E premte, 26.04.2024, 01:05 PM (GMT+1)

Mendime

Fatos Lubonja: Dyrrenmati dhe dhuna e të rinjve (Ftesë për debat)

E merkure, 07.05.2008, 05:39 PM


Fatos Lubonja
Dyrrenmati dhe dhuna e të rinjve (Ftesë për debat)

Nga Fatos Lubonja
 
Fatos Lubonja shkruan ekskluzivisht per Korrieri-n

I ngacmuar nga një artikull i “Korrierit” i para dy ditëve, hyra e pashë në internet skenën e dhunës së publikuar në “Youtoube”, ku një grup të rinjsh rrahin kafshërisht një bashkëmoshatarin e tyre m’u përpara shkollës, në prani të një numri të madh nxënësish. Rrahja ishte tronditëse, por tronditëse ishte gjithashtu indiferenca e të tjerëve që asistonin në atë skenë, fjalët e ndyra që shoqëronin gjithë rrahjen, gjakftohtësia e atij që filmonte pa ndërhyrë. Edhe një herë, si shpesh këto kohë, ndjeva simptomat e një sëmundjeje të përhapur shoqërore, që po na përcjell fort idenë, se prapa nesh po vjen një rini gjithnjë e më në krizë vlerash e humanizmi. Duke e ditur se çdo brez pretendon se është më i mirë se brezi paraardhës dhe kritikon brezin pasardhës, jam i prirur ta shoh edhe me dyshim këtë ide. Por, nga ana tjetër, po me po kaq dyshim shoh edhe idenë “e shëndoshë”, sipas së cilës çdo brez që vjen, është më përpara sesa brezi paraardhës. Prandaj, mendoj se çështja vlen të debatohet me seriozitet.

Episodi më ktheu edhe në mendimet e afro një muaji më parë, pasi dola nga shfaqja “Franku V” (opereta e një banke private) të Dyrrenmatit vënë në skenë nga regjisori Arben Kumbaro. U mata disa herë të shkruaj për shqetësimin që më transmetoi ajo shfaqje ato ditë, lidhur me temën e rinisë, por mbeta pa e bërë, i zënë me shkrime të tjera. Por ato pamje të rinjsh vrastarë, pa asnjë lloj empatie, dhembshurie apo respekt për qenien njerëzore, më rikthyen tek mendimet e pas asaj shfaqjeje dhe nevoja për t’i ndarë publikisht. Për të ardhur tek shqetësimi, le të them dy fjalë për Dyrrenmatin dhe “Frankun V” më së pari.

“Franku V” është një metaforë e kapitalizmit të egër të mbështetur mbi fitimin dhe pasurimin me çdo mjet. Aksionerët e një banke, që për t’u pasuruar kanë bërë gjithçka: kanë mashtruar, prostituuar, vrarë etj., vijnë në momentin kur u duhet të eliminojnë njëri-tjetrin. Dhe kur ky eliminim, në emër të fëmijëve, të së ardhmes së tyre, është thuajse duke përfunduar e gjithçka ka mbetur në duart e dy vetëve, Frankut dhe së shoqes, ku vijnë pikërisht fëmijët e tyre, që kanë studiuar në Londër, të cilët eliminojnë prindërit, sepse këta janë tepër të butë në metodat e tyre, se baba Franku V vazhdonte të lexonte edhe Gëten ndonjëherë.

Është e vështirë të përcaktosh me saktësi se çfarë zhanri i përket “Franku V”, dramë, satirë, operetë, komedi a tragjedi, sepse atje i gjen të gjitha këto të shkrira së bashku në një grotesk, ku ngjyrat tragjike dominojnë mbi ato komike. Më saktë, mund të thuhet se është një mënyrë dyrrenmatiane e vështrimit të botës. Nëse do të citoja vetë Dyrrenmattin, për të përcaktuar do të thosha se në këtë këndvështrim të botës gjen pesimizmi i tij, kur thotë se “vjen një moment, kur asgjë nuk mund të fshihet më apo të hidhet prapa shpine, atëherë kur na ka mbetur vetëm realiteti dhe ai është i tmerrshëm”.

Dyrrenmati, që e njohim nga “Vizita e zonjës plakë”, që vjen me hakmarrjen e saj të tmerrshme: “Bota më bëri mua një putanë, unë do ta bëj atë një bordello”, i përket një brezi kritik ndaj kapitalizmit. Ndryshe nga adhuruesit e këtij sistemi, ai mendon se kemi nevojë për një erë të re iluministe, se sistemi ynë i sotëm politik duhet të heqë dorë nga pretendimet se ka gjetur të vërtetën, drejtësinë dhe lirinë, duke i zëvendësuar këto siguri me kërkimin e së vërtetës, drejtësisë, lirisë dhe arsyes.

Kumbaro me zgjedhjen e asaj pjesë duket se ka shprehur një shqetësim të vetin dhe na ka ftuar nëpërmjet kësaj pjese, për reflektim përballë realitetit të kapitalizmit të ri e të egër shqiptar. Aq më aktuale më bëhej kjo zgjedhje, duke pasur parasysh se vetëm disa ditë përpara premierës ndodhi shpërthimi i Gërdecit, ku pikërisht ky kapitalizëm i shfrenuar në egërsinë e tij mori jetën e 26 njerëzve, plagosi e traumatizoi qindra të tjerë dhe kur protagonisti kryesor i saj (Delijorgji) më rezultonte një i ri, i cili kur ra komunizmi ka qenë veçse 12 vjeç, pra një produkt i kohës së “lirisë” dhe “demokracisë” kapitaliste që po jetojmë.

Nuk ishte e vështirë të shihje prapa metaforës së bankës parti politike që veprojnë si banda gangsterësh, biznesmenë, mafiozë etj., etj. Megjithatë, ajo që më mbeti në mendje ishte momenti kulminant i “Frankut V”. Ai kur fëmijët, në emër të të cilëve janë bërë të gjitha poshtërsitë, vijnë e shfaqen më të egër e më të pamëshirshëm sesa vetë prindërit në poshtërsi.

Më prek kjo temë, sepse kushdo që jeton në Shqipëri e di shumë mirë se sa sakrifica e poshtërsi të tilla po bëjnë shqiptarët në emër të fëmijëve, deri për t’i dërguar të studiojnë në universitetet më të mira të botës, që ata të paktën të mos detyrohen të vjedhin, të korruptohen, të prostituojnë, të vrasin, të poshtërohen. Por, a do të bëhen ata kështu më të mirë se etërit? Apo qëndron teza e Dyrrenmatit? Apo ai, në groteskun e tij, e ka ekzagjeruar, për të na thënë se deri ku mund të shkojmë. Por, a ka më grotesk se realiteti i Gërdecit. Historia na ka mësuar madje, se breza të tërë mund të bien në gropa të errëta. Ajo e shekullit XX në mënyrë të veçantë, dhe ajo e jona po ashtu.

Gjithsesi, nuk pretendoj t’i jap përgjigje kësaj dileme. Do të preferoja të mbetesha në dyshim apo të hapja një debat për të gjetur të vërtetën, e cila, prapëseprapë, nuk mund të jetë e njëllojtë për të gjithë, sepse qenia njerëzore është e pafundme në larminë e saj. Dikush mund të përgjigjet edhe se bota kështu ka qenë e kështu do të jetë gjithmonë.

Por, megjithatë, një gjë më duket e sigurt: se ajo që bëjnë apo nuk bëjnë prindërit, është një model i parë i rëndësishëm në edukimin e fëmijëve, ashtu sikurse edhe ajo që bëjnë apo nuk bëjnë të tjerët: shokët, miqtë e me radhë. Vitet e komunizmit çfarë provojnë? Brezat njëri pas tjetrit, dekadë pas dekade, dora-dorës që regjimi degradonte, erdhën duke u degraduar. Apo jo? Por edhe nazizmi çfarë ka provuar? Kush ka parë Perëndimin e Zotave të Luchino Viscontit, do të kujtohet se bash ai më perversi i fëmijëve të familjes Essenbeck merr në dorë frenat e pushtetit dora-dorës, që ideologjia nacional-socialiste dhe pushteti i saj të konsolidohej. Dikush mund të përgjigjet se në shoqëritë ku ka përparuar liria dhe vlerat, ka ndodhur e kundërta: fëmijët e mafiozëve kanë hequr dorë nga vrasjet dhe kanë gjetur mënyra më të sofistikuara (shih tri seritë e Padrinos), apo edhe kanë dalë kundër prindërve.

A është e jona një e tillë? A ka një vijë ndarjeje aq të qartë midis të dyjave dhe ku qëndron kjo? Kjo mbetet një pyetje e hapur për debat. Sipas Dyrrenmatit, nëse një sistem ngrihet mbi shikimin e tjetrit thjesht si mjet për të arritur qëllimet e tua, mbi përfitimin në kurriz të tij, sjelljet tona në këtë sistem do të jenë shembulli që u japim fëmijëve dhe nuk kemi pse çuditemi nëse brezi që vjen, është më i përbindshëm dhe më i pamëshirshëm në sjellje. Vjen një brez pra, duke e parë veten të kthyer në putanë, kërkon ta bëjë botën një bordello. Një histori që më duket se i shkon shumë atij brezi, që në vend të një Shqipërie të lirë dhe demokratike, ndërtoi një bordello, ku prostitucioni duket normalitet, sepse të gjithë prostituojnë. Por, a kemi ndryshuar sistem, apo jo? Personalisht, nga pikëpamja morale veçanërisht, shoh më shumë vazhdimësinë, sesa ndryshimin.

“Njeriu është i papërsosur, prandaj realiteti që ai krijon është gjithmonë i kërcënuar prej njeriut”, - thotë Dyrrenmati. Shoqëritë janë të vetëdijshme për këtë kërcënim, prandaj dhe i vënë aq shumë rëndësi edukimit të vlerave, mësimit nga e kaluara gjithashtu. Shoqëritë që nuk e kanë këtë vetëdije, siç ka treguar e po tregon, se është deri më sot kjo e jona me prepotencën dhe arrogancën e injorantëve që ka në krye, kam frikë se u shkon më tepër një tjetër thënie e Dyrrenmatit: “Një histori nuk përfundon pa marrë kthesën më të keqe”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora