Kulturë
Skënder Kamberi: Të dashurosh do të thotë të jetosh. Të dashurosh është art
E diele, 30.03.2008, 05:03 PM
Skënder Kamberi: Të dashurosh do të thotë të jetosh. Të dashurosh është art
Brenda qenies së një piktori ekziston flirti
Nga Albert Zholi
Box
Lindi më 1939 në Vlorë. Mbaroi Liceun artistik e më pas Akademinë e Arteve të Bukura në degën e Pikturës më 1965-ën. Galeria Kombëtare e Arteve në fonetekën e saj mban me krenari shumë punime të Skënder Kamberit, puna dhe emri i të cilit kapërcyen dhe kufijtë shtetërorë. Ka hapur një sërë ekspozitash në Kajro, Paris, Angli, Stamboll, Itali, Athinë etj. Është nderuar dhe me titullin “Artist i Merituar” dhe më pas titullin e lartë “Piktor i Popullit”.
Hyrje
Gjithmonë e shikon me një beretë në kokë. E mban paksa çapkënçe djathtas anash. Energjik si një i ri dhe gjithmonë në lëvizje. Të qeshurën rrallëherë e heq nga buza. I sinqertë në bisedë, sepse sipas tij, artisti nuk ka çfarë fsheh dhe nga çfarë të ketë frikë. Rrebel në vetvete, ai nuk mund të bëj kompromis me askënd me idetë, bindjet pikëpamjet e tij për jetën, shoqërinë, politikën. Nuk e pëlqen liberalizimin e tejskajshëm të jetës ashtu sikundër kritikon njerëzit parazit që përpiqen të mbijetojnë me servilizëm apo mashtrime. Rritur mes kaltërsisë së detit, ai me këtë frymëzim ka mjaftuar që ai të “derdhte” në telajo forma dhe ngjyra nga më mahnitëset Brenda tij jeton një shpirt vullkanik që përherë kërkon shpërthim në emër të vlerave më të bukura njerëzore. Artisti i Popullit Kamberi përherë ishte në kërkim të së bukurës. Këtë ai e kërkon tek shpirti i njeriut dhe tek natyra.
Intervistë: Skënder Kamberi
-Me çfarë merret aktualisht piktori i madh Skënder Kamberi?
-Unë aktualisht merrem me reflektimin e kohës sonë, fenomenet psikologjike të shqiptarëve, konceptet tona, në këtë tranzicion të tejzgjatur. Kam në dorë Antigonën, e cila është një figurë historike, e cila në një vëllavrasje (vëllai vret vëllanë) shkoi dhe varrosi vëllanë tjetër, e ndaluar nga vëllai që vrau, që të mos e varroste. Kjo dramë njerëzore është identike deri diku edhe në shoqërinë e sotme shqiptare. Probleme të tilla hasen dhe sot në botën e qytetëruar dhe Shqipërinë e mpakur nga problemet e shumta të kësaj demokracie të brishtë.
-Ishin problemet e sotme shoqërore që të nxitën të portretizoje këtë personazh?
- Ky fenomen edhe sot më dhemb edhe pse kanë kaluar mbi 2 mijë vjet që ka ndodhur ngjarja. Edhe psikologjia e njeriut qenka shumë pak e lëvizshme. Vitet kalojnë, por shumë pak lëviz bota shpirtërore. Unë kam qenë vetë në Greqi, në vendin, ku përshkruhet ngjarja, pra aty ku është bërë ndeshja mes vëllezërve. E kam parë me shumë vëmëndje kalanë. Kalatë kanë diçka të magjishme për ne piktorët. Kanë madhështinë dhe enigmën. Ngjyra e gurit të jep përshtypjen e mistereve. Antigonën e kam lënë në një cep të kalasë, e cila qan vëllanë e saj dhe do ta varrosi. Në përgjithësi më pëlqejnë kompozimet. Njëkohësisht unë po bëj një kompozim tjetër. Kam një temë nga Korça, (këngët korçare) këndoj aty edhe pikturoj. Edhe njerëzit e thjeshtë këndojnë edhe artistët këndojnë. Një këngë në kor. Sikur të ishte gjithë jeta një këngë? A nuk do të ishte një gjë madhështore? Njeriu kur të uron nga zemra të thotë: e paç jetën këngë. Kënga është qetësia e shpirtit, burimi hyjnor i ëndrrave të bukura.
