E premte, 26.04.2024, 04:58 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Fjalimi i plotë i Benediktit XVI në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

E diele, 20.04.2008, 10:49 AM


Promovimi i së mirës së përbashkët, si dhe liria - ilaçet kundër efekteve negative të globalizimit
    
Në sa po filloj fjalimin tim në këtë Asamble, para së gjithash dëshiroj t’ju shpreh Ju, Zoti kryetar, mirënjohjen time më të sinqertë për fjalët e njerëzishme që më drejtuat. Të njëjtën mirënjohje i shpreh edhe Sekretarit të Përgjithshëm, Zotit Ban Ki-mun, që më ftoi për të vizituar zyrat qendrore të Organizatës si dhe që më drejtoi përshëndetjen e mirëseardhjes. Përshëndes Ambasadorët e Diplomatët e Shteteve Anëtare dhe gjithë të pranishmit: përmes jush, përshëndes edhe popujt që përfaqësoni. Ata presin nga ky Institucion të vijojë ecjen përpara me të njëjtën frymë, që pati kur u themelua, si qendër për harmonizimin e veprimeve të Kombeve për realizmin e synime të përbashkëta të paqes e të zhvillimit (cfr Karta e Kombeve të Bashkuara, art. 1.2-1.4). Siç pati theksuar Papa Gjon Pali II më 1995, Organizata duhet të jetë “qendër morale, në të cilën të gjitha kombet e botës e ndjejnë veten si në shtëpi të vet, duke thelluar vetëdijën se janë një “familje kombesh” (Mesazh Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në 50-vjetorin e themelimit, Nju Jork, 5 tetor 1995, 14). Përmes Kombeve të Bashkuara, shtetet kanë vënë në jetë objektiva universale të cilat, ndonëse nuk përkojnë me të mirën e përbashkët të mbarë familjes njerëzore, përfaqësojnë, pa dyshim, një pjesë themelore të kësaj së mire. Parimet themeluese të Organizatës - dëshira për paqe, kërkimi i drejtësisë, respekti për dinjitetin e njeriut, bashkëpunimi humanitar e asistenca - shprehin aspiratat më të thella të shpirtit njerëzor dhe përbëjnë idealet, të cilave duhet t’u nënshtrohen marrëdhëniet ndërkombëtare. Ashtu siç kanë vërejtur paraardhësit e mi, Pali VI e Gjon Pali II nga kjo tribunë, bëhet fjalë për argumente që Kisha Katolike e Selia e Shenjtë i ndjekin me vëmendje e interes, sepse shikojnë në veprimtarinë tuaj sesi problemet e konfliktet që kanë të bëjnë me bashkësinë botërore, mund të rregullohen me miratim të përbashkët. Kombet e Bashkuara mishërojnë aspiratën ‘për një shkallë të lartë të drejtimit ndërkombëtar’ (Gjon Pali II, Sollicitudo rei socialis, 43), që frymëzohet e mbarështohet nga parimi i ndihmës e që, prandaj, është në gjendje t’i përgjigjet kërkesave të familjes njerëzore, përmes rregullave ndërkombëtare përkatëse dhe përmes strukturave, që mund ta harmonizojnë jetën e përditshme të popujve. E kjo është më e nevojshme se kurrë, në një kohë kur provojmë paradoksin e qartë të miratimit të shumanshëm, që vijon të jetë në krizë për shkak se i nënshtrohet vendimeve të pakicës, ndërsa problemet e botës kërkojnë ndërhyrje në formën e aksionit kolektiv nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Natyrisht çështjet e sigurisë, objektivat e zhvillimit, ngushtimi i pabarazive lokale e globale, mbrojtja e ambientit, e burimeve dhe e klimës, kërkojnë që të gjithë drejtuesit ndërkombëtarë të punojnë bashkërisht e të jenë të gatshëm të veprojnë me mirëbesim, duke respektuar ligjin e duke promovuar solidaritetin në ndihmë të zonave më të ligështa të planetit. Mendoj posaçërisht për ata vende të Afrikës e të zonave të tjera të botës, që përjashtohen nga zhvillimi i përgjithshëm e që, prandaj, rrezikohen të provojnë vetëm pasojat negative të globalizimit. Në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare, është e nevojshme të njihet roli me rëndësi të dorës së parë, që luajnë rregullat e strukturat e krijuara kryesisht për promovimin e së mirës së përbashkët, si dhe për mbrojtjen e lirisë së njeriut. Këto rregulla nuk e kufizojnë lirinë; përkundrazi, e promovojnë, kur i venë pritë sjelljeve e veprimeve që i kundërvihen së mirës së përbashkët, që pengojnë vënien e saj në jetë e që, prandaj, vënë në rrezik dinjitetin e çdo njeriu. Në emër të lirisë duhet të lidhen ngushtë të drejtat e detyrat që ka çdo njeri, i thirrur ta zgjedhë me përgjegjësi rrugën e vet e cila, si pasojë, e bën të krijojë marrëdhëniet me të tjerët. Me këtë kemi ndër mend të kujtojmë mënyrën si zbatohen nganjëherë zbulimet e kërkimeve shkencore e teknologjike. Megjithë përfitmet e jashtëzakonshme që mund të ketë prej tyre njerëzimi, disa aspekte të këtyre zbatimeve përbëjnë një dhunim të dukshëm të rendit të krijimit deri në atë pikë sa, jo vetëm i bien ndesh karakterit të shenjtë të jetës, por nuk ngurrojnë t’i rrëmbejnë njeriut e familjes identitetin e tyre natyror. Në të njëjtën mënyrë, veprimtaria ndërkombëtare në mbrojtje të ambientit e të formave të ndryshme të jetës mbi tokë, nuk duhet të garantojë vetëm përdorimin e arsyeshëm të teknologjisë e të shkencës, por duhet të rizbulojë edhe shembëlltyrën e vërtetë të krijimit. Kjo nuk do të thotë se njeriu duhet të zgjedhë ndërmjet shkencës dhe etikës: bëhet fjalë për përdorimin e metodave shkencore, që respektojnë vërtetësisht imperativat etike.
Njohja e unitetit të familjes njerëzore dhe vëmendja për dinjitetin me të cilin lind çdo burrë e çdo grua, ritheksohen sot në parimin e përgjegjësisë për të mbrojtur. Ku parim, që nënvizohet posaçërisht kohët e fundit, ishte i pranishëm që në zanafillën e Kombeve të Bashkuara, ndërsa tani është bërë gjithnjë më karakteristik për veprimtarinë e Organizatës. Detyra kryesore e çdo shteti është të mbrojë popullsinë e vet nga shkeljet e rënda e të vazhdueshme të të drejtave njerëzore dhe nga pasojat e krizave humanitare, të shkaktuara si nga natyra, ashtu edhe nga vetë njeriu. Në se shtetet nuk janë në gjendje ta garantojnë një mbrojtje të tillë, bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërhyjë me mjetet juridike, që përcaktohen në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe me mjete të tjera ndërkombëtare. Veprimtaria e bashkësisë ndërkombëtare dhe e institucioneve të saj, duke supozuar respektin e parimeve që janë në bazë të rendit ndërkombëtar, nuk duhet interpretuar kurrë si imponim i padëshirueshëm e si kufizim i sovranitetit. Përkundrazi, dëmi real është pasojë e indiferencës ose e mungesës së ndërhyrjes. Ndjehet nevoja e një kërkimi më të kujdesshëm të mënyrave që shërbejnë për parandalimin dhe kontrollin e konflikteve, duke i kushtuar vëmendje të veçantë çdo rruge të mundshme diplomatike e duke inkurajuar edhe shenjat më të zbehta të dialogut ose të dëshirës për pajtim.
Parimin e “përgjegjësisë për të mbrojtur”, ius gentium i lashtë e shikonte si bazë të çdo veprimi që mund të ndërmerrej nga sundimtarët kundër sundimtarëve: në kohën kur ishte në zhvillim e sipër koncepti i shteteve kombëtare sovrane, rregulltari domenikan, Francisko de Vitoria, që me të drejtë konsiderohet si pionier i idesë së Kombeve të Bashkuara, e përshkruante këtë përgjegjësi si një aspekt të arsyes natyrore, që pranohej nga të gjitha kombet e, si rezultat, edhe si aspekt të një rendi ndërkombëtar, detyra e të cilit është të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet popujve. Sot, si atëherë, ky parim duhet të bazohet mbi idenë e cila e shikon njeriun si shemëlltyrë të Krijuesit, që ka dëshirë për liri absolute. Siç dihet, themelimi i Kombeve të Bashkuara përkon me indinjatën e thellë që provoi njerëzimi, kur u braktis mbështetja tek domethënia e transhendencës dhe e arsyes natyrore, gjë që çoi në shkeljen e rëndë të lirisë e të dinjitetit të njeriut. Kur ndodh kjo, kërcënohen bazat objektive të vlerave, që frymëzojnë e drejtojnë rendin ndërkombëtar dhe minohen në themel parimet e paprekshme, të formuluara e të konsoliduara nga Kombet e Bashkuara. Kur je përballë sfidave të reja ngulmuese, është gabim të kthehesh mbrapa duke bërë një hap pragmatik, që mjaftohet të përcaktojë ‘një terren të përbashkët’, minimal në përmbajtje e të dobët në efekte.
Përmendja e dinjitetit njerëzor, që është bazë objektive e përgjegjësisë për të mbrojtur, na kujton temën, tek e cila jemi ftuar të përqendrohemi sivjet, vit i kremtimit të 60-vjetorit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut. Dokumenti qe rezultat i përkimit të traditave fetare e kulturore, të gjitha të motivuara nga dëshira e përbashkët për ta vënë njeriun në zemër të institucioneve, të ligjeve e të shoqërisë e për ta konsideruar si thelb të botës së kulturës, të fesë e të shkencës. Të drejtat e njeriut paraqiten gjithnjë më shumë si gjuhë e përbashkët e substrat etik i marrëdhënive ndërkombëtare. Njëkohësisht, universaliteti, pandashmëria dhe ndërvartësia e të drejtave njerëzore, shërbejnë si garanci për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut. Është e natyrshme që të drejtat e njohura e të përvijuara në Deklaratë zbatohen për secilin, në sajë të origjinës së përbashkët të njeriut, që mbetet pika më e lartë e planit krijues të Hyjit për botën e për historinë. Këto të drejta bazohen mbi ligjin natyror, të shkruar në zemrën e njeriut e të pranishëm në kultura e qytetërime të ndryshme. T’i shkëputësh të drejtat nga ky kontekst, do të thotë të ngushtosh fushën e zbatimit të tyre e të biesh në një konceptim relativistik, sipas të cilit kuptimi dhe interpretimi i të drejtave do të mund të ndryshonte e universaliteti i tyre, të mohohej në emër të konteksteve të ndryshme kulturore e politike, shoqërore e deri fetare. Nuk duhet lejuar që një larmi e tillë pikëpamjesh, të errësojë faktin se nuk janë vetëm të drejtat universale, por është edhe njeriu, subjekt i këtyre të drejtave.
Jeta e bashkësisë, si ajo e brendshme, ashtu edhe ajo ndërkombëtare, tregon qartë se respektimi i të drejtave dhe garancitë që e pasojnë, janë masa e së mirës së përbashkët; shërbejnë për të vlerësuar lidhjen ndërmjet drejtësisë e padrejtësisë, zhvillimit e varfërisë, sigurisë e konfliktit. Promovimi i të drejtave të njeriut, mbetet strategjia më e suksesshme për zhdukjen e pabarazisë ndërmjet vendeve e grupeve shoqërore, si dhe për thellimin e sigurisë. Natyrisht viktimat e vuajtjeve e të dëshpërimit, dinjiteti i të cilëve shkelet, pa i hyrë kujt ferrë në këmbë, mund të bien lehtësiht pre e thirrjes për të ushtruar dhunën e të bëhen vetë dhunues të paqes. Gjithsesi, e mira e përbashkët, për realizimin e së cilës ndihmojnë aq shumë të drejtat e njeriut, nuk mund të arrihet vetëm me zbatimin e procedurave korrekte e as përmes ekuilibrit të thjeshtë ndërmjet të drejtave që i bien ndesh njëra tjetrës. Merita e Deklaratës të të Drejtave të Njeriut është se u krijoi mundësinë kulturave të ndryshme, shprehjeve juridike e modeleve institucionale, të bashkohen rreth një bërthame themelore vlerash e, prej këndej, edhe të drejtash. Por sot duhen dyfishuar përpjekjet, përballë presioneve për një interpretim të ri të themeleve të Deklaratës e për vënien në rrezik të unitetit të saj, për të lehtësuar kështu largimin nga mbrojtja e dinjitetit njerëzor e për të kënaqur disa interesa, që shpesh janë interesa të veçanta. Deklarata u adoptua si ‘konceptim i përbashkët, që duhet ndjekur” (Hyrje) e jo për t’u zbatuar për pjesë të shkëputura, sipas prirjeve ose rrugëve të veçanta, që krijojnë rrezikun t’i kundërvihen unitetit të njeriut e, prej këndej, edhe pandarshmërisë të të drejtave të njeriut.
Përvoja na mëson se shpesh ligjshmëria del mbi drejtësinë, kur këmbëngulja për zbatimin e të drejtave të njeriut duket vetëm si rezultat i masave ose i vendimeve ligjore, që marrin agjensitë e ndryshme të atyre që kanë në duar pushtetin. Kur paraqiten vetëm me terma ligjore, krijohet rreziku që të drejtat të shpërpjestohen, duke u shkëputur nga përmasa etike e racionale, që është baza e qëllimi i tyre. Përkundrazi, Deklarata Universale fuqizoi bindjen se respekti për të drejtat e njeriut i ka rrënjët tek drejtësia që nuk ndryshon, mbi të cilën bazohet edhe forca që lidhet me shpalljet ndërkombëtare. Ky aspekt shpesh herë nuk respektohet kur bëhen përpjekje për t’i zhveshur të drejtat nga funksioni i tyre i vërtetë, në emër të një perspektive të ngushtë utilitaristike. Me që të drejtat e detyrat burojnë në mënyrë të natyrshme nga ndërveprimi njerëzor, është e lehtë të harrohet se janë fryt i një kuptimi të pëbashkët të drejtësisë, të bazuar, së pari, mbi solidaritetin ndërmjet anëtarëve të shoqërisë e, prej këndej, me vlerë për të gjitha kohërat e për të gjithë popujt. Këtë e pati kuptuar që në shekullin V Shën Agostini nga Ipona, një nga mjeshtrat e trashëgimisë sonë intelektuale, i cili pati thënë: “Mos u bëni të tjerëve, atë që nuk dëshironi t’jua bëjnë juve!”. Kjo fjalë e urtë ‘nuk mund të ndryshojë kurrsesi në përkim me kuptimet e ndryshme që mund t’i jipen në botë” (De doctrina christiana, III, 14). Prandaj të drejtat e njeriut duhen respektuar si shprehje e drejtësisë, e jo sepse ligjvënësit mund ta detyrojnë njeriun t’i respektojë.
Ndërsa historia shkon përpara, lindin situata të reja, të cilat tentohet të lidhen me të drejta të reja. Dallimi, pra aftësia për të ndarë të mirën nga e keqja, bëhet edhe më thelbësor në kontekstin e kërkesave, që kanë të bëjnë me vetë jetën e me sjelljen e njerëzve, të bashkësive dhe të popujve. Në përballimin e temës së të drejtave, meqë në të përfshihen situata të rëndësishme e realitete të thella, dallimi është në të njëjtën kohë një virtyt i domosdoshëm e frytdhënës. Dallimi pra, tregon se t’u besosh ekskluzivisht shteteve të veçanta, me ligjet e institucionet e tyre, përgjegjësinë për të realizuar aspiratat e personave, bashkësive dhe popujve të tërë mund të ketë, nganjëherë, pasoja që e përjashtojnë vendosjen e një rendi shoqëror, ku respektohen dinjiteti dhe të drejtat e njeriut. Nga ana tjetër, këndvështrimi mbi jetën, i lidhur ngushtë me përmasën fetare mund të ndihmojë të arrihen qëllime të tilla, meqë njohja e vlerës së mbinatyrshme të çdo burri e çdo gruaje favorizon kthimin e zemrave, i cili më pas çon drejt impenjimit për të mos iu nënshtruar dhunës, terrorizmit dhe luftës e për të promovuar drejtësinë dhe paqen. Kjo gjithashtu përbën kontekstin për atë dialog ndërfetar, që duhet ta mbështesin Kombet e Bashkuara, ashtu si mbështesin dialogun në fusha të tjera të veprimtarisë njerëzore. Dialogu duhet të njihet si mjet përmes të cilit anëtarët e ndryshëm të shoqërisë mund të shprehin pikëpamjet e tyre e të arrijnë mirëkuptimin për të vërtetën, që ka të bëjë me vlera e objektiva të veçantë. Është në natyrën e vetë feve, të praktikuara lirisht, fakti që mund të promovojnë, të pavarura, një dialog mendimesh e jete. Nëse edhe në një nivel të tillë, sfera fetare veçohet nga veprimtaria politike, individët e bashkësia kanë përfitime të mëdha. Nga ana tjetër, Kombet e Bashkuara mund të mbështeten mbi rezultatet e dialogut ndërmjet feve dhe të përfitojnë nga gatishmëria e besimtarëve për ta vënë përvojën e tyre në shërbim të së mirës së përbashkët. Detyra e tyre është të mos e propozojnë vizionin e fesë me termat e intolerancës, të diskriminimit e të konfliktit, por me termat e respektit të plotë ndaj së vërtetës, të bashkëjetesës, të të drejtave e të pajtimit.
Natyrisht, të drejtat e njeriut duhet të përfshijnë edhe të drejtën e lirisë fetare, si shprehje e një përmase, që është njëkohësisht individuale e komunitare, një këndvështrim që manifeston unitetin e personit, duke dalluar qartë përmasën e qytetarit nga ajo e besimtarit. Veprimtaria e Kombeve të Bashkuara në vitet e fundit ka bërë që në debatin publik të ofrohen hapësira dhe të gjejnë vend pikëpamje të frymëzuara nga një këndvështrim fetar në të gjitha përmasat e tij, duke përfshirë edhe përmasën rituale, të kultit, të edukimit, të përhapjes së informacionit, si dhe lirinë për të kumtuar apo për të zgjedhur një fe tjetër. Prandaj, është e pakonceptueshme që disa besimtarë të ndrydhin një pjesë të vetvetes - fenë e tyre - për të qenë qytetarë aktivë; nuk duhet të jetë kurrë e nevojshme të mohohet Zoti për të gëzuar të drejtat e individit. Të drejtat që lidhen me fenë kanë nevojë më shumë se kurrë të mbrohen, nëse konsiderohen në konflikt me ideologjinë mbizotëruese shekullare ose me qëndrimet e një shumice fetare, që ka natyrë ekskluzive. Garantimi i plotë i lirisë fetare nuk mund të kufizohet vetëm me ushtrimin e lirë të kultit; përkundrazi, duhet pasur mirë parasysh përmasa publike e fesë e, prej këtej, mundësia e besimtarëve për të luajtur rolin e tyre në ndërtimin e rendit shoqëror. Në të vërtetë, ata po e bëjnë këtë, për shembull, nëpërmjet përfshirjes së tyre, me ndikim e bujari, në një rrjet të gjerë iniciativash, që shkojnë nga universiteti, tek institucionet shkencore, shkollat, agjensitë për ndihmë mjekësore dhe organizatat bamirëse në shërbim të më të varfërve e më të braktisurve. Refuzimi i njohjes në shoqëri i këtij kontributi, që është i rrënjosur në përmasën fetare e në kërkimin e Zotit - për natyrën e vet, shprehje e bashkimit ndërmjet njerëzve – do të privilegjonte pa dyshim individualizmin e do ta copëzonte unitetin e personit.
Prania ime në këtë Asamble është shenjë e vlerësimit për Kombet e Bashkuara dhe shprehje e besimit se Organizata do të jetë gjithnjë e më shumë simbol bashkimi ndërmjet shteteve e mjet shërbimi për krejt familjen njerëzore. Shpreh edhe vullnetin e Kishës Katolike për të ofruar kontributin e saj në krijimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në atë mënyrë, që i lejon çdo personi e çdo populli të kuptojë se vlen. Përveç kësaj, Kisha punon për realizimin e këtyre objektivave përmes aktivitetit ndërkombëtar të Selisë së Shenjtë, në mënyrë koherente me kontributin e saj në sferën etike dhe morale e, përmes aktivitetit të lirë të besimtarëve. Pa dyshim, Selia e Shenjtë ka pasur gjithnjë vendin e vet në asambletë e Kombeve të Bashkuara, duke treguar karakterin e vet të veçantë si subjekt në fushën ndërkombëtare. Siç kanë ripohuar kohët e fundit Kombet e Bashkuara, Selia e Shenjtë ofron kështu kontributin e vet, sipas dispozitave të ligjit ndërkombëtar, ndihmon të përcaktohet më mirë ky ligj dhe i referohet atij.
Kombet e Bashkuara mbeten një vend i privilegjuar në të cilin Kisha impenjohet të sjellë përvojën e saj “në humanitet”, të zhvilluar përgjatë shekujve, ndërmjet popujve të çdo race e kulture, dhe ta verë atë në dispozicion të të gjithë anëtarëve të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo përvojë e kjo veprimtari, që kanë për qëllim të arrijnë lirinë për çdo besimtar, përpiqen gjithashtu të rrisin mbrojtjen për të drejtat e njeriut. Këto të drejta e kanë bazën dhe modelin në natyrën trashendentale të njeriut, që u krijon burrave e grave kushtet për të ecur në rrugën e tyre të fesë e të kërkimit të Zotit në këtë botë. Njohja e kësaj përmase duhet të përforcohet, nëse duam të mbështesim shpresën e njerëzimit për një botë më të mirë, e nëse duam të krijojmë kushte për paqen, zhvillimin, bashkëpunimin e garanci për të drejtat e brezave të ardhshëm. Në Enciklikën time të fundit “Spe Salvi”, kam nënvizuar “se kërkimi gjithnjë i lodhshëm i normativave të drejta për gjërat njerëzore është detyrë e çdo brezi” (n.25). Për të krishterët, një detyrë e tillë motivohet nga shpresa që ngjall vepra shëlbuese e Jezu Krishtit. Ja përse Kisha ka kënaqësinë të bashkohet me aktivitetin e kësaj Organizate të nderuar, së cilës i është besuar përgjegjësia për të promovuar paqen e vullnetin e mirë në të gjithë botën. Miq të dashur, ju falenderoj për mundësinë, që më dhatë sot për t’ju folur dhe ju premtoj mbështetje përmes lutjeve për vazhdimin e detyrës suaj fisnike.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora