Kulturë
Maya me klipin “Nuse do të bëj në Gusht”
E shtune, 22.03.2008, 05:58 PM
Ne shqiptarët kemi nevojë shumë për të marrë dhe dhënë dashuri
Nga Albert Zholi
Kur ishte pikërisht në prag promovimin e klipit të ri “Nuse do të bëj në Gusht” këngëtarja e mirënjohur Maya pëson një aksident automobilistik. Një aksident që asaj i kushtoi shumë kohë larg spektatorit dhe pse në momente të caktuara ajo nuk ngurroi të japë koncerte për të plotësuar dëshirat e tij (spektatorit). Pra, kur klipi thuajse ishte realizuar plotësisht ajo nuk mundi ti bëjë një prezantim dinjitoz. Me vullnet për tu admiruar, duke sakrifikuar për koncerte të veçanta në Amerikë si dhe në Delvinë e Vlorë, ajo klipin e shumëdashur “Nuse do të bëj në Gusht”, po e promovon tashmë kur është përmirësuar dhe po përgatit një klip të ri. Me shumë këmbëngulje, duke qenë se ka mjaft kohë pa qenë në qendër të vëmendjes së skenës (ajo ka qënë dhe larg penës së gazetarëve), munda ti marr një intervistë për klipin e realizuar në periudhën e aksidentit. Me potencën e zërit të saj, ajo, si gjithmonë e ndërthur intervistën me një minikoncert, duke e kënduar « Live » klipin e saj të fundit « Nuse do të bëj në Gusht ».
-Maya me një luk interesant, pas aksidentit, çmund të na thoni për klipin që po realizonit në atë periudhë të vështirë të jetës suaj ?
-Klipi “Nuse do të bëj në Gusht”, po mirrte formën e plotë kur më ndodhi aksidenti. Eshtë një klip që më ka munduar shumë. Më ka lodhur. Më ka marë shumë kohë. Ka një fabul interesante që më ngacmoi që në fillim. Vetë teksti është aq melodioz saqë nuk të le të qetë, të lirë. Ai të mbërthen, të gozhdon, të jepë kurajë për një këngë potente.
Që ditën që të kam parë
Më nga mendja s’të kam ndarë
Pra bën fjalë për një dashuri të re, me shikimin e parë. Dashuri të tilla janë interesante se në thelb kanë vargjet popullore të dashurisë. Dhe populli i këndon dashurisë me gjithë fuqinë e shpirtit
Mezi pres të vijë behari
Të të shoh se s’gjej derman.
Refreni
Nuse do të bëj në Gusht
Do ta qep vellon e ngushtë.
-Kush është autori i tekstit ?
-Këto vargje unë i kam dëgjuar në Vlorë, port ë shkëputura. I mblodha dhe i përpunova. Pra pjesën më të madhe të tekstit si dhe muzikën i kam bëtë vetë. Orkestrant është i mirënjohuri Andi Hila.
-Ku është realizuar ky klip ?
-Pjesërisht në Liqenin e Tiranës dhe në studio. Pjesa më e bukur është realizimi në Liqen. Klipi në këtë pjesë duket sikur është realizuar në breg të detit. Pra nga kameramanët është punuar me përgjegjësi dhe përkushtim. Pranë detit frymëzimi është më i madh dhe duket se dashuria merr më shumë gjallëri dhe bukuri. Deti e frymëzon dashurinë. I jep aromë. Kaltërsia e detit është gjithmonë një ngjyrë e pëlqyer për femrat. Po ashtu shumë kohë u desh për të stiluar veshjen. Ishte një punë gjithplanëshe.
-Mendoni se ky klip është më i bukur dhe i arrirë artistikisht se klipi i parë ?
-Sigurisht. Gjithmonë këngëtari duhet të japë diçka më shumë se e kaluara. Kjo jo vetëm se tregon dëshirën për të ngjitur shkallët e muzikës (apo karrierës) në mënyrë të sigurt, por konkurenca në tregun e këngës është e madhe, dhe rënia në nivelin artistic, tregon etje për sasi duke lënë mënjanë më të rëndësishmen, cilësinë. Kërkesat e tregut të sotëm të këngës kërkojnë cilësi, nivel, profesionalizëm. Pa këto elementë këngëtarja, stonon me kohën, nuk garon me veten, pa le më me të tjerët.
- A ka ndikuar aksidenti në reputacionin e Mayas ?
-Në reputacion e një këngëtari janë dy elementë, cilësia dhe kontakti. Pra unë nuk kam qënë në kontakt si më parë këta 4 muaj, por kam paraqitur për fansat dhe reputacionin tim një klip ambicioz që jepet nga televizione dhe e dëgjoj në kasetofona makinash. E shoh edhe në internet në faqen time të internetit në klikimet dhe mesazhet e përditëshme. Por dua të them se, kur kam pasur kërkesa këmbngulëse nga fansat apo bashkpuntorët e mi, unë nuk kam hezituar dhe kam shkuar në koncerte të ndryshme, bile shumë edhe mund të mos e besojnë por në prag të vitit të ri 2008, isha e ftuar në SHBA.
-Nuk ishte një ndërmarrje me pasoja ?
-Edhe mund të ishte. Gjendja ime pas aksidentit nuk ishte si sot. Por këngëtari është një idhull për spektatorin dhe kur ai e respekton, këngatari duhet edhe të sakrifikojë. Në të kundërt prishen disa raporte të domosdoshme. Por sakrifica të tilla duhet të jenë të rralla dhe të studiuara.
-A keni kërkesa në këtë pragpranvere ?
-Po. Aq sa nuk e mendoja. Shkëputja mendoja se do të më sillte harresë. Por jo. Kënga ime ka klientelën e vet, reputacionin e vet në popull. Unë e kam të veçantën time në stilin e të kënduarit kështu me karaktersitikat e veçanta të bregdetit vlonjat, që spektatori nuk do më braktisë kurrë. Dhe dikush edhe nuk mund ta besojë, por fansa të shumtë kam në Lezhë, Dibër dhe Mirditë.
-Mendoni se janë shtuar konkurentët në interpretuesit e këngës popullore ?
-Pa konkurentë, kënga nuk zhvillohet. Sot flitet për konkurencë por shihet që prishen ca raporte në këtë konkurencë. Përparimi i teknologjisë së regjistrimit jep edhe modele kënge me notat që nuk janë aq reale sa kënga “Live”.
-Synimi juaj këtë vit ?
-Kam disa ftesa si në SHBA, Itali, Gjermani si dhe në koncerte brenda vendit. Por kryesorja është që unë po përgatitem për realizimin e një klipi tjetër. Klipet janë një nga përgatitjet dhe përfaqsimet më dinjitoze të këngëtarit.
-Me kë bashkpunon kryesisht Maya ?
-Tekstet i gjej nga vargëzimet popullore, ose i bëj vetë, ndërsa si kompozitor dhe orkestrant, bashkpunoj me Andi Hilën.
-Maya është njëkohësisht dhe aktore. Pse i jeni larguar skenës së teatrit apo fushës së kinematografisë?
-Jo se i jam larguar. Por me ardhjern time nga Gjermania ju përkushtova më shumë këngës. I isha borxhlije asaj. Në Gjermani kam bërë disa role. Edhe në këtë drejtim tani kam disa oferta. Të përmirësohem dhe do të shoh edhe ndonjë bashkpunim të mundshëm në këtë fushë.
-Pra kënga për Mayan është më prioritare se skena ?
-Jo. Për mua janë dy anë të një medaljeje, por në momente të caktuara njëra del më përpara. Kështu operohet në këtë lloj tregu. Kur ke një koncert të madh do të shmangësh ndonjë rol të vogël.
Ju keni jetuar në Gjermani. Ndoshta aty nuk ju kanë ndarë nga gjermanet për faktin se jeni bjonde?
-Kam shumë gjëra të përbashkëta me gjermanet, po dhe shumë gjëra që më ndajnë. Ndjenja. Unë mendoj si gjermane dhe ndiej si shqiptare. Janë mënyra të ndryshme. Që kanë të bëjnë me respektin, hidhërimin, trishtimin. Kjo ka qenë një kontradiktë tek jeta ime private. Nuk është e kollajshme të gjesh këto gjëra tek një mashkull.
Si quhet albumi i parë dhe si e keni përjetuar këtë sukses?
-Albumi i parë quhet “Lege-lege”.
Ç'do të thotë?
-Është shkurtimi i fjalës shelege. Është një vajzë që ishte mësuar si shelege, por ajo ishte një vajzë fisnikësh. Ajo pati shumë sukses dhe nëpërmjet saj unë u bëra e famshme. I tërhoqi vëmendjen publikut. Në përgjithësi janë popfolk. Ka dhe një këngë folk. Disa këngë i kam bërë unë dhe disa të marra nga populli.
Pra ju në përgjithësi i këndoni dashurisë ?
-Ka shumë lloj dashurisë. Dhe ne shqiptarët kemi nevojë për të dhe në shumë raste nuk e japim dashurinë e nevojshme.