Shpirti dhe pulsi i jetës politike të shtetit të Kosovës
Nëpër një libër të mençurisë dhe shpirtmadhësisë shqiptare
Nga Prof. Dr. Hulusi Hako*
Fjalën e
kemi për librin “Shtegtimi nëpër lajme – Komentet e mia të botuara në
B-92” (Prishtinë, 2012, 312 faqe) të juristit ulpianas në pension, Adil
Rr. Fetahu, i botuar bash në vitin jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së
Pavarësisë kombëtare dhe në pritje të 5-vjetorit të shpalljes së Kosovës, shtet
i pavarur e sovran. Si e nis leximin me kërshëri, më tej është
vetë libri që s’të lëshon, sepse, nga faqja në faqe, ndjen përkushtimin dhe
forcën e argumentit për çështjen tonë kombëtare, prek ndjeshëm në të edhe
mençurinë e shpirtmadhësinë shqiptare. Në këtë kronologji të ngjarjeve për
Kosovën e rreth saj, gjejmë një përmbajtje kaq të pasur, gati si një xeherore,
me ndërthurje të fakteve historike dhe ngjarjeve aktuale. Nën atë titull
modest, me ballafaqim lajmesh, ngjarjesh e personalitetesh politikëbërës e
zbatues, fqinjësorë a botërorë, me gjykim analitik, kompetent, serioz e bindës,
ky libër-pasqyrë, përbën një ditar publik dialogu me botën politike, për të mos
thënë një intervistë të gjatë me përgjigjet flakë për flakë, ku shpalosen
zhvillimet në Kosovë në vitet 2007-2011, roli i faktorit ndërkombëtar; çështja
e këmbimit të territoreve; fati i Toplicës (me 712 fshatra e disa qyteza, ish
tërësisht apo me shumicë shqiptare, prej nga është persekutuar e ndjekur krejt
popullsia autoktone më 1878, kur Perandoria Osmane i njohu pavarësinë principatës
së Serbisë): për Luginën e Preshevës, Sanxhakun, Vojvodinën, (ku, siç parandien
autori: “Plani i Ahtisarit mund t’i lëshojë embrionet e veta, të cilat mund
të përhapen edhe në Sanxhak, Luginën e Preshevës dhe të Timokut” – e, pse
jo, edhe në shqiptarët nën Malin e Zi, që të gjejnë modalitetet për të jetuar
të lirë e me dinjitet) etj.
1.
Pasi na jep detaje të jetës politike të Republikës së
Kosovës në këto katër vitet e fundit të ekzistencës së saj si shtet i pavarur e
sovran, ky libër përcjell dhe madhështinë e forcën e të vërtetës historike dhe
të drejtësisë së kauzës shqiptare. “Pavarësia është dëshira e vet popullit
të Kosovës, i cili me luftë të armatosur e ka fituar, duke u çliruar nga
okupimi shekullor serb” - nënvizon autori. Dhe më tej: “E drejta e
lirisë dhe vetëvendosjes së popujve ka përparësi, është më e vjetër dhe më e
rëndësishme nga çfarëdo sovranitet apo integritet shtetëror”. Deklarata e
Pavarësisë së Republikës së Kosovës e 17 shkurtit 2008, është një plotësim e
sendërtim i Aktit të Pavarësisë së kombit shqiptar, të 28 nëntorit 1912. Është
në rrjedhën objektive dhe në logjikën e hekurt të historisë që autori ia thotë
në mënyrë kategorike Beogradit: “Historia e Kosovës është e përfunduar. Qysh
prej vitit 1999, nuk ka më kthim prapa. Statusi i saj është caktuar, njohur e
vërtetuar në mënyrë të pakthyeshme nga të gjithë faktorët relevantë. Në një
kohë të ardhshme mund të hapet procesi i negociatave midis Kosovës e Shqipërisë
për bashkimin e këtyre dy shteteve ose formimin e konfederatës, por me Serbinë
kurrfarë lidhjesh statusore më nuk do të krijohen” (f. 120), - duke
shprehur, kështu, dhe një ide-platformë në adresë të politikave tona zyrtare
(Tiranë-Prishtinë), që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur, në përputhje me
kauzën historike e sakrificat sublime të shumë brezave, me ëndrrat e amanetet e
rilindësve tanë dhe ndërgjegjen popullore. Tjetër, ndërsa një far politikani
serb: “Stefanoviçi ofron ndarjen e Kosovës, edhe unë i ofroj Stefanoviçit
ndarjen e Serbisë. Shqiptarëve t’u jepet deri në Nish (Molla e Kuqe),
boshnjakëve t’u jepet Sanxhaku, ndërsa hungarezëve Vojvodina; kështu që Serbia
të kthehet në Pashallëkun e Beogradit, siç ka qenë deri në Kongresin e
Berlinit, respektivisht në Konferencën e Londrës dhe luftërat ballkanike. Vetëm
atëherë Serbia do t’i kthehej
vetvetes.” (f. 295), - i bën kundër-ofertën autori ynë në polemikën majë
për majë, pa i lënë pretendimet e kundërshtarit të bien në dhe. E, nëse ka edhe
mjaft komente politike që nuk e panë në fare apo kohë dritën e botimit, sepse
dikujt nuk i paskan pëlqyer, kjo dëshmon sa stigmatizues, goditës e
dezinfektues është mendimi i tij. E rëndësishme është që këtë punë madhore
autori ynë e ka ndërmarrë vetëm me urdhër të ndërgjegjes së vet atdhetare dhe i
qëndron besnik asaj. 2. Nëpër përcaktime koncize, gati si formula
algjebrike, të ideve të mëdha, njeriu ndjen kompetencën e sigurinë e mendimit,
forcën bindëse të argumentit, bazuar në parimësinë e burrërinë, në fisnikërinë
e humanizmin shqiptar. Dhe kur nën humor, qesëndis apo parodizon, ai, jo vetëm
e ka më seriozisht, por demonstron epërsinë absolute, e paralizon krejt
kundërshtarin, duke i dhënë atij dermën edhe me armën e ironisë e sarkazmit. Jo
më për as një shenjë kompleksi inferioriteti s`bëhet fjalë, apo pozita mbrojtjeje,
por mbetet vetëm në ofensivë të furishme, si kavalier i mendimit, kryelartë,
dinjitoz e triumfues, mospërfillës deri në keqardhje për ta, sidomos për
popullin që drejtojnë. Besimi në vetvete, në drejtësinë e kauzës së kombit
të vet, bindja e patundur se, herët a vonë, haku shkon tek i zoti, se në këtë
botë nuk mbetet “hak pa marrë e borxh pa larë”, optimizmi i bazuar për të
ardhmen e kombit shqiptar, që bëhen burim force e frymëzimi për lexuesin, që
pasurojnë mendjen e të ngrohin shpirtin - kjo, mendojmë, përbën dhe tiparin
e vlerën kryesore të këtij botimi. Nuk kursehen as misionet ndërkombëtare për
dobësi operativiteti dhe “ecje me shpejtësinë e kërmillit”, në veçanti
UNMIK-un, bashkë me Zanierin, që mbetën pa punë e u kthyen në “tepricë
teknologjike”; stigmatizon disa ndërkombëtarë që flasin “kodra pas bregut”;
të tjerë që “i kanë shti veshët në lesh”; gafat e marrëzitë e
ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Konuzin, aq sa “nuk i lan dot as
Vollga”, madje edhe të tjerë moskovitë që u japin këshilla serbëve sikur të
ishin adoleshentë. Nuk e fal, sidomos angazhimin e mirëfilltë politik të
krerëve ortodoksë, “këta mbjellës të farës së urrejtjes dhe përçarjes”,
nxitës të urave të zjarrit dhe klithmës për luftë, (sipas vetë thënies serbe
se: “Të parët vijnë popat, pastaj topat, mandej lukunia e kriminelëve dhe
hajnave”- prvo dolaze popi, pa topovi, pa lopori); gjoja të përkushtuar
fesë, por edhe cirk kishtar kanë organizuar me lutje e rrahje kambanash
që t’i bënin magji Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vendoste sipas
vullnetit politik të Beogradit, “një primitivizëm e marrëzi”, një
spektakël zbavitës që as bëri as zbaviti njeri, as dëshmoi ndonjë efekt
“hyjnor” etj. Skanjerizimi, zbërthimi i tërë politikës dhe diplomacisë mjerane,
“e përshkuar nga fryma e Milosheviçit, politikë e strategji konstante
destruktive të okupimit të territoreve të popujve dhe vendeve të tjerë fqinjë,
duke pretenduar se Kosova është pjesë e Serbisë, gjë që është kërcënim i
drejtpërdrejt për luftë” etj., - kjo përbën përbën stigmatizimin kryesor të
kësaj vepre. Pozita dhe opozita, të mbërthyera në iluzione, po mbajnë të
ngritur një kordon politik-diplomatik rreth shtetit më të ri në Ballkan, i cili
u fanepset si një koracim i pathyeshëm, kurse për autorin tonë, kjo ngrehinë është
një varg kështjellash prej letre, që bien e avullojnë siç thahet vesa e
mëngjesit prej rrezeve të Diellit. Vënia prej tij në fokus e shënjestër e
brumit fals dhe strukturës së mbrapsht të mendësisë serbe, stigmatizimi i atij
“serbizmi” paranojak, me ato tejkalime të theksuara të së drejtës, deri në
bumerang, që e shëmton nacionalizmin serb, e bën atë “të mykur”, sikurse dhe
patriotizmin e tyre e bën “fals”; e njollos politikën e diplomacisë, moralin
dhe sjelljen anakronike me popujt fqinjë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, jep
imazhin, ku “politika mbete gjithmonë mbi ligjin”, ortodoksia -
instrument urrejtjeje e diskriminimi dhe ku “absurditetet nuk janë kurrfarë
risie”.Këtij vendi të çudirave, ku sa herë “dridhet mali e pjell një
mi”, kjo mendësi i qëndron si një litar në fyt që ia ngushton frymëmarrjen,
dëmton interesat e vetë popullit serb dhe e bën të vërtitet e përpëlitet në një
rreth vicioz. “Sërbizëm” e “serbizim”, “ortodoksi” e “ortodoksizim”,
janë bërë emblemë e moto e të menduarit dhe të vepruarit, çdo gjë jashtë këtyre
nocioneve është e destinuar të zhduket, të shfaroset me zjarr dhe hekur. Është
i njëjti avaz ”i dehjes së skizofrenisë nacionaliste”, si në kohën
mesjetare të “Zakona Stefana Dushana”, ashtu dhe sot e kësaj dite, në erën e
demokracisë, kur koha kërkon kthesë 180 gradë. Ajo është “Politikë e tillë,
kokëfortë, miope, meskine, mistrece, inatçore”, sa e obligon autorin të
lëshojë thirrjen njerëzore: “Dhimbje dhe mjerim, Quo vadis Serbio? Dhe
sa shumë mendim e ndjenjë njerëzore në këto tre fjalë!. Po ç’nuk u pjell
mendja e tyre serbizuese e ortodoksizuese: “Ia vlen të luftohet për Kosovën,
sepse çështja e mitologjisë është një çështje ekzistenciale për një popull”. Mandej,
se me ç’bekime e “prokurë qiellore”, i ndërsen serbët edhe peshkopi Irenej: “Kosova
është toka jonë e shenjtë dhe duhet të jemi të përgatitur ta ruajmë me çdo çmim
e viktimë, në qoftë se kërkon edhe viktima... Kisha do ta ndihmojë shtetin të
ruaj Kosovën”. Ç’nuk dëgjon njeriu nga ajo ofiçinë mesjetare: “Ia vlen
të luftohet për Kosovës, sepse çështja e mitologjisë është një çështje kyçe për
ekzistencën e një populli... Toka e Kosovës është larë me gjak që nga lufta e
Kosovës e deri më sot” (!?) etj. Ndërsa Beogradi mbahet fort tek “hyjnorja”
e ka shumë merak, gati nuk e zë gjumi për ca kisha e manastire, që janë të
historisë e vetë jetës së shqiptarëve në Kosovë apo dhe të ndërtuara rishtas,
si “tapi” zaptimi e sundimi; ne na duhet t’i kujtojmë Beogradit zyrtar idenë
prilante të H. Kissinger se “Kërkesat fetare janë pretekste për
qëllime politike e strategjike” (Diplomati, f. 93), po të tillë mësim
konstruktiv, ata, me mend e sotme, nuk mund ta përtypin. Autori na bind se
Beogradi zyrtar i sotëm është një nga vatrat më tipike të degradimit të
politikës, nga shkencë e art i mirëqeverisjes, në mjet të mashtrimit dhe
ekspansionit. Janë të gjitha simptomat e një gangrene politike të kalbëzuar e
talasemike, terapia e të cilës, kërkon operacion të thellë me transfuzion
tërësor të gjakut. Përfshirja e Kosovës në Kushtetutën serbe, e menduar si bigë
për mbrojtjen e tërësisë territoriale, nga fiksim i tyre, realisht, është
kthyer në vargonj, gurë në qafë dhe kunja në rrugën e integrimeve evropiane.
Shtetarët kënaqen me lojë fjalësh të sajuara e fiktive, si “populli qiellor”,
“kreativ”, me formulën e betimit të kryetarit të shtetit, me shprehjen “Kosova
protektorat i KB” etj. Mjafton që një “kufi shtetëror” real ta quajnë “kalim
administrativ” dhe ndjehen të ngopur me lugë të zbrazët! Kemi një variant tipik
të sjelljes së strucit: “Kosovën, nuk e shoh unë si shtet, pra, ky shtet nuk
ekziston” (?!). Ose sjellja tjetër e ngjashme me besëtytni nga më primitivet:
të mos shkruhet në letër emri shtetit, të mos vendoset në tavolinë flamuri i
tij, dhe me këto (si veprime magjike), ai shtet nuk ekziston në dynja. Një
perifrazim i parimit biblik: “Në fillim ishte fjala dhe fjala del nga Beogradi dhe
atje nisin e atje mbarojnë bëmat”. E përdorin shoshën për të zënë Diellin dhe
kënaqen me mendjen e vet se “e mbuluan” dritën e tij. Rrëmojnë për të gjetur
dhe qime në vezë dhe përsëri u duket se pa gjë s`dalin! Edhe sot po dalin me
formulën qaramane: “Nuk mundet njeri të fitojë gjithçka e tjetri të humbasë
gjithçka” e sofizma e silogjizma të tjera. (Or, zotëri, po dhe në një kampionat
sportiv, njeri ekip del fitues, tjetri
humbës, jo më në luftën për liri dhe jetë njerëzore të denjë. Kur dhe çiftet që
nisin jetën sipas modelit të Romeos e Zhulietës, divorcohen një ditë se “nuk u
puqet karakteri”, ç’duhet të bëjnë shqiptarët me egërsinë sistematike serbe?).
Na mbajnë në këmbë edhe ministri të veçantë për Kosovën, (kur tamam dhe vërtet
funksional, do të ishte në Kuvendin e Tiranës një Komision parlamentar “për
çështjen jetike kombëtare të pazgjidhur). Midis mjaft përfaqësuesve zyrtarë, më
tipikët të shenjestruar janë ish-Koshtunica, “politikani i vyshkur rusofil,
me ato iluzionet e mashtrimet e veta jashtë kohës e hapësirës”; binomi
Tadiq-Jeremiç dhe krejt tufa tjetër, që “tunden si të dehur e nuk shkëputen
nga nebuloza”, për të cilët autori ynë, krahas bezdisë së portretizimit, u
shtron pyetjen “a kanë ndonjë kriter a parim bazë nga të cilët ata
udhëhiqen?” Më tej: “ky far Vuk Jeremiçi, i pakualifikuar, i papjekur
për politikë e diplomaci, i vrazhdë, dogmatik, prepotent, irritues dhe
arrogant-veti krejt të huaja për një diplomat; junior-praktikant, amator e
mendjemadh, ministri agjil shëtitës, me busull të humbur; që veç autogola bën;
sikur ka rrëshqitje truri, rreh ujë në havan; person pa hije, i gjepurave me
mburrje boshe, që ushqen iluzione; vallë a i beson vetvetes për lajthitjet që
thotë?” etj. Ta vësh përpara kështu kundërshtarin, do të thotë ta kesh
ndërgjegjen e pastër, të jesh absolutisht i bindur në pozitat dhe qëndrimet e
tua, të jesh me të vërtetën e të drejtën. Sikur dhe Evropa ta merrte më seriozisht
këtë portret të një politike shtetërore mu në hundët e saj, ca më ndryshe të
ecnin punët. 3. Të sajosh vetëkënaqësi të rreme dhe optimizëm
fals edhe kur je duke u mbytur apo kur një botë e tërë demokratike të tërheq
vëmendjen, këtë mund ta bëjnë vetëm prestigjiatorët politik skizofrenë të
Beogradit. Ne politikën e vet shterpë e diplomacinë dështake kundër Kosovës,
Beogradi, i mbyllur në kupolën e vet mitologjike-mesjetare, i-realen dhe
i-racionalen po i trajton e ofron si reale e racionale, të pabesueshmen e jep
për të besueshme; të papranueshmen e shet për të pranueshme; anomalitë - si
gjëra normale, dështimet - si “fitore”; fryrjen e një tullumbaci - si
optimizëm. Nuk i vihet faj gomarit që e bën barin më të vlefshëm se floririn;
por që “rrena të dal më e vlefshme se e vërteta dhe marrëzia më e vlefshme
se mendja”, - siç janë shtruar këmbë-kryq në Serbi, në vendin “e
çudirave joreale të politikanëve, të ngatërruar si pula në shtupë”- kjo
është paradoksale. Në popullin serb dominon mentaliteti i dezinformimeve,
mashtrimeve dhe ekspansionit, ndërsa gënjeshtrën e konsiderojnë dhe si virtyt.
Kemi të bëjmë me një botë imagjinare, virtuale, ireale që sulet kundër
realiteteve të pakontestueshme, dhe këto skena donkishoteske mund t`i
kurdisin vetëm mendjet e trullosura të krerëve serbë. Prej të tilla
zhgënjimeve e dështimesh të politikës së jashtme, në çdo shtet normal, struktura
qeverisëse do të binte si bar i kositur! Kurse protagonistët e autorit
tonë, janë e mbeten “Dhi të zgjebosura, që mbajnë bishtin përpjetë”, - siç
thonë për të tillët andej nga Labëria jonë. Pa e prishur fare terezinë, autori
u përgjigjet të gjithëve në grup që vazhdojnë të grijnë sallatë, me mitet në
mendje dhe me sytë nga qielli: “Me kërcënime për luftë, nuk mund të
frikësoni më askënd. Është koha e fundit të esëlloheni, ta kuptoni dhe ta
pranoni realitetin. Nuk mund të ikni nga pranimi i tij, herët a vonë”.
Në asgjë s’ta përton: “Të mbajturit pas Rezolutës 1244, (e cila ka
mbetur vetëm në letër), është si të mbajturit e pijanecit pas gardhit. As një
tren trans-siberian me letra jeremiçiane, as me turma emisarësh nëpër botë, nuk
mund të ndalë pavarësinë e Kosovës; atë që keni shkruar në preambol të
kushtetutës varjani maces në bisht” etj. Duke iu kundërvënë krejt fushatës
shekullore antishqiptare, autori ynë u a bën të qartë ish kolonizatorëve të
Kosovës se tanimë, perëndoi koha juaj e shpifjeve dhe mashtrimeve, e
falsifikimeve më flagrante të historisë dhe fakteve, me të cilat keni justifikuar
pushtimet dhe gjenocidin; mjaft keni shfryrë e llomotitur nëpër botë me
gjithfarëlloj insinuatash antishqiptare, tani është radha jonë të flasim për të
vërtetën e të drejtën dhe t’ua vëmë festën sipas kokës. Bota e lakmive dhe
interesave meskine, po tenton drejt botës së lirive të drejtave njerëzore e
kombëtare. Ashtu edhe autori ynë, i sigurt, i vendosur dhe i prerë i kumton
Beogradit se: “Shpallja e Pavarësisë së një populli a shteti është akt
politik që nuk ka si anulohet me kurrfarë akti juridik. Mbrojtja e sovranitetit
dhe integritetit territorial të një vendi nënkupton mbrojtjen ndërkombëtare nga
shtete të jashtme, e jo mbrojtjen e brendshme nga ndonjë popull i shtypur, i
cili do të shkëputet e të pavarësohet... Të drejtën e vetëvendosjes së popujve,
standardet ndërkombëtare e kanë parësore kundrejt të drejtës së tërësisë
territoriale”. Kështu ai ka bërë bukur edhe rolin e avokatit të Kosovës
shqiptare, fare pa u sforcuar, pa kërkuar rrethana lehtësuese apo silogjizma e
sofizma. Qofsha i gabuar, por sikur edhe diplomacia jonë zyrtare ta
ndërtonte brumin dhe tonin e komunikimit, pak a shumë, të ngjashme me komentet
e autorit tonë, me siguri ajo do të ishte më lart me integritetin,
personalitetin e prestigjin e duhur e adekuat. Koha është të mos i
referohemi më pallës, por, të paktën, t’i bëjmë mirë shërbimin fjalës. 4.
Duke u ndalur dhe në mjaft çështje aktuale e që qëndrojnë ende në rend të
ditës, ai thekson, për shembull, se “suprimimi i strukturave ilegale në Veri
të Kosovës, që anë bërë gurë në qafë të Serbisë, është çështje e sundimit të
ligjit... Serbëve u janë garantuar të drejtat, madje dhe privilegje, çka nuk i
ka asnjë minoritet tjetër në botë... Veç Beogradi i manipulon, i mban me
shpresa të rrejshme se do të rikthehet në Kosovë”; se “EULEX-i duhej të
ishte shtrirë në tërë Kosovën deri më 9 dhjetor 2008, po ku është rezultati?”
etj. Ndërsa vazhdon të ziej edhe rasti i montuar i Dik Mart-it, raportuesit të
Këshillit të Evropës, autori e asgjëson vetëm me një frazë: “Po të kishte
Shqipëria dhe UÇK-ja mjete e mjekë të tillë që të kryente transplantim
organesh, mjekësia shqiptare do të ishte më e zhvilluara në botë”, përndryshe,
konkludon me të drejtë, duhen “dënuar shpifësit!” Kryesorja për gjendjen
aktuale është se Beogradi nuk po përcakton dot orientimin politik adekuat.
Politikat e tij po përpëliten në darën që i shtrëngon midis mit-manisë
mesjetare, bashkë me nostalgjinë koloniale, që i tërheq pas e i gozhdon, nga
njëra anë, dhe erës demokratike evropiane, që i thërret për progres, nga ana
tjetër; ata ziejnë në dilema të brendshme: “Me Evropën e NATO-n apo me
Rusinë? E mirë është Evropa, po jo pa Kosovën me Serbinë; Kosova dhe BE, dy
tema të ndryshme. Ne zgjedhim Kosovën, më parë se BE-në. Edhe lider në rajon,
edhe titullin e liderit të Lëvizjes së të paangazhuarve që e kishte e ndiera
Jugosllavi e Titos” etj. Për sa i përket ndërtimit të së ardhmes evropiane
të Ballkanit Perëndimor, jep mesazhe domethënëse e optimiste, por për ta
sendërtuar atë, duhet veç të gjenden vullnetet politike ku “të pranohet
realiteti, të shtrihet dora e pajtimit, të zhvillohen marrëdhëniet fqinjësore e
të ecet përpara në integrimet, Ky shekulli 21 nuk është shekull i barrikadave,
por i bashkëpunimit dhe integrimeve në interes të të gjithë njerëzve” etj.
Tërë bota e di se paragjykimet e insinuatat që kanë përhapur serbët për
shqiptarët, nuk i kanë kurrë shqiptarët për serbët, tanët “nuk shprehin as
një për qind të asaj urrejtjeje, që shprehin serbët”. Dëshmi për këtë është
edhe libri “Koha e gjarpërinjve” (Vreme zmija) e Dobrica Qosiq, këtij “babai
të kombit serb”. Nuk dimë ku tjetër nëpër botë janë shfaqur njerëz të
indoktrinuar që përjetojnë kënaqësi sadiste, por ne shqiptarët, me plagë në
shpirt e shpinë, dëshmojmë se të tillë janë rëndom në Serbi e Greqi! Megjithatë,
autori i librit në fjalë ia dëshiron popullit serb ditë më të mira, ndaj pohon
se “Është koha që Serbia të heq dorë nga mitet dhe pretendimet për
hegjemoni, t`iu kthehet marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjithë popujt
për rreth, integrimeve euroatlantike, jetës më të mirë e të sigurt të
qytetarëve të vet, krijimi i një imazhi më të mirë dhe autoritetit në botë”, gjë
që pritet, pasi “në pushtet të vijnë njerëz të tjerë më të arsyeshëm ... të
cilët do ta ndërronin esencialisht politikën shtetërore”. Dhe, filizat e të
ardhmes janë zërat e arsyeshëm që “gjithnjë e më tepër po dëgjohen në Serbi,
se politika shtetërore ndaj Kosovës duhet të ndryshohet”. “Serbi, kur po
e ndërron timonier e kurs?”, - kjo pyetje e autorit të librit qëllon në
pikën më serioze se “vullneti politik”, si një medalje me dy anë, është “i
tillë” që o i ndërton kalanë vendit e popullit, o u bën atyre hatanë. Fjalët e
fundit të këtij libri janë po në adresë të politikanëve beogradas dhe
tekstualisht: “Në kushtet tona ballkanike do ishte mirë të jetojmë në
harmoni, të pranohemi e të bashkëpunojmë mes vedi, po qe se duam të ekzistojmë
... Me mosnjohjen e Kosovës humbni gjithçka, e nuk fitoni asgjë. Sa më parë ta
kuptoni këtë, aq më mirë për juve... Nëse Kosova dhe Serbia nuk mund ta njohin,
ta respektojnë dhe të takohen si fqinjë, herët a vonë do të takohen si anëtare
të BE-së. Një ditë, në Serbi do e kuptojnë se është punë e kotë e joproduktive
të veprosh kundër rrjedhave të historisë”. 5. Me tërësinë e fakteve
e ngjarjeve politike të paraqitura në dinamikën e tyre të gjallë, librin në
fjalë, do ta cilësonim edhe si një dosier për politikologjinë, njëherazi dhe
libër-doracak për stafet tona politike-diplomatike, me mjaft vlera e mesazhe
konstruktive, si një model i kulturës që ato duhet të zotërojnë, i brumit që
duhet të kenë, si dhe i përmbajtjes e tonit që duhet të përdorin në komunikimet
ndërkombëtare, se i kanë argumentet të tregojnë epërsinë e të vërtetës dhe të
drejtës. Kanë këtu një model të arsyetimit e të thënies së gjërave troç e pa
dorashka të “Julius-it” tonë, këtij qytetari në pension, që në librin e vet
mendon e flet si shtetar e me shumë kompetencë, ndjehet mjaft optimist dhe me
krenari të ligjshme. Ky zë i fuqishëm i një intelektuali e personi publik të
shoqërisë sonë civile, që buçet nëpër Librin “Shtegtimi nëpër lajme”, i
cili rakordon harmonishëm me të vërtetat shkencore dhe ndërgjegjen tonë
kombëtare, na sjell kujtesë edhe konsiderata të dy personaliteteve të huaja, Lamartinit
e Maksimilian Lambercit, se: “Ky komb e ky popull, nuk merret lehtë
nëpër këmbë... Shqipëria është toka e heronjve të të gjitha kohërave...
Historia e vërtetë botërore do të shkruhet vetëm atëherë kur në hartimin e saj
do të marrin pjesë denjësisht edhe shqiptarët”, me të cilat dhe po e
mbyllim këtë meditim, përmendja e të cilave, nuk besoj të na quhet shkelje e
modestisë! Gëzuar 5 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Kosova jonë shqiptare,
për herë thellësisht atdhetare. Përgëzime kolegut tonë, që duke sfiduar moshën,
mbetet model i kërkuesit, krijuesit, me origjinalitet e sens kritik brilant,
madje dhe shpotitës, sulmues e goditës për çështjet më madhore të jetës sonë
kombëtare; madje, me një“lëndë të parë” cilësore të librit, që na mundësoi
gatimin edhe të këtij shkrimi!
*Autori i shkrimit është kryetar i Shoqatës
Atdhetare për Identitet dha Bashkim Kombëtar.
---------------
-Per botim në ZSh, nga redaktori ynë i
Kulurës, dhjetor 2012-