E premte, 26.04.2024, 03:20 PM (GMT+1)

Kulturë

Zenun Gjocaj: Vepër poetike e pezmit, mallit dhe e krenarisë

E shtune, 15.10.2011, 05:59 PM


 

VEPËR POETIKE E PEZMIT, MALLIT DHE E KRENARISË

 

(Neki Lulaj, Dardania ime, /poezi/, Bukuresht 2011)

 

Nga Prof Dr. Zenun GJOCAJ

 

Fatkeqësisht, shqiptaria dhe poezia e saj ende nuk arrijti të shërohet nga  lëngata e plagës së mallkuar të mërgimit, shkaku i robërisë shekullore të vazhdueshme më tepër në pjesën e saj lindore që la pasoja në zhvillimin e dobët jo vetëm ekonomik. Si pasojë, ndjenjat, melankolia e malli për atdhe te shumë poetë shqiptarë që nga shekulli i 19-të e deri më sot e kësaj dite, arriti të vlojë në zemrat e mërgimtarëve, madje edhe përmes vargjeve poetike të Neki Lulajt, të përmbledhura në librin “Dardania ime”. Është një gjerdan lirik me vlera aktuale, herë të përlotura, herë të mëndafshta e, herë paksa të ashpra, varësisht nga shtrati i frymëzimeve të tij poetike, për hapësirën kosovare dhe bukuritë e saja natyrore e shpirtërore, duke pikturuar tema e motive ndër më të ndryshmet lidhur me realitetin kombëtar, përgjithësisht jetësor të kohës. Me poezitë e tilla, edhepse i mërguar, poeti dëshmon se është i lidhur me mish e me shpirt me fatin e atdheut të vet, duke paraqitur frymëzimet në prizmin e të vërtetës së hidhur, sa edhe krenare, varësisht nga këndshikimi shpirtëror, në qasje nga rrethanat kohore.

Këtu shkrihen harmonishëm vargjet e dhembjes krenare, të përmallimit, dritës dhe errësirës, por edhe rrjedhat e furtunës shpesh magjike të  stuhive dardane. Ndoshta, padashtas poeti i skalit me mjeshtri poetike bredhjet e tija sentimentale, qoftë edhe atëherë kur arrin të rikthehet përmallshën në atdhe, në vendin e tij të zhuritur për liri, të shkrumbuar e të shkretuar, por si me inat të shpërlarë nga përgjakja e përlotja dhe të pertërirë me shpejtësi marramendëse, pas çlirimit të Kosovës e armikut tashmë të përzënë me bisht nën këmbë, duke lënë prapa lirinë e sjellur nga çlirimtarët me ndihmën e ndërkombëtarëve.

Janë këto vlera lirike të përjetuara nga vetë poeti, kryesisht si zëdhënës e sinonim i mërgimtarëve të kohës, por edhe i vetë përjetimeve të tij. Në këtë amulli, sa mjegulluese, po aq shkëlqyese, autori është zëri i atdheut në mërgim, që bredh sa nëpër re të vrugëta, aq edhe nëpër tymnaja të përflakura, të mbetura nga shkrumbosja e tmerrit luftarak. Megjithatë, guximi fisnik i ndjenjave dhe fryma atdhetare e poetit, si vullkan i pashuar, arrin t’i rreshtojë në vargje aq harmonishëm e aq llojllojshëm, sa formon një kopsht poetik të vlerave atdhetare me buqeta shumëngjyrshe poetike të një lirizmi të vaçantë drejt një individualizmi poetik, që premton. Aty-këtu, guximi i unit poetik poetin e shpie në rrugëtime kritike, sepse karakteri i tij njerëzor nuk e lejon të zhytet në balta diferencuese ndaj dukurive që e lëndojnë kombin brendapërbrenda: Ata një ditë vetëveten do ta zhdukin. (63).

Tani, pas shtërgatave ogurzeza, poetin e mundon lëngata e përçarjes, e mbetur si orë e ligë midis nesh, që po bën pengesa e po lë pasoja afatgjate. Porosia e tij shtegton drejt një uniteti, siç thuhet një trup e një shpirt. Është koha që të bashkohemi dhe t’u japim fund padrejtësive / që na janë ngjitur për lëkurë/. Ashtu si vargjet e poetëve të tjerë mërgimtarë: Martin Çunit, Ylli Dilos, Shkëlzen Ukëhaxhajt, Adnan Mehmetajt, etj., edhe vargjet e Neki Lulajt kanë marrë rrugën e shikimit drejt së ardhmes, tani pa pengesa gjithaq  të huaja, përmes së cilës mund të gëzohet liria e plotë.

Përmbledhja poetike e Neki Lulajt, pos tjerash, është një lulishte ku dëgjohet zëri i dëshmorëve, motivet mërgimtare, malli ndaj vendlindjes etj. Për poetin, gjaku i dëshmorëve buroi nga zëri i kushtrimit dhe u shndërrua në ushtimë ndër male, u materializua në besë atdhetare, vesë trëndafili, në krenari përmendoresh e në altar lirie… Por, lufta la prapa fantazmën e robërisë së shndërruar në shkrumb e hi, në lot e vaj, dhembje e pikëllim, duke u shndërruar edhe në gëzim e krenari për fitoret e korra. Andaj, fjala poetike i  lehtëson dhimbjet dhe e shëron shpirtin, duke kultivuar krenari. Pos tjerash, atë  e ngazllejnë heroizmat e luftëtarëve të lirisë, sidomos në Koshare,”ku pavdekësia e tyre solli një epokë të re…dhe atje bëjnë roje”,  ku atje u hoq gurkufiri i mallkuar, pothuaj shekullor, shqiptar-shqiptar, dhe u lidh lindja me perëndimin etnik, që na ka munduar e ndarë me vite e dekada   (Heronjve të Dardanisë). Zëri i  kushtrimit, i shpërthyer nga toka, i bashkoi të gjallët me  eshtrat dhe idealet e të rënëvet  ndër shekuj për të luftuar së bashku  për ideale deri te liria e plotë. (14)

Megjithëkëto peripeti, poeti e sheh një  drite në fund të tunelit, përtej së cilës shkëlqen liria. Kjo katrahurë e gjatë dhe e mundimshme shekullore  shuhet në qershor, kur pushtuesi ik me bisht ndër shalë, ndërsa Kosova e pavarur merr frymë lirisht: “Qershor gjallërie” (25). Kështu deri te Kosova trime e ditëve tona”, kur kësaj pjese të Shqipërisë etnike iu kthye nderi, liria e dinjiteti, kur edhe mërgimtarët u kthyen në atdheun të vet si fanar, për të shëndritur në tokën e lirë. Edhe frymëzimet poetike e shëtisin poetin, sa në njërën anë, po aq në tjetrën, varësisht nga valët e afshit poetik. Në një tufë poezishë u këndohet heronjve të natyrave të ndryshme:  kulturore, luftarake, politike, përgjithësisht atdhetare, që luftuan më tepër se për lirinë që po e gëzojmë, duke filluar që nga  J. Gërvalla e K. Zeka, S. Çekaj, Fehmi e Xh. Lladrovci, dëshmorëve të Koshares, por edhe A. Çettës, F. Aganit, A. Shkrelit, Din Mehmetit, I. Rugovës, së fundit edhe T. Dervishit.

 Në vepër spikatet me një mjeshtri të vaçantë poezia “Dardania ime”, vjershë me vlerë e me afshe të dala nga zemra e shpirti i poetit dhe  e stolisur me mjete të dendura poetike, si epiteti, metafora, sinekdota, krahasimi etj. “Dardania ime iliriane / e lindjeve të vështira / e prerjeve cezariane / e kohërave me ngrica / e kompromiseve të ndyra” (19) Vargu ”Sa hije ju ka Kosova e lirë” është një kurorë poetike, e varur në supet e tyre. Nëpër kohërat e mundimeve të mëdha, apo në kohë ikjesh” jo vetëm poeti pranon se iku (mori arratinë)  në kohë të keqe pa lënë gjurmë, nga shkaku se iu imponua për ta pritur atje pleqërinë, duke ëndërruar bjeshkët barishtore, ku nën këmbët e tyre buron uji që ia shuan etjen Dukagjinit, mall ky i fokusuar në antyrën madhështore të Bjeshkëve të Nemura, paksa ndryshe nga malli filipshirokian e ndremjedian, ku zemra u fluturonte mbi rrugicat e Shkodrës dhe lumenjtë e kodrinat përreth saj.

Vepra është quajtur album perlash poetike, ku zotëron vargu me strukturë klasike, si dhe bota sentimentale e një mërgimtari që shkruan me çiltërti për Dardaninë e zemrave tona. Është zëri i atdheut në mërgim për tokën e tij në të cilën ka lindur dhe për të cilën frymon. Është poezi e dalë nga zjarri i zemrës, qartësia e mendimit dhe fshehtësitë e shpirtit, ku poetin e mundon historia dramatike e brendshme dhe e jashtme e jetës kosovare.

Vepra ka një ngjyrim të forte retotik dhe emocional, që sadopak ia kanë zënë frymën metaforës poetike. Ndër poetë, shpesh ndodh kur poezia e tyre nuk i zë të dyjat, andaj e përjashtojnë apo e zbehin njëra tjetrën. Poeti i gërsheton ndjenjat e gëzimit e të hidhërimit për lirinë e fituar, shkaktuar nga zjarri i jashtëm dhe  i brendshëm. Me poezi ai do të reagojë, saherë që vizioni i tij nuk përputhet me lirinë e fituar. Kështu, disponimi i dikurshëm afirmativ shndërrohet gradualisht në disponim kritik, si në poezitë:Krrokamë korbash”, “Marrëzia njerëzore nuk ka kufi”, Orlat krrokasin”, ”Memorandumet turko-serbiane” etj.

Prirja dhe afiniteti ndaj lirikës së angazhuar me thekse patriotike, Lulajn e përcjellin pothuajse gjatë gjithë veprës. Te ai bie në sy se përmbajtja peshon më shumë se forma, mbase edhe se metafora, si veçori themelore e poezisë bashkëkohore. Autori është ithtar i poezisë së angazhuar me përmbajtje të larmishme që merr frymëzim nga jeta e uni i tij. Kështu, në poezinë e tij mbizotërojnë forma të hapura, që ia kanë larguar sadopak metaforën. Janë poezi të kthjellta që komunikojnë me një rreth të gjerë lexuesish dhe që ushtrojnë ndikim te brezat. Poeti përpiqet t’i tejkalojë vlerat e tij aty-këtu modeste, andaj na del përpara si poet i patosit dhe entuziazmit, drejt shtigjeve të reja poetike, të materializuara në poezitë e ardhshme. Shpresojmë se në të ardhmen poeti do të orientohet drejt ndonjë rruge më metaforike a meditative.

  Në fshikullimin e pafyturë nga ana e disa  veglave ndërkombëtare kundër Kosovës së lirë, si Dick Marty, Karla Del Ponte, Vuk Jeremiq etj.,  te të cilët marrëzia nuk ka kufij, poeti nuk durohet pa dalur në mbrojtje të atdheut, duke u hudhur në betejë poetike me fjalët më të ashpra që ata i meritojnë: Kush luan me gacat e bungut në oxhak…/ pjellë e kujt na qenka njaj Dick Marty…/ kush ndez e fryn zjarrin në moshën e pleqërisë / Karla del Ponte ogurzezë…mike e Serbisë (63). Por,  poeti është i vetëdijshëm se le të pëlcasin, sepse “për Kosovën do të flijohen të tanë” (Shqiptarët) (64). Vargu e shpirti i poetit janë të harmonizuar në një stil  të zgjeruar për shtresa të gjera shoqërore, ndërsa metrika nuk ka mundur të arrijë të shkoqet nga ajo tradicionalja.Shpresohet se Neki Lulaj nuk do të ndalet me kaq, duke u përpjekur që talentin e vet poetik ta thellojë e ta zgjerojë me mjete shprehëse e tematikë më të përgjithësuar përmes një pune të përkushtuar vetëmohuese, një talenti  e një vullneti të fortë, duke u përforcuar edhe me përvojat e poetëve bashkëkohorë, pos tjerësh, edhe me ata të rrethit mërgimtar ku jeton.

 



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora