E premte, 26.04.2024, 07:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Aleksander Peçi: Kabaja e Laver Bariut

E shtune, 05.04.2008, 11:31 AM


Kabaja e Laver Bariut
 
Nga Aleksander Peçi

Laver Bariu
Ishte tetori i vitit 1973 kur njoha Ustain tonë të Madh dhe mikun tim të shquar Laver Bariu. Tek e dëgjoja ta qante gërnetën më mbetën në kujtesë këto tipare të portretit. Rrudhat në ballë, ashtu të thella të thella, brazda brazda, si brazdat e tokës. Një ballë i rrudhosur që kultivonte tinguj herë të ëmbël si nektari e herë me derte, trazira e zhgulme si të Vjosës së trazuar. Dy bullçime në faqet që merrnin oksigjen jo vetëm nga ajri, por dhe oksigjen nga pasuria e paraardhësve të tij Medi Permeti, Asllan, Selim e Hafize Leskoviku, Bilbil Vlora, Ciloja, Hajdar Cangonji, Çobani, por dhe 2 bullçime që ju jepnin ymer, jetë, bashkëkohësve të brezit të tij Sulejmanit, Xhelalit, Letos, Llazos, Krenarit, Ethemit, Gaqo Lena, Vangjel Janushi, Jasharit të Pogradecit, e me të rinjve, Lulushit, Zhanit të Korçës, Gencit të Përmetit, Adit, Qerimit e shumë të tjerëve.
Një palë sy të ustait që shihnin poshtë sa nga toka dhe merrnin ngjyrën kafe të saj si të shkruanin me tinguj mbi një pergamen të madh hallet e dertet e shpirtit, e sa nga qielli si të donin t’i u përcillnin perëndive sekretet e pergamenit të tokës.
Një palë mustaqe simpatike që i jepnin hijeshi e burrëri këtij portreti të bukur, dy veshë të mprehtë, diktatoriale të artistit Bariu ndaj çdo stonature që mund t’i vinte nga formacioni, një palë buzë që i përcillnin gërnetës butësinë e shpirtit. Dy duar me gistërinj të butë që u jepnin butësinë e poezinë e shpirtit çelesave metalikë të gërnetës. Çelësat nga duart e Ustait nuk ishin më metalike. Ato bëheshin trandafilë fletë-fletë, bëheshin borzilokë, bëheshin “Moj buzkarafilja ime”, “shami me mollë të ëmbla”, bënin të mbinin qershi, degë jeshile, të kullonte qumësht dallëndyshe. Një kurriz i përkulur si t’i përkulej e falej tokës e në respekt njerëzve që e adhuronin. Një gjoks që në kulminacione të kabasë, krenarisht i mburrej qiellit për këtë pasuri të kombit. E së fundmi, pala fustenelle të bardha mbështillnin si me re këtë monument të gjallë të kulturës sonë popullore prej mishi, gjaku e tingulli, Bilbili i Permetit, Laver Bariu. Ky është portreti i bukur i Laver Bariut. Në fakt këtë epitet të bukur nuk ia kam ngjitur unë Ustait. Nuni i këtitj llagapi të ri të Laverit është i madhi dhe i paharruari kryemjeshtri i skenaristikës shqiptare Vath Koreshi, e që me vdekjen e tij kinematografia humbi kryepenën e saj.
“I bukur more usta”, i thosh Vathi, dhe qe atehere sa here qe takoheshim kjo shprehje sillte një atmosfere gezimi e mjaft miqësore në komunikim. Ky është portreti i Usta Laverit, që kam njohur unë dhe që njohin shqiptarët, dhe që Vaso Tole në vijim të botimeve për thesaret e Trashëgimisë së popullit bëri shumë mirë që ja dha publikut këtë libër mbi Usta Laver Bariun. E shkruara mbetet. Të pashkruarën e mer era.

***

Pas 3 vjeteve (1973- 1977), kërkime e gërmime në disqet që gjeja fshatrave të Përmetit tek i apasionuari i madh i tyre që i ruante si sytë e ballit që nga vitet ‘20 Vangjel Mango, (imagjinoni, Permetin në kohën që binte erë barut, kultivonte kulturë e dëgjonte disqe, e rallë kjo për Shqipërinë e atyre viteve), pra më duhej jo vetëm ta studioja këtë experiencë të jashtëzakonshme të kabasë e këngës, por dhe të jepja ato zgjidhje që di të japi kompozitori kur bëhet njësh me ustallarë të mëdhenj si Laveri e Çobani, kur merr prej tyre materie sonore, por dhe u jep atyre materie në këtë klimë bashkësie kolektive që solli filmi “Gjeneral gramafoni”. Arti i Popullit nga vetë nocioni i krijuesit të tij “Popull” është arti kolektiv, arti i zhvilluar në bashkësi, që jeton një kohë bashkësie, e cila matet me mijëvjeçare. Është e rëndësishme të theksoj se kjo bashkësi kolektive mbushet nga gjithë prurjet që vijnë nga burimet e përrenjtë individuale por dhe njëkohësisht i ushqen e i mbush me lëndë burimet e përrenjtë individuale. Sa i ngjan ky proçes ujit, i cili nëpërmjet burimeve e përrenjve krijon bashkësitë e mëdha të lumenjve e deteve, ku më pas, procesi i avullimit e kondensimit, shiut, i kthen në lëndë ujore për të furmizuar përsëri burimet e përrenjtë. E ato, përsëri bashkësitë. Është vërtet e mbrekullueshme që kur bashkohen 2 shkolla, ashtu si 2 burime, si dy lumenj në një shtrat të vetem, pra shkolla e popullit dhe e ustallarëve të medhenj, dhe shkolla me trashëgimitë e mëdha të artit muzikor, boteror e kombëtar, do të prodhohen varietete të reja. Disa prej të cilave, për të mos ngrënë kohë nuk po i citoj, tek filmi që sapo përmendëm por edhe tek “Dasma e Sakos” ku shumë ngushtë bashkëpunuam me bilbilin tjeter Ethem Qerimaj. Kinemaja me skenaristin Koreshi, regjizorët Gjika e Prifti në këto 2 filma por dhe në të tjerë e ka ngritur Kabanë ashtu siç e meriton, në një Perëndi të plotfuqishme tingujsh unike, mitike shqiptare të papërsëritshme në një rrafsh europian e Botëror.

***

Nëse do t’i jepja një pergjigje se ç’është Kabaja si ndjesi emocionale tek Laveri, do të thoja se është pasqyrë binjake e shpirtit të tij dhe pasqyrë e bashkësisë kolektive. Ajo reflekton shpirtin e njeriut, që nga djepi me përkëdheljen e një nina-nane, e deri tek arkivoli. Dashuron si shpirti, si një shi trëndafilash fletë-fletë i derdh petalet e tingujve, fërfërin si flladi, gurgullon si Vjosa, ka ngjashmëri me të për nga gurgullimat, ondulacionet, pastertia, kthjelltëisia, sasia e prurjeve. Kabaja e Laverit lëndohet si shpirti e të lëndon shpirtin, qan si shpirti, klith si ai, emigron si shpirti dhe merr rrugën për Janinë. Kabaja e Laverit dhe e gjithë bashkësisë që e krijoi është një OI e madhe e cila përthyhet në mijëra OI të vogla. Që të gjitha së bashku krijojnë hapësira të pamata, që do ti quaja Hapeserat e OIRAVE. Kabaja e Laverit dhe e gjithë bashkësisë që e krijoi ka ngjashmëri me tokën, me ajrin, me qiellin, ajo është e aftë të prodhojë nga disa filiza sonore një plantacion të tërë me tinguj nga i njëjti varietet. Kabaja siç e thotë dhe Tole në librin e tij, është një formë – koncerti instrumental i muzikës popullore. Aty brenda është virtuozimi, shpirti i garës midis një klarinete e violine nën një butësi harmonike të lahutave e dajres, deri dek befasimet ritmike të kthesës instrumentale që merr kabaja në fund. Pra sipas gjykimit tim kabaja është një botë e tërë.

***

Shpesh kur dëgjojmë lloj-lloj turbullirash që bëhen mbi ahengun dhe deformimin e etnosit, virgjëria dhe pastërtia e kabasë dhe perlave të valleve e këngëve popullore i ngjan burimit në lumin e Vjosës afër Këlcyrës. Shihni Vjosën në një ditë qameti kur shiu e turbullon gjithë shtratin, kjo pjesë burimi ngelet tërësisht e kthjellët, kaq e madhe është prurja e ujit të kthjellët. Ky është një mesazh për ta ruajtur të kthjellët burimin, e etnosit tonë nga lloj-lloj prurjesh të turbullta që i vijnë shoqërisë shqiptare s´dihet se nga ku. Kabaja si shpreja e fuqishme e identitetit shqiptar në një rrafsh europian e boteror, është një gjuhë si dhe gjuha shqipe e shkruar në papirusin e madh të memories së popullit, e që gernetaxhinjtë e ruajtën, e zhvilluan, e perfeksionuan, e jua trashëguan brezave më të rinj, të cilët do tua lënë trashegim brezave që vijnë.
Se fundmi në këtë kënd të kujtimeve, më vijnë ndërmend 2apo 3 momente. Përpiqesha me njohuritë e shkollës së konservatorit në takimet e para me Usta Laverin të rrihja dhe të traskriptoja një ritëm të komplikuar. (Ai që më pas doli tek “zura një bilbil me vese”). Jo i thosha, ka diçka, një shtojcë në fund, që më duket si gabim. -Po jo more djalë, më thotë ustai. Ne kështu e rrahim, kemi një jetë të tërë. Ishte një rritëm i pa parë për mua, i pa parë për botën. Përqendrohu i thashe vetes, se ndodhesh para një zbulimi margaritari që askush tjetër në botë nuk e ka. Ishte ritmi 25/8 mbi të cilin pas 20 vjetësh që kisha ikur nga Permeti e përdora tek vepra “Spektrum”. Sa herë kthehem në muzikën e Permetit e kam thënë dhe më parë dihet se kthehem në vendlindje.
I thashë një herë usta Laverit “mjaltë të kullojnë nga gishtërinjtë more usta”. “Ilaç për shpirtin mu përgjigj ai. E kam bërë kallamin për melankoli, më tha që të fryjë butë, ëmbël, po ta bëja për bandë që të kërciste ty-ty do ta bëja kallamin të trashë”. “E more usta, i thashe, - të hollë si cipë naljoni që të shoç shpirtin”,- ia ktheva unë.
Ndërsa një herë tjetër me Sulejman Lamen (një homazh dhe për Sulejmanin dhe kontributet e tij të shquara në këngën përmetare) mbasi falenderuam njëri-tjetrin, unë Sulën për ca motive që më dha e që bëra një valle, e cila u pagua, dhe ai mua për ca lekë që si falenderimin i dhashë, më tha: “Hajvallah Hajvallah more djalë, ato nënë sitë mbaji për vete, ama ato mbi sitë hidhi këtëj nga konaku”. Kaq shpirt i butë dhe fisnik është përmetari.
Ndërsa kujtimi i katërt lidhet me darkën e percjelljes time që u bë me gjithë artistët përmetarë kur në 1977 do të largohesha nga Përmeti e do të shkoja fillimisht në Estardë të Tiranës, me pas në Ansambël të Kengëve e Valleve Popullore. Më kujtohet ekzakt se në dolli e sipër thashë: “Në ‘73 mbarova një konservator me profesorët e mij Zadeja, Ibrahimi, Kushta, Lara. Tani në ‘77 po mbaroj në Përmet një konservator të dytë me profesor artistët e Permetit dhe mbretin e kësaj muzike Laver Bariun. Laveri dhe muzika e tij dhe gjithë bashkësia e atyre që kultivuan kabanë është një libër i hapur ku në projektin tim të ardhshëm
“12 kabaiso e rendofone” kam shumë për të mësuar.
Ndaj dhe pyetjes që bën Laveri në një nga perlat e tij “A kan ujë ato burime” do t’i pergjigjemi gjithë së bashku “Po ato burime, do të kene ujë vazhdimisht edhe për ata që do të vijnë pas mijëra vjetesh.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora