundmi i shalëgjatëve” është shkruar në mënyrë të tillë që vështirë se mund të bëhej më i mirë. Duke lexuar atë, përfytyrimi për çka rrëfehet është krejt i natyrshëm. Një grusht njerëz që ende mbijetojnë në një fshat të largët; gjithsesi në një krahinë që ka një histori dhe tradita të qendrueshme, zakonet dhe ritet e veta në përcjelljen e të mirave dhe të këqijave në jetë, patjetër edhe njëlloj qytetarie. (“Rrugët shtruar me kalldrëme që nga koha e rilindasve.”, thotë dikush.) Personazhet të vijnë përpara sysh si të vizatuar dhe nën dritën e projektorit të filmit. Shumicën e lëndës autori e përcjell përmes përjetimeve të një bariu që njeh dhëmbë e dhëmballë vendin e vet, gurët dhe ferrat, njerëzit dhe shpesët, bagëtinë po se po. (“Në pasqyrën e vitrinës shoh veten që nga këpucët e përbaltura, me thembrat e ngrëna nga jashtë, gjer në majë të flokëve, të kërleshura, pis të zeza. I gjatë, mjekërmadh e pa qethur si rrallëkush. Sytë e përskuqur më ngjasojnë me shikllat e lisit.”) Është e veçantë edhe drama e tij e përplasjes me të panjohurën, pasi që ka jetuar më parë duke i ndjerë e thënë me mend gjërat gjer në detaje.

Ky është një fshat i çuditshëm; njerëzit janë të ‘krisur’ pas historisë, por nuk ua përtojnë edhe legjendave; ka atje, patjetër, edhe besytni, dashuri të pamundura, epshe të fshehura, çiltërsi që një fije e ndan nga egërsia, vegime dhe përbaltje në një jetë të rëndë, por shpesh edhe plot lirizëm. ‘Dëshpërimi’ gjeografik, nëse mund të quhet kështu zhvendosja e ngjarjeve kaq larg dhe në një komunitet kaq të pakët, nuk bëhet aspak pengesë për të vështruar në njëmijë gjëra të rëndësishme dhe të parëndësishme; kurse hapësirat e fituara pas vitit ’90 (të rifituara më saktë, sepse shumë fshatra të atij qarku kishin parë botë që në fillim të shek. 20) iu japin një tjetër dritë episodeve të romanit, duke përplasur paprerë personazhe dhe mentalitete.

Mund të thuhet se dëshpërimi më i madh është zhbërja e fshatit, ikja e më të rinjve, ndërkohë që një grusht njerëz, shumica të moshuar, e vështrojnë këtë ‘fikje të qiririt’ me dhimbje. Të pakta dhe të trishta janë porositë e të vjetërve. Një lutje për një var. Sepse moti është i ftohtë, ka edhe të vdekur që kush nuk mundet t’i varosë. Sidoqoftë, porositë ngrihen në stadin e baladës. (“Nëneja nxori nga xhepi i përparëses copën e eshkës, e shfijoi me thonj dhe e ndezi në flakën e qiririt. Ajo thëthiu symbyllur tymin e para, ma nderi mua, pastaj dhe teto Dabuckës. “Kur të vdes, biro, përveç sandaleve, dua edhe një copë eshkë në qivur...”)

Shkrimtari ofron imazhe dhe ngjarje që kanë përditshmëri të skajshme, sa edhe thjeshtësi; një thjeshtësi që e prek lexuesin. Të gjitha këto vijnë në një thurrje delikate, ku janë të gërshetuara rendet dhe jeta e njerëzve në to, dashuritë dhe vdekjet, thënia e gjërave me modesti e çiltërsi dhe, nga ana tjetër, prirja për të filozofuar rreth gjithçkaje. Në roman, me një natyrshmëri të rrallë, përzihen dëbora dhe manushaqet, kitara dhe vaji, përzihen po ashtu religjionet, por pa u trazuar me njëri-tjetrin, (në traditën më të mirë të vendit). Kompozimi (po e quaj valë-valë) i historive dhe realiteteve të këtij fshati, bën që informacioni dhe përjetimet e personazheve të shtrihen në disa rafshe; kjo skemë e lejon autorin të ketë kontroll mbi gjithë sa na tregon, i mundëson atij një vështrim sintetik e që prodhon pareshtur digresione; por ato nuk përsërisin asgjë, nuk bëhen asnjëherë të parëndësishme, duke e plotëruar të tërën e rrëfimit të çuditshëm. Dhe ky i fundit vështirë se mund të rithuhet, ka shumë dritë dhe hije në të, ka shumë ndërthurje skenash reale dhe vegimesh të çuditshme; le të themi se krejt vepra është mjaft pranë asaj që është bërë zakon të quhet realizëm magjik.

Thani Naqo ka aftësinë t’i thotë gjërat me pak penelata. Me fjalë të thjeshta, por të përzgjedhura me sens, peshon plumb e shkuara e fshatit shqiptar në një rend aq të vështirë si socializmi. (“Me një normë komuniste blije një pllakë e gjysëm bukë. Duhej të bëje një normë tjetër për vaj, sheqer, sapun, kripë, rroba dhe brisqe.”) Gjithë me pak fjalë, edhe jeta monotone e njeriut që vazhdimisht rrëfen e kujton. (“Ditë e natë i vetmuar. Jetë qeni. Mes shiut, erës, dëborës, bajgave e pleshtave. Gjer tani nuk ka parë një ditë të bardhë.”) Por edhe më e çuditshme dhe e paplotë ajo jetë përtej mjedisit të njohur. (“Njollat e verdha në sy nuk më janë shuar dhe forma e tyre më ngjason me siluetën e qenve. Përfytyroj Balon e Gudon duke ulërirë mbi varrin e nënesë e të tim eti. Më zukatin veshët nga mjaullimat e maceve të braktisura të fshatit, pastaj një hingëllimë kali, që nuk e marr vesh nga vjen, më fanit mushkën time Grizo. Ajo kishte hyrë në korijen sipër fshatit, pasi i kisha hequr samarin dhe kapistrën.”)

Në roman, nuk ka poza dhe as stilizime të tepërta. Personazhi qendror (sadoqë mund të thuhet se ‘aktorët’ janë të gjithë të rëndësishëm) i ka krejt të qarta punët e tij të thjeshta. (“Kostumet shkonin nga shtatë deri në dhjetë kokë dhi. Shqerra këmbehej me çdo lloj këmishe. Me tre keca mbathje këpucë llustrafin. Xhupi prej lëkure këmbehej me pesë dhi e gjysmë; bluxhinsi - një dele e një çerek. Dy këmbët e pasme të ftujakut të jepnin në dorë tufën me kravata.”) E vështirë në mos e koklavitur disi, është vetëm dashuria e tij për Marjanën; është pjesa më ‘e pasur’ e romanit, do të thosha. Ajo shtrihet në një sërë episode, herë në njëlloj platonizmi pa cak, herë e prekshme dhe e ndezur prush, çka dritnon edhe karakterin e qendrueshëm dhe burrërinë prej lisi të këtij bariu të thjeshtë, por që e vëzhgon botën me një etje të paparë për të ditur sa më shumë. Në një plan qendrueshmërie dhe karakteri pa bujë, marrëdhënia e Shalëgjatit me Marjanën të kujton nga pak atë midis Grigor Melehovit dhe Aksinjës; (Romani “Doni i qetë” i M. Shollohovit). Por ndonjëherë ndjehesh pak si te “Rrëfime nga fshati i qepëve” apo “Fshati im pi rakinë” të M. Kutelit. Gjithsesi, siç e kam thënë edhe në një shënim tjetër, Thani Naqo ndjek ‘tragën’ e vet, tashmë duke qenë përherë e më i plotë në informacionin dhe ndijesitë që përcjell dhe në mjetet që përdor për këtë.

Kështu, në vështrim të trajtës së vet, vepra nuk ofron ndonjë subjekt të caktuar dhe as grish për të nxjerrë përfundime. Është e gjitha plot imazhe. Vizatimi i vuajtjeve për të cilat ata njerëz asnjëherë nuk bërtasin, tregon profesionalizëm dhe pjekuri artistike. (“Unë pashë pikën e lotit kur pikoi nga qerpiku i teto Dabuckës dhe ra në kupën e kafes?.”) Gjithaq i përkorë është autori kur vizaton bukuritë dhe veçanësinë e gruas që do bariu fatgremisur. (“Hapësira, midis dy dhëmbëve në mes, hapësirë sa mund të kalonte gjethja e pishës, i jepte bukuri gojës së saj.”) Shkrimtari ka kaq shumë siguri në skicimin e rrethanave, të skenave, saqë ato shfaqen përpara syve të lexuesit sikur ky t’i kishte parë diku. Dhe  sjellin përfytyrime e vizione si në një film që është gati për t’u xhiruar. (“Mbusha fenerin me vajguri dhe e vara në gardhin e vathës. I mola dhitë e mbylla kapakët e bidonave; kur të vinte blerësi i qumështit të ishin gati. Kur dielli nxori syrin mbi Malin e Thatë isha duke pastruar me furçë qimet e dhive. Ato më qenë ngjitur pas mëngëve të bluzës dhe paçeve të pantallonave.

-Ardhi dita të vesh kostum italian - iu mburra vetes kur po sapunisja duart dhe fytyrën. Mjekrën mezi e shpëlava se mbaroi uji i musllukut. Ushqeva qentë, “kthehem pas një ore” - u thashë atyre dhe ua përkëdhela shpinat. Mbylla trinën e vathës dhe u lëshova çakërqejf tatëpjetë shtegut.”)

Edhe kur i duhet të vizatojë një peizazh, personazhi, të cilin së jashtmi mund ta paragjykosh, e bën këtë gjithjë nën një vështrim sa realist aq edhe sqimatar. Dhe ja ç’pamje të magjishme, të gjalla e të prekshme, hedh ai para syve të lexuesit: “Fshati ishte plandosur nën dëborë, qëmtonte akoma dhe gjurmët e pas festës së Krishtlindjeve, ishin mbuluar. Dëbora kishte fshehur gërmadhat, por trarët e çartallozur, veshur edhe ato me dëborë, dukeshin si krahë gjigande shpendësh. Spërkat e ujit në kaden e gjerë të mullirit ishin akulluar. Atë natë ishin platitur të lehurat e qenve dhe ajrin nuk e gërvishtnin mjaullimat e maceve. Dëbora kërciste nën çizme, por hapin tim e njihnin qentë e braktisur të fshatit; nuk më dhimbseshin kotheret e bukës e kockat për ta.”

Po ndalem shkurtazi në një dukuri tjetër tepër interesante. Eufemizmi montohet sot si një mjet gjuhësor që në letërsinë bashkëkohore ngarkohet me shumë peshë. Një nga personazhet më interesante të romanit, Simo Babjeni, thotë për të bijtë me një thjeshtësi që aq shumë nënkupton: “Ai i Gjermanisë dhe Ai i Kanadasë”. Eufemizmi pra, nuk vjen si një stoli; është në funksion të një shfaqjeje të paprecedent të realitetit. Familja shqiptare gjendet në njëlloj hallakatjeje (ndjesë për këtë barbarizëm). Pra, jeta në rendin tjetër vjen e performohet në të tjera dimensione dhe po ashtu raportet e reja në familjen shqiptare.

Përgjithësisht, atë për të cilën ai flet, autori e njeh shumë mirë, mund ta vizatojë edhe symbyllazi. Ja një fjali që dëshmon këtë përkitazi, madje me një humor të hollë e mjeshtëror: “Berber Shejtani nuk kishte nevojë të përkulej për të hyrë në makinë.” (Personazhi ishte i shkurtër, këtë e kemi lexuar diku më parë; dhe tani autori, me mjeshtëri, e bije anës, por me humor dhe art, këtë cilësi fizike të personazhit.) Po në këtë tragë, autori bën shumë kujdes për ta pasur toponiminë një ‘aleat’ të sigurt të peizazheve dhe të relievit ku i vendos ngjarjet a më mirë përjetimet e kësaj vepre. Në këtë kujdes, si edhe në gjithë tekstin e romanit, nuk ka kërkime të sforcuara dhe letrarizma. (“Unë e kisha shkelur kalldrëmin e saj deri përtej shpatit perëndimor të Malit të Bardhë; atje takohej me rrugën e madhe Egnatia. Tufa e dhive u hap mbi gërmadhat e Qytetit të Prishur dhe mua m’u kujtua përsëri mësues Marroku. Ai këmbëngulte se Qyteti i Prishur dikur njihej në Evropë me emrin Nikolica...”) Ja edhe një tjetër çast mjaft i vizatuar dhe i saktë po në këtë ndijesi: “Ndërkohë tufa ishte ngopur me bisqe ferrash e hithrash dhe unë u hodha nga muri i Manastirit të të Verbërve dhe i ndolla cepinjtë. Cepinjtë ndollën tufën dhe tufa ime kaloi zhurmëmadhe përmes Luginës të Shkrumbuar.” Shkrimtari e ka kaq të qartë ‘hartën’. Me këtë kam parasysh se e gjithë skena madhështore e ngjarjeve është e përceptuar si një rrugë e njohur ku je rritur. Dhe kjo nuk është thjesht një hollësi. Është mjeshtëri.

Fjalori i pasur është një nga arritjet e prekshme, që duhen cituar, kur autori e ndërton gjithçka me ‘brumin’ e krahinës; edhe pse në gojën e një bariu të thjeshtë, fjalitë janë të veshura me fjalë të bukura dhe të thjeshta, shpesh nga më të rrallat, duke treguar lartësinë njerëzore të personazhit, sa edhe respektin e autorit për njerëzit, dashurinë e tij të paanë për shpirtin njerëzor dhe për aventurat njerëzore. Dhe kështu është kaq i natyrshëm ky bari, kur flet si ndonjë poet i lindur, për ‘tumbën e flokëve’ apo kur na tregon se si e ëma ‘shfijon copën e eshkës’, gjithaq kur kujton që plakës ende nuk i qe ‘drunuar truri’, etj. Më e pakta, ky argument i fundit është mjaft për të konstatuar se autori mbetet një prozator realist dhe ndjek një nga ‘shkollat’ më të mira të prozës shqiptare, atë të M. Kutelit, S. Andonit, D. Agollit, T. Laços, etj. Njëherësh, në thurrjen e ngjarjeve dhe në realizimin e skenave dhe episodeve të shumëngjyrshme, ndjehet ndikimi i letërsisë bashkëkohore, sidomos i asaj amerikano-latine.

Gjithsesi, ‘ngrehina’ është mjaft e veçantë, origjinale. Dhe s’ka se si; duart që e punojnë ‘baltën’ e këtij basorelievi skulpturor, janë ato të një njeriu që e njeh mirë baltën dhe gurin; mendja është ajo e dikujt që gjendet prej kohësh në një prozë të mirë; ndijimet janë të atij që njeh kitarën dhe muzikën në përgjithësi, siç njeh poezinë dhe poetikën e jetës. Më në fund, mendoj se vepra është ajo që ne jemi. Në roman, mund të lexosh qartazi thjeshtësinë, sinqeritetin dhe natyrshmërinë e Thanit, ndjeshmërinë dhe ekzaltimin e tij. Romani, gjithnjë në vështrimin e autorit të këtyre radhëve, shënon një sukses të merituar për shkrimtarin Thani Naqo dhe është gjithaq një prurje me interes për prozën mbarëshqiptare.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora