E shtune, 09.11.2024, 04:30 AM (GMT)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Nusja e re me dy shami lidhur për brezi

E hene, 22.08.2011, 06:56 PM


NUSJA E RE ME DY SHAMI

      LIDHUR PËR BREZI

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Terr. Terr është përjashta dhomës me libra. Sonte as yjet, as hëna nuk bëjnë dritë… Lisat… Plepat… Lulet… Zogjtë… Çdo gjë po të dojë le të zgjohet nga gjumi. Po të kenë dëshirë le të hedhin edhe valle. Shamia le t’u valvitet lart në dorë.

       Lumi. Hë, lumi mund të bëjë kësaj nate gjithçka, ku ta dijë Shkrimtari?... E nesër katundarët e tij të urtë, kur të zgjohen nga arat e vërshuara, do të ikin nga sytë këmbët. Ndodh t’i lënë arat e papunuara, mos të kthehen kurrë më në shtëpi. Fëmijët më kot do t’i presin gjyshet për përralla. Vajzat e bukura pas Romeut do të çmenden dhe për inat të tij do të çojnë dashuri me kalimtarin e parë që do ta takojnë në rrugë, duke u mbajtur me pak shpirt pas shtyllave të telefonit. Sa për Shkrimtarin fundi-fundit, dhashtë e mbara, e takofshin në një kasollë me kashtë. Edhe ju, lexues të nderuar, le t’ju gjejë një mrekulli e këtillë në mesin e luleve…

       Nusja e re me dy shami lidhur për brezi. Nusja e re me dy shami lidhur për brezi, që shtrati i burrave të huaj i duket parajsë, e