Kulturë
Halil Haxhosaj: Din Mehmetit në amshim
E diele, 11.11.2012, 01:25 PM
Halil Haxhosaj
DYVJETOR AMSHIMI
(Din Mehmetit në amshim)
Në kafenenë “Miqësia e jetës sonë”
E takova mikun tim Din Mehmeti
Në tavolinën në këndin intim
Rrinim ulur përballë njëri-tjetrit
Për të pirë kafenë e porositur
Mbetur rikujtim në rrathët e miqësisë
Ishim shumë të përmalluar
Ai dukej i përtërirë në hijeshi
Thinjat nuk ia mbulonin flokët
Rrudhat nuk ia thellonin ballin
As nuk ia vijëzonin fytyrën
Ilaçet nuk i përdorte fare
Sepse sëmurjet kishin ndërruar
Dhimbje ofshama diagnoza
Jetë amshimi e përqafonte
Të mbushur me tjetër dritë ajër
Frymëmarrje buzëqeshje ecje
Mbi raftet e bibliotekave
Të kësaj jete të ndritur
E në tavolinën e frymëzimit
Rri hapur kompleti i veprave
Mbështjellë me krenari përjetësie
E lashë mikun tim Din Mehmeti
Në dyvjetorin e amshimit të tij
Lehtas u ngrit e hyri në poezi
Në vargje figura metafora
Në përjetësi u shndërrua
Kamerieri e solli kafenë
Fare nuk e shijova
I përmalluar e shikova
Më besoni
Gjakovë, më 12.11.2012.