Kulturë
Qazim Shehu: Një grek me çifteli
E shtune, 06.04.2013, 11:06 AM
NJË GREK ME ÇIFTELI
Tregim nga
Qazim D. Shehu
Kur
autobuzi i e një ekipi sportiv ndaloi tek sheshi i Bernës, sportistët u panë të
zbrisnin një nga një e u drejtuan drejt
hotelit që ishte diku në cep. Vetëm njëri nuk i ndoqi pas. Ai mbante çantën në duar dhe vështronte si i
hutuar ndërtesat përreth. Pataj vështrimi i tij u përqëndrua në një pikë dhe
sportisti filloi të lëvizte. Dukej se kishte një ngurrim të panevojshëm, sikur
kërkonte të vidhej nga ndonjë pengesëdhe kjo pengesë ishte aq e papritur sa ai shihte sheshin me
një kujdes të tepëruar ose mezi kishte pritur që ta ndeshte pikërisht aty, në
atë shesh ku qetësia rrinte pezull si një frymë e lumtur.
Me hapin
e tij si të kontrolluar-në të vërtetë
lëvizja e tij e ngadalshme dukej sikur
donte t`i ikte pengesës- ai u gjend para një shitorje mbushur me flamuj
shqiptarë e suvenire të ndryshme ku ngjyrat kuq e zi përziheshin me njëra
tjetrën në një sfond të ndezur që hidhej përtej xhamave. Ajo ngjyrë e kuqe
sikur donte t`ia vinte zjarrin asaj qetësie , ose ishte i vetmi kënd jete në
sheshin e madh. Kapuçat e bardhë ishin
vënë ngjitur me çiftelitë,duke u radhitur në një simetri të ndryshme, suvenire,
buste të vegjël të Skënderbeut, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, ca prej të cilave dukeshin aq bukur dhe
hijerëndë. Sportisti qëndroi para shitores, duke lënë çantën në tokë, mori një
drejtqëndrim si për t`u shpirë prej lodhjes, në fillim deshi të hynte brenda,
po kur pa se nuk kishte njeri, ngurroi dhe priti. Vështrimi i tij pasi u kthye
njëherë brenda u ngul në vitrinën e xhamtë
rrezëllitur prej diellit dhe ngjyrave të kuqe e nuancave të tjera. Nga
shitorja s`dihej pse kishin dalë disa çifteli dhe rrinin mbështetur në mur. Dukej
ato ishin më të kërkuara dhe mezi prisnin t`i merrte në duar dikush. Telat e
tyre si fije çeliku tendoseshin brenda asaj qetësie dhe mugulloheshin brenda
enigmës së tyre.
Ai mori një çifteli dhe po e kqyrte me kujdes
si të qe një vegël muzikore të cilën e
shihte për herë të parë. Vështrimin e nguli mbi fushën me shqiponjë të
çiftelisë, mbi dy telat si rrugë të
gjata të pambarimta,dhe aq i zhytur ishte në këtë kqyrje të ngulët,sa nuk e kuptoi kur pranë tij u
gjend një burrë i gjatë , thatim, i cili
i foli shqip:Me çfarë mund të të ndihmojmë ,zotni…Vështrimin ende nuk po e
shkëpuste nga fusha e çiftelisë sikur zëri i tjetrit t`i vinte nga larg ose në
atë çast s`donte t`ia dinte për asgjë veçse për atë fushë me një shqiponjë të
zezë dhe s`dihej nëse donte ta pyeste
atë pse rrinte nën dy tela që kyçnin e çkyçnin tinguj melodiozë.
Sportisti
dha shenjën se nuk dinte shqip. Kosovari i gjatë nuk e kuptoi, ai e pyeti
sërish se me çfarë mund t`i shërbente, po kur turisti i foli anglisht, atëhere
u bindi se kishte të bënte me një të huaj. Jo rrallë i ndodhte që të huajt
vinin dhe kqyrnin në shitore , ndonjëherë bëhesghin të bezdisshëm duke mos
blerë gjë, po kishte raste , që ,o, fale o
zot, bënin për pak minuta xhiron e një muaji. Ai u largua me nxitim, sepse edhe ky i huaj duhej të qe
një blerës i mirë. Paspak e erdhi me një djalë të ri,hollak , me njërin krah të
mbuluar nga një rrobe e kuqe. Djali i
foli anglisht dhe turisti në vend që të çilej në fytyrë që gjeti një mundësi të
komunikonte u murrëtye edhe më, madje u skuq gjer në rrëzë të veshit. -Kjo
vegla më pëlqen- foli sportisti- a mund ta di sa bën?
Djali në
vend që t`i jepte çmimin po mendohej, atij s`i kishte ndodhur ndonjëherë një
kërkesë e tillë kaq e shpejtë, me një ton kaq të vendosur. I tha çmimin, po sportisti bëri sikur s`e
dëgjoi, ose nuk i interesoi çmimi, ai po e përkëdhelte çiftelinë ngadalë sikur
donte ta merrte me të mirë, nga frika nëse telat e saj do lëshonin apo jo,
tinguj. Duart e tij të mëdha , krahët e fuqishëm të krijonin diçka frikësuese,
në ato çaste të jepej një refleks kuptues sikur sportisti do ta shkërmoqte
çiftelinë. Burri thatim u fut brenda në dyqan për t`i lënë tjetrit të kuptonte
se ai, ose duhej ta blinte çiftelinë, ose duhej të largohej. Një heshtje e
tillë kaq e tendosur për të blerë një vegël muzikore sikur s`shkonte. Paraqitja
e tij po krijonte bezdi me një hije të ngufosur dhe të ashpër. Mbeti pranë tij
vetëm djali që dinte anglisht, por ai nuk po fliste, përderisa tjetri
s`kërkonte asnjë spjegim. I pëlqente të priste me një kuriozitet se çfarë do të
bënte tjetri. Ndoshta edhe sportisti e kuptoi se nuk duhej ta zgjaste me shumë
këtë heshtje të krisur, nuk kishte më kuptim të rrinte ashtu si vuv, ndaj e
vendosi kokën e asaj në gjoks sikur donte ta shtërngonte, ndërsa bishtin ia kapi
me dorën e majtë nga frika se ajo mos ikte. Kosovari i gjatë doli nga shitorja
,atij nuk i kishte ndodhur kurrë që një i huaj t`i binte çiftelisë, madje ata
nuk blinin çifeli , përveç suvenireve. Sportisti me petëzën e hollë filloi të
lëvizte telat për të intonuar diçka.
Gishtërinjtë
e tij të fortë binin lehtë e vrullshëm
mbi telat si mbi dy udhë të gjata të cilat sikur donte t`i shkundte nga
pluhuri i harresës së viteve. Tingujt nuk u hodhën më në lojën e lirisë së tyre
të çregullt,po ato ngadalë po bindeshin në trajtën e krijimit të një melodie. Dhe
melodia po vinte si një mall i largët, si një çkyçje nga kujtesa e gurëve që
rrokullisen nga një shpat malor kur mban mot i lig. Vinte ngadalë, kokëfortë
dhe e bukur. Përmes atyre gishtave të fortë, asaj petëze nazike,atyre telave që
tendoseshin si dy vetëtima që s`dinë ku të përplasen në një qiell me re të
mbarsura. Dhe ja ku mori formë të plotë:Ishte melodia e këngës për Hajredin
Pashën. O zot, sa bukur i binte ky mjekrosh , ky i huaj, çitelisë,sikur të
ishte një virtuoz. Mos vallë ishte djalli që kishte marrë pamjen e njeriut dhe
kërkonte të vinte në provë risjelljen e një mundësie të re?Ndoshta nga frika se
mos ai e mbaronte melodinë shpejt, kosovari që ishte brenda doli jashtë , e nga
nxitimi gjuajti me këmbë diçka e për pak u rrëzua.
E ruajti
ekuilibrin, mori një qëndrim të shpejtë,pa u ndjerë në zor për këtë. Ai u
drejtua duke parë nga djaloshi me vëmendje e në sytë e tij shprehej një lutje
që djaloshi ta riniste melodinë nga e para si të kishte frikë se mos tjetri
dinte vetëm një melodi. Dhe aty nuk ishin vetëm dy njerëz nga Kosova, por u
bënë katër. U duk se sportisti u ndje
mirë për këtë, kjo u duk nga buzët e tij që u çelën pakëz, nga sytë e zmadhuar
dhe faqet që kishin marrë një lulëkuq të lehtë. Kjo shihej nga gjoksi i tij që fryhej e shfryhej
si një gjyryk, për të dhënë më shumë erë në ndezjen e tingujve të ardhshëm. Po
kush duhej të ishte ky njeri që s`fliste shqip, mos vallë ishte pinjoll i
ndonjë shqiptari të hershëm të Kosovës përzënë nga serbi për në Anadoll. Apo
mos vallë vinte nga kosovarët e Australisë se anglishten e fliste ezberxhevap. Apo
ndonjë nip stërnip i ndonjë shqiptari të tretur nëpër botë qyshkur. Sido që të
ishte ,çiftelisë i binte bukur qerratai. Tingujt e çiftelisë sikur i kishin
mpirë të gjithë, ata tinguj sikur i kishin çuar peshë për t`i hedhur në jehonën
e largët të luftrave, në shpirtin e pamposhtur të të parëve ,shpirt që akoma
rënkonte se Kosova ende po vuante. Dhe vinte ky i huaj dhe i zgjonte të gjitha
këto.
-Zotëri,-
e pyeti djali i ri, -nga të kemi ty?
-Unë jam
grek. -u përgjigj sportisti anglisht.
-Grek?Mos
je arvanitas, çam?
-Jo, jo
jam grek, ç`të keqe ka kur një grek i bie çiftelisë?Jo, kjo s`ndodh, tha tjetri.
-Ja që ndodh ,tha sportisti, dhe e vuri çiftelinë në pozicionin e përshtatshëm
për t`i rënë. Të tjerët heshtën. Fundja
fjalët sa të zgjateshin aq shkonin. Rëndësi kishin meloditë. Tingujt u zgjuan
sërish duke ardhë nga thellësia e çprangosjes. Dhe u dëgjua melodia për Mahmud
Dacin. Ky Mahmud Daci një djalë dai, sikur pritej të vinte aty nga çasti në
çat, e tinguj fluturonin ta sillnin sa më shpejt. Apo mos melodinë e tij e
kishin rrëmbyer valët e Drinit për ta çuar tjetërkund atje ku shqiptaria lëngonte më shumë. Tani
nga katër vetë ishin bërë shtatë. Melodia e Mahmud Dacit ngrihej përtej tyre,
duke tronditur themelet e një peshe të rëndë. Sportisti nuk fliste sikur kishte
frikë mos i shpëtonte ndonjë tingull.
Kur e
mbaroi melodinë ai e vuri çiftelinë diku, me kujdes, lehtë, sikur të kishte
frikë se ajo ishte prej kristali dhe thyhej. Sikur bëri të ikte, kjo u kuptua
nga lëvizja e tij gjysmë në profil, po u trus pak në vetvete pastaj e rimori
veten, e mori prapë çiftelinë, sikur t`i ishte rizgjuar një peng që po e
kujtonte pikërisht tani. Ai ia mori një melodi tjetër për Isa Boletinin. Ishte
një nga ato këngët e bukura që i dinë të gjithë, e që këndohen odave të Kosovës
nëpër gosti, dasma e raste nga më të ndryshme, një nga ato këngët që të bënte me u menduar thellë, e që ta
binte shpirtin e Isa Boletinit si frymë
të pashmangshme e ta injektonte me një dëshirë të sprovuar në trup. Dhe si e
lëvizte atë dorë të fuqishme me gishtat e gjatë e të trashë mbërthyer në
vetvete si grremëat e drurëve në malet e
Sharrit. Kordat dhe dy telat sikur shkëndijonin në ato gishta dhe ai s`donte
t`i linte xixat e tyre të iknin , po i mblidhte dhe i disiplinonte në një vijë
melodike të ëmbël dhe të fortë. Stuhia e tingujve në lojën mjeshtërore bëri që
dikush nga të pranishmët të kthente kokën mënjanë. por atë s`e vuri re kush, madje të pranishmit
nuk e shihnin njëri tjetrin po vetëm sportistin e ri, që me pamjen kërcënuese
të një trupi të fuqishëm s`dihej pse duhej të qe një artist kaq i hollë dhe i
mallëngjyeshëm. Siç dukej nuk donte ta tregonte lotin, anipse loti për burrat
është dhe i shkon këtij çasti. Dy tre kishin vënë në kokë kapuçët e bardhë.
Melodia
rridhte si uji i Ibrit, merrte tëposhtë e zbriste për të shkuar fushës së
Kosovës pastaj në Vlorë për tu derdhur në det. Kështu mbase e përfytyronte
kosovari i gjatë, thatim e eshtërfortë si Kamani i Naim Frashërit. Kështu mbase
e përfytyronin edhe të tjerët që ishin stërnipat e tij. Si e mbaroi melodinë, i
huaji nxori portofolin dhe pyeti sa bënte çiftelia. Heshtja tregoi se sportisti nuk duhej ta bënte
atë pyetje. -Merre, merre , u nxitua dikush ta thotë. Por i huaji po rrinte në
këmbë,sikur të mos i pëlqenin fjalët e tjetrit. - A mos janë pak njëqind euro,
pyeti ai gjithnjë në anglisht. Pastaj vuri njëqind euro mbi çiftelinë dhe e la
bashkë me të, atje ku e mori. Askush nuk
e vuri re këtë gjë. -Zoteri tha dikush, ju
duhet të na thoni se kush jeni, ju na kënaqët me këto melodi, ka kohë që
s`i kemi dëgjuar kaq të buta e të ëmbla…na thoni të vërtetën, ju edhe shqip
dini, pse nuk na e thoni, nëse keni ndonjë hall ,kemi plot shqiptarë në Zvicër,
mund t`iu ndihmojmë…
-Jo, ia
ktheu sportisti, gjithnjë në anglisht, s`kam asnjë problem, thjesht jam një
amator i muzikës, e nëse ju kam bezdisur u kërkoj të falur…
-Jo, foli
njëri, bajagi ju na kënaqët,po ju mor vlla jeni shqiptar, madje jeni nga Dibra.
-Jo, tha
sportisti ,jam grek, unë mund të tregoj dokumentet e mia, po dua që ju të më besoni.
- Një
grek nuk mund t`u bjerë melodive për heronjtë shqiptarë…Edhe sikur t`i binte
çiftelisë ai kurrë nuk donte ta bënte këtë. Sportisti bëri të pakuptuarin duke
dhënë shenja se takimi tani s`mund të mbaronte e s`duhej të mbaronte, por atij
i duhej të ikte, sepse dikush tjetër edhe mund ta survejonte apo kaq kohë i
kishte dhënë leje. Në sytë e tij ndihej një mirënjohje e thellë veçse s`dihej
nga i vinte ajo forcë e natyrshme e fshehjes së vetvetes. . Ai u përkul në
shenjë respekti,dhe bëri të ikte.
-Zotëri,
u kujtua djali i ri, merreni çiftelinë, ju e paguat…Sportisti ndali.
- Ju
lutem mbajeni si kujtim nga unë, kam në shtëpi sa të duash…Anglishtja e
tij u shqiptua me fjalë të ngadalta,si
diçka që rëndohej e përgatitej për t`ui hedhur drejt, një honi të thellë, po
fillimisht i duhej një parapërgatitje për t`u ndarë e për të rënë… Ai bëri para
me hap të ngadalshëm sikur të qe penduar pse po ikte dhe të shtatë burrat shihnin
dy supe që tundeshin nga larg. Ata po shihnin gjithashtu trupin e tij të fortë
si një copë shkëmb që tundet e ikën tutje në detin me dallgë…
_Sa bukur
i binte, tha njëri.
_Vërtet
bukur, po shqipo ishte, e s`dihet ç`hall duhet të ketë…
-Halli
dihet ,ia preu njëri nga të pranishmit- po ai qe djalë prej djali dhe na i tha
të gjitha…Vetëm një gjë s`mundi ta thoshte:sa kohë do vazhdojë të qëndrojë si
grek…