E diele, 28.04.2024, 05:35 PM (GMT+1)

Mendime

Arben Ndreca: Atë Anton Harapi dhe krijimi i inteligencies së re shqiptare

E marte, 06.05.2008, 06:56 PM


Pater Anton Harapi ne gjyqin komunist
Atë Anton Harapi dhe krijimi i inteligencies së re shqiptare

Nga Arben Ndreca
     
Dalja në skenë e Rilindjes kombtare në shekullin XIX solli me vete shndrrime të paimagjinueshme politike e shoqnore, ekonomike dhe kulturore. Nji prej këtyne, e që nuk mund të lehet në heshtje, asht krijimi i nji shtrese intelektuale kompakte në vijat e përgjithshme, përsa i përkitte pavarësisë së vendit. Mbas gati 400 vjetësh shqiptarët po u orvatshin me u ngritë në kambë edhe nji herë.
Jo rastësisht kur flasim për klasën intelektuale shqiptare të Rilindjes e identifikojmë me atë që mâ vonë, në 1912, u ba klasa politike udhëheqëse. Ndryshe nga shumica e vendeve evropiane që jetonin të pavaruna e që drejtoheshin prej parlamenteve apo monarkëve tashma të mbështetun prej nji parlamenti demokratik, në Shqipni sundonte nji klasë udhëheqëse e huej, ajo e pushtuesit osman. Kështu me daljen në skenë të Rilindjes sonë Kombtare si lëvizje çlirimtare e ripërtëritëse e kombit u krijue nji dikotomi e pashmangshme ndërmjet politikës turke, administratës së saj dhe inteligencies së re shqiptare.
Për me e thanë ndryshe, bota e librave të mirëfilltë filloi me hye dalëngadalë e marrshëm në jetën e shqiptarëve e me iu kundërvue botës së defterave, të regjistrave të doganave që nuk shenjojshin gja tjetër veçse numrin e lëkurave të regjuna e të dengjeve të pregatitun për vendet jashtë. Nuk rrodhi pra Rilindja jonë prej nji klase fisnike në vështrimin gjenealogjik të fjalës, e aq ma pak borgjeze. Të fundit drejtues të vendit ishin zhdukë bashkë me familjet e mëdha qysh në kohën e Kastriotit. Mbas tij nuk kishte mbetë veçse nji vakuum që thekatueshëm ishte zanë prej pushtuesit turk.
Kjo gja bante që intelektualët shqiptarë në gjysmën e dytë të shek XIX të viheshin para disa detyrave me karakter jo vetëm iluminist e përparimtar, por edhe me tipare të theksueme politike. E në fakt shkrimtarët tanë të asaj periudhe njihej si jo vetëm krijues të letërsisë, por edhe të nji vije politike shqiptare, njihen si themelues të ideve të shtetit të pavarun shqiptar.
Të zgjidhun problemi i madh i pavarësisë, inteligencia jonë u vue përballë detyrave që tashma kishin përgjithësisht karakter ekonomik, shoqnor e kulturor: nji populli të pavarun i duhej sigurue edhe arsyeja se pse me jetue tash e mbrapa i lirë. Duhej justifikue shpallja e pavarësisë me anë të progresit që do të mbrrinte shoqnia shqiptare deri atëherë e shtypun jo aq prej taksave të pushtuesit osman sa prej injorancës e mbrapambetjes. Për me realizue këtë duhej që idetë e inteligencies të përqafoheshin prej popullit mbarë o së paku populli të ndërgjegjësohej për vetë gjendjen e mjerueme e të përpiqej doradorës me u drejtue kah drita e së ardhmes.
Por kur flasim për popullin tonë duhet me pasë parasysh se kemi të bajmë me nji popull që duem apo s’duem asht i lashtë — për ata që janë mâ skeptikë ndoshta duhet me thanë se jemi nji popull i përbamë prej shumë shtresave — çka e përjashton mundësinë e homogjenitetit. (Sidoqoftë mungesa e homogjenitetit asht patjetër tipar i popujve të të vjetër. Mjafton me u hjedhë nji sy fqinjëve tanë jugorë apo perëndimorë për të cilët nuk ka farë dyshimi se rrjedhin prej antikitetit greko-romak.)

Krijimi i nji korpusi të ri inteligenciet në trungun e nji populli shumë të moçëm

Asht ky problemi ma i parë me të cilin ndeshemi te libri i Atë Anton Harapit “Valë mbi Valë”. Vepra hapet me përshkrimin e pazarit të Shkodrës në një ditë vere – nji laborator psikologjije.
Atë Anton Harapi, emnue famullitar në Grudë për ku edhe asht nisë, mbetet i habitun e në të njajtën mënyrë i mrekulluem prej shumëllojshëmnisë së kostumeve popullore, siç thekson edhe ai vetë “edhe brenda krahinës së Shkodrës”.
Në vetvete e veçanta e kostumit popullor qëndronte në faktin se asokohe, e ndoshta deri diku edhe sot e kësaj dite, shërbente si letërnjoftimi i personit që e mbante. Prej kostumit dallohej zona e prejardhjes, besimi fetar, mosha e shpesh edhe gjendja civile. Paraqiste pra identitetin e individit, i cili mbrohej në një shoqni që nuk kishte nji identitet të përcaktuem mirë e që gjindej gjithnjë nën kërcënimin e faktorëve të jashtëm. Pra, sa kostume e mënyra të veshunit aq edhe ide e koncepte mbi ekzistencën njerëzore. E atëherë mbi ç’baza me krijue nji ide të përbashkët intelektuale për përparimin e shoqnisë në të gjitha drejtimet në nji shoqni jo të njinjishme e që këtë ide mandej me ia përçue shì kësaj shoqnije?
Për Pater Antonin — siç mund të shihet lehtë prej leximit të librit “Valë mbi Valë” si edhe serisë së konferencave mbajtun në Korçë në vitet ’40 me titullin “Vlerë Shpirtnore” (fq. 80), — asht e kjartë se ajo çka inteligencia e re duhet me përqafue si parim bazë e kriter bashkues drejt përsosjes së idealit të përgjithshëm kombëtar, asht integriteti i pacënueshëm i çdo individi. Problemet, mundimet, vuejtjet janë të ndryshme për çdo person, por subjekti i tyne asht gjithmonë individi, pra edhe zgjidhja e problemeve duhet me u bazue te respektimi dhe mbrojtja e dinjitetit të çdo individi. Në këtë pikë, — e cila nuk i kundërshton as parimeve fetare e as atyne që mbajnë në kambë shtetin, — duhet të bashkohen të gjithë intelektualët e ri.

Mbrritja e bashkimit të inteligencies

Problemi i vorfnisë dhe i domethanijes së jetës janë dy temat kyçe që preken në dialogjet ndërmjet Gasprit e Shanit, dy vëllazën peshkatarë shirokas e Atë Antonit udhëtar te vepra “Valë mbi Valë”. Kah njena anë Gaspri e Shani ndihen jo vetëm të vorfën, por edhe të përbuzun prej asaj çka mund të quhej deri atëhere klasa udhëheqëse. Menjiherë e gabimisht e identifikojnë Pater Antonin me “zotninë”, me atë që nuk e din se çka janë vuejtjet e tjetrit e që nuk ua kupton hallet, me atë që asht shkëputë përgjithmonë prej jetës së veshtirë që çojnë njerëzit e thjeshtë. Çka të vret ma tepër asht se prej fjalëve të tyne kuptohet sesi i gjykojnë intelektualët, si një kastë me të cilën ata si peshkatarë nuk kanë të bajnë, me nji botë e cila mund të vijnë vetëm si udhëtare në lundrën e tyne në shtegtimin e jetës.
“Kobi dhimba, vuejtjet! O përbindsha, qi turrshëm mësyni, e pa farë mëshrire, rrudhni e plandosni tanë ata shka asht e njomë e të kërthnesët në jetën e nierit!” — thotë Pater Antoni. (fq. 70)
Me ngadalë e me durim frati mundohet me ua ba të kjartë dy vëllezënve pikësëpari se çka asht vuejtja e për çka shërben. Vuejtjet duhet me i shërbye njeriut për me e naltësue kah idealet (fq. 72). Këtë koncept kryesor kristian që i referohet jo vetëm këtyne dy peshkatarëve por mbarë shoqnisë, e që u përket vlerave universale të njerëzimit, Harapi kërkon me ia përcjellë të gjithë inteligencies së re.
Mbas bisedës me të, dy vëllaznit ndihen të përtrimë shpirtnisht. “Faleminders zotnisë që ndejti me ne, na freskoi zemrën.” — shprehet Gaspri. Peshkatarët e kanë të kjartë se Pater Antoni nuk ua ka zgjidhë problemet, por se ka dijtë me i dashtë e me u dhanë ngushllim për travaje të jetës tue u thanë se dhimbja nuk asht dobsi sikurse vorfnimi nuk asht poshtnim. E në fakt Pater Antoni u mëson sesi me i përballue dhimbjet me dinjitet. Kjo asht ajo çka populli pret prej inteligencies si klasë e ndritun e drejtuese: me ia njohtë dinjitetin edhe atëherë kur pesha e vuejtjeve asht randue së tepërmi. E prej këtij dinjitetit të njohtun e të pranuem buron mandej edhe respekti e barazia me të gjithë përpara ligjit. Këtu e ka bazën drejtësia shoqnore.


Nji popull duhet të jetë i virtytshëm po të dojë të jetë i lirë
George Washington

Asht fakt i dijtun se klerikët katolikë i ofruen gjithnji popullit shqiptar të njajtat ide e koncepte mbi botën, jetën, zhvillimin njerëzor, progresin mendor e atë ekonomik tue ruejtë kështu koherencën me atë çka besojshin e në të njajtën kohë tue tregue se i kishin të qarta rrugët që duheshin ndjekë për arritjen e synimeve. Tue qenë se shoqnia shqiptare po kalonte nji periudhë të turbullt reformimit e po dilte prej nji epoke që kishte lindë, zhvillue e po vdiste tue lanë mbas vetes nji tymnajë të dendun ku ishte bjerrë orientimi shoqnor, shkolla u ba mjeti numër nji i klerit katolik për transmetimin e këtij morali universal.
Përveç se nji faqe e mrekullueshme letërsije me karakter filozofik, biseda e çiltër me oficerët austriakë në Tuz përban programin për zhvillim intelektual të kombit shqiptar. Gjatë saj rrahen çashtje që intelektualët shqiptarë në përgjithësi do t’u kujtojshin me i shqyrtue vetëm në vitet ’30 apo ’40.
Pyetjes së profesorit austriak të gjeografisë nëse shqiptarët kanë tekste shkollore të mjaftueshme e gjuhë kombtare të zhvillueme për mbajtjen e shkollave, Atë Antoni i përgjegjet krejt drejt tue i thanë se kanë pasë vullnet e guxim me fillue e mandej vijon: “[...]E sa ma parë të fillojmë me mësue e me bâ që shqyptari t’a mendojë shqyp mendimin e vet, aq mâ shpejt do të mund të gatojmë nierz, mjete e shka lypet për këtë qellim. (fq.106)”
Me mendue shqip nuk don me thanë vetëm me e formulue mendimin shqip por edhe simbas rregullave e normave të mendësisë shqiptare tue shartue në to kulturën evropiane. Don me thanë pikësëpari me i kuptue problemet shqiptare, së dyti me i jetue, e së treti e me u dhanë zgjidhje.
Shkolla shqiptare u pa gjithmonë prej klerit katolik, e veçanërisht në vitet njëzet, si insitucion kryesisht i transmetimit të vlerave, të virtyteve, në bazë të së cilave do t’u filtrojshin mandej edhe ditunitë aq të nevojshme për përparimin e vendit. Në bazë të këtyne kritereve do të formohej nji inteligencie e ndërgjegjshme për rolin e saj historik, nji inteligencie që nuk do të kishte frikë me u përballë me sfidat e kohës. Kërkohej pra, prej këtij brezi të ri intelektual që të jepte gjithçka për çashtjen e madhe të përparimit të kombit.
U deshtën pak a shumë 30 vjet që Shqipnia të krijonte nji klasë intelektuale, e kjo falë përpjekjeve të shumëanshme si të klerit katolik po ashtu edhe të shtetit shqiptar apo edhe të të huejve që ngritën shumë shkolla.
Sidoqoftë menjiherë sa filloi stuhia e Luftës së Dytë Botnore u vunë re dallimet rranjësore ndërmjet grupimeve të intelektualëve. Inteligencia shqiptare u gjet krejt e përçame përballë situatave të jashtëzakonshme e tepër të ndërlikueme në të cilat gjindej vendi, e sikur kjo të mos mjaftonte, nji pjesë e kësaj inteligencie të re të porsakrijueme në vend jo vetëm që nuk dijti me e udhëheqë vendin, por edhe u ba përgjegjëse për luftën civile që tashma po vijonte pa fre anekand vendit. Shumëkush tue pa sakrificat, trimninë, guximin e pashoq të komunistëve nuk ngurroi me i ndihmue apo edhe me u bashkue me ta. Asokohe jo të gjithë dyshojshin se intelektualët ekstremistë po e shtijshin vendin në nji rrugë të pakrye. E këto dyshime u davaritën vetëm me marrjen e pushtetit nga ana tyne, atëherë kur u vue re se ky grup individësh për me zbatue konceptin që ata kishin për barazinë shoqnore nuk ngurroi me zhbi anën e djathtë të barazimit, çka bjen në kundërshtim me parimin ma elementar të matematikës: nji barazim kur asht i vërtetë presupozon që të dyja anët e tija të jenë të vërteta, përndryshe asht i rremë. Kështu parimi udhëheqës se të gjithë njerëzit gëzojnë dinjitet të barabartë të cilin inteligencia e re shqiptare duhet ta kishte pasë si udhërrëfyes, u rrëzue. Inteligencia e re për me vërtetue se kishte të drejtë sakrifikoi, po, vetveten, por nuk u step kur u ba fjalë me sakrifikue edhe vetë popullin. Kjo gja vijoi për nji gjysmë shekulli kur trashigimtarët e kësaj inteligencie tue u shtye gjithnji e ma thellë sa në nji ferrë në një tjetër reformash të pafund dermishën e morën zvarrë mbas vetes edhe krejt popullin tue mos ia kursye vuejtjet e pakuptimta në rrugën drejt asaj që quhet humnerë.
Qe pra se dijet e fitueme në shkollë nuk mjaftuene me qeverisë nji vend. Çka mungoi qe shpirti e mbi të gjitha koncepti se para vuejtjeve të gjithë jemi të barabartë e se dinjiteti i çdo personi asht i shenjtë. Mungoi virtyti për me udhëheqë vendin. Në vend të dashtunisë, urrejtja u ba forca lëvizëse e shoqnisë shqiptare e pasojat e saj i shohim edhe sot.
Fatkeqësisht as vetë komunistët nuk besuen tek ideali i tyne tue mos u ndejtë besnikë as atyne ideve që vetë i kishin zgjedhun lirisht si prijëse në jetë. E vërteton fakti se në Shqipni, — dikur nji nga vendet me partitë komuniste ma të forta në botë, — sot nuk kemi sindikata që të mbrojnë puntorët, çka asht detyra numër nji e së majtës. Ai grup intelektualësh ishte shkëputë prej popullit për me u ba nji kastë e jo nji klasë. Inteligencia komuniste u ba sunduese e vendit, por jo udhëheqëse e tij.
Në1990 komunizmi ra por mënyra e tij e konceptimit të shoqnisë vazhdon me pluskue e sigurtë në llomin shoqnor. Në nji shoqni ku individi, pra nji person real nuk ka vlerë, nuk ka sesi me pasë vlerë ligji që asht nji gja abstrakte anipse i vendosun prej shumicës. E tue mos pasë vlerë ligjet krejt kuptimi i rendit e i rregullit shoqnor bjen poshtë.
Sot, sikurse këtu e njiqind vjet ma parë popullit shqiptar i duhet dhanë nji arsye se pse me jetue i lirë e pse me ndërtue nji shtet demokratik. Prej intelektualëve duhet justifikue si i drejtë e i dobishëm ai shndrrim i jashtëzakonshëm politik e shoqnor që ndodhi në 1990, sepse kryesori që vuejti qe populli e këtë ia kanë me borxh.
E në fund, nuk duhet me harrue se fjala “inteligencie” në vetvedi nuk nënkupton nji grup personash që kanë lexue shumë libra, por nji klasë njerëzish që besojnë në mënyrë të patrandshme në atë çka kanë nxanë prej librave, nji grup individësh të dijtun që, në rasën tonë jo vetëm krijojnë e përcjellin kulturë, por udhëheqin popullin e që pavarësisht se kanë ide e mendime të ndryshme bashkohen në vlerat e përbashkëta njerëzore, në ato vlera që Atë Anton Harapi qortueshëm na i ka lanë trashigim për inteligencien që ka me ardhë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora