E premte, 26.04.2024, 12:59 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Samiti i 25-të i NATO-s

E premte, 18.05.2012, 07:06 PM


SAMITI I 25-TË I ALEANCËS SË ATLANTIKUT VERIOR – NATO, NË ÇIKAGO

Nga Frank Shkreli

Më 20 dhe 21 Maj në Çikago të Shteteve të Bashkuara mbahet samiti ose mbledhja e nivelit të lartë e udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s,  për takimin e 25-të aleancës së Atlantikut Verior.   Presidenti Barak Obama do të presë udhëheqsit e vendeve të NATO-s në qytetin e tij Çikago, ku do të bisedohet  për të ardhmen e aleancës  ushtarake,  duke u përqëndruar kryesisht  mbi gjëndjen në Afganistan, por edhe mbi sfida të tjera me të cilat përballet këjo organizatë në shekullin 21.  Nevoja  për të siguruar se aleanca ka aftësitë dhe mundësitë për të mbrojtur popujt dhe territoret e vendeve anëtare, si edhe doemosdoshmëria për  forcimin  dhe zgjërimni e rrjetit të partnerëve të NATO-s  anë e mbanë botës, është gjithashtu në rendin e ditës.   Sepse, sipas vet aleancës,  si një mjet i pazëvendsueshëm stabiliteti,  NATO nevojitë të ruaj kapacitetet që ka tani dhe të mbrojë sigurinë dhe vlerat e vendeve anëtare, ndërkohë që përpiqet të krijojë mundësi për partneritete edhe me vendet  jashtë rajonit gjeografik të Atlantikut Verior.

Pritet që në tubimin e Çikagos, tema kryesorte të jetë Afanistani.  NATO do të vendosë për tërheqjen e trupave ushtarake nga ai vend  mbrenda mbarimit të vitit 2014, ndërkohë që do të angazhohet që të zhvillojë një partneritet afatgjatë me popullin e atij vendi.   Këjo, sipas ekspertëve, ndodhë  sepse në vendet demokratike anëtare të NATO-s nuk ekziston më një përkrahje për luftën në Afganistan dhe si rrjedhim politika duhet patjetër të reflektojë dëshirën e shumicës së popullit të vendeve anëtare, qoftë këtu në Shtete e Bashkuara, qoftë në  Evropë.

Ekspertët thonë se afati i tërheqjes së forcave të aleancës perëndimore nga Afganistani duhet të zbatohet, me qëllim që t’i dërgohet një mesazh qeverisë afgane se nuk mund të varet përgjithmonë  nga Amerika.  Njëri nga këta ekspertë, Shanë Kej, profesor  pranë universitetit Uellsien në shtetin Ohajo, i tha Zërit të Amerikës se ‘’Afganët  duhet të marrin përsipër përgjëgjësinë për mbrojtjen e vendit të tyre.’’   Në mbledhjen e Çikagos, NATO do të vendosë gjithashtu mënyrat për trajnimin, konsultimet dhe ndihmat  për forcat afgane gjatë tranzicionit dhe pas tërheqjes së forcave të aleancës nga Afganistani, si pjesë e ndihmave të përgjithëshme ndërkombëtare për atë vend.  Në fillim të këtij muaji, Presidenti Obama tha se koalicioni ushtarak përendimor do të caktojë objektivin që vitin që vjen, vet forcat afgane të kryesojnë operacionet luftarake, anë e mbanë vendit.

Një çeshtje tjetër delikate në samitin e Çikagos do të jetë buxheti dhe financimi i operacioneve  ushtarake të aleancës NATO.  Publiku dhe Kongresi amerikan kanë filluar të tregohen të pa durueshëm me vendet anëtare të NATO-s të cilat nuk kryejnë detyrimet e tyre financiare ndaj aleancës.  Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtëme i  Kongresit Amerikan , Xhon Kerri i përmblodhi më së miri shqetsimet amerikane në lidhje me këtë çeshtje, duke thënë se ‘’të gjithë ne e kuptojmë se këjo është një kohë kursimesh, por është një periudhë kursimesh për të gjithë, dhe si rrjedhim ne do të detyrohemi të përcaktojmë prioritetet, duke vendosur se çka është me e rëndësishme dhe çka është më pak e rëndësishme’’.

Disa informacione interesante në lidhje me këtë takim të nivelit të lartë në Çikago janë të një natyre kombëtare dhe ndërkombëtare.  Sekretari i Përgjithëshëm i NATO-s, Zoti  Anders Rasmussen tha se tubimi në Çikago është më i madhi në historinë e aleancës, ku po marrin pjesë rreth 60-vende dhe organizata, përfshirë Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe disa vende të Azisë Qendërore, ndër të tjera.  Zoti Rasmsussen u citua në median amerikane të ketë thënë se takimi në Çikago do të ‘’demonstrojë se i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësi për gjëndjen në Afganistan dhe në rajon.’’

Siç duket Rusia, megjithëse e ftuar për të marrë pjesë, nuk do të jetë e pranishme  në një nivel të lartë me justifikimin se Presidenti Putin do të jetë i nxënë me  formimin e qeverisë së re, por dihet se kohët e fundit, marrëdhënjet  midis Moskës dhe NATO-s nuk kanë qenë shumë të mira  dhe si rrejdhim Rusia do të pëfaqësohet në nivelin e një diplomati në Çikago.

Mirëpo, sipas shtypit amerikan, Izraeli nuk është i ftuar të merrte pjesë, me hamendjen se Turqia mund të ketë bllokuar  pjesëmarrjen izraelite në takimin NATO, por Sekretari i Përgjithëshëm Rasmussen, duke hedhur poshtë këto pretendime, tha se Izraeli nuk u ftua sepse nuk bën pjesë në misjonet e NATOs në Afganistan dhe në Kosovë.

Por ndoshta lajmi më i rëndësishëm nga takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Çikago këtë fund jave do të jenë protestat e mëdha që grupe të ndryshme kanë në plan të bëjnë gjatë zhvillimit të punimeve të samitit.   Një demosntrues u citua nga rrjeti televiziv amerikan Foks të ketë thënë  se po bëhen plane të mëdha,  për protesta, duke  deklaruar se ‘’do të ketë luftë në rrugët e Çikagos’’.   Në përgjigje të këtyre protestave të paralajmëruara nga protestues e demosntrues të të gjitha ngjyrave,  policia e Çikagos, nga ana e saj, ka njoftuar planet për të bllokuar rrugë dhe zona të tëra të qytetit për të ndaluar protestuesit që të pengojnë ose  edhe më keq të ndërpresin punimet e mbledhjes së nivelit të lartë.  Ironia e këtyre protestave është se organizatorët  kanë në plan të  kundërshtojnë dhe të protestojnë kundër  një aleance që siguron dhe mbron me çdo kusht, jo vetëm të drejtën e tyre për të demonstruar në  Çikago dhe kudo tjetër, por siç duket ata janë edhe kundër një aleance e cila përveç popujve të vendeve anëtare, ajo u ka ardhur në ndihmë  shumë popujve në përpjekjet e tyre për të siguruar lirinë, siç ishte rasti i Libisë kohët e fundit dhe çlirimi i Kosovës më vite më pare.

Me mbarimin e luftës së ftohët, misjoni afatgjatë i NATO-s është më pak i qartë se ç’ishte gjatë asaj periudhe , kur misjoni i aleancës ishte kryekëput  të ,bronte botën perendimore nga kërcënimet e Bashkimit  Sovjetik dhe të komunizmit  ndërkombëtar.   Nuk është e rastit që çështja kryesore e samitit në Çikago është gjëndja në Afganistan dhe  mënyra se si aleanca duhet të manexhoj  tërheqjen e forcave të sajë nga ai vend.  Tërheqja e NATO-s me nder nga ai vend, gjatë këtij tranzicion për të cilin do të vendosë   aleanca këtë fund jave në Çikago,  ka mundësi të vendosë  të ardhmen e organizatës NATO për të dekadat e ardhëshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora