Kulturë
Kuriozitete nga Bota
E enjte, 03.04.2008, 09:48 AM
Shkruar nga Aurora Foto
Britani, 40 paund se shkund hirin e cigares në tokë
Gjykata ka dënuar me 40 paund Daniel Slaney, pasi dikush e ka parë të shkundë hirin e cigares në tokë. Shkelësi i ligjit e ka pranuar, po ka shtuar se fundin e cigares e futi në paketën bosh, dhe nuk e hodhi në tokë. Sido që të ketë qenë e vërteta, gjobën duhet ta paguajë patjetër, me akuzën e hedhjes së mbeturinave në rrugë. “Vetëm një gram hi shkunda. Më duket se po e teprojnë me këtë punën e pastërtisë”, thotë Dennis. Zëdhënësi i këshillit Erewash thotë se u zhgënjyen shumë kur dëgjuan se veprimet e këshillit për sjelljen e papërgjegjshme të zotit Dennis janë cilësuar si të tepërta.
SHBA, lyen makinën në stilin e policisë
Makina sportive e Jessie Vigil ka ndërruar pamje. Ajo ishte e kuqe dhe blu, por tani është lyer me të bardhë dhe të zezë, duke ngjasuar më shumë si makinë policie se sa civile. Agjencitë e zbatimit të ligjit kërkojnë autorizim për ta arrestuar, pasi u ka vjedhur stilin. Ai filloi me dekorimin e makinës “Ford Mustang” në verën 2007, që të dukej si makina e policisë në filmin “Shndërruesit”, pasi djali i tij 7-vjeçar e pëlqente shumë. “Doja vetëm të krijoja makinën e filmit”, thotë babai 35-vjeçar. “Kur u ktheva nga lufta në Irak doja ta llastoja”, shton ai. Veterani i luftës rrezikon të gjobitet dhe t’i konfiskohet makina për shkak të kapricos.
Çeki, ministrat grinden, njëri as që do t’ia dijë
Autoritetet çeke kanë kërkuar heqjen e posterit të kompanisë së pijeve energjike, në të cilën është një ministër i qeverisë që fle gjatë një debati. Reklamat për pijen “Kamikaze” tregojnë ministrin e Jashtëm, Karel Schwarzenberg që fle dhe sloganin: “Qëndroni më gjatë në këmbë”. Ministri 70-vjeçar, i cili nuk e ka kundërshtuar reklamën pranoi se e zuri gjumi gjatë debatit për zgjedhjet presidenciale të vendit. Këshilli i Standardeve të Reklamave thotë se posteri shkeli kodin etik që ndalon përdorimin e figurave politike në reklama. Kompania refuzon ta heqë posterin, ndërsa ministri thotë: “Lërini njerëzit të kënaqen”.
Angli, shefi i kuzhinës alergjik ndaj ushqimeve
Një shef me karrierë të suksesshme në fushën e gatimit zbuloi se deri tani ushqimet as që i kishte shijuar ndonjëherë, pasi ha vetëm biskota. Andrew Forster, 27-vjeçar nga Consett, ka jetuar me ushqime të lehta për t’u tretur, vaferë me karamele dhe biskota “Blue Riband” që kur ishte i vogël. Me gjithë problemet e ngrënies, ai bën një jetë të zënë në kuzhinën e një restoranti italian, “Sale Pepe” në Shortley Bridge. Zoti Forster thotë: “Isha 18 muajsh kur kjo ndodhi. Nuk haja për ditë të tëra. Doktorët thonin se ishte vetëm një fazë kalimtare, por kjo zgjati 27 vite”.
Rusi, gjyshja dorëzon çantën me granata në rajonin e policisë
Policët, sekretaret dhe kriminelët u evakuuan nga një rajon rus, pasi aty huri një gjyshe me trastën plot me granata. Irene Fedorova, 67-vjeçare hyri në rajonin e krahinës Orenburg, në Urale dhe tha se donte të përfitonte nga amnistia e dorëzimit të armëve. Ajo donte të hiqte disa armë të vjetra që burri i saj, Boris mbante nën shtrat. Kur policët hapën çantën gjetën disa granata dore, dy prej të cilave ishin gati në të plasur. Ajo thotë: “Lexova që po grumbullonin armë të vjetra dhe mendova t’i dorëzoj. I mora me vete në autobus në çantë. Më vjen keq që shkaktova rrëmujë. Herën tjetër do të thërras shërbimin e grumbullimit”.
SHBA, bashkëjetojnë për 20 vjet me bletët në shtëpi
Një familje në Kaliforni jeton me kaq shumë bletë, sa mjalti i kullon nga muret. Situata në familjen Stathatos po bëhet ngjitëse. Bletët kanë mbushur çdo pjesë të mureve të shtëpisë së vjetër me stilin tudor sa mjalti u ka hequr bojën mureve në dhomën e ngrënies. “Bletët kanë qenë banorë të mirë, kemi bashkëjetuar në paqe për 20 vjet”, thonë Helen dhe Jerry Stathatos. Por kohët e fundit është kthyer në koshere plot zhurmë, bletët shkojnë e vinë nëpër shkallë. Specialisti i grumbullimit të bletëve thotë se sapo hyn në shtëpi ndihet aroma, por do ta ketë të vështirë t’i largojë.
Tajvan, mban premtimin, merr balerinë në funeralin e babait
Një tajvanez pagoi një vajzë të kërcente në funeralin e babait 103-vjeçar. Kërcimtarja kërceu para arkivolit të Cai Jinlai për më shumë se 10 minuta në qytetin Taizhong. Djali, Cai Ruigong, e pagoi më shumë se 80 paund që të kërcente në përkujtim të babait të tij. Cai Ruigong thotë se i premtoi babait se do t’i merrte një valltare striptizi nëse i kalonte të 100 ditëlindjet. Babai shekullor, Cai Jinlai ndërroi jetë në moshën 103-vjeçare, ndërsa eci tre milje në qytet për të votuar. Ai ishte personi më i njohur në fshat, pasi ishte më i moshuari dhe pati më shumë se 100 pasardhës.
Gay-ve i ka rënë rendimenti i punës, të ndërrohet drejtuesi
A e dini se shoqata e Gay-ve është në hall të madh? I ka rënë rendimenti i punës, nuk e kanë përmbushur planin e duhur këto kohë dhe kërkojnë të ndërrojnë drejtues. Më këtë përfundim anëtarët e kësaj shoqatë kanë paraqitur një kërkesë në Gjykatën e Tiranës ku kërkojnë të emërojë një tjetër drejtues në krye të këtij institucioni ku ushtrojnë aktivitetin. Pas një analize të bërë nga ana e tyre, të 27 anëtarët kanë arritur në përfundimin se janë vërejtur mangësi për shkak të mungesës së organizimit. Kjo shoqatë propozon që në krye të tyre të jetë Dr. N.A, i cili deri më tani ka qenë sekretari i përgjithshëm i këtij organi.