Kulturë
Ismail Lulani, në telajot e papërfunduara
E marte, 01.04.2008, 10:28 AM
Nga Oliverta Lila
Një kalë i vet muar dhe një njeri që niset drejt muzgut të kuq, në një rrugë që duket pa kthim. Janë dy tablotë e fundit (ka pasur 5 në dorë), ku piktori Ismail Lulani hodhi frymëzimin para se të ndahej nga kjo jetë. Ashtu të papërfunduara, vetëm në hedhje penelash, ato përmbyllin ekspozitën retrospektive të çelur për 75-vjetorin e lindjes së tij. Shumica janë të përzgjedhura nga koleksioni që trashëgon vajza e tij, Ori. Që nga autoportreti i vitit 1962 kur ishte student, në piktura të ndryshme me kompozim historik, mitologjik apo portrete njerëzish, deri në ato më të fundit janë pjesë e retrospektivës që vet Lulani nuk mundi ta realizonte dot. “Kjo ekspozitë është shumë e rëndësishme dhe ka domethënie të veçantë për mua. Im atë donte të hapte një ekspozitë retrospektive në 70-vjetorin e tij të lindjes. Të ekspozonte vepra që nga vitet e shkollës e deri vonë, ku të spikasnin tematikat nga më të ndryshmet. Mendonte që të mblidhte gjithë miqtë e shkollës dhe të ishte më shumë një mbrëmje festive. Fatkeqësisht nuk mundi, sepse vdiq në moshën 69- vjeçare. Hapja e kësaj ekspozite ishte një peng që mbeti edhe te unë. Sot për fat u realizua”, - shprehet vajza e tij Ori, e cila përveç tablove ka trashëguar nga i ati dhe dhuntinë e të pikturuarit. 128 vepra arti, nga të cilat 98 piktura dhe 30 vizatime mbushin muret e sallës Nr.1 të Galerisë Kombëtare të Arteve. Peizazhe të shumta, tablo kompozicionale të Kreshnikëve, personaliteteve të Rilindjes dhe Pavarësisë Kombëtare, ikja e refugjatëve, e familjes cigane dhe e familjes fshatare të Malësisë së Shkodrës. Këta të fundit janë personazhe tipikë të tablove të Lulanit. Ndërsa krejtësisht i veçantë është pasqyrimi i figurave të tyre. Diku një njeri është vetëm një njollë në gjithë natyrën e madhe, e diku një pemë rrëmben hapësirën e telajos. Kuratorja e ekspozitës, Suzana Varvarica Kuka e cilëson Ismail Lulanin si një individualitet në mesin e artistëve që krijuan në mbështetje të metodës së realizmit socialist. Ndërsa nuk ngelen pa përmendur edhe vizatimet e tij. Janë 2000 të tilla që vajza ruan sot, pa përmendur ato që gjenden të shpërndara.
Pasuria
Të gjitha tablotë që Ismail Lulani ka krijuar ndër vite, i kanë mbetur trashëgim vajzës së tij Ori. I ruan në shtëpinë e saj. Ashtu siç ndodh pothuajse me të gjithë piktorët shqiptarë. Në gjallje gjysma e shtëpisë është studio, e më pas një muze i vogël vetëm për ruajtje. Lulani ka lënë vepra sa të hapje një muze. Por kjo për tani nuk është në planet e vajzës. Për të “nuk është e lehtë të ndërmarrësh një nismë të tillë për shkak të kostos, por edhe menaxhimit që kërkon një muze arti”. Nuk di të japë përgjigje se sa mund ta ketë vlerën e shitjes një tablo e të atit. Nuk ka shitur asnjë prej tyre. “Ato janë shumë të shenjta për mua dhe në raste të tilla, njeriu krijon gjëra marramendëse në kokën e tij. Ai është një artist që nuk prodhon më dhe e kam të pamundur ta lëshoj krijimtarinë e tij pa më krijuar dhimbje. Vlerën që ka do ta tregojë koha”, - thekson e bija. Sipas saj, janë të shumta familjet shkodrane që kanë piktura të Lulanit. I kanë blerë në vitet e shkuara, apo i kanë dhuratë prej tij. Ndoshta kjo ka bërë që para pak kohësh, piktura të tij të gjendeshin me një treg të lirë. Por vajza thotë se për kohën kur ato janë shitur, shuma ka qenë e konsiderueshme. “Ka njerëz që kanë koleksione shumë të mira në Shkodër. Një prej tyre është familja Kastari që ka 12 punime shumë të mira. Po ashtu dhe “Mezuraj Muze” në Tiranë që i ka mbledhur nga njerëz të ndryshëm. Babai ka dhuruar shumë piktura për miqtë e tij dhe ndoshta në atë kohë nuk kanë marrë vlerën e duhur. Muzeu privat ka dhe funksionin e biznesit, por çmimi që i vendos pikturës tregon edhe vlerën e veprës. Ai është një artist i vërtetë”, - shprehet Ori Lulani. E ndërsa Kuka cilëson raportin e veçantë të Lulanit vetmitar me telajon, e bija kujton se ai punonte shumë. Sipas saj, të gjithë ditën ai ia kushtonte pikturave. “Shfrytëzonte ndriçimin natyral që paraditeve të punonte në pikturë, ndërsa darkave i kushtohej gjithnjë vizatimit. Ndaj edhe ka lënë aq shumë vizatime, 2000 të tilla”, - kujton vajza, e cila shprehet se i ati ka ndikuar shumë te ajo. I ngjan në karakter, në pamje dhe në art. Tregon se ka qenë shumë e lidhur me të. E ka pasur mësues që në hapat e parë dhe e shoqëronte vazhdimisht në shtëpitë e Pionierit, në ekspozitat e ndryshme, në bisedat që bënin mbi artin. “Kemi qenë shumë të lidhur. Edhe kur unë ika jashtë mbanim kontakt të vazhdueshëm. Ikja e tij ishte një shkëputje brenda meje”, rrëfen e bija. Ajo mendon për ekspozita të tjera në të ardhmen, njëra prej të cilave ajo me vizatimet që Ismail Lulani ka lënë, e që drejtori i GKA-së i quan të veçanta në mënyrën e tyre.
Lulani dhe diktatura
Ismail Lulani jetoi dhe krijoi në diktaturë. Kuratorja dhe studiuesja e artit Suzana Varvarica Kuka e quan një piktor të veçantë në krahasim me bashkëkohësit e tij. Në një vështrim krahasues të ditëve të sotme, ajo shprehet se “secili nga artistët që krijuan në mbështetje të metodës së realizmit socialist janë krejtësisht të ndryshëm nga njëri-tjetri”. Por e veçon si individualitet brenda stilit realist për mënyrën e pasqyrimit të ndjesive dhe emocione në telajo. Sipas Kukës, largimi i tij nga Tirana në vitin 1970 do të përcaktonte gjithë rrjedhën e mëvonshme të krijimtarisë së Lulanit. “Ai u shkëput nga Akademia e Arteve, ku edukohej fuqishëm metoda e realizmit socialist dhe shkoi në Shkodër. Aty filloi të rindjente ato motive, nga të cilat nuk u shkëput asnjëherë gjithë jetës së vet.
Ai gjeti të tjera gjëra që emocionalisht e kanë frymëzuar që kushtëzuan dhe përdorimin e sfondit dhe figurës në telajon e tij. Duke e parë këtë ekspozitë, kam krijuar bindjen se ka qenë një piktor pothuajse i vetmuar. Kjo për shkak të raportit të ngushtë mes tij dhe telajos. Duke qenë i vetmuar ka gjetur dhe figura të vetmuara. Në pikturat e tij sot janë shumë moderne në perceptimin e tij ato elemente që dikur i quanim të kombëtares dhe popullores, elementë që ai i gjeti në familjet malësore”, - shprehet Kuka. Mënyra se si vizaton, në stilin e tij ai e ka transmetuar në këtë formë, i ka shumë bashkë vizatimin dhe ngjyrën, ku përveçse ngjyrave lexon psikologjinë, ndryshimin nga një ngjyrë në tjetrën.