-Pra janë dy vepra që ju bëni paralelisht. Një problem shoqëror dhe tek tjetra një gëzim të madh po përsëri shoqëror?
-Ideja është që jetën duhet ta gëzojmë, të zbulojmë të bukurën, se ka boll vendi jonë aspekte dhe fenomene që mund ta bëjnë jetën të bukur. Mua më pëlqen të zbuloj të bukurën edhe kur ajo është e shëmtuar. Edhe tek njeriu, tek njeri-tjetri të bukurën duhet të qëmtojmë. Atë duhet të propogandojmë.
-Sa vepra ka krijuar deri më sot Skënderi ?
-Rreth 3 mijë vepra.
-Kë do të veçonit nga veprat tuaja?
-Janë 10 deri në 20 kompozime të veçanta si “Vajza e valëve” , “Djepi i shqipes”, “Kosovarja”, “Vëllezërit” Punimin “Vajzë e Valave”, e cila është për emancipimin dhe lotët e emigracionit, ku jam frymëzuar nga një këngë Himarjote. Punimi tjetër që do të veçoja është “Partizani i plagosur” ose “Ndihma e shokut”', “Buka e duarve tona”, “Vëllezërit Frashëri në Vjenë”, “Zenel Gjoleka në grykë të Kuçit” plus një sërë portretesh si Kapedan Sali Vranishti, Hodo Zeqiri, si dhe punimet për Kongresin e Përmetit, Sami Frashërin, Naim Frashërin, Dora D'Istrian, Vaso Pashën
-Nga të gjitha këto vepra kush të ka marrë më shumë kohë?
-Procesi i veprës është metamorfozë. Ato kanë vështirësitë e veta të gjitha, por kryesorja është të realizohet qëllimi i saj. Unë kam bërë edhe Kleopatrën, e cila nuk dorëzohet tek njerëzit që e pushtuan, tek romakët. Ajo është një grua krenare. Kam disa kompozime edhe për paqen. Unë mund të them se jam qytetar i botës nuk jam vetëm i Vlorës dhe i Shqipërisë. Pikturat kur dalin nga dora e piktorit janë për të gjithë. Ai që e merr mund të jetë kushdo. Mund të jetë afrikan, aziatik, evropian, amerikan etj... Piktori është i të gjithëve dhe nuk ka paragjykime.
-Vlora ka nxjerrë shumë piktorë të mëdhenj, kush është ajo që ju ushqen deri në gen këtë, ndoshta kaltërsia e detit përcjell tek njerëzit një të veçantë si piktura?
-Unë do të jap një arsyetim timin. Selenica që është një nga piktorët më të mëdhenj është nga Selenica e Vlorës. Pra nuk është vetëm deti. Kryesore mbetet shkolla. Periudha e socializmit në Shqipëri ka bërë që të hapen shkolla të shumta. Dhe shkollat e shumta zhvilluan edhe Vlorën, sepse deti ka qenë edhe më përpara. Ajo periudhë socialiste pavarësisht nga të metat e saj, pati një sukses të madh për kulturën dhe artin. Kështu ne jemi pjesë përbërëse e asaj periudhe që u zhvilluan shkollat. Unë e kam mbaruar vetë atë shkollë dhe vinin talente që nga Saranda e Lushnja. Periudha e komunizmit përveç shumë anëve negative solli edhe një risi në drejtim të arsimimit. Unë këtë e kam thënë edhe në një intervistë në stacionet greke që kam thënë se çdo epokë ka të mirat e veta dhe të këqijat e saj. Në këtë drejtim në atë kohë u zhvilluan talente në sajë të shkollave të para që u hapën.
-Vihet re diçka shumë interesante sot, piktorët shqiptarë po pushtojnë botën, ata janë bërë përcjellës më të mirë të imazhit më të bukur të kulturës shqiptare, të intelektualëve shqiptarë dhe imazhit real të Shqipërisë.
- Piktorët kanë rolin e tyre si dhe artistët e tjerë. Unë vetë si Skënder kur kam qenë Sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë kam thënë: e vetmja gjë që ka forcë Shqipëria të eksportojë janë artet figurative. Dhe ne i ngjajmë pak Hollandës në shekullin e 17. Edhe pse Hollanda e vogël mbasi fitoi lirinë dhe pavarësinë nga Spanja zhvilloi shumë kulturën dhe artin. Ky zhvillim kulturor i Hollandës edhe pse i vogël pushtoi pothuajse të gjithë botën. Kështu epoka e pikturës, e piktorëve të mëdhenj hollandez (ku nuk po përmend emra sepse janë një listë e madhe) duket sikur erdhi në njëfarë mënyre në Shqipëri me shkollat që u hapën në sistemin komunist. U hapën 10 shkolla artistike të mesme, dhe një Akademi e Arteve. Kjo ishte simptomë e kulturës më të mirë europiane të Akademive të Europës, nga Peterburgu, Parisi, Roma, Firence, Praga, Varshava, Berlini, Vjena, Athina. Të gjithë këta piktorë kanë krijuar një trevë shumë të mirë metodike. Dhe ne kemi marrë ajkën më të mirë të eksperiencës botërore. Këto i kemi marrë me modesti dhe me përkushtim, sepse një njeri i patalentuar nuk mund të bëhet artist. Kjo është si një farë gruri që hidhet në tokë, dhe në qoftëse toka është e papunuar ajo nuk zhvillohet. Kështu që toka zgjodhi talented, të cilat zhvilluan artet figurative. Ky është çelësi për mua i anës figurative. Po imitojmë fqinjët tanë nëpër botë me një nivel shumë të mirë artistik.
-A meret me politikë Skënder Kamberi?
-Jam marë dhe nuk dua të merrem.
-Jeni penduar?
-Nuk jam penduar sepse çdo artist është i lidhur me politikën. Por drejtëpërsëdrejti nuk mundem, sepse nuk e njoh këtë gjuhë të shkathtësisë të politikanëve, të cilët kanë një koncept pak primitiv në Shqipëri. Nuk janë transparent, por kanë interesat e tyre personale që mbulojnë detyrën e tyre të përgjithshme.
-Pra tashmë keni hequr dorë përfundimisht nga politika?
-Unë merrem me idetë e njerëzve, me emocionet e njerëzve, dhe si reflekton kjo politikë tek këta njerëz.
-Pra çfarë i mungon sot politikës shqiptare?
-Për mua politikanët duhet të heqin dorë nga pangopësia sepse e kanë bërë këtë vend shesh-përshesh në disfavor të popullit.
-Çfarë nuk pëlqen dhe çfarë pëlqen më shumë tek një njeri?
Unë dua tek njerëzit sinqeritetin, pastërtinë, drejtësinë, të jenë transparentë dhe kjo është epoka më e mirë e të ardhmes sesa ato intrigat mesjetare, nga pangopshmëria për para. Nuk e di nëse erdhën nga uria dhe ende janë të pangopur këta njerëz.
-Kush ka qenë dita më e bukur e juaja si artist?
-Unë edhe ditët e mërzitura i bëj të bukura.
-Në ç’kuptim?
-Nuk merrem shumë me mërzinë e saj, por e gëzoj ditën.
-Sot në Shqipëri tentohet të ruhet ndjenja maskiliste, por kriza familjare ka bërë që të ketë shumë divergjenca në jetë mes mendimit maskilist dhe atyre femëror dhe kjo ka bërë që të ketë shumë divorce, kush është mendimi juaj në këtë drejtim?
-Epoka socialiste pati një trillim të dashurisë dhe divorcet nuk ishin të stimuluara, por të ndaluara. Por Demokracia si sistem la shumë të lirë këtë fenomen dhe e ktheu në mënyrë spekullative. Liria është e drejtë, por kjo nuk do të thotë të prishësh marrëdhëniet familjare. Unë dua të them se në kohën e Romës në shekullin e parë u la e lirë marrëdhënia. Romakët imituan athinasit, dhe kjo u përhap në Europë. Ky fenomen tashmë është bërë materialist. Pra konceptet shqiptare të familjes tani janë materializuar shumë. Këtu del përpara femra lakuriqe, ku kërkon një mashkull të kamur, kur vetë ajo nuk ka punë. Pra paraja si fenomen është shumë tronditës, por është shumë i përsëritshëm.
-Ç’është dashuria për një piktor?
-Dashuria është gjithçka. Të dashurosh do të thotë të jetosh. Të dashurosh është art.
Ndonjë detaj nga ditët e para të dashurisë suaj?
Si çdo i ri dhe unë kam kujtimet e mia. Rinia nuk mund të konceptohet pa dashuri. Kur ulesha natën vonë për të pikturuar, fotografinë e gruas e kisha pranë. E mbaja me vete se ajo ishte në fshatin Kuç të Vlorës dhe unë rrallë veja atje. Që kur u fejuam, por edhe më pas foton e saj e kisha përherë në xhep. E kisha idhull dhe e kam. Kështu veprohet në dashurinë e vërtetë.
Përse të ngacmon ngjyra e kuqe?
E kuqja ka disa kuptime, është ngjyra e gjakut, gjaku i rinisë, i flamurit tonë. Është gjaku në kuptimin optik, çka të ngacmon syrin. Janë ngjyra kompleatore. Ashtu si bluja, e kuqja dhe e verdha Është ngjyrë që të kënaq.
-A ekziston brenda qenies së një piktori flirti?
-Po ekziston. Ekziston për shumë arsye.
-Në qoftëse do të ishe i pasur sot çfarë do të bënte Skënder Kamberi?
Unë do të vazhdoja po këtë punë. Megjithëse më kanë vjedhur shumë, më kanë marrë para, më kanë marrë vepra dhe nuk më kanë paguar, unë përsëri jetoj normal.
-Sa kohë i kushton shtypit, por edhe librit Skënder Kamberi?
-Unë lexoj tre orë në ditë. Lexoj në shqip dhe në gjermanisht. Dhe jam i mirëinformuar për kulturën Europiane, nga kronikat kulturore që shtypet në Gjermani, dhe njëkohësisht edhe nga librat e tjerë që sot janë më të bollëshme në shqip qoftë ato filozofikët, ato shoqërore, politike, qoftë edhe shtypin, që është i ngarkuar më shumë me krime. Dua që këta gazetarë redaktorë dhe kryeredaktorë këto kronikat e zeza t’u japin sa më pak vend. Kështu kemi të bëjmë me një infeksion të trurit të njeriut në Shqipëri. Lexime të tilla nuk japin dobi dhe për mua duhet të ndalohen rreptësisht.
-Sa ekspozita nëpër botë ka hapur Skënderi?
-Unë kam hapur ekspozita në Greqi, Itali, Hamburg, Gjermani, këto kanë qenë private ose individuale. Kam hapur edhe shoqërore ose kolektive si në Gjermani, Kosovë, Athinë, Kinë, Stamboll, Ankara, Izmir. Kam edhe mbi 50 punë që janë shitur në Argjentinë, Amerikë.
-Ku e ke ndjerë veten më të entuziazmuar në këto ekspozita?
-E kam ndjerë veten njësoj në të gjitha.
- Duke qenë në shumë ekspozita mund të na përcillni si jeni pritur jashtë Shqipërisë?
Kam ngelur shumë i kënaqur. Kryesisht nga kritikët dhe pedagogët e këtyre vendeve jam pritur mjaft mirë ku rezultati u duk tek blerja e menjëhershme e punimeve, sepse piktura blihet nuk shitet.
-Keni bërë ndonjë pikturë që ia dedikoni emigracionit?
-Unë kam bërë “Vajzën e valëve”. Kjo vajzë qan buzë detit dhe pyet zogjtë kur do të vijë ai që ka vajtur në emigracion. Ajo don që ai të vijë me anije këtu, sepse kam parë një ëndërr sikur u martua jashtë.
-Këtë pikturë e ke bërë me më shumë dashuri ?
-Unë të gjitha pikturat i bëj me të njëjtën dashuri. Mua porositë nuk më pëlqejnë, kjo është cilësia ime.
Ju flisni vazhdimisht për të bukurën. Koncepti juaj për të bukurën?
Në jetë, në natyrë, në botën shpirtërore, në të parë dhe në zemër. Në mendime ndahen dy gjëra: e shëmtuara dhe e bukura. Unë shoh sot në Shqipëri më shumë të shëmtuara. Dikur shija të bukura dhe të shëmtuara. Mund të them se bota e artit është futur tek të shëmtuarat e jetës, por duhet theksuar se arti merret me të bukurën. Unë do të merrem gjithmonë me të bukurën.
-A ke ndonjë peng në krijimtari?
-Jo, në krijmtari nuk kam asnjë peng.