E marte, 27.07.2021, 01:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Xhelal Ademi: Flamurit

E shtune, 10.11.2012, 07:42 PM


Xhelal Ademi

Flamurit

Sa shekuj kalove duarve të trimërisë
Ndër muzgje acari gjithë netë kobzezash
Ti prijës i gëdhendur në fjalë të lirisë
Mbi sfond pavdekësie e në gjakim brezash.

Dhe dole krenar si gjithëherë trimërak
Kur terrte e ngryste bota në errësirë
Valëvitjet e tua me atë ngjyrën gjak
Kapnin horizontet ndaj motit të gëdhirë.

Kapte atë rrugëtim dhe dridhte tërmet
Nën zë ulurime thurrte një vegim
Herëherë merrte malin herëherë futej n’det
Përmes Ilirikut ëndërr pa mbarim.

***
E dorë e kalorsit nuk shkundej së koti
Nëpër dallgë rrebeshesh të ndizte rrufenë
Mbase zhbëhej qielli në atë prishje moti
Shqipja dykrenare në ty gjet folenë.

Kur flakej vetë dheu në plis të gjakuar
Ballë trokut të zëshëm përmes Mëmëdheut
Ti shkrepëtimë qiellore kandil i pashuar
Sa hije të kishte dorë e Skënderbeut.

N’bedena kështjellash me valvitje prore
Ngjyrëgjak ti flamur simbol krenarie,
Sa herë që hapëroje udhëkryqet Arbërore
Aq herë ti u ndeshe mbi mjegull Azie.

***
Ecje doradoras ndër vargane stinësh
Nëpër dorë të Shotës trimërove një hak
Tek e Bajram Currit dhe Hasan Prishtinës
Majë e për majë kullash të lara në gjak.

Dhe hapërove hirin e shekujve të zi
Për të dalë vigan tek brigjet shqiptare
Rilinde i hekurt për t’iu fut në gji
Trollit heroik, Vlorës legjendare.

Mëpas mugëtirën si e ece vallë
Në ç’hall  katandise në ç’kurthë pate rënë
E sakaq barbarit t’i shkrepesh përballë
N’kulla të Drenicës pritën për ti vënë.

***
Brofe nga nëndheu ti vullkan i zjarrit
Me valëvitje t’rreptë atje mbi konak
Sa rrufe numërove krah Adem Jasharit
Kur një cep Atdheu të lahet në gjak.

Lahej e përplitej n’shakullimë veriu
Bëshëm shurdhohej gjer përmajë shpatesh
N’ulurimë kobëzezash nga barbar-njeriu
Ai që dje zvarritej në shpella karpatesh.

Vazhdo flamur ecjet përgjithëherë krenar
Përmes vërdallisjes së dimrit të gjatë
Gjersa e gëdhira territ s’i është ndarë
Dhe i tërë atdheu nuk e shkund këtë natë...



(Vota: 25 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora