E shtune, 27.04.2024, 12:40 AM (GMT+1)

Kulturë

Meri Lalaj: As zogjtë nuk lejohen të fluturojnë

E marte, 23.08.2011, 08:56 PM


Meri Lalaj

 

Tregim

 

As zogjtë nuk lejohen të fluturojnë

 

Nga fundi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar dhe pikërisht në ditët e para të korrikut, familja e Xhonsëve dhe Grehemësve u nisën për pushime në Greqi. Ata  u ndalën në një hotel të qytetit të Korfuzit. Të dy çiftet kishin nga një fëmijë të vetëm, Xhonsët, vajzën dhjetëvjeçare me emrin Beki, ndërsa Grehemsat një djalë dymbëdhjetëvjeçar me emrin Endrju. Që ditën e parë të mbërritjes anglezët u mrekulluan me detin në ngjyrë blu të thellë dhe qiellin e kaltër, ngado që të hidhnin sytë i rrethonte gjelbërimi, lulet e bukura shumëngjyrëshe, palmat shtatlarta dhe kaçubet e krasitura për merak. Çdo ditë të dy familjet dilnin tok në breg të detit shtriheshin tek karriget lëkundëse duke iu gëzuar rrezeve të nxehta të diellit, notonin dhe pastaj të uritur kënaqeshin duke shijuar gjellërat mesdhetare. Trupat e tyre morën ngjyrë të bukur të bronztë, por vështrimi i Endrjuit nuk shkëputej dot prej syve të kaltër të Bekit, të cilët ngjasonin fort me qiellin i atij vendi. Vëmendja e të katër të rriturve ishte e përqendruar tek Beki, (pasi Endrjui ua kishte bërë të qartë prindërve se nuk donte ta trajtonin si djalë të vogël). Edhe prindërit edhe fëmijët lexonin libra, këta të fundit ishin në garë se kush do të lexonte më shumë faqe në një ditë. Beki po lexonte “Liza në botën e çudirave” kurse Endrjui po mbaronte “Robinson Kruzo” dhe i dukej vetja sikur ai ishte Robinsoni, që kish ardhur në këtë ishull, aq më shumë sepse fantazinë e tij e nxiste edhe pronari i hotelit, zoti Jorgos, të cilin anglezët e thërrisnin Xhorxh. Ky, Xhorxhi, dikur pat emigruar disa vite në Amerikë, pastaj ishte endur nëpër detrat e jugut dhe me paratë e fituara kish ndërtuar këtë hotel të bukur ku priste turistë nga të gjitha viset e botës. Ai fliste një anglishte me theks të fortë amerikan dhe miqtë anglezë qeshnin me ho ho ho e ha ha ha tek e dëgjonin, megjithatë mirreshin vesh për bukuri. Çudia më e madhe ishte se djali i vogël i Xhorxhit, Spiros, nja shtatë vjeç, luante me Bekin tek bregu i detit, vraponte me të për të kapur flutura, pilivesa e për të gjetur guacka duke folur njëra anglisht e tjetri greqisht e mirreshin vesh për mrekulli. Endrjuit i vinte inat tek i shihte ata të dy, por e përmbante veten. A nuk kish lexuar ai libra me piratë ku rrëfehej sesi u rrëmbehej zemra bukurosheve. Tani Endrjui po përjetonte një aventurë të vërtetë i dukej sikur ai vetë e kish zbuluar këtë ishullin ku po rrinin me pushime, sikur ai ishte banori i tij i vetëm, ndërsa “mamatë” dhe “babatë” qenë robërit e tij, kurse Beki engjëlli i tij mbrojtës. Sapo mbaroi së lexuari librin Endrjui filloi të ulërijë rreth e qark hotelit posi ndonjë njeri i egër. Një ditë ai u end kopshteve gjeti ca kulpra i mbështolli rrotull trupit të tij lakuriq vuri ca gjethe tek barku e përmbi fletët e gjelbra të kokës vendosi nja dy pendë gjelash, leu fytyrën me blozë në kuzhinën e hotelit dhe me këtë pamje u shfaq para prindërve. Ata qeshën me të madhe, ndërsa Beki lozonjarja e pa veç me bisht të syrit dhe përdrodhi paksa buzët. Atij i erdhi shumë inat. Po çfarë të bënte? Të gjithë aty në hotel veç Bekin llastonin, e ëma ditë e përditë ia ndryshonte modelin flokëve të saj ngjyrë floriri herë i thurte dy gërsheta, herë ia lidhte bishtkali majë kokës me fjongo ngjyrë të kaltër apo të bardhë. Beki kishte të varur në qafë një varëse me portretin e Mbretëreshës Elisabeta, emrin e së cilës mbante. Ajo notonte në det e hipur mbi një mjellmë plastike të bardhë duke lëvizur ngadalë tërë naze. Endrjui po kërkonte një trap që të lundronte i vetëm në det dhe Jorgos-Xhorxhi ia plotësoi dëshirën duke dërguar disa punëtorë, të cilët prenë kallama i lidhën në dy trungje dhe trapi u sajua. Endrjui hipi mbi ta e lundroi nëpër dallgë duke e fshikëlluar ujin me dy shkopinj e duke bërtitur me sa i hante zëri sepse i dukej vetja marinar i vërtetë. Dhe ishte shumë i lumtur se po tërhiqte jo vetëm vëmendjen e Bekit, por edhe atë të turistëve të tjerë ardhur nga Europa.

Gjatë ditës, babai i Endrjuit, zoti Piter, i cili ishte inxhinier anijesh mbante të varur në qafë një palë dylbi me të cilat ai dhe babai i Bekit, zoti Filip, si edhe zonjat shihnin në bregun përballë. Një ditë kur horizonti ishte shumë i kthjellët dhe bregu përkarshi dukej edhe më afër, zoti Piter pyeti disi me habi:

-Nuk e marr vesh, po shoh e nuk po kuptoj se çfarë janë disa objekte si breshka të mëdha?

-Ku? A mund të shoh edhe unë? - pyeti babai i Bekit, zoti Filip, i cili punonte gazetar në një televizion. Ai nguli shikimn tek dylbitë, pa me vërejtje për disa minuta e pastaj duke i rënë ballit me pëllëmbë tha duke qeshur:

-Po ata janë bunkerë... i kanë ndërtuar shqiptarët që të mbrohen nga armiqtë e jashtëm, natyrisht të imagjinuar. Kam lexuar për ndërtimin e tyre dhe më kujtohet se para nja dy vitesh televizoni ynë intervistoi një djalë të ri, i cili e pat kaluar kufirin me not pikërisht atje ku është pjesa më e ngushtë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ka qenë një rrëfim i llahtarshëm për izolimin në Shqipëri. ai na tregoi se ishin ndërtuar me mijëra bunkerë betoni buzë detit, në male, në kodra, në fushat me grurë e kudo. – Në fillim kur dëgjuan këto fjalë zonjat dhe zotërinjtë vunë buzën në gaz, por më tej biseda vijoi edhe më hollësisht e në mënyrë serioze për atë vend të vogël të Ballkanit.

Një natë pasdarke ndërsa hëna e plotë lundronte lart në qiell, anglezët qenë ulur në një tryezë të lokalit pranë detit. Prindërit po pinin birrë ndërsa Endrjui dhe Beki lëng portokalli. Endrjui për t’u dukur djalë i rritur vendosi që të hyjë në bisedën e të mëdhenjve dhe pyeti:

-O ba, kam qejf të shkojmë nesër tek ai vendi përballë ku duken ato dritat e zbehta.

-Nuk mund të shkojmë. –Ia preu shkurt i ati.

-Po përse, o ba?

-Sepse në atë vend nuk lejohen as zogjtë që të fluturojnë. Askush nuk mund të hyjë e të dalë në atë vend.

-Po njerëzit si ia bëjnë kur shkojnë me pushime? A fluturojnë?

-Jo, ua kanë prerë krahët...

-A ka emër ai vend?

-Ato vezullime dritash që shohim i përkasin një qyteti me emrin Saranda, një qytet i vogël dhe ai vend e ka emrin Shqipëri. Kaq mjafton të dish tani për tani.

Asaj nate Endrjui pa një ëndërr shumë të frikshme. Atij iu bë sikur ndodhej në një vend të panjohur, ecte nëpër një pyll të errët, diellin e kishin zënë retë e zeza dhe nga qielli binin tufa me zogj të ngordhur, kurse tutje nëpër rrugë zvarriteshin burra e gra me krahë të prerë e të gjakosur. U zgjua i trembur. Dielli shkëlqente si çdo ditë, por Endrjui nuk e harroi gjatë gjithë viteve se në botë ekzistonte një vend ku as zogjtë nuk i lejonin që të fluturonin. Duke u rritur ai mësoi edhe më shumë për Shqipërinë, lexoi librat e Edit Durhamit, edhe shumë libra të tjerë që kishin të bënin me këtë vend.

 

* * *

Kaluan vite. Endrjui u diplomua për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Në vitin 1992 vendosi të vijë për të punuar në Shqipëri që të jepte sadopak ndihmesë për kalimin e këtij vendi nga ekonomia e shkatërruar socialiste në ekonomi kapitaliste. Me sytë e tij pa mijëra e mijëra bunkerë dhe u përpoq të llogariste sa hekur e sa beton ish harxhuar dhe se çfarë mund të ndërtohej me kaq shumë materiale.

Një ditë ai i telefonoi Bekit, e cila tani ishte bërë zonja Elisabeta dhe pat shkuar si gazetare në Rusi.

-Alo, Beki, po të telefonoj nga Saranda. Këtej kam parë shumë breshka prej betoni, u çudita sepse njëra prej tyre ishte shndërruar në kafene. Këtu zogjtë fluturojnë, njerëzit janë shumë të dashur e mikpritës dhe shohin me besim në të ardhmen. Mendoj se do të ishte interesant të vije këtu sepse ka shumë tema për të cilat ia vlen të shkruash. Shqipëria është një vend që duhet ta njohim. Mirupafshim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora