E marte, 19.03.2024, 09:44 AM (GMT)

Kulturë

Baki Ymeri: Kozeta Zylo dhe Shqipëria e shpirtit tim në mërgim

E merkure, 22.02.2012, 08:03 PM


KOZETA ZYLO DHE SHQIPËRIA E SHPIRTIT TIM NË MËRGIM

 

Nga Baki Ymeri

 

Kozeta Zylo është Shqipëria e nostalgjive tona dhe shpirti im në mërgim. Leksionet e para të dashurisë së saj janë atdheu, gjuha shqipe dhe shpirti shqiptar. Bujaria shqiptare dhe mall i magjepsur jane shprehur për bukuri në librin e saj të parë “Monumenti i lotit: “Sa lot është derdhur,/Për ty, nënëlokja ime Shqipëri!”  Kjo zanë e frymëzuar shqiptare vjen me mjellmat e saj si një drenushë skofiare me ecje lozonjare dhe ja se si: Nuk e di,/ Në më ke harruar liqeni i bukur i Tiranës,/ Nuk e di?/ Fëshfërrimën e mëndafshit tim, dikur,/ Dhe fërshëllimën e te dashurit tim,/ Nga kënaqësia e puthjes,/ Kur loznim kukamfshehtësi,/ Dhe në gjethet e bardha,/ Të lule deleve, kërkonim fatin,/ Më do apo s’më do?  Në inspirimin e saj defilojnë të gjitha trojet shqiptare që kanë nga një Vlorë. Poetja shkruan me admirim për Kosovën e zemrave tona që e konsideron si “Princeshë me medalionin e Lirisë në gjoks”. Ajo është një pikë hëne e veshur me fustan dielli që bashkohet me simfoninë e këngëve të miliona shqiptarëve që këndojnë shqip. Përveç botës lirike, dëshmi esenciale për këtë princeshë të zemrës shqiptare janë artikujt, reportazhet, fotografitë dhe emisionet e një qendre televizive shqiptare që e drejton së bashku me bashkëshortin e saj, zt. Qemal Zylo, i cili është edhe producent në Amerikë.

Autorja shkruan vargje mbi mirënjohjen e Amerikës, duke fluturuar si një zog i lirë mbi New Yorkun e bukur, pa e harruar Liqenin e Tiranës: “Pritmë liqeni i bukur, pritmë si dikurë/ Do të vi duke fluturuar me mjellmat”. Loti i saj është është lot i brezave që pushtuesit panë me sy, “Lot i vashave për të dashurit,/ Që u arratisën nga aty.” Autorja e përkujton rininë e saj të brishtë. Kozeta Zylo është zemërzana e kujtimeve të ëmbla si mjalta e dashurisë: “I mëndafshtë ky muzg me qirinj ndezur,/ Ti brenda dhomës, si yll i ndritur,/ Ndaj shpirti digjet kaq shumë papritur,/ Të vetmin që s’frenoj dhe Hënën e pabindur!” Ajo shkruan me afshin e zemrës për freskinë e çasteve të ëmbla që na mbështjellin me kujtime të paharruara, për lotët e pikëllimit dhe puthjet e zjarrta që i pat lënë nën rrezet e Hënës që s’e tradhëtoi kurrë: Dhe prekim damarët e shpirtit të blertë,/ Që aspak s’zverdhet, dhe pse vjeshta bie,/ Sythet e tij janë degëve gjithë jetë,/ Edhe kur dimri, ngricën sjelle tek ne.” (Të mjaltat kujtime). Dhe më tej: Princesha ime, Kosovë, Prishtina, filiz shpirti, apo Adem Jasharit: Ne Kështjellën e Tij, tek prehen trimat/, “Preka lehtë Monumentet,/ Brenda tyre në fole të mallit,/ Dogja hallet edhe dertet”, apo mendimet e një sokoli që e kondisderon si poeteshë e talentuar shqiptare, që edhe pse larg Mëmëdheut, gjen forca të jashtëzakonshme e mundësi reale t’i ngrejë emrin lart Nënës Shqipëri.

Në këtë drejtim, na shkruan një mik nga Shqipëria: “Më kanë bindur madje edhe vlerësimet e larta që i kanë bërë mirënjohësit amerikanë, qoftë Dr. Helen Dechker  e po kështu edhe nxënësit e studentët me dedikimet e tyre në anglisht. Me këtë rast, një përshëndetje të përzemërt për poeteshën tonë, autorin e publikimit dhe tërë dashamirësit e kësaj veprimtarie shkollore, artistike e patriotike. Kozeta Zylo jep një kontribut të shenjtë për njohjen dhe zhvillimin e vlerave që përfaqësojnë intelektualë të shquar, patriotë e punëtorë në të mirë të shqiptarizmës dhe çështjes sonë kombëtare.  Jo vetem në vargjet e kësaj poeteshe shqiptare, por dhe në programin tonë me subjektin "Mirënjoheje SHBA-ve" që i janë gjendur dhe me siguri do t’i gjenden Kombit Shqiptar në ditë të vështira.” (S. A)

 

BOX

 

Ja disa vleresime nga personalitete te shquara te letersise dhe artit:

Autorja shprehet me ngazëllim të madh në poezinë “Tungjatjeta Kosovë!”, e cila përshëndet Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Ajo e pret atë ngjarje historike me brohori e krenari, dhe ndan gëzimin e saj me kosovarët duke thënë: Princesha ime Kosovë/ Më lejo të vë buzët, në bisqet e Lirisë/…  Me fjalë poetike të skalitura, autorja e quan muajin e shkurtit, “Shkurt dimri, kthyer në stinë pranvere”, dhe në mendjen e saj kërcen Vallen e Rugovës, veshur me kostumin tradicional të grave kosovare. (Prof. Peter R. Prifti, dishepull i Nolit te Madh).

 

Në shkrimet e tua të cilat i lexoj me ëndje si poete e mirë dhe krahinare e dhimbshur, ti ke mendimin tënd dhe zemrën tënde. Ke shqetësimet nga më kryesoret që përjetojnë sot shqiptarët kudo që janë, e që kanë një rezonancë të përbashkët kombëtare, demokratike e njerëzore. Të gjithë, veçanërisht të mërguarit, jetojnë me mendimin e latinëve se Atdheu është i shtrenjtë jo se është i madh, por se është yni. Aq më tepër kur për atdheun tonë disi të vogël ndryshojnë aktorët, por tragjeditë janë po ato - nga njeri akt në tjetrin. (Agim Shehu, shkrimtar i shquar i Kombit)

 

Unë them: Mos ia qani hallin Kozetës, se ajo megjithatë ia ka dalë në luftën për jetën, sepse ka ditur të zbatojë dhe të kapë anët e mira të saj: punën, veprimtaritë me njerëzit, dashurinë për ta. Ky dimension human, ndoshta i huajtur nga Nënë Tereza, por që buron natyrshëm nga shpirti i saj i etur, kërkues, bën majë në tërë vëllimin e saj poetik.  Edhe kur shkruan për Kosovën, për Çamërinë, heronjtë krahas revoltës frymës epike, shquajnë edhe notat e ngrohta, gjithësesi njerëzore, që burojnë nga shpirti i një nëne të cilat i japin poezisë më shumë vërtetësi, thjeshtësi, komunikim.Nuk e kam njohur më parë Kozetën. Nuk dija asgjë për të. Në Globe Institute më bëri përshtypje një pedagoge që në kohën e lirë hapte kompjuterin dhe shkruante poezi. Pastaj ua lexonte studentëve ashtu thjeshtë, e frymëzuar, përplot emocion. (Roland Gjoza,  shkrimtar, recensuesi kryesor i librit “Monumenti i lotit”, ku moren pjesë 250 veta në një kolegj amerikan, në Manhattan)

 

BIOBIBLIOGRAFI

 

Këze (Kozeta) Zylo u lind lind në Tepelenë, nga prindërit Brahim dhe Liri Gjoni, një familje Mezhgoranase, me tradita patriotike dhe arsimdashëse. Pasi diplomohet në Universitetin e Elbasanit “Aleksander Xhuvani” për Gjuhë dhe Letërsi (1979), punoi si mësuese e Letërsisë Shqipe dhe botërore në disa gjimnaze të Tiranës, ndërkohë kryen dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës. E spikatur që në vitet 80-të për prirjet dhe qëndrimet e saj jokonformiste, K. Zylo u përfshi energjikisht në proceset demokratike që çuan në rënien e komunizmit. Mori pjesë aktive në krijimin e Partisë Demokristiane të Shqipërisë dhe që nga themelimi ishte në kryesinë e Partisë Demokristiane të Shqipërisë. Në vitet 1994-1995, u zgjodh Sekretare e Përgjithshme e saj dhe drejtonte gazeten “Ora e Shqipërise” organ i Partisë Demokristiane të Shqipërisë. Në këtë gazetë botoi një sërë artikujsh publicistikë. Është dalluar si një mësuese e apasionuar në Tiranë dhe mjaft aktive në shtypin e përditshëm e periodik, organizatore dhe regjisore spektaklesh të rinisë, etj. Në gjimnazin “Çajupi” së bashku me një grup nxënesish drejtonte gazetën “E Ardhmja” Në shkurt të vitit 1997, me shpërthimin e trazirave social-politike në Shqipëri, emigron në ShBA (New York), ku integrohet në shoqërinë e atjeshme, vazhdon kualifikimet në kolegj, emërohet Këshilltare e studentëve në BramsonORT College (2000-2004). Punoi si pedagoge disa vite në “Globe Institute of Technology” në Manhattan, dhe tani është e punësuar nga Bordi i Edukimit të New Yorkut.

Shquhet ndër veprimtaret më aktive në komunitetin shqiptaro-amerikan. Është zgjedhur sekretare për shtypin dhe informacionin në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë në USA.  2007-2010. Rreth poezive të saj u zhvillua një orë mësimi e rregullt në shkollën e mesme Susan E. Wagner në Staten Island, New York, udhëhequr nga Prof.Helen Decker. Gjithashtu poezitë e saj u përzgjodhen dhe u interpretuan në një mjedis amerikan, gjatë një aktiviteti letraro-artistik, në një nga qendrat e mëdha kulturore “Staten Island Greenbelt center, udhëhequr nga znj. Sheree Sobel, shkrimtare dhe psikologe. Eshtë korrespodente dhe analiste e gazetës “Illyria” në USA, bashkëpunëtore në TV “Kultura Shqiptare” dhe në disa media. Narratore në TV Alba Life në Staten Island, New York, ku së bashku me bashkëshortin e saj zt. Qemal Zylo, Ph. D kandidate dhe së bashku me familjen janë pronarë të TV Alba Life New York dhe themelues të shkollës shqipe.  Zv/Presidente e Org.së Gruas Shqiptaro-Amerikane “Zëri Ynë” në New York. Përfaqësuese e medias pranë Shkolles Shqipe “Alba Life” në New York. Ka organizuar për vite me rradhë, së bashku me bashkëshortin e saj, Ditën e Flamurit si dhe veprimtari të tjera atdhetare, kulturore dhe patriotike për Shqiperinë, si dhe simpoziume për çështjen e Kosovës. Përmes veprimtarisë së saj të dendur, si dhe krijimtarisë së kahershme publicistike, letraro-artistike, veçanërisht në poezi, K. Zylo ka fituar respektin e studentëve shqiptarë në New York, të komunitetit shqiptar në SHBA, Diasporë dhe në Mëmëdhe. Është e martuar me zt. Qemal Zylo dhe ka dy vajza, Dr.Valbona Zylo Watkins dhe Klodiana Zylo Halsted.

Bibliografie letrare:  Monumenti i Lotit  (poezi)    (2005), Pranverë pa Mimoza (poezi)  (2006), Mjellmat po të vijne   (poezi) (2008), Nje fjongo dielli nga New Yorku (poezi) (2010), Refleksione shpirterore  (kritike, esse, reportazhe) (2010), Bashkautore në Antologjinë “Perëndim i malluar”, Bashkautore në librin: “Kur e lë zogu folene”, Bashkautore në librin: “Itaka e fjalës”, Redaktore në antologjine “Zemra Prindërore”, Bashkautore në librin: “Antologie de poezie”. Ka gati për botim dhe dy libra të tjerë. Çmimet: Libri “Mjellmat po të vijnë” u shpall libri më i mirë i vitit, në Panairin e librit me shkrimtarët e Diasporës në New York, 2009, organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Çertifikatë mirënjohjeje nga Bashkimi i Intelektualëve në Zvicër me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në Mërgatë në fushën e kulturës dhe Arsimit Kombëtar.  Korrik, 2011, Çertifikatë mirënjohjeje për bamirësi dhe punën udhëzuese tek studentët e saj në mjediset e një Qendre Shëndetësore, të cilët për shumë kohë punuan vullnetarisht për të ndihmuar njerëz të moshës së vjetër dhe me probleme shëndetësore.  Kjo çertifikatë u dha nga Shkolla e Mesme "Wagner" dhe Qendra e Rehabilitimit “Eger", ne SI, New York, në ceremoninë e gradimit të nxënësve, të cilët u pajisën me diplomat e shkollës së mesme.  Maj, 2010, Mirenjohje nga Shoqata “Ana e Malit”, New York, 28 Nentor, 2010, I jepet titulli: “Personalitet i Shquar i Kulturës Mbarëkombëtare” nga Shoqata Mbarëkombëtare I.Qemali Vlorë, 28.11.2009. U shpall gruaja e vitit 2008, në New York. Çmim nga revista “Fotjon Art”, 2007–2008. Çertifkatë mirënjohjeje nga TV “Albanian Culture” në New York, për një bashkëpunim të ngushtë me TV dhe mirënjohje për Komunitetin, 2007. Çertifikatë nga Lidhja e Shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane për një kontribut të shquar në Letërsi, 2007. Çertifkatë “Mirënjohjeje” nga Shoqata “Dibra” në Amerikë për ditën e Mësuesit, 2006.  Çertifikatë nga Akademia e Shkencave në NY, për një punë të palodhur në Media, 2006. Për kontributin në TV, mund të klikni në një nga emisionet e saj ne youtube:

 

http://www.youtube.com/watch?v=hrKOMZaGcwQ&feature=related

 

 

 

MJELLMAT DO TË VIJNË

 

Nuk e di në më ke harruar

Liqeni i bukur i Tiranës nuk e di

Fëshfërrimën e mëndafshit tim

Dhe fërshëllimën e te dashurit tim

Nga kënaqësia e puthjes

Kur loznim kukamfshehtësi

Dhe në gjethet e bardha

Të luledeleve kërkonim fatin

Më do apo s’më do

Nën ëmbëlsinë e cicërrimes së zogjve

Ne ecnim te dy të përqafuar

Rreth trungut të pishave

Aty ku lulet bënin pjalmimin

Unë nuk e kam harruar liqenin tim

Prapë dua të vij pas kaq vitesh

Edhe pse mund të jesh zemëruar

Nga mosardhja ime aty

Por druhem se mos pishat jane tharë

Dhe liqenit po i humbet shtrati

Oh, nuk dua ta besoj kurrë këtë marrëzi

Pritmë liqeni i bukur pritmë si diku

Do të vi duke fluturuar me mjellmat

 

 

SI NJË DRENUSHË

 

Sa shumë që  hesht në  telefon

Si një drenushë nën një pemë

Sa shumë që druaj të  them gjithçka

Sa shumë që dua të të  them

  mirë  e kam t’i shkruaj me fjalë

Por dhe aty asgjë s’kuptohet

Se dashuria s’u thënka dot

Pasi me afsh ajo pushtohet

Kështu i dashur kur të  vish

  aromë  jasemini, lulesh harbuar

Zjarr do i gjesh buzët dhe sytë

Sisën e majtë  e ke zbuluar!

Por le t’i lutemi Perëndisë,

Për dashurinë tonë të pafund,

E të ëmblat puthjet tona,

T’i stërpik ajo nga yllësia,

Se hëna e bukur që  rrëshqet

Kalon në ekstazë nga xhelozia!

 

 

MALL I MAGJEPSUR

 

Më prekin cipën e shpirtit të ëmblat fjalë

Dhe timbri i zërit më vjen butësisht tani

Dridhet zemra ime nëpër fantazi

Për puthjen e zjarrtë mbetur tek ti

 

Unë po shkoj të fle nën kupën e qiellit

Dhe yjet do më lajnë me lotin e florinjtë

Do të gdhihem me mëngjesin e artë të diellit

Një ylber me ëndrra mbi shtrat do jenë shtrirë

 

 

GJITHË TROJET KANË NJË VLORË

 

Brenda ninëzes së syrit, më shfaqet Vlora kuq e zi,

Plaku Ismail Qemali, më hap flamurin me magji,

Më bekon me fjalë Perëndie, më ndez dritën mu në sy,

Ah kjo dritëz Pavarësie, verbon botën për çudi…

 

Dritë e tij si vetëtimë ka vënë shenjëzat në udhëkryqe,

Aty ku Atdheut tim, i kyçin “planet” në sëndyqe,

Ah këto plane ogurzeza, seç po thuren nga tradhtarë,

Sa dhe Hënën e tmerrojnë, ngjyrë veremi ajo ka marrë…

 

Por s’duron Is Boletini, vjen si shqipe me Flamur,

Prej Kosove i vjen Vlorës, toskë e gegë porsi nur,

Dhe me ngjyrën e Flamurit e skuq detin mes për mes,

Hedh bajlozët si në legjenda, shpirt katran e të pabesë...

 

Dhe atëhere Hëna ndizet, nën ullinjtë si portokalle,

Jep shkëlqimin mbi flamur, labëroshkat hedhin valle,

Ndërsa burrat rëndë, rëndë, Monumentit vënë kurorë,

Pavarësisë i bëjnë roje, se gjithë trojet kanë Vlorë…

 

(Manhattan, 25 Nëntor, 2011)

 

 

MONUMENTI I LOTIT

 

Sa lot është derdhur,

Për ty nënëlokja ime Shqipëri!

Nëqoftëse do të kishim mundësi për t'i mbledhur

Me siguri do të krijohej një oqean i gjerë,

Ndoshta oqeani më i madh kohor,

Në gjithe rruzullin tokësor.

Është lot i brezave që pushtuesit panë me sy,

Lot i vashave për të dashurit,

Që u arratisën nga aty,

Është lot i pleqve,

Për fëmijët që i lanë në vetmi,

Është lot i bijes,

Që s'u ndodh pranë në vdekjen e nënës,

Është lot i fëmijës,

Që rritet pa parë baba me sy.

Janë varret e prindërve,

Që u mbuluan pa një grusht dhe të burrit,

Është lot im që qan palcën e gurit.

E si kalë i azdisur vrapon nëpër shekuj,

Për të qëmtuar brengat e qëndisura në shpirtëra,

Që pena ime bashkë me skulptorin,

Të ngrenë madhërishëm monumentin e lotit.

 

(Washington, Shkurt 2001)

 

 

LOTI PIKTURË

 

Në trokun e kalit,

Gjej gjurmën e zverdhur,

Të qytetit tim,

Zbrazur perjetësisht,

Nga kalorësit e ikur!

E kam lënë pikën e lotit,

Pranë gurit të sofatit,

Në portën e shtëpisë sime,

Ndërtuar në lashtësi!

Hej udhëtar!

Në të rëntë rruga andej,

Fotografoje lotin tim,

Në pikturë do jetë kthyer,

Ndoshta nga më të cmueshmet,

Deri më sot,

Në muzeumet e botës!

 

(Manhattan, 2005)

 

 

TË MJALTAT KUJTIME

 

I mëndafshtë ky muzg me qirinj ndezur,

Ti brenda dhomës, si yll i ndritur,

Ndaj shpirti digjet kaq shumë papritur,

Të vetmin që s’frenoj dhe Hënën e pabindur!

 

Më njomin buzkat të mjaltat kujtime,

Pranë pemës sonë me lule te kaltra,

Me fllad i dashur ajo na mbështillte,

Dhe si me magji na dhuronte flatra...

 

Një lot pikëllimi më rrëshqet qerpikut,

Për puthjen e zjarrtë, që e lamë atje,

Thonë është rrënjëzuar koha më e vyer,

Ndaj leshverdha Hënë s’na tradhëtoi ne...

 

Dhe prekim damarët e shpirtit të blertë,

Që aspak s’zverdhet, dhe pse vjeshta bie,

Sythet e tij janë degëve gjithë jetë,

Edhe kur dimri, ngricën sjelle tek ne…

 

 

MIRËNJOHJE AMERIKËS

 

Fluturoj si zogi i lirë mbi New Yorkun e bukur,

E mallënueshem shoh ishujt rreth kryeqytetit,

Gradaçielat e larta që bisedojnë me qiellin,

E statujën e Lirisë që më ngroh me diellin.

Por nuk mahnitem jo nga këto perla,

Mahnitem më shume nga ligjet shekullore,

Që mirë se të vini i thoni cdo emigranti,

Mjafton t'i zbatoni ato ne rrugë njerëzore.

Ështe i vetmi vend, që nuk njeh racizmin,

Edhe pse racist u treguam me të,

Villnin qeveritë, per imperializmin,

Si ujkonjat plaka, që s'shqyenin dot më.

Ja, ashtu më duket duke fluturuar,

Dhe hirin e robërise shkund ne Oqean,

Si amanet i te vdekurit, prush për Shqeperinë,

Ma digjni trupin, e hirin përhapeni mbi vatan.

Se zëri i lindur, në tymrat e kohës,

Është më i fuqishëm në zanoret e lirisë,

Mbyt krrakjet e sorrave e kukuvajkave,

E del mbi ta, sa lashtësi e Ilirise.

Une e di, dhe ju e dini, o zemra te prangosura,

S'e si na futën stërkëmbshin në vallëzimin e shqipeve,

E si dogjën historinë, me hellin e zjarrtë,

Dhe vodhën yllësinë, me gjuhën e mbrapshtë.

Ndaj Amerikë endem e lirë, në sytë e tu,

Që nga tempujt e gjer në shtëpinë e bardhë,

Nuk thartohem nga kataraktet e botës, uthull,

Por më ke rrëmbyer të tërën, si zambak i rrallë.

 

(Manhattan, 2006)

 

MOLLA E MIGJENIT

 

Nxorra nga sundeku endrren e hershme,

Fshehur ne shpirt, strukur si kotele,

Te ikja larg, larg per te kafshuar,

Vargjet e Migjenit, mollen e ndaluar.

Ja erdhi dhe koha, qe si shtrengate me hodhi,

Ne nje bote te panjohur, hapin ndalova,

Kurreshtjen shpejt, nga dega rrezova,

Mollen e ndaluar, qe asgje s' shijova.

Molla e kuqe, krimbosur ishte brenda,

Kishte kohe qe priste dhe me nuk duronte,

Kalbesira e viteve i zbehte kurreshtjen,

Nga qullosja e saj, dhembi se kafshonte.

Me vargun e Migjenit ngrire ne buze,

E uritur vazhdoja te kerkoja,

Neper kopshte, zyra mondane qendrova,

Por mollen e ndaluar kurre se shijova.

Buza e ngrire si shege u ca,

Me rruaza te kuqe shkruajten ne gushe,

Mollen e ndaluar qe se shijove ketu,

Eshte ne dheun tend, mbjellur ne cdo fushe.

 

(Brooklyn, Shkurt 1999)

 

 

POLENA E PUTHJES

 

Puthjet e embla jane si flutura,

Qe fluturojne magjishem, ne hapesiren e zemres,

Ndezin gjakun, shtojne ritmin e jetes,

E etshem thithin burimin e veses.

Jam ngjizur e tera, brenda teje

Dy zemrat rrahin si nje e vetme,

Nuk lekunden nga stentet, muzgjet,

Levizja kryhet si deshire e perjetshme.

Ne prush le te digjet puthja, qershi,

Ne llaven e zjarrte te dashurise,

Une nuk do te jetoja dot pa te,

Do te ishja si kali gerdalle, ngordhur qe i ri.

Kjo ndodh ne syte e dashuruar,

Kur ti flocka puthjesh me lë ne buze,

E une ashtu e marrosur,

E vjedh floçken dhe e stampos ne gushe.

Tani si nje engjell me vjen puthja,

Kur shpirtrat bashkohen ne nje,

Shigjeta e shikimeve eshte tretur e tëra,

Dashuria perhapet si polenë ne të.

 

(Manhatan)

 

VJESHTA

 

Vjeshta erdhi me gjethen e verdhe,

Duke pikturuar oborrin tim,

Si nje tapet te florinjte veshi gjithcka,

Biles dhe zemren time, paksa me trishtim.

E magjepsur shtrihem e tera,

Mbi gjethet si zemrat me vena, qe zhurmojne nen mua,

Kurrizin me perkedhelin me feshferimen e tyre,

Papritur nje gjethe keputet nga pema dhe me thote "te dua".

Oh, c'me kujtove vjeshten e Tiranes sime,

Ku ne kete stine gumezhinte shkolla,

Reniet e gjetheve nga pemet atje,

Preknin me bute se buzet e njoma.

Gjethja e verdhe me vjeshten e arte,

Te shton xhelozine paksa per gjithcka,

T'I lyen floket ne ngjyren e grunjte,

Si per t'i thene Henes, kam ngjyren tende, mos m'u nda!

E pershendes vjeshten e verdhe: mireseerdhe!

Gjethen e saporene e stampos ne dritare,

Dielli i perhimte rrezaton nga kapilaret e gjethes,

Si dehje te romances sime, luajtur ne kitare.

 

(Staten Island, shtator 2005)

 

 

KULLAT BINJAKE

 

Terrori ma kaploi shpirtin,

M'u fut ne trup, si hekur i nxehte,

Ku ne kullat digjeshin njerezit,

Nga avionet, zjarr, futur fshehte.

Nga ballkoni im cdo dite u shikoja,

Miss Bota, qendronit vite me radhe,

Ne cdo konkurs, ju kishit fituar,

Si nuse te bukura, mbi kal te bardhe.

U trondit bota, per te madhen hata,

Zinxhiri i vuajtjeve, do te ngrere kala,

Do te perhapet, terrori si nje murtaje,

Te mjeret njerez qe do t'i haje.

Tymi djegesire me shponte hundet,

Me bllokonte frymemarrjen, mushkerite,

Bashkohet me dhimbjen, per njerezit brenda,

Qe rane ne gracke ne te zezen dite.

Nga dritarja brenda, fjoll i zi futet,

Ne vend te diellit rrezearte,

Cajne lajmet, nderpritet puna,

Hedhje njerezish, varr, nga maje e larte.

U vra njeriu, LIRIA, u vra bota,

Filluan qeverite te villnin vrer,

Ec e jaket e mundimshme, te zgjidhnin, lëmshin,

Nga djallet e verdhe, qe mbollen aq tmerr.

 

(Brooklyn, 11 Shtator 2001)

 

 

IBRAHIM RUGOVËS

 

Burri  madh shqiptar,

Ecte si në legjenda me shallin rreth qafës,

Kërkonte Lirinë e ëndërruar në shekuj,

Rrëmbyer nga barbarët, vrasësit e fjalës.

Brengën e dhimbjes e mora me vete,

Këtu në Manhattan me studentët ta ndaja,

Nuk mund të filloja mësimin e zakonshëm,

Pa një minutë heshtje, si shqipe të qaja.

U ngritëm në heshtje me lot në sy,

Peshën e lotit mbanim në supe,

Biles dhe të huajt që ishin aty,

U bashkuan me ne, në zi e në lutje.

Luftove mençurisht, pa shpatë gjakosur,

Salloneve mondane në çmendinë e kohës,

Ta merrje Kosovën në gjoksin e nënë Lokeve,

Shqyer nga kuçedrat në kthetrat e lojës.

Me vizionin tënd, trondite botën,

Kosovën martire, drejt Pavarësisë e çove,

U çane lajmet, flasin Presidentët,

Për vdekjen tënde të parakohshme.

Simboli i bashkimit mbete përgjithmonë,

Ibrahim Rugova, burr i rrallë,

Globi i botës, si zgavër duket,

Pret Kosovën, me shekuj ndarë.

 

(Manhattan, NY 22 Janar, 2006)

 

 

HISTORIA E KAFSHUAR

 

Atdheu im,

Pse mundohen "Ata"

T'i varrosin mekatet,

Gjerat e kobshme katran,

Mjere shamizezat nena,

Qe mbi mollezat e fishkura,

Kalon currili i lotit,

Per djemte e tyre qe vane.

A do te gjendet nje dite,

E verteta e brishte e historise,

Qe gjeneratat mos te konfuzohen,

Dhe une mos te behem xhind,

Qe me thonje shtrigash,

Zhgarravinat e historise t'i gris!

Ndoshta do te duhet pune,

Qe dheun mos ta germoje Kau i Zi,

E qe studentet e mi,

Mos te shkojne me hamall neper Evrope.

Por me forcen e Atdheut,

Dhe krenarine e te pareve,

Te ndalojme vrasesit gjakftohte,

Qe Shqiperia mos te jete me,

E kafshuar si ne vitet 1912-te,

Por e bashkuar me te gjitha trevat,

Me Kosoven legjendare dhe Camerine e masakruar.

E ne zemrat tona prush, e verteta te dihet,

Jo me refren i kobshem,

Clirimi eshte ne 28?!

Clirimi eshte ne 29?!

Por per pikat kyce te historise,

Le te veshim gunen e bashkimit,

Dhe ne mos te vuajme me

Nga kafshuesit HistoSTRUCE te cvirgjerimit!

 

(Manhattan, Prill 2005)

 

HEU, KOSOVË!

 

Ma blove shpirtin, nen mokrrat e Evropes,

Kur copetohej trupi si me hanxhare,

Therrte gjoksi, nga rrjedha e plages,

Ku vendosej fati nga kasape te marre.

Me lere te endem e lire,

E te vije aty, ne token time,

Dhe pastaj te perulem ne gjunje,

Pa ushtare me tyta, rreth zemres sime.

Qe syte e mi, mos te hedhin lot,

Si shelgje lotues per te renet,

Por loti im le te kthehet ne kokrriza,

Ku te godas si bresher, ata qe skermitin dhembet.

Dua te thyej hekurat qe te rrethojne,

E te futem ne shpirtin tend gjigand,

Le te mbushem andej me frymen tende,

E te ringjall fizikisht heronjte,qe per ty jeten dhane.

Heu Kosove!

Me dramen tende ne shpine,

Ecje, luftoje dhe asgje s'te ndalte,

U desh fundi i nje shekulli,

Qe lufta tende, shkeputjen nga Serbia te shpallte.

Pavaresia tende e afert,

Nuk eshte me imazh hyjnor,

Ne te jane murrosur shpirtrat,

Qe premtimi i dhene te jete burreror.

E nese ju gjykates boterore,

Rivrisni shpirtrat e murosur,

Trupat e shenjta te tyre,

Do ta kthejne ne legjende, lirine e burgosur.

 

Manhattan, Prill 2005

 

 

GOZHDËT E KRISHTIT

(Kushtuar Nenë Terezes)

 

Si gozhdët e Krishtit I mbaje, dhimbjet e të mjerëve,

Në trupin tënd të vogël femëror,

Nuk ndjeve lodhje, në shërbimet e tyre,

Po frymë e jetë u dhe, nga shpirti tënd hyjnor.

Në ballin tënd me vija kaltërsie,

Pikturohet mirësia, si një shenjtore,

Plagët dhe qelbin nga trupi jua hiqje,

Me buzët e tua, dashuri mëkove.

Në lutje e përshpirtje me duar mbledhur,

Një shërbëtore e Zotit ngele përherë,

Rrudhat e ballit në fisnikëri derdhur,

Mëncurinë japin, një stoli me vlerë.

Në sytë e tu pasqyrohet Zoti,

Me krahët ëngjëll ne fluturim,

Bekon çdo zemër plaku e fëmije,

Me zemrën det, gjer në adhurim.

O nënë e madhe, o bijë shenjtore,

Të sëmurët me lebrozë, në gji I fute,

Nuk pyete nga infeksionet, mikrobet ngjitëse,

Por si bijë e Krishtit i largove tutje.

Rrënkimet e fundit në sy jua merrje,

Me ballsam shpirti i shëroje në flakë,

Vdekjen e zezë, nga trupi ua hiqje,

O Nënë Tereza, melhem për plagë.

Atje në Kalkutë, ti prehesh e qetë,

Me detyrën e lartë, si adhuruese e Zotit,

Bija e Shqipërisë, frymëzim qiellor,

Mbrujtur nga brezat, fyrmë e qëmotit.

 

(New York, 1997)

 

DY STATUJAT

 

I mora statujat dhe i vendosa me radhe,

Ne hollin e bukur te shtepise sime,

Secila mbart historine e saj,

Ca me lufte e ca intime.

Midis ketyre statujave,

Dy qendronin hijerenda,

Njeri papritur nxorri ushtrine,

Tjetri ushtrine me kalane brenda.

Xhorxh Uashingtoni si Presidenti i pare,

Krenohej per Ameriken e lire,

I vetmi vend ne bote akoma,

Qe s'pushkatoi fjalen e lire.

Te lutem, hidhet Ali Pasha,

E c'bere ti me shume se une?

Ti shkepute Ameriken nga Franca e Anglia,

Une shkeputa Shqiperine nga Greqia dhe Turqia!

Une, thote Uashingtoni,

Po flas ketu nga toka ime,

Kjo shtepi qe sheh ketu,

Eshte nje pjese e Amerikes sime.

Edhe une thote Ali Pasha,

Kam vend nderi ne kete shtepi,

Eshte stermbesa ime prej gjaku,

Qe historine kurre s'e flaku.

 

(Staten Island, korrik 2004)

 

 

PRISHTINA, FILIZ SHPIRTI

 

Kur të putha sytë e shpirtit,

Nga qielli i kaltër i Nju Jorkut,

Një filiz në zemër mbiu,

E vaditëm, bashkë së toku.

 

Bisku i blertë mori dhenë,

Veshi qiejtë e vrerosur,

Mjerë kush thanë farën e shpirtit,

Mjerë kush popullin lë burgosur?

 

Kur të erdha pranë Prishtinë,

Trëndafila kudo çova,

Lulet bozhur në gji i ruajta,

Amerikës ia dhurova…

 

U rizgjove, ti mes dallgësh,

Si Poseidoni zot i detit,

Me jele të arta kalorësit ktheve,

Brenda Prishtinës, tokë mbreti!

 

Je folezë thellë gjoksit,

Cicëron në gjuhën shqipe,

Folmë Nënë Loke, të tund dheun,

Se Kosova është toka ime!

 

ADEM JASHARIT

(Në Kështjellën e Tij)

 

Në Prekaz tek prehen trimat,

Preka lehtë Monumentet,

Brenda tyre në fole të mallit,

Dogja hallet edhe dertet…

 

Në kështjellën “Adem Jashari”,

Nga frëngjitë mijëra dritëza,

Flakë po skuqnin si bozhur,

Baladat si vetëtima…

 

U ngjita lart tek kullë e trimit,

Tela dallgësh mbi hapësirë,

Vrojtimi i shkjaut 50 metra,

Nxinte si korb në errësirë…

 

E vështrova me një rënkim,

Para syve, memece bjeshka,

Shpirti i Jasharit lëshonte syth,

Çelte Liria brenda në zemra…

 

U ula tek dhoma e Kuvendit,

Ku burrat vendosnin fatin,

Rugova me shallin lidhur,

Isai mbante nagantin…

 

Mbi nje shkallë harrova hapin,

Nga mijëra plumba, bërë shosh,

Gjurmët brenda tyre s’fshiheshin,

Europa plakë… na i ka borxh…

 

Zogjtë e malit çuçurinin,

Krahëdridhur mbi Drenicë,

Një fjongo dielli ngjyer në gjak,

Në ballë trimash më mbetën sytë…

 

Më humbi syri mes JASHARËVE,

Shtëllunga mjegulle më trullosën fare,

Eshtë e dhimbshme të jesh pranë tyre,

Por më e dhimbshme të prekësh varre…!

 

UÇK të lindi Shekulli,

Me plisin e gjelbër mbi kokë,

Në Drenicë ti hodhe rrënjën,

Ndaj gjithe Kombin do bashkosh…

 

Kudo ku rriten, trima gjithë nur,

Janë prej Kosove, nuk trëmben kurrë…

 

 

PRINCESHA IME, KOSOVË!

 

Princesha ime Kosovë,

Sot po udhëtoj kudo,

Me medalionin e Lirisë në gjoks,

Medalion që s’do ndryshket kurrë!

Në kujtesën e dhimbjes shkulmëzon shpirti,

Për rrëmbimin e të artit medalion,

Nga zotat e heshtun të Olimpit, Serbi-Rusi!

Lamtumirë ju Zota të heshtun, lamtumirë!

Lamtumirë ju që ma gërryet kockën,

Me molën e hipokrizisë!

Princesha ime Kosovë,

Më lejo të vë buzët, në bisqet e Lirisë,

E aty të bashkohem me simfoninë e këngëve,

Të miliona shqiptarëve, që këndojnë shqip,

Sot, në tokën e lirë!

Sythet e Lirisë kanë buisur,

Janë harbuar sot, në degët e Shkurtit,

Shkurt dimri, kthyer në stinë pranvere!

Mëngjesin e burgosur zgjoi,

Duke hapur kufirin e shpirtit,

Me vezullim rrezesh nga bjeshkë Kosove!

Më fal Kosovë që s’të vij dot atje, më fal,

Por, edhe pse larg teje sot,

Unë po e shijoj këtu lotin e gezimit,

Te ngrirë kallkan, acareve,

Tashme të shkrirë nga Ju, por edhe nga kjo tokë,

Ku u vesit gonxhja e Lirise, dikur si manushaqe kokëulur!

Nuk do dëgjoj më krokatje korbash,

Ato kanë kohë që u shkrumbuan në harkun vetëtimë të Lirisë!

Në trungun e tokës tënde, dhimbjet lëshonin rrënjë,

Sot ato u groposën në dheun e Prizrenit, Prishtinës…

E në gjithë tokën e Dardanisë!

Unë kam kohë që jam larg teje, kam kohë…

Por dhe pse larg, vetëm tek ty përkundem me ninulla,

Në të vetmin djep me shqiponjë gdhendur,

Me emrin Kosovë, me emrin Shqipëri!

Eja, Liri Kosove, eja dhe tek unë,

Më kap prej dore, se sonte dua të hedh vallen e Rugovës,

Me xhamadanë sokolash e me plisin e bardhë në kokë,

Të trand botën e cmendur, që shekuj me radhë,

Ta përtypën Lirinë!

 

(New York, 17 Shkurt, 2008)

 

NË MORSIN E GJUHËS

 

Më mjafton ëndërrimi tënd,

Ku të shfaqem si borëbardha,

Nëpër yje, fustan argjend,

Dukem, zhdukem në fijëza të kaltra.

E në morsin e gjuhës zjarrit,

Pëshpërrita s’di se si,

Afshi i puthjes më rrëmbeu,

Aty u djegshim ne të dy!

 

(2006)

 

E FUNDIT QË JEP SHPIRT...

 

Zërin se kam bilbil, të të kendojë mbi degë,

As si i ëmbli Naim, të të mjekojë buzën e çarë,

Por po të fal sythin e fjalës, që çel në pranverë,

Dhe Hënën tek parku, që të prêt me aq mall.

 

Dhe shfaqesh ti pranë pemëve të heshtura,

Me vjeshtën e florinjtë, që gjethet rrëzon,

Në kujtimin e bukur, lotëve të patretura,

Brenda gjoksit të Hënës, veç ti qëndron.

 

E mbështjellë kujtimin me të butin mëndafsh,

Dhe vesh pemën e zhveshur, nudo nga vjeshta,

Si shenjtore e heshtur, mes kopshtit qëndron,

E fundit që jep shpirt, është vetëm shpresa!

 

(Manhattan, 1997)

 

TA DIJE TI...

 

Tutje në park është kredhur vjeshta,

Me leshra të verdha përmbi degë,

Një shi i butë më bie mbi supe,

Si me magji thur një gërshetë.

 

Dhe heshtur vjen kujtimi i tij,

Porsi hënëz fshehur nën gjeth,

Më mbushet shpirti, ëmbëlsi,

Ah ëmbëlsi, veç ty të ndjej...!

 

Është zjarri i shpirtit, që përvëlon,

Dhe thellë gjumit djeg mbi të,

Një drithërimë trupin përshkon,

Në se si hiri bëhet çdo gjë!

 

O dashuri e ëmbla ime,

Që luajmë bashkë mijëra herë,

Ta dije ti çmendurinë time,

Do bashkoje tokë e qiell...!

 

(Manhattan, 1998)

 

 

NJË PIKË HËNE

 

Erdhe mbrëmë në kalë shaluar,

Në ca shtigje që s’i di,

Një pikë hëne shtrydhe duarsh,

Si Sadiu re në gji.

 

Kshja veshur fustan dielli,

Terrin e muzgut more peng,

Brenda buzëve, mjaltë lëshove,

Bilbil prilli që më çmend!

 

Me lotë shpirti njome shtratin,

Nga dritarja Hëna qeshte,

Të mos mbyteshim të dy,

Unë i piva, gjithë për vehte!

 

(New York, 2009)

 

 

SEJFULLA MALËSHOVËS

(Profesor Sejfulla Malëshova një pjesë të fëmijërisë e kaloi në Mezhgoran, pasi nëna e tij ishte nga Mezhgorani i Tepelenës.)

 

Çudi, çudi ne ç’pranga ndodhem,

Se di sa kohë zgjat kjo torturë,

Për Profesorin, që e burgosën,

I dogjën librat, i vunë çensurë.

 

Dhe hedh unë hapin, kuturu,

Drejtoma udhën profesor,

Se qysh fëmijë ishje dalluar,

Për Shqipërinë, një meteor…

 

Dhe shkoje ti pranë shkollës shqipe,

Me Mezhgoranasit, aq shpirt etur,

Si prush në gji, gërmat t’i ruante,

Nënë Pashakoja, ende patretur…

 

Luftove ti me diktaturën,

T’i lidhën sytë nëpër muzg,

Por shpirti tënd lart ne qiell,

Ende bën dritë, ende bën udhë…

 

Sofatet tona ballë për ballë,

Kafen gjyshërit, pinin ngadalë,

Ku ta dinin profesor,

Se do të kyçnin ca vandalë?

 

Ece ti në krah me Nolin,

Sekretar, dekan në Moskë,

Të kyçën, Murit të akullt,

Por shpirtin s’ta vodhën dot…

 

Vdiqe ti në vetmi,

Ttrupi tënd në një qerre,

Vazhdon të dridhet Trebeshina,

Për Profesorin, që pa tmerre!

 

Pranë qerres nëna edhe motra,

Me det loti përmbi ty,

Trupi i tyre akoma s’tretet,

Për gjëmën që panë me sy.

 

Si Sizifi i ngjiteshe malit,

Dënuar nga “Perënditë”,

Zot më jep Penën e shpirtit,

Që të mos heshtin historitë…

 

(Mezhgoran, 1997)

 

PO, E DUA SHQIPËRINË

 

Prof. Malëshova duke qenë nip në Mezhgoran, ai i ka kënduar Malit lirik të Trebeshinës, pasi në rrëzë të tij, ngrihet madhërishëm, Mezhgorani piktoresk i burrave të mençur dhe patriotë.  Prof. Malëshova i këndoi dhe vendeve ku gjyshërit e tij në Mezhgoran kishin tokat, dhe ja si iu shkruan:

 

Po e dua Shqipërinë,

Për një stan në Trebeshinë,

Për një shkarp e për një gur,

Për një gardh e për një mur,

Për kasollen mbi Selishte*,

Për dy ara në Zallishte*…

 

Ps: Selishte dhe Zallishte janë vende në Mezhgoran.

 

(Manhattan, 25 Nëntor, 2011)

 

NË ACARIN E SHKURTIT

 

Ma grise qiellin e shpirtit i rëndi trishtim,

Me natën e ikjes zemrën ma plogështon,

Është ecje e fundit bulevardit tim,

Në acarin e shkurtit pishat i kundroj.

Eh, ndarje e hidhur, e rënda ndarje,

C’më gjete ca qoshëza në dhomëzat e shpirtit,

Seç rrinë të strukura, të rreshkura pa frymëmarrje,

Si ca dru të djegura, mbetur në ngjyrë hiri.

Edhe kur avionit shkarazi do t’i hipi,

Me këmbët zvarrë, rrugëve të përbaltura,

Me vete do të marr krahët e hallakatura,

Që s’dinë ku do të përplasen tutje në Perëndim!

 

(Tiranë, 27 Shkurt, 1997)

 

 

NXËNËSIT PRES…

(Në kujtim të 7 Marsit)

 

Thellë zemrës një dashuri,

Belbëzon shpirtit kulluar,

Në këtë mbrëmje nostalgji,

Më puth Hëna drithëruar.

 

Dhe vjen mëngjesi përmbi vesë,

Pa degë mimozash nëpër duar,

Çdo 7 Mars nxënësit pres…,

Me lotë malli, pikëlluar.

 

Më vini shpesh me krahë magjie,

Të butëzën fjalë sillni pranë,

Ç’m’i flladisni sot mendimet,

Si krahë pulëbardhash mbi oqean.

 

Eshtë kaq e dhimbshme të jem pa ju,

Sa mjegullohet çdo gjë që ndrin,

Ditë e mësuesit rëndon këtu,

Bashkë me hartimet mbi tavolinë...

 

Eci Nju Jorkut kuturu,

Me Korçën lule nëpër shpirt,

Në bebëzën e syrit jeni ju,

Dhe me hartimet që bëj flirt!

 

Dhimbja e prushtë brenda meje,

Psallm deliri sjell mahnitur,

Vetëm me një mimozë Tirane,

Ka të ngjarë, t’ju kem papritur…!

 

(New York, 7 Mars, 2011)



(Vota: 55 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora