E merkure, 11.12.2024, 07:57 PM (GMT)

Kulturë

Mikele Placido: Në emër të origjinës shqiptare një film për Shqipërinë

E merkure, 02.04.2008, 09:03 PM


Mikele Placido
“Trishtimi i zonjës Shnajder sjell për herë të tretë në Tiranë aktorin e famshëm italian

Nga Leontina Nika  

Aktori i njohur italian Mikele Placido erdhi për të tretën herë në Tiranë. Këtë radhë aktori i njohur ishte i ftuar nga regjisori Pirro Milkani, për të ndjekur premierën e dytë të filmit me metrazh të gjatë, “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Në këtë film Placido ka rolin e kontit çek të Shtenbergut, “por ajo çka më bëri më shumë përshtypje kur shkela në aeroport, - thotë aktori, - ishte se policia dhe shumë persona të tjerë nuk më përshëndetën si komisar Katani, por më quajtën konti i Shtenbergut. Falë Pirro Milkanit, kam një identitet  të ri këtu në Shqipëri”. Ky është bashkëpunimi i tij i dytë në një film, që në mes ka histori shqiptare, pas filmit “L’Amerika”, të regjisorit të famshëm italian Xhani Amelio. Gjithashtu, aktori u shpreh mjaft entuziast edhe për një bashkëpunim të ri dypalësh në kinematografi.

Gjatë takimit me ministrin e Kulturës, Ylli Pango, Placido shprehu dëshirën për një tjetër bashkëpunim në Shqipëri, por këtë herë në rolin e regjisorit. Aktori i njohur u shpreh se në të ardhmen do të ketë bashkëpunime të tjera të frytshme, por mësohet se ai ka shprehur dëshirën për realizimin e një filmi mbështetur nga një roman italian, por që e prek sërish temën shqiptare. Kjo dëshirë e shprehur nga ana e tij duket se nuk do të mbetet vetëm në kuadrin e dëshirës, por në një realizim konkret. Aktorit 62-vjeçar, në fund të takimit, ministri Pango i ka dhuruar një katalog të Shqipërisë me pamje të marra nga ajri, për ta njohur atë me bukuritë natyrore të vendit tonë. Aktori nuk ka harruar të flasë edhe për rrënjët e tij shqiptare të trungut familjar. Ai tha se stërgjyshja nga babai fliste shqip. “Ajo është pjesë e familjes time. Jam këtu edhe për këtë. Do të më pëlqente shumë dhe do ishte nder për mua që të bëja diçka të bukur, edhe në kujtim të stërgjyshes time që fliste shqip dhe që ishte pjesë e familjes sime nga ana e babait, që më 1600-n ka ardhur nga këto male të Shqipërisë për në Itali. Unë sot kthehem në Shqipëri dhe shpresoj të bëj diçka.” Kështu, aktori ka prekur edhe një herë pjesën e bashkëpunimit me Shqipërinë. “Që nga vizita ime e fundit në Shqipëri pashë se vendi juaj ka ndryshuar.” Madje, ai e krahasoi me qytetet e famshme italiane, si Milanon dhe Romën. “Ju ndoshta jeni të rinj dhe nuk e kujtoni se si ishte 15 vjet më parë Shqipëria. Është e qartë që ende duhet të bëjë hapa para, por po vë re një klimë tjetër në krahasim me shumë vite më parë, pasi shoh energji pozitive dhe frymë për ndryshim,” shtoi Placido. Pas takimit aktori, së bashku me shumë personalitete nga fusha e kulturës dhe më gjerë, vajtën në kinema për të shijuar premierën e filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder”. Aty ai pa se ishte shumë i dashur për publikun shqiptar, ku shumë fansa të tij kanë pasur mundësi të marrin një autograf dhe ta shohin nga afër aktorin e tyre të preferuar. Placido u prit edhe nga personalitete të fushës së politikës dhe diplomacisë, si dhe nga ambasadori italian dhe presidenti Bamir Topi.

Mikele Placido mori famë botërore me serialin shumë të njohur e të ndjekur nga shqiptarët, “Oktapodi”, më 1983. Më pas ai ka interpretuar edhe në shumë filma të njohur, si “Mery per Sempre” dhe “Falcone”, më 1989. Në vitin 1990 ai shfaqet si regjisor në filmin “Pummaro” dhe më pas në “Le amiche del coure”, në vitin 1992, si dhe në “Un ero bourghese”, më 1995, “Del perduto amore”, më 1998, “Un viaggo chiamato amore”, më 2002. Në vitin 2003, në festivalin e filmit në Venecia ka marrë një çmim të rëndësishëm për filmin “Ovunqe sei”. Ai rikthehet në Festivalin e Filmit në Berlin 2006 me filmin “Romanzo Criminale”; ky film u vlerësua shumë nga kritika dhe, në të njëjtën kohë pati shumë sukses edhe në kinema.

Regjisori Pirro Milkani sjell, nëpërmjet filmit autobiografik dramën e qindra studentëve shqiptarë, të cilëve iu desh t’i ndërprisnin studimet për shkak të Luftës së Ftohtë

Përmbajtja

Ngjarjet e filmit zhvillohen në vitin 1961, kur një grup studentësh të FAMU-s, çeku Karel (Ondrej Moravec), sllovaku Artur (Kamil Kollarik) dhe shqiptari Lekë (Nik Xhelilaj), xhirojnë në Ceski Shternberk një film diplomë për fabrikën e prodhimit të motorëve ESO. Konfrontimi i jetës plot qejfe dhe vëmendja e kinastëve të rinj për fshatin çek, takimi me një kategori të tërë personazhesh (konti, shefi i policisë lokale, përgjegjësja e hotelit, drejtori i fabrikës) përbejnë një anë të historisë. Ana tjetër përfaqëson dramën personale të studentit Lekë, që vjen nga një vend totalisht i izoluar nga pjesa tjetër e Europës, që është në dilemë mes përkatësisë së tij me familjen, veçanërisht me nënën e tij, dhe magjepsjen pas stilit çek të jetës, shkujdesjes erotike dhe jetës së lirë të "rinisë së artë" çeke. Pasioni i dashurisë së djalit të ri me një grua të pjekur, e shoqja e shefit të policisë, është gjithashtu një ngjarje më vete. Në rolet kryesore janë Anna Geslerova dhe Nik Xhelilaj, student i degës se Dramës ne Akademinë e Arteve në Tiranë. Në role të tjera regjisorët kanë zgjedhur aktorë çekë, sllovakë, shqiptarë dhe italianë, si Ondrej Moravec, Kamil Kollarik, Bara Shqepanova, Tomash Topfer, Michele Placido, Paolo Buglioni dhe Arta Dobroshi.    

"Trishtimi i zonjës Shnajder" na tregon se çdo gjë që lind nga diçka e vërtetë nuk ka si të mos jetë e ndjerë, aq më tepër kur realizohet nga një regjisor me përvojë si Pirro Milkani. Por ai vetë nuk ka dashur që filmi të shihet "thjesht si një histori personale", por nëpërmjet asaj ngjarjeje, që e ka ruajtur prej vitesh në kujtesë, të japë gjithë dramën e madhe të atyre studentëve, një pjesë e të cilëve iu desh t’i linin përgjysmë studimet dhe të ktheheshin në Shqipëri.  Pasi e ke ndjekur me vëmendje filmin, në mendje të vjen thënia e shkrimtarit të famshëm shqiptar Ismail Kadar.  Ti i beson shprehjes së shkrimtarit Kadare, i cili i kishte thënë Milkanit, pasi kishte parë këtë prodhim: "Na ke shlyer borxhin e 3 500-4 000 studentëve shqiptarë që i lanë universitetet pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik".

Subjekti i filmit është shkruar nga vetë regjisori Milkani. Ngjarjet ndodhin dhe zhvillohen në fshatin Ceski Shternberk, ku tre studentë të FAMU-t, çeku Karel (Ondrej Moravec), sllovaku Artur (Kamil Kollarik) dhe shqiptari Lekë (Nik Xhelilaj) shkojnë për të realizuar një film për fabrikën e motorëve ESO. Me të arritur aty, shqiptari Lekë thotë se nuk ka për ta mësuar kurrë këtë emër, por jo vetëm që i ngulitet mirë në mendje, por edhe mbart me vete një ndjenjë të fuqishme dashurie. Në stacionin e trenit, tre djemtë do të shohin Janën (Anna Geslerova), gruan e shefit të policisë lokale, të cilën do ta ndiqnin deri sa ajo të futej në shtëpinë përtej ca shkallëve, për të mbërritur në fshat. Ndryshe nga dy studentët e tjerë, çeku dhe sllovaku, javët në atë fshat do të kujtoheshin vetëm për mënyrën sesi e realizuan punën e tyre të para diplomës. Për studentin shqiptar ai fshat do t’i kujtonte një dashuri të zjarrtë. Ai njihet me Janën, kur i duhej të shkonte në shtëpinë e saj për t‘u telefonuar prindërve në Shqipëri, dhe do të jetojë me të ndoshta pasionin e parë të vërtetë në jetën e tij. Një dashuri e zjarrtë, por që ka në mes edhe “pengesën”, pasi Jana mbart mbi vete jo vetëm gruan e dashuruar, por dhe dramën e gjithë atyre martesave të dështuara. Ajo është e martuar me një burrë që pinte dhe e rrihte, gjithashtu ka edhe një fëmijë. Ajo çka është gjithmonë e vështirë është zgjedhja, ku në një pozitë të tillë vendoset edhe i riu shqiptar Leka, që i duhet të zgjedhë. Të martohet me Janën, pasi ajo të divorcohet, apo të kthehet në Shqipëri dhe të punojë në kinostudio? Për këtë dilemë të madhe në jetën e tij ai i kërkon këshillën kontit të Shtanbergut (Mikele Placido).

"Atdheun dhe familjen asnjëherë mos e braktis," i thotë konti, duke u nisur nga historia e paraardhësve të tij.

Djaloshi, në Shqipërinë komuniste kishte nënën, motrën dhe një vëlla që studionte për mjek, të cilët do i priste një internim i ashpër, si dhe burgimi i një pjesëtari të familjes, nëse ai do të qëndronte në Çeki. Kështu që vendos ta lërë Janën dhe të udhëtojë drejt vendit të tij, në Tiranë. Zonja Shnajder përhumbet në një trishtim të thellë, kur gjen mbi shtratin e hotelit letrën e lamtumirës së të dashurit të saj shqiptar. Ajo e di orën e nisjes së trenit dhe del e vështron trenin si vegim deri sa ai humbet… Stili i këtij filmi është qëllimisht i thjeshtë, klasik, pa ato lëvizjet frenetike të kamerës, që sot janë aq shumë në modë. Për ketë arsye, historia njerëzore shkon drejt e në zemër më pare se çdo gjë tjetër dhe të mallëngjen, sepse tregohet me sinqeritet. Regjisori thotë në fund të filmit se "Jana u largua nga Ceski Shternberk bashkë me djalin e saj dhe për të nuk mësoi më asgjë".     



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora