E merkure, 30.09.2020, 11:42 PM (GMT+1)

Komente

Arbana Xharra: Sfidë me rrymat brenda islamit

E merkure, 26.12.2012, 09:25 PM


Sfidë me rrymat brenda islamit

Nga Arbana Xharra

Për gjashtë muaj me radhë kam “bashkëjetuar” me ta, kam përcjellë ligjëratat në xhami, kam vizituar rajonet e varfra të Kosovës, kam dëgjuar nga afër bindjet e tyre, kërkesat, ankesat dhe pakënaqësitë që kanë. Rregullisht kam përcjellë videot e postuara të hoxhallarëve në internet. Kam prekur nga afër çështjen e fesë në Kosovë, pa asnjë paragjykim, duke mos marrë për bazë as akuzat individuale se kush është vehabist e kush jo. Kam dashur të shoh në terren se çfarë po ndodh, kush janë prijësit e tyre, çfarë thirrje bëjnë, si organizohen dhe si financohen. Për të mësuar për liritë dhe problemet fetare hulumtimin e kam zgjeruar në Shkup dhe Londër.

Dallimet janë të mëdha, derisa në Kosovë dëgjon ligjërata ku përdoret gjuhë fyese, nëpër tubime të caktuara dëgjohen hoxhallarë me fjalor tmerrues, në xhaminë më të madhe në Londër, kleriku flet për tolerancën fetare dhe për faljen që duhet bërë atyre që janë kundër islamit. Derisa në Londër ka liri të madhe fetare, lejohet mbulesa nëpër shkolla, por kontrollohet çdo lëvizje, raportohen financimet, ku të jesh edhe vehabist jo domosdoshmërish je terrorist. Në Kosovë, ndalimi i mbulesës nëpër shkolla publike është duke revoltuar me të madhe grupe të caktuara myslimane, ata nuk janë pak, shumë lehtë me mijëra prej tyre mund të mbushin rrugët.

Në të njëjtën kohë me miliona euro hyjnë nga shtete arabe dhe nuk dihet se ku përfundojnë, apo kush po përfiton në emër të fesë? Meqë “investimet” bëhen mbi bazat e besueshmërisë vëllazërore, nuk ka dokumente se ku shkojnë ato para. Lista e gjatë e organizata që funksionojnë nën petkun e ndihmave, për më shumë se dhjetë vjet kanë zënë vend në pjesët më të varfra të Kosovës.

Të hutuar nga zhvillimet ditore politike, pakënaqësitë ndaj pushtetit janë terren perfekt që ekstremi fetar të manipulojë shumë më lehtë me ekstremin social. Mund të mashtrohemi nëse themi se Kosovë ka pak të atillë, numri i tyre është duke u rritur me të madhe, ndërkohë që fatkeqësisht shumë prej tyre janë duke u manipuluar nga interesat e grupeve të caktuara që thirren në emër të fesë. Më ka habitur fakti se më i kritikuari për përhapjen e ideologjisë ekstreme fetare imami i xhamisë kryesore në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, është treguar shumë më i hapur sesa kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava.

Krasniqi pranon të flasë për financimin, mënyrën sesi i ka ndërtuar konviktet për vajzat, pse i ka ndërtuar ato, ku shkon nëpër Evropë për të mbajtur ligjërata dhe si funksionon. Kurse, Tërnava nuk pranon as të flasë. Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) këmbëngul që të mos e bëjë publik raportin financiar, edhe pse një pjesë e madhe e të hyrave të saj janë mbi baza vullnetare, donacione e ndihma nga jashtë. Krasniqi është imami më i popullarizuar në Kosovë, me mijëra veta e përcjellin nëpër ligjërata, bazuar në mbështetësit Krasniqi shumë lehtë mund t’i nxjerrë me mijëra veta në rrugë.

Ndërkohë Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) vazhdon të mbetet perandori në vete e cila ka tubuar rreth vetës disa zyrtarë që më shumë bëjnë politikë për interesa të veta sesa që merren më çështjet dhe rregullimin e problemeve fetare. Ata nuk bëjnë publike donacionet, shkarkojnë e emërojnë imam si t’u dojë qejfi, nëse dikush nuk u shkon përshtati e largojnë pa problem, duke krijuar kështu përçarje brenda vetë komunitetit të tyre.

Kanë ndodhur edhe rrahjet e hoxhallarëve, në rrugë, brenda xhamisë, bile edhe u është djegur vetura, vetëm pse kanë shprehur haptazi kundërshtimet e tyre ndaj prezencës së rrymave radikale, apo zyrtarëve të BIK-ut. Këto janë sinjale të qarta se ku mund të çojnë rrymat brenda vetë komunitetit islam.

Ndërkohë BIK-u vazhdon në heshtje të luajë me dy palë karta, pa ia prishur vetes rehatinë, mjafton të kenë buxhet të “bereqetshëm”. Ata nuk e pranojnë se ideologjia selefi e cila dallon shumë nga shkolla hanefi në të cilën thirret BIK-u, ka zënë rrënjë në Kosovë. Ndonëse nuk ka ende sinjale që Kosova është e rrezikuar nga ekstremizmi apo terrorizimi, një është e sigurt, fanatikët priren ta përshkruajnë vetveten si mbrojtës të besimit që i kundërvihen imponimit të sekularizmit “perëndimor” mbi Kosovë.

Fatmirësisht ende shumica e besimtarëve praktikojnë një formë të butë të islamit dhe politika ende nuk është duke e shfrytëzuar çështjet fetare për interesa të veta, siç është duke ndodhur me të madhe në Maqedoni. Në Kosovë shumica duan ta shohin vendin e vet brenda Bashkimit Evropian, ashtu siç është e definuar edhe në Kushtetutën e Kosovës. Por, shteti gjithmonë duhet mbajtur një sy hapur.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora