| E shtune, 05.04.2008, 11:31 AM |
Kabaja e Laver Bariut
Nga Aleksander Peçi
![]() |
Laver Bariu |
***
Pas 3 vjeteve (1973- 1977), kërkime e gërmime në disqet që gjeja fshatrave të Përmetit tek i apasionuari i madh i tyre që i ruante si sytë e ballit që nga vitet ‘20 Vangjel Mango, (imagjinoni, Permetin në kohën që binte erë barut, kultivonte kulturë e dëgjonte disqe, e rallë kjo për Shqipërinë e atyre viteve), pra më duhej jo vetëm ta studioja këtë experiencë të jashtëzakonshme të kabasë e këngës, por dhe të jepja ato zgjidhje që di të japi kompozitori kur bëhet njësh me ustallarë të mëdhenj si Laveri e Çobani, kur merr prej tyre materie sonore, por dhe u jep atyre materie në këtë klimë bashkësie kolektive që solli filmi “Gjeneral gramafoni”. Arti i Popullit nga vetë nocioni i krijuesit të tij “Popull” është arti kolektiv, arti i zhvilluar në bashkësi, që jeton një kohë bashkësie, e cila matet me mijëvjeçare. Është e rëndësishme të theksoj se kjo bashkësi kolektive mbushet nga gjithë prurjet që vijnë nga burimet e përrenjtë individuale por dhe njëkohësisht i ushqen e i mbush me lëndë burimet e përrenjtë individuale. Sa i ngjan ky proçes ujit, i cili nëpërmjet burimeve e përrenjve krijon bashkësitë e mëdha të lumenjve e deteve, ku më pas, procesi i avullimit e kondensimit, shiut, i kthen në lëndë ujore për të furmizuar përsëri burimet e përrenjtë. E ato, përsëri bashkësitë. Është vërtet e mbrekullueshme që kur bashkohen 2 shkolla, ashtu si 2 burime, si dy lumenj në një shtrat të vetem, pra shkolla e popullit dhe e ustallarëve të medhenj, dhe shkolla me trashëgimitë e mëdha të artit muzikor, boteror e kombëtar, do të prodhohen varietete të reja. Disa prej të cilave, për të mos ngrënë kohë nuk po i citoj, tek filmi që sapo përmendëm por edhe tek “Dasma e Sakos” ku shumë ngushtë bashkëpunuam me bilbilin tjeter Ethem Qerimaj. Kinemaja me skenaristin Koreshi, regjizorët Gjika e Prifti në këto 2 filma por dhe në të tjerë e ka ngritur Kabanë ashtu siç e meriton, në një Perëndi të plotfuqishme tingujsh unike, mitike shqiptare të papërsëritshme në një rrafsh europian e Botëror.
***
Nëse do t’i jepja një pergjigje se ç’është Kabaja si ndjesi emocionale tek Laveri, do të thoja se është pasqyrë binjake e shpirtit të tij dhe pasqyrë e bashkësisë kolektive. Ajo reflekton shpirtin e njeriut, që nga djepi me përkëdheljen e një nina-nane, e deri tek arkivoli. Dashuron si shpirti, si një shi trëndafilash fletë-fletë i derdh petalet e tingujve, fërfërin si flladi, gurgullon si Vjosa, ka ngjashmëri me të për nga gurgullimat, ondulacionet, pastertia, kthjelltëisia, sasia e prurjeve. Kabaja e Laverit lëndohet si shpirti e të lëndon shpirtin, qan si shpirti, klith si ai, emigron si shpirti dhe merr rrugën për Janinë. Kabaja e Laverit dhe e gjithë bashkësisë që e krijoi është një OI e madhe e cila përthyhet në mijëra OI të vogla. Që të gjitha së bashku krijojnë hapësira të pamata, që do ti quaja Hapeserat e OIRAVE. Kabaja e Laverit dhe e gjithë bashkësisë që e krijoi ka ngjashmëri me tokën, me ajrin, me qiellin, ajo është e aftë të prodhojë nga disa filiza sonore një plantacion të tërë me tinguj nga i njëjti varietet. Kabaja siç e thotë dhe Tole në librin e tij, është një formë – koncerti instrumental i muzikës popullore. Aty brenda është virtuozimi, shpirti i garës midis një klarinete e violine nën një butësi harmonike të lahutave e dajres, deri dek befasimet ritmike të kthesës instrumentale që merr kabaja në fund. Pra sipas gjykimit tim kabaja është një botë e tërë.
***
Shpesh kur dëgjojmë lloj-lloj turbullirash që bëhen mbi ahengun dhe deformimin e etnosit, virgjëria dhe pastërtia e kabasë dhe perlave të valleve e këngëve popullore i ngjan burimit në lumin e Vjosës afër Këlcyrës. Shihni Vjosën në një ditë qameti kur shiu e turbullon gjithë shtratin, kjo pjesë burimi ngelet tërësisht e kthjellët, kaq e madhe është prurja e ujit të kthjellët. Ky është një mesazh për ta ruajtur të kthjellët burimin, e etnosit tonë nga lloj-lloj prurjesh të turbullta që i vijnë shoqërisë shqiptare s´dihet se nga ku. Kabaja si shpreja e fuqishme e identitetit shqiptar në një rrafsh europian e boteror, është një gjuhë si dhe gjuha shqipe e shkruar në papirusin e madh të memories së popullit, e që gernetaxhinjtë e ruajtën, e zhvilluan, e perfeksionuan, e jua trashëguan brezave më të rinj, të cilët do tua lënë trashegim brezave që vijnë.
Se fundmi në këtë kënd të kujtimeve, më vijnë ndërmend 2apo 3 momente. Përpiqesha me njohuritë e shkollës së konservatorit në takimet e para me Usta Laverin të rrihja dhe të traskriptoja një ritëm të komplikuar. (Ai që më pas doli tek “zura një bilbil me vese”). Jo i thosha, ka diçka, një shtojcë në fund, që më duket si gabim. -Po jo more djalë, më thotë ustai. Ne kështu e rrahim, kemi një jetë të tërë. Ishte një rritëm i pa parë për mua, i pa parë për botën. Përqendrohu i thashe vetes, se ndodhesh para një zbulimi margaritari që askush tjetër në botë nuk e ka. Ishte ritmi 25/8 mbi të cilin pas 20 vjetësh që kisha ikur nga Permeti e përdora tek vepra “Spektrum”. Sa herë kthehem në muzikën e Permetit e kam thënë dhe më parë dihet se kthehem në vendlindje.
I thashë një herë usta Laverit “mjaltë të kullojnë nga gishtërinjtë more usta”. “Ilaç për shpirtin mu përgjigj ai. E kam bërë kallamin për melankoli, më tha që të fryjë butë, ëmbël, po ta bëja për bandë që të kërciste ty-ty do ta bëja kallamin të trashë”. “E more usta, i thashe, - të hollë si cipë naljoni që të shoç shpirtin”,- ia ktheva unë.
Ndërsa një herë tjetër me Sulejman Lamen (një homazh dhe për Sulejmanin dhe kontributet e tij të shquara në këngën përmetare) mbasi falenderuam njëri-tjetrin, unë Sulën për ca motive që më dha e që bëra një valle, e cila u pagua, dhe ai mua për ca lekë që si falenderimin i dhashë, më tha: “Hajvallah Hajvallah more djalë, ato nënë sitë mbaji për vete, ama ato mbi sitë hidhi këtëj nga konaku”. Kaq shpirt i butë dhe fisnik është përmetari.
Ndërsa kujtimi i katërt lidhet me darkën e percjelljes time që u bë me gjithë artistët përmetarë kur në 1977 do të largohesha nga Përmeti e do të shkoja fillimisht në Estardë të Tiranës, me pas në Ansambël të Kengëve e Valleve Popullore. Më kujtohet ekzakt se në dolli e sipër thashë: “Në ‘73 mbarova një konservator me profesorët e mij Zadeja, Ibrahimi, Kushta, Lara. Tani në ‘77 po mbaroj në Përmet një konservator të dytë me profesor artistët e Permetit dhe mbretin e kësaj muzike Laver Bariun. Laveri dhe muzika e tij dhe gjithë bashkësia e atyre që kultivuan kabanë është një libër i hapur ku në projektin tim të ardhshëm
“12 kabaiso e rendofone” kam shumë për të mësuar.
Ndaj dhe pyetjes që bën Laveri në një nga perlat e tij “A kan ujë ato burime” do t’i pergjigjemi gjithë së bashku “Po ato burime, do të kene ujë vazhdimisht edhe për ata që do të vijnë pas mijëra vjetesh.