E premte, 26.04.2024, 06:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Hulusi Hako: Nëpër një libër të mençurisë

E enjte, 27.12.2012, 11:24 AM


Shpirti dhe pulsi i jetës politike të shtetit të Kosovës

Nëpër një libër të mençurisë dhe shpirtmadhësisë shqiptare

Nga Prof. Dr. Hulusi Hako*

Fjalën e kemi për librin “Shtegtimi nëpër lajmeKomentet e mia të botuara në B-92” (Prishtinë, 2012, 312 faqe) të juristit ulpianas në pension, Adil Rr. Fetahu, i botuar bash në vitin jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë kombëtare dhe në pritje të 5-vjetorit të shpalljes së Kosovës, shtet i pavarur e sovran. Si e nis leximin me kërshëri, më tej është vetë libri që s’të lëshon, sepse, nga faqja në faqe, ndjen përkushtimin dhe forcën e argumentit për çështjen tonë kombëtare, prek ndjeshëm në të edhe mençurinë e shpirtmadhësinë shqiptare. Në këtë kronologji të ngjarjeve për Kosovën e rreth saj, gjejmë një përmbajtje kaq të pasur, gati si një xeherore, me ndërthurje të fakteve historike dhe ngjarjeve aktuale. Nën atë titull modest, me ballafaqim lajmesh, ngjarjesh e personalitetesh politikëbërës e zbatues, fqinjësorë a botërorë, me gjykim analitik, kompetent, serioz e bindës, ky libër-pasqyrë, përbën një ditar publik dialogu me botën politike, për të mos thënë një intervistë të gjatë me përgjigjet flakë për flakë, ku shpalosen zhvillimet në Kosovë në vitet 2007-2011, roli i faktorit ndërkombëtar; çështja e këmbimit të territoreve; fati i Toplicës (me 712 fshatra e disa qyteza, ish tërësisht apo me shumicë shqiptare, prej nga është persekutuar e ndjekur krejt popullsia autoktone më 1878, kur Perandoria Osmane i njohu pavarësinë principatës së Serbisë): për Luginën e Preshevës, Sanxhakun, Vojvodinën, (ku, siç parandien autori: “Plani i Ahtisarit mund t’i lëshojë embrionet e veta, të cilat mund të përhapen edhe në Sanxhak, Luginën e Preshevës dhe të Timokut” – e, pse jo, edhe në shqiptarët nën Malin e Zi, që të gjejnë modalitetet për të jetuar të lirë e me dinjitet) etj.

1.      Pasi na jep detaje të jetës politike të Republikës së Kosovës në këto katër vitet e fundit të ekzistencës së saj si shtet i pavarur e sovran, ky libër përcjell dhe madhështinë e forcën e të vërtetës historike dhe të drejtësisë së kauzës shqiptare. “Pavarësia është dëshira e vet popullit të Kosovës, i cili me luftë të armatosur e ka fituar, duke u çliruar nga okupimi shekullor serb” - nënvizon autori. Dhe më tej: “E drejta e lirisë dhe vetëvendosjes së popujve ka përparësi, është më e vjetër dhe më e rëndësishme nga çfarëdo sovranitet apo integritet shtetëror”. Deklarata e Pavarësisë së Republikës së Kosovës e 17 shkurtit 2008, është një plotësim e sendërtim i Aktit të Pavarësisë së kombit shqiptar, të 28 nëntorit 1912. Është në rrjedhën objektive dhe në logjikën e hekurt të historisë që autori ia thotë në mënyrë kategorike Beogradit: “Historia e Kosovës është e përfunduar. Qysh prej vitit 1999, nuk ka më kthim prapa. Statusi i saj është caktuar, njohur e vërtetuar në mënyrë të pakthyeshme nga të gjithë faktorët relevantë. Në një kohë të ardhshme mund të hapet procesi i negociatave midis Kosovës e Shqipërisë për bashkimin e këtyre dy shteteve ose formimin e konfederatës, por me Serbinë kurrfarë lidhjesh statusore më nuk do të krijohen” (f. 120), - duke shprehur, kështu, dhe një ide-platformë në adresë të politikave tona zyrtare (Tiranë-Prishtinë), që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur, në përputhje me kauzën historike e sakrificat sublime të shumë brezave, me ëndrrat e amanetet e rilindësve tanë dhe ndërgjegjen popullore. Tjetër, ndërsa një far politikani serb: “Stefanoviçi ofron ndarjen e Kosovës, edhe unë i ofroj Stefanoviçit ndarjen e Serbisë. Shqiptarëve t’u jepet deri në Nish (Molla e Kuqe), boshnjakëve t’u jepet Sanxhaku, ndërsa hungarezëve Vojvodina; kështu që Serbia të kthehet në Pashallëkun e Beogradit, siç ka qenë deri në Kongresin e Berlinit, respektivisht në Konferencën e Londrës dhe luftërat ballkanike. Vetëm atëherë Serbia do t’i kthehej vetvetes.” (f. 295), - i bën kundër-ofertën autori ynë në polemikën majë për majë, pa i lënë pretendimet e kundërshtarit të bien në dhe. E, nëse ka edhe mjaft komente politike që nuk e panë në fare apo kohë dritën e botimit, sepse dikujt nuk i paskan pëlqyer, kjo dëshmon sa stigmatizues, goditës e dezinfektues është mendimi i tij. E rëndësishme është që këtë punë madhore autori ynë e ka ndërmarrë vetëm me urdhër të ndërgjegjes së vet atdhetare dhe i qëndron besnik asaj. 2. Nëpër përcaktime koncize, gati si formula algjebrike, të ideve të mëdha, njeriu ndjen kompetencën e sigurinë e mendimit, forcën bindëse të argumentit, bazuar në parimësinë e burrërinë, në fisnikërinë e humanizmin shqiptar. Dhe kur nën humor, qesëndis apo parodizon, ai, jo vetëm e ka më seriozisht, por demonstron epërsinë absolute, e paralizon krejt kundërshtarin, duke i dhënë atij dermën edhe me armën e ironisë e sarkazmit. Jo më për as një shenjë kompleksi inferioriteti s`bëhet fjalë, apo pozita mbrojtjeje, por mbetet vetëm në ofensivë të furishme, si kavalier i mendimit, kryelartë, dinjitoz e triumfues, mospërfillës deri në keqardhje për ta, sidomos për popullin që drejtojnë. Besimi në vetvete, në drejtësinë e kauzës së kombit të vet, bindja e patundur se, herët a vonë, haku shkon tek i zoti, se në këtë botë nuk mbetet “hak pa marrë e borxh pa larë”, optimizmi i bazuar për të ardhmen e kombit shqiptar, që bëhen burim force e frymëzimi për lexuesin, që pasurojnë mendjen e të ngrohin shpirtin - kjo, mendojmë, përbën dhe tiparin e vlerën kryesore të këtij botimi. Nuk kursehen as misionet ndërkombëtare për dobësi operativiteti dhe “ecje me shpejtësinë e kërmillit”, në veçanti UNMIK-un, bashkë me Zanierin, që mbetën pa punë e u kthyen në “tepricë teknologjike”; stigmatizon disa ndërkombëtarë që flasin “kodra pas bregut”; të tjerë që “i kanë shti veshët në lesh”; gafat e marrëzitë e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Konuzin, aq sa “nuk i lan dot as Vollga”, madje edhe të tjerë moskovitë që u japin këshilla serbëve sikur të ishin adoleshentë. Nuk e fal, sidomos angazhimin e mirëfilltë politik të krerëve ortodoksë, “këta mbjellës të farës së urrejtjes dhe përçarjes”, nxitës të urave të zjarrit dhe klithmës për luftë, (sipas vetë thënies serbe se: “Të parët vijnë popat, pastaj topat, mandej lukunia e kriminelëve dhe hajnave”- prvo dolaze popi, pa topovi, pa lopori); gjoja të përkushtuar fesë, por edhe cirk kishtar kanë organizuar me lutje e rrahje kambanash që t’i bënin magji Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vendoste sipas vullnetit politik të Beogradit, “një primitivizëm e marrëzi”, një spektakël zbavitës që as bëri as zbaviti njeri, as dëshmoi ndonjë efekt “hyjnor” etj. Skanjerizimi, zbërthimi i tërë politikës dhe diplomacisë mjerane, “e përshkuar nga fryma e Milosheviçit, politikë e strategji konstante destruktive të okupimit të territoreve të popujve dhe vendeve të tjerë fqinjë, duke pretenduar se Kosova është pjesë e Serbisë, gjë që është kërcënim i drejtpërdrejt për luftë” etj., - kjo përbën përbën stigmatizimin kryesor të kësaj vepre. Pozita dhe opozita, të mbërthyera në iluzione, po mbajnë të ngritur një kordon politik-diplomatik rreth shtetit më të ri në Ballkan, i cili u fanepset si një koracim i pathyeshëm, kurse për autorin tonë, kjo ngrehinë është një varg kështjellash prej letre, që bien e avullojnë siç thahet vesa e mëngjesit prej rrezeve të Diellit. Vënia prej tij në fokus e shënjestër e brumit fals dhe strukturës së mbrapsht të mendësisë serbe, stigmatizimi i atij “serbizmi” paranojak, me ato tejkalime të theksuara të së drejtës, deri në bumerang, që e shëmton nacionalizmin serb, e bën atë “të mykur”, sikurse dhe patriotizmin e tyre e bën “fals”; e njollos politikën e diplomacisë, moralin dhe sjelljen anakronike me popujt fqinjë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, jep imazhin, ku “politika mbete gjithmonë mbi ligjin”, ortodoksia - instrument urrejtjeje e diskriminimi dhe ku “absurditetet nuk janë kurrfarë risie”.Këtij vendi të çudirave, ku sa herë “dridhet mali e pjell një mi”, kjo mendësi i qëndron si një litar në fyt që ia ngushton frymëmarrjen, dëmton interesat e vetë popullit serb dhe e bën të vërtitet e përpëlitet në një rreth vicioz. “Sërbizëm” e “serbizim”, “ortodoksi” e “ortodoksizim”, janë bërë emblemë e moto e të menduarit dhe të vepruarit, çdo gjë jashtë këtyre nocioneve është e destinuar të zhduket, të shfaroset me zjarr dhe hekur. Është i njëjti avaz ”i dehjes së skizofrenisë nacionaliste”, si në kohën mesjetare të “Zakona Stefana Dushana”, ashtu dhe sot e kësaj dite, në erën e demokracisë, kur koha kërkon kthesë 180 gradë. Ajo është “Politikë e tillë, kokëfortë, miope, meskine, mistrece, inatçore”, sa e obligon autorin të lëshojë thirrjen njerëzore: “Dhimbje dhe mjerim, Quo vadis Serbio? Dhe sa shumë mendim e ndjenjë njerëzore në këto tre fjalë!. Po ç’nuk u pjell mendja e tyre serbizuese e ortodoksizuese: “Ia vlen të luftohet për Kosovën, sepse çështja e mitologjisë është një çështje ekzistenciale për një popull”. Mandej, se me ç’bekime e “prokurë qiellore”, i ndërsen serbët edhe peshkopi Irenej: “Kosova është toka jonë e shenjtë dhe duhet të jemi të përgatitur ta ruajmë me çdo çmim e viktimë, në qoftë se kërkon edhe viktima... Kisha do ta ndihmojë shtetin të ruaj Kosovën”. Ç’nuk dëgjon njeriu nga ajo ofiçinë mesjetare: “Ia vlen të luftohet për Kosovës, sepse çështja e mitologjisë është një çështje kyçe për ekzistencën e një populli... Toka e Kosovës është larë me gjak që nga lufta e Kosovës e deri më sot” (!?) etj. Ndërsa Beogradi mbahet fort tek “hyjnorja” e ka shumë merak, gati nuk e zë gjumi për ca kisha e manastire, që janë të historisë e vetë jetës së shqiptarëve në Kosovë apo dhe të ndërtuara rishtas, si “tapi” zaptimi e sundimi; ne na duhet t’i kujtojmë Beogradit zyrtar idenë prilante të H. Kissinger se “Kërkesat fetare janë pretekste për qëllime politike e strategjike” (Diplomati, f. 93), po të tillë mësim konstruktiv, ata, me mend e sotme, nuk mund ta përtypin. Autori na bind se Beogradi zyrtar i sotëm është një nga vatrat më tipike të degradimit të politikës, nga shkencë e art i mirëqeverisjes, në mjet të mashtrimit dhe ekspansionit. Janë të gjitha simptomat e një gangrene politike të kalbëzuar e talasemike, terapia e të cilës, kërkon operacion të thellë me transfuzion tërësor të gjakut. Përfshirja e Kosovës në Kushtetutën serbe, e menduar si bigë për mbrojtjen e tërësisë territoriale, nga fiksim i tyre, realisht, është kthyer në vargonj, gurë në qafë dhe kunja në rrugën e integrimeve evropiane. Shtetarët kënaqen me lojë fjalësh të sajuara e fiktive, si “populli qiellor”, “kreativ”, me formulën e betimit të kryetarit të shtetit, me shprehjen “Kosova protektorat i KB” etj. Mjafton që një “kufi shtetëror” real ta quajnë “kalim administrativ” dhe ndjehen të ngopur me lugë të zbrazët! Kemi një variant tipik të sjelljes së strucit: “Kosovën, nuk e shoh unë si shtet, pra, ky shtet nuk ekziston” (?!). Ose sjellja tjetër e ngjashme me besëtytni nga më primitivet: të mos shkruhet në letër emri shtetit, të mos vendoset në tavolinë flamuri i tij, dhe me këto (si veprime magjike), ai shtet nuk ekziston në dynja. Një perifrazim i parimit biblik: “Në fillim ishte fjala dhe fjala del nga Beogradi dhe atje nisin e atje mbarojnë bëmat”. E përdorin shoshën për të zënë Diellin dhe kënaqen me mendjen e vet se “e mbuluan” dritën e tij. Rrëmojnë për të gjetur dhe qime në vezë dhe përsëri u duket se pa gjë s`dalin! Edhe sot po dalin me formulën qaramane: “Nuk mundet njeri të fitojë gjithçka e tjetri të humbasë gjithçka” e sofizma e silogjizma të tjera. (Or, zotëri, po dhe në një kampionat sportiv, njeri ekip del fitues, tjetri humbës, jo më në luftën për liri dhe jetë njerëzore të denjë. Kur dhe çiftet që nisin jetën sipas modelit të Romeos e Zhulietës, divorcohen një ditë se “nuk u puqet karakteri”, ç’duhet të bëjnë shqiptarët me egërsinë sistematike serbe?). Na mbajnë në këmbë edhe ministri të veçantë për Kosovën, (kur tamam dhe vërtet funksional, do të ishte në Kuvendin e Tiranës një Komision parlamentar “për çështjen jetike kombëtare të pazgjidhur). Midis mjaft përfaqësuesve zyrtarë, më tipikët të shenjestruar janë ish-Koshtunica, “politikani i vyshkur rusofil, me ato iluzionet e mashtrimet e veta jashtë kohës e hapësirës”; binomi Tadiq-Jeremiç dhe krejt tufa tjetër, që “tunden si të dehur e nuk shkëputen nga nebuloza”, për të cilët autori ynë, krahas bezdisë së portretizimit, u shtron pyetjen “a kanë ndonjë kriter a parim bazë nga të cilët ata udhëhiqen?” Më tej: “ky far Vuk Jeremiçi, i pakualifikuar, i papjekur për politikë e diplomaci, i vrazhdë, dogmatik, prepotent, irritues dhe arrogant-veti krejt të huaja për një diplomat; junior-praktikant, amator e mendjemadh, ministri agjil shëtitës, me busull të humbur; që veç autogola bën; sikur ka rrëshqitje truri, rreh ujë në havan; person pa hije, i gjepurave me mburrje boshe, që ushqen iluzione; vallë a i beson vetvetes për lajthitjet që thotë?” etj. Ta vësh përpara kështu kundërshtarin, do të thotë ta kesh ndërgjegjen e pastër, të jesh absolutisht i bindur në pozitat dhe qëndrimet e tua, të jesh me të vërtetën e të drejtën. Sikur dhe Evropa ta merrte më seriozisht këtë portret të një politike shtetërore mu në hundët e saj, ca më ndryshe të ecnin punët. 3. Të sajosh vetëkënaqësi të rreme dhe optimizëm fals edhe kur je duke u mbytur apo kur një botë e tërë demokratike të tërheq vëmendjen, këtë mund ta bëjnë vetëm prestigjiatorët politik skizofrenë të Beogradit. Ne politikën e vet shterpë e diplomacinë dështake kundër Kosovës, Beogradi, i mbyllur në kupolën e vet mitologjike-mesjetare, i-realen dhe i-racionalen po i trajton e ofron si reale e racionale, të pabesueshmen e jep për të besueshme; të papranueshmen e shet për të pranueshme; anomalitë - si gjëra normale, dështimet - si “fitore”; fryrjen e një tullumbaci - si optimizëm. Nuk i vihet faj gomarit që e bën barin më të vlefshëm se floririn; por që “rrena të dal më e vlefshme se e vërteta dhe marrëzia më e vlefshme se mendja”, - siç janë shtruar këmbë-kryq në Serbi, në vendin “e çudirave joreale të politikanëve, të ngatërruar si pula në shtupë”- kjo është paradoksale. Në popullin serb dominon mentaliteti i dezinformimeve, mashtrimeve dhe ekspansionit, ndërsa gënjeshtrën e konsiderojnë dhe si virtyt. Kemi të bëjmë me një botë imagjinare, virtuale, ireale që sulet kundër realiteteve të pakontestueshme, dhe këto skena donkishoteske mund t`i kurdisin vetëm mendjet e trullosura të krerëve serbë. Prej të tilla zhgënjimeve e dështimesh të politikës së jashtme, në çdo shtet normal, struktura qeverisëse do të binte si bar i kositur! Kurse protagonistët e autorit tonë, janë e mbeten “Dhi të zgjebosura, që mbajnë bishtin përpjetë”, - siç thonë për të tillët andej nga Labëria jonë. Pa e prishur fare terezinë, autori u përgjigjet të gjithëve në grup që vazhdojnë të grijnë sallatë, me mitet në mendje dhe me sytë nga qielli:Me kërcënime për luftë, nuk mund të frikësoni më askënd. Është koha e fundit të esëlloheni, ta kuptoni dhe ta pranoni realitetin. Nuk mund të ikni nga pranimi i tij, herët a vonë. Në asgjë s’ta përton: “Të mbajturit pas Rezolutës 1244, (e cila ka mbetur vetëm në letër), është si të mbajturit e pijanecit pas gardhit. As një tren trans-siberian me letra jeremiçiane, as me turma emisarësh nëpër botë, nuk mund të ndalë pavarësinë e Kosovës; atë që keni shkruar në preambol të kushtetutës varjani maces në bisht” etj. Duke iu kundërvënë krejt fushatës shekullore antishqiptare, autori ynë u a bën të qartë ish kolonizatorëve të Kosovës se tanimë, perëndoi koha juaj e shpifjeve dhe mashtrimeve, e falsifikimeve më flagrante të historisë dhe fakteve, me të cilat keni justifikuar pushtimet dhe gjenocidin; mjaft keni shfryrë e llomotitur nëpër botë me gjithfarëlloj insinuatash antishqiptare, tani është radha jonë të flasim për të vërtetën e të drejtën dhe t’ua vëmë festën sipas kokës. Bota e lakmive dhe interesave meskine, po tenton drejt botës së lirive të drejtave njerëzore e kombëtare. Ashtu edhe autori ynë, i sigurt, i vendosur dhe i prerë i kumton Beogradit se: Shpallja e Pavarësisë së një populli a shteti është akt politik që nuk ka si anulohet me kurrfarë akti juridik. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të një vendi nënkupton mbrojtjen ndërkombëtare nga shtete të jashtme, e jo mbrojtjen e brendshme nga ndonjë popull i shtypur, i cili do të shkëputet e të pavarësohet... Të drejtën e vetëvendosjes së popujve, standardet ndërkombëtare e kanë parësore kundrejt të drejtës së tërësisë territoriale”. Kështu ai ka bërë bukur edhe rolin e avokatit të Kosovës shqiptare, fare pa u sforcuar, pa kërkuar rrethana lehtësuese apo silogjizma e sofizma. Qofsha i gabuar, por sikur edhe diplomacia jonë zyrtare ta ndërtonte brumin dhe tonin e komunikimit, pak a shumë, të ngjashme me komentet e autorit tonë, me siguri ajo do të ishte më lart me integritetin, personalitetin e prestigjin e duhur e adekuat. Koha është të mos i referohemi më pallës, por, të paktën, t’i bëjmë mirë shërbimin fjalës. 4. Duke u ndalur dhe në mjaft çështje aktuale e që qëndrojnë ende në rend të ditës, ai thekson, për shembull, se “suprimimi i strukturave ilegale në Veri të Kosovës, që anë bërë gurë në qafë të Serbisë, është çështje e sundimit të ligjit... Serbëve u janë garantuar të drejtat, madje dhe privilegje, çka nuk i ka asnjë minoritet tjetër në botë... Veç Beogradi i manipulon, i mban me shpresa të rrejshme se do të rikthehet në Kosovë”; se “EULEX-i duhej të ishte shtrirë në tërë Kosovën deri më 9 dhjetor 2008, po ku është rezultati?” etj. Ndërsa vazhdon të ziej edhe rasti i montuar i Dik Mart-it, raportuesit të Këshillit të Evropës, autori e asgjëson vetëm me një frazë: Po të kishte Shqipëria dhe UÇK-ja mjete e mjekë të tillë që të kryente transplantim organesh, mjekësia shqiptare do të ishte më e zhvilluara në botë”, përndryshe, konkludon me të drejtë, duhen “dënuar shpifësit!” Kryesorja për gjendjen aktuale është se Beogradi nuk po përcakton dot orientimin politik adekuat. Politikat e tij po përpëliten në darën që i shtrëngon midis mit-manisë mesjetare, bashkë me nostalgjinë koloniale, që i tërheq pas e i gozhdon, nga njëra anë, dhe erës demokratike evropiane, që i thërret për progres, nga ana tjetër; ata ziejnë në dilema të brendshme: “Me Evropën e NATO-n apo me Rusinë? E mirë është Evropa, po jo pa Kosovën me Serbinë; Kosova dhe BE, dy tema të ndryshme. Ne zgjedhim Kosovën, më parë se BE-në. Edhe lider në rajon, edhe titullin e liderit të Lëvizjes së të paangazhuarve që e kishte e ndiera Jugosllavi e Titos” etj. Për sa i përket ndërtimit të së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor, jep mesazhe domethënëse e optimiste, por për ta sendërtuar atë, duhet veç të gjenden vullnetet politike ku “të pranohet realiteti, të shtrihet dora e pajtimit, të zhvillohen marrëdhëniet fqinjësore e të ecet përpara në integrimet, Ky shekulli 21 nuk është shekull i barrikadave, por i bashkëpunimit dhe integrimeve në interes të të gjithë njerëzve” etj. Tërë bota e di se paragjykimet e insinuatat që kanë përhapur serbët për shqiptarët, nuk i kanë kurrë shqiptarët për serbët, tanët “nuk shprehin as një për qind të asaj urrejtjeje, që shprehin serbët”. Dëshmi për këtë është edhe libri “Koha e gjarpërinjve” (Vreme zmija) e Dobrica Qosiq, këtij “babai të kombit serb”. Nuk dimë ku tjetër nëpër botë janë shfaqur njerëz të indoktrinuar që përjetojnë kënaqësi sadiste, por ne shqiptarët, me plagë në shpirt e shpinë, dëshmojmë se të tillë janë rëndom në Serbi e Greqi! Megjithatë, autori i librit në fjalë ia dëshiron popullit serb ditë më të mira, ndaj pohon se “Është koha që Serbia të heq dorë nga mitet dhe pretendimet për hegjemoni, t`iu kthehet marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjithë popujt për rreth, integrimeve euroatlantike, jetës më të mirë e të sigurt të qytetarëve të vet, krijimi i një imazhi më të mirë dhe autoritetit në botë”, gjë që pritet, pasi “në pushtet të vijnë njerëz të tjerë më të arsyeshëm ... të cilët do ta ndërronin esencialisht politikën shtetërore”. Dhe, filizat e të ardhmes janë zërat e arsyeshëm që “gjithnjë e më tepër po dëgjohen në Serbi, se politika shtetërore ndaj Kosovës duhet të ndryshohet”. “Serbi, kur po e ndërron timonier e kurs?”, - kjo pyetje e autorit të librit qëllon në pikën më serioze se “vullneti politik”, si një medalje me dy anë, është “i tillë” që o i ndërton kalanë vendit e popullit, o u bën atyre hatanë. Fjalët e fundit të këtij libri janë po në adresë të politikanëve beogradas dhe tekstualisht: “Në kushtet tona ballkanike do ishte mirë të jetojmë në harmoni, të pranohemi e të bashkëpunojmë mes vedi, po qe se duam të ekzistojmë ... Me mosnjohjen e Kosovës humbni gjithçka, e nuk fitoni asgjë. Sa më parë ta kuptoni këtë, aq më mirë për juve... Nëse Kosova dhe Serbia nuk mund ta njohin, ta respektojnë dhe të takohen si fqinjë, herët a vonë do të takohen si anëtare të BE-së. Një ditë, në Serbi do e kuptojnë se është punë e kotë e joproduktive të veprosh kundër rrjedhave të historisë”. 5. Me tërësinë e fakteve e ngjarjeve politike të paraqitura në dinamikën e tyre të gjallë, librin në fjalë, do ta cilësonim edhe si një dosier për politikologjinë, njëherazi dhe libër-doracak për stafet tona politike-diplomatike, me mjaft vlera e mesazhe konstruktive, si një model i kulturës që ato duhet të zotërojnë, i brumit që duhet të kenë, si dhe i përmbajtjes e tonit që duhet të përdorin në komunikimet ndërkombëtare, se i kanë argumentet të tregojnë epërsinë e të vërtetës dhe të drejtës. Kanë këtu një model të arsyetimit e të thënies së gjërave troç e pa dorashka të “Julius-it” tonë, këtij qytetari në pension, që në librin e vet mendon e flet si shtetar e me shumë kompetencë, ndjehet mjaft optimist dhe me krenari të ligjshme. Ky zë i fuqishëm i një intelektuali e personi publik të shoqërisë sonë civile, që buçet nëpër Librin “Shtegtimi nëpër lajme”, i cili rakordon harmonishëm me të vërtetat shkencore dhe ndërgjegjen tonë kombëtare, na sjell kujtesë edhe konsiderata të dy personaliteteve të huaja, Lamartinit e Maksimilian Lambercit, se: “Ky komb e ky popull, nuk merret lehtë nëpër këmbë... Shqipëria është toka e heronjve të të gjitha kohërave... Historia e vërtetë botërore do të shkruhet vetëm atëherë kur në hartimin e saj do të marrin pjesë denjësisht edhe shqiptarët”, me të cilat dhe po e mbyllim këtë meditim, përmendja e të cilave, nuk besoj të na quhet shkelje e modestisë! Gëzuar 5 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Kosova jonë shqiptare, për herë thellësisht atdhetare. Përgëzime kolegut tonë, që duke sfiduar moshën, mbetet model i kërkuesit, krijuesit, me origjinalitet e sens kritik brilant, madje dhe shpotitës, sulmues e goditës për çështjet më madhore të jetës sonë kombëtare; madje, me një“lëndë të parë” cilësore të librit, që na mundësoi gatimin edhe të këtij shkrimi!

*Autori i shkrimit është kryetar i Shoqatës Atdhetare për Identitet dha Bashkim Kombëtar.

---------------

-Per botim në ZSh, nga redaktori ynë i Kulurës, dhjetor 2012-

 



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora