Kulturë
Daniel Gazulli: Vjeshtë
E marte, 01.06.2021, 07:05 PM
DANIEL GÀZULLI
VJESHTË
BARET BUZË DETI
Baret buzë deti,
ku s’degjohet ma
muzika e takave të lehta,
tek rrotullohen
në marramendje,
të shkreta kanë ngelë.
Violinë e erës
se ç’luen një melodi
malinkonike
në gjethet e zverdhuna.
Melodite e gëzueshme
braktisë baret kanë.
Ata do të luhen
gjithë pasion
në të tjera mbramje
dehëse.
DO TË DOJA …
Do të doja
që vargjet e mia
t’i përngjanin
horizontit mbi det
kur mbi te harkon ylberi,
e të shtrij krahët diellorë
lehtë e ngrohtë:
mes krahëve të mi,
mbështetun në gjoks,
të përgjumeshe në ekstazë
ti, e shtrejta ime.
Do të doja
që në mbramje
të të nanurisë
një melodi e re,
e të puthish tingujt
fluturakë
ndërsa tretën në gjithësi
e kthehen të pushojnë
në gjinin tand
përsëri.
Do të doja
pranë të të kisha ty ……
SHTERPËSI
Shtëpia asht kaq e bukur.
Dyer e dritare përsosmënisht mbyllë,
- deri në ndryshkje -.
Oborri,
me një mur grih e të ftohtë
rrethue,
- pa hymje -.
Si kjo shtëpi, kurrë e banueme,
si ky oborr, ku s’luejtën kurrë fëmijë,
ti,
mizorisht e ftohtë,
drejt fishkjes shkon
e mbas petaleve kurrë s’do të kesh frute.
NATË YJESH
Nga qielli i andërrave
u shkëput një yll dhe pushoi
në shpirtin tim:
ndriçimi se ç’më pushtoi
të gjithin
e nisa të luaja me yllin
der n’ agim.
Në qiell ishim a në tokë,
unë në zemrën tande a ti në timen,
as e dinim ku, as përse,
po vazhdonim t’luanim,
të përthitheshim,
der sa yjet n’qiell një nga një
se ç’u shuan, u tretën në gjithësi,
ndërsa ne të dehun, t’përqafuem,
dot nuk shuanim zjarrin
asesi.
PUTHMË DHE NJË HERË
Ç’je tretë në mendime, e dashuna ime?
Gazin në cep të buzëve
çfarë ta miklon?
Merr një tulipan
dhe hidhe në ujëvarë,
të kthehen valët n’ ylber
e t’i japin dritë vështrimit tand.
Sonte i kuq perëndimi ish.
E zjarrtë nata do të jetë.
Kokën struk në gjoksin tim,
prehje të ambël do të gjesh.
Ç’je tretë në mendime, e mira ime?
Puthmë dhe një herë
në do të flesh.
NËSE NJË DITË…
Nëse një ditë
të tjera erna do të fryejnë
e do të trazojnë
ngjyrat e piezazhit gjithë dritë,
që lulëzon në zemrat tona,
dhe dallgët do t’çajnë muret e brishtë
të një andërre që kurrë
e rrethueme nuk desht të ishte,
do të marr përsëri shtegëtimin
në kërkim të ngjyrave të përndame
në brigje të thepisuna
e me to të thur
një kangë dashunie.
Nëse një ditë
nga kjo histori dashunie
do të ketë ngelë vetëm kanga,
përsëri
njerëzit do të ndalen
e të stepun do të thonë:
E madhërishme ishte!