E premte, 22.11.2019, 03:21 AM (GMT)

Kulturë » Kinema

Helen Mirren: Zonja fisnike e Hollivudit

E hene, 03.10.2011, 04:20 PM


Është e pamundur t’i rezistosh Helen Mirren-it. Të mjafton vetëm një shikim për t’u magjepsur nga sharmi i saj. Luku tregon qartë se sa tradicionale aq edhe moderne është kjo zonjë

 

Është e pamundur t’i rezistosh Helen Mirren-it. Të mjafton vetëm një shikim për t’u magjepsur nga sharmi i saj. Luku tregon qartë se sa tradicionale aq edhe moderne është kjo zonjë. Një fustan “leopard”, xhuboks lëkure stili “heavy metal” dhe këpucë lëkurë gjarpri me taka të larta. Tema e preferuar e saj është filmi “Borxhi”, që ka dalë këto ditë në kinema, ku Mirren interpreton rolin e Rachel, një shkrimtare e famshme izraelite, konsideruar si heroinë kombëtare për aktivitetin e saj në shërbimet sekrete. Jeta e re e protagonistes vihet tragjikisht në diskutim kur dalin në skenë dy ish-kolegë të saj, me të cilët 35 vjet më parë kishte ndarë një mision sekret dhe një trekëndësh sentimental. Krimineli nazist që kishte kapur dukej se ishte akoma gjallë dhe Rachel u gjend përballë zgjedhjes se duhej të niste sërish “gjuetinë”. Kohët e fundit duket kanë dalë shumë filma të saj, çka na lë përshtypjen se ajo nuk ndalet kurrë. “Përkundrazi, jam shumë dembele dhe e ndiej veten në faj për këtë. Shumë shpesh sforcohem për të pranuar sa më shumë punë që të jetë e mundur. Dy vitet e fundit kanë qenë mjaft impenjative, por kjo është pjesë e zanatit të aktorit. Pastaj asnjëherë nuk jemi të sigurt për atë që do të ndodhë në të ardhmen. Do të kërkoj shumë shpejt një pushim të gjatë, sepse dua të kaloj më shumë kohë në shtëpinë time buzë detit”. Ajo tregon se përqendrohet mjaft te personazhet që interpreton. Madje për të xhiruar “Borxhin” ka studiuar edhe hebraisht. “Zakonisht i besoj instinktit, por edhe punoj shumë. Për filmin “Borxhi” u frymëzova nga dy aktore fantastike italiane, Sofia Loren dhe Anna Magnani. Objektivi im ishte të arrija të njëjtën grinte si të atyre grave: të forta, të vendosura, që dinë të luftojnë”. Një tjetër gjini ku Helen po e ndien veten rehat është ajo e filmave aksion. “Borxhi” u xhirua jo shumë kohë pas “E kuqja”, një tjetër film i tillë.

 

“E pabesueshme apo jo? Janë filma me të cilët jam argëtuar shumë. Janë xhiruar në momente të ndryshme, por dolën shumë afër njëri-tjetrit si për rastësi. Pastaj te filmi ‘E kuqja’ mund t’ju them që asnjë nuk i reziston dot Bruce Willis. As unë. Kur më thanë se do të ishte edhe ai, u luta të më merrnin edhe mua. Isha e gatshme të pranoja gjithçka. Të xhirosh përkrah tij është si të shkosh me pushime”.

 

Personazhi që ajo interpreton te “Borxhi” gjendet përballë një dileme të madhe morale. “Sinqerisht unë bëra vetëm atë që ishte shkruar në skenar. Me pak fjalë nëse është në skenar unë e them”. Pas suksesit dhe “Oskarit” me filmin “The Queen”, Mirren mendoi se do të qëndronte e “mbërthyer” pas atij roli. Për këtë arsye ajo mendoi se ishte më mirë të ndryshonte zhanrin e filmit si komedi apo aksion. “Arthur” apo “Borxhi” e tregojnë më së mirë nevojën e saj për ndryshim. Rolet që zgjedh, edhe pse shpesh e detyrojnë të duket më e shëmtuar apo më plakë, nuk e dekurajojnë, përkundrazi. “Interpretova pa ‘make up’ te komedia ‘Arthur’ dhe kjo ishte jo vetëm fantastike, por edhe shumë çliruese. Në mëngjes më mjaftonin vetëm pesë minuta për t’u përgatitur. Në jetë vjen një pikë kur bukurinë e lë mënjanë dhe nuk do më të fshehësh pamjen tënde të jashtme”. Por sido që të jetë ajo prapë është e bukur dhe gjithmonë në formë të përkryer. “Ndoshta kjo lidhet me origjinën time të largët ruse (emri i saj i vërtetë është Helen Lydia Mironoff, ndr). Nuk bëj asgjë të veçantë. Për shumë kohë qëndroj pa bërë asgjë, por ka edhe periudha kur punoj shumë. Nuk jam e fiksuar dhe nuk shkoj në palestër. Evitoj gjithmonë gjërat e tepërta. Ah nuk pi as duhan. Vetëm kaq”. Thonë se është tip i vështirë, e për shkak të një konflikti me një gazetë angleze nuk donte të jepte më intervista. “E kisha fjalën vetëm për gazetarët anglezë. Në të vërtetë kisha në mend një gazetare, me të cilën kam pasur një incident të vogël. I isha hapur asaj, sepse me gratë sigurisht që e ndien veten më të lirshme. U mërzita në fillim, por tani kam marrë një mësim të mirë që nuk dua ta harroj”. Helen, në ambientin e artistëve, ka famën e një gruaje me një karakter pak të vështirë. Pyetja që i bëjnë më shpesh është se ku e ka çuar “Oskarin” që ka fituar me “The Queen”. “E mbaj në shtëpinë time në Londër dhe shpesh e çoj nga një dhomë te tjetra”.

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT