Kulturë
Në muzikën e Augustin Simonit, një shekull histori
E diele, 21.08.2011, 10:41 AM
Nga Jorida Pasku
Ka ca njerëz që duken se janë mishërimi i gjallë i historisë së një vendi. Augustin Simoni, i njohur në gjithë Shkodrën si Cini, i lindur në vitin 1938, ka jetuar kohën e Luftës së Dytë Botërore, vjedhjet, plaçkitjet, ardhjet e italianëve dhe gjermanëve, bastisjen e kuvendeve françeskane dhe jezuite në qytetin e lindjes.
Çfarë ka mbetur e paprekur në kujtesë? “Nga Lufta e Dytë Botërore më kanë mbetur në mendje dy kujtime: shkolla e jezuitëve ishte mbushur me gjermanë dhe gjithmonë kur vinin aeroplanët më bënte përshtypje, se ne futeshim brenda, gjermanët dilnin jashtë. Në shtëpi kishim një shkallë guri dhe kur dëgjonim zhurmë në qiell futeshim shpejt poshtë asaj shkalle nga frika”.
Në kohën e regjimit komunist, Lazër Simoni, tregtar i njohur stofash në Shkodër, pati fatin e njëjtë me shumë të tjerë që zotëronin një pronë private në atë kohë. Nuk ishte i vetmi që u arrestua në fisin e tij. Nipi i tij, Mikel Koliqi, kardinali i parë shqiptar, kaloi gjithë jetën në burg. Iu kursye jeta vetëm nga frika se mos i vëllai, Ernest Koliqi, profesor në Universitetin e Romës, mund të shprehej hapur kundër regjimit.
Megjithë këto vuajtje të familjes jeta e muzikantëve të vegjël vazhdoi rrjedhën e saj. Cini angazhohej në Shtëpinë e Pionerit në orkestrinën e Tonin Harapit, kurse në Pallatin e Kulturës, bënte kursin e violinës. Gjoni vazhdonte studimet e pianos. Veç muzikantëve Robert Radoja, Gjovalin Shestani, në këtë kohë Cini njohu edhe Prenk Jakovën që e mori në Orkestrën Simfonike qysh në moshën 13 vjeçare.
Rrugën e tij e prinë shumë muzikantë të tjerë me peshë që i dhanë dorë deri në ardhjen në Tiranë. “Në Shkodër, një pianiste, e kishte kthyer shtëpinë në “sallë koncertesh” të muzikës së dhomës. Në një nga këto pritje, njihem me Nikolla Zoraqin, që ende nuk kishte filluar të kompozonte, por mbante emrin e violinistit më të mirë të Liceut Artistik.
Nikolla më kërkoi të shkoja në Tiranë, “sepse në Shkodër nuk kisha ndonjë ardhmëri”, vijon bisedën me historinë e njohjeve Cini, i cili 15 vjeç u fut në Filarmoninë e Shtetit. Aty mori fund dëshira për të vazhduar mësimet në Lice. Vlerësimi i koncertmaestrit Islam Petrela dhe dirigjentit Kostandin Trako ishte ai që dëshmoi aftësitë e tij si violinist, ndoshta më shumë se një deftesë notash. Me shpërbërjen e Filarmonisë, punoi në Orkestrën Simfonike të Teatrit të Operës, deri në kohën e ushtrisë.
Augustini bën një ndërprerje në rrëfimin e tij për të na çuar te jeta e Gjonit, aq sa për të thënë që ai vazhdonte të ishte drejtor artistik në Shtëpinë e Kulturës në Kukës, ku kishte filluar punë qysh në moshën 17 vjeçare.
Jemi në vitin 1959. Cini pranohet në Orkestrën e Ansamblit të Ushtrisë. E lë këtë detyrë pas tre vjetësh, në kohën e formimit të Orkestrës së Radio-Televizionit Shqiptar. Aty u emërua mjeshtër koncertesh (koncertmaestër), e vetmja punë që e mbajti gjatë mbërthyer . Nuk e penguan dëshmitë e përfundimit të studimeve në Lice, apo Konservator.
Në korridoret e RTSH-së ai u takua pas vitesh me të vëllanë që vazhdonte turnetë e detyrave në Durrës, kishte mbaruar ndërkohë Konservatorin për kritik muzike dhe kishte bërë punën e përgjegjësit të muzikës në Gjirokastër. E njëjta detyrë iu dha edhe në Radio, në kohën kur Mustafa Krantja kishte dalë në krijimtari të lirë.
Jetët e dy vëllezërve u takuan për herë të fundit më 1964, në atë institucion, i cili sot i ka vënë emrin e Gjon Simonit hollit veror të koncerteve. Më tej, nuk u poqën kurrë më.
Gjoni u largua nga jeta kur Augustini ishte jashtë vendit, në Kanada, në një gjendje të vështirë financiare, “pa para, pa asgjë”. U kthye nga Kanadaja në vitin 2002, bashkë me familjen, gruan dhe dy fëmijët pasi kishin marrë edhe një nënshtetësi amerikane, po në atë kohë, Gjoni kishte 3 vjet që ishte larguar nga jeta.
Jeta e Cinit nuk u përmirësua me të lënë Shqipërinë. Në Greqi as që e mendonte kthimin në pozicionin e punës që kishte. Emigrimin në Greqi e kujton si periudhën më të vështirë të jetës: “Shqiptarët thirreshin alvanos. Në peridhën që punova në radio, kur shkova e mora dokumentin e qendrimit, pyetja e parë e nënpunësit ishte: “A je shqiptar i kulluar?”.
Pranoi çdo punë që i dilte para. Nëpër kafene interpretonte në violinë, bënte punën e orkestrantit 8 orë larg Athinës dhe më në fund mori një vend në orkestrën e radios, në kohën kur atë e drejtonte Mikis Theodorakis-i. Prej kësaj pune erdhën edhe dokumentat e rregullta, pikërisht në kohën kur violinsti ishte lodhur me Greqinë dhe u largua drejt Kanadasë.
Në Toronto gjithçka nisi nga e para. U fut në shkollë për mësimin e anglishtes, bënte punë fare të zakonshme dhe ndërkohë studionte violinë dhe konkurronte kudo. Njëri nga këta konkurse i dha mundësinë e pjesëmarrjes në Orkestrën Filarmonike të Torontos në vitin 2001. E morën për të dhënë mësime violine në dy shkolla private, në Fakultetin e Muzikës në Toronto dhe në një “Piano Class”. Rezultati i gjithë përpjekjeve ishte krijimi i një Orkestre Harqesh po në fakultetin e muzikës së Torontos.
Edhe kur flet për jetën, Augustini nuk ndahet nga muzika. “Violinisti transmenton atë që ka brenda. Një njeri i sinqertë fal çiltërsinë e tij edhe në muzikë, i keqi ka probleme edhe në ekzekutim”, pohon ai.
Augustin Simoni është 73 vjeç. Edhe pas një operacioni jo të lehtë që ka kaluar, një bypass, bën vrap dhe ecje 6 kilometra e gjysmë 5 herë në javë dhe dy herë ngritje peshash. Për Cinin, kush ka një qëllim në jetë mban në gjendje të mirë trupin, shpirtin dhe mendjen.
Klima ku lindi dëshira për muzikën
Gjystina Simoni, gjyshja e Augustinit dhe Gjonit kishte parë Xhuzepe Verdin të drejtonte një koncert në operën italiane. Babai, Lazri, edhe ai dashamirës i muzikës, po ashtu ka parë Maskanjin duke interpretuar. Po nga krahu i t’et, Cini dhe Gjoni trashëguan formimin muzikor që i dha djali i hallës, Mikel Koliqi, muzikant dhe krijues i melodramave.
Madje edhe Terezina Simoni, nëna e muzikantëve të vegjël, që nuk kishte ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me muzikën, kishte në rrethin e saj shoqëror sopranon Marie Kraja. Bashkë kishin bërë Shkollën e Murgeshave në Shkodër.
“Koncerti për violinë dhe orkestër, koha II” është e vetmja vepër e krijuar nga Gjon Simoni, të cilën i vëllai e mban të ruajtur në arkivin personal. Pjesa tjetër e veprave në origjinal, por edhe e dorëshkrimeve ruhet në arkivin e familjes nga e shoqja dhe në Akademinë e Arteve.
Dy fate të ndryshme
Gjonin, djalin e dytë të familjes Simoni (i madhi ishte Zefi, përkthyesi i njohur) e ndanin dy vjet nga Augustini (Cini), por të dy mësuan në të njëjtën shkollë fillore në qytetin e Shkodrës. Lazër Simoni do kishte dashur që djali i madhi të ishte violinist, kurse Cini pianist, por djemtë iu përgjigjën ndryshe kërkesës së tij.
Cinin filloi ta tërhiqte interpretimi në atë violinë treçerke që ruhej në shtëpi, kurse Gjonit t’i pëlqente pianoja. Nuk i pëlqente të rrinte orë të tëra të studionte mbi piano, nuk i pëlqente matematika (ka një lidhje mprehtësia në shkencat ekzakte me aftësitë e instrumentistit), por letërsia, që ndihmon pasurimin e shpirtit të kompozitorit.
Kështu u ndanë pasionet e dy vëllezërve dhe rrugët e tyre morën rrjedha të ndryshme. Gjoni u bë pianist, më vonë orkestrator, e kompozitor, Cini violinist.
Bashkëkohësit
Në Orkestrinën e Shtëpisë së Pionerit që drejtohej nga Tonin Harapi, Cini njohu muzikantë si Gjovalin Shestani dhe Robert Radoja. Ja çfarë mendimi ndan për bashkëkohësit e tij Ceni 73 vjeçar. “Gjovalin Shestani, i formuar në Moskë, vazhdon të jetë pedagog edhe sot. Robert Radoja është kompozitor, arranxhator, pianist shumë i mirë. Kurse, për Tonin Harapin ruaj një kujtim të paharruar, jo vetëm si muzikant, por mbi të gjitha si njeri të shkëlqyer.
Unë vija nga një familje me edukatë të fortë dhe Tonini më kuptonte shumë. Kur ndodhte që unë shkoja në koncerte jashtë Shkodrës, më rrinte afër për të më hequr ndrojën që më mbërthente herë pas here asokohe”.
Augustin Simoni për muzikën:
Cili ishte niveli i Orkestrës së Radio-Televizionit deri në kohën kur ju keni qendruar në detyrën e koncertmaestrit?
Kishte një nivel më të mirë se të Operës për arsye se kjo e fundit ishte e bazuar në shumë artistë diletantë që i kishte mbledhur nga gjithë qytetet e Shqipërisë dhe që kishin ngelur aty. Orkestra e Radios ishte e formuar nga studentë që kishin bërë një shkollë të rregullt. Tërë harqet kishin vazhduar Konservatorin, të tjerët ishin studentë që kishin dalë jashtë, apo që u ishin ndërprerë studimet pas prishjes së marrëdhënieve me Lindjen. Ata erdhën në Shqipëri dhe ishin një grup i madh instrumentistësh që kishin mbetur pa punë. Në atë kohë kishte edhe një grup harqesh që erdhën nga Liceu Artistik.
Na jepni një mendim të çiltër për muzikën që krijoi Gjon Simoni.
Gjoni ka qenë orkestrator shumë i mirë, ndër më të mirët në Shqipëri. Në këtë drejtim ai i ka ndihmuar shumë kompozitorët. Përshembull, ka orkestruar operën e Pjetër Gacit, ka marrë tema nga opera e Prenk Jakovës “Mrika”, dhe ka krijuar një pjesë për orkestër harqesh. Edhe në fushën e kompozicionit ka shkruar shumë dhe është munduar të shkruajë për të thënë diçka. Siç ka thënë edhe Bahu: “Kompozicioni është si me ba muhabet. Nëqofse nuk ke ça me thënë, ma mirë mos fol”. Suita e baletit “Migjeniania” dhe suita e “Mrikës” për mua hyjnë te kryeveprat.
Çfarë e dallon muzikantin e mirë?
Një violinist i mirë duhet të ketë talentin, duhet të ketë një pedagog të mirë dhe një vullnet të jashtëzakonshëm. Mungesa e njërit prej tyre sjell probleme.
Si e vlerësoni muzikën profesioniste shqiptare?
Muzika mori një hov të madh edhe gjatë periudhës së komunizmit. Praktika dhe metodat e shkollave “kopjuan” sistemin e Moskës, pedagogjia linte shumë për të dëshiruar, por sistemi ka qenë i mirë.
Kjo bëri që muzikantët të studionin shumë dhe sigurisht që nën trysninë e kërkesave të kohës, pati prurje në të gjitha zhanret. Ideologjia i ka qendruar gjithmonë mbi kokë muzikës, por mos të harrojmë që ka edhe vepra në të cilët nuk është respektuar edhe aq kjo gjë. Përshembull “Sonata” që ka krijuar Çesk Zadeja, koha e parë është shumë moderne edhe si stukturë ndërtimi.
Po sot pse nuk shkruhet aq shumë?
Është ajo që thotë Bahu: “Kur nuk ke çfarë thua, më mirë hesht”.
CD-ja
10 pjesë muzikore të mbledhura bashkë në CD-në “Albanian Composer’s”, me interpretues Stella Ng në piano dhe Augustin Cin Simonin në violinë prezantohen në muajin shtator në Radion Kanadeze CBC. CD-ja shoqërohet me një teks modest ku prezantohet jetëshkrimi i kompozitorëve shqiptarë dhe pak nga krijimtaria e tyre. Kërkesës së violinistit Cin Simoni, CBC-Radio në Kanada i është përgjigjur:
“Me kënaqësi po e shtojmë albumin “Kompozitorët shqiptarë” në koleksionin tonë dhe po e bëjmë të disponueshëm për të gjithë producentët e CBC-Radio-Kanada në të gjithë vendin”. Në këtë CD janë pjesët: “Sonatë për violinë nr.1” nga Çesk Zadeja, “Koncert për violinë dhe Orkestër, koha II” Gjon Simoni, “Baladë” dhe “Koncert për violinë dhe orkestër, koha II) Pjetër Gaci, “Romancë” dhe “Humoreska” nga Albert Paparisto dhe “Tre valle shqiptare për violinë dhe piano” nga Aleksandër Peçi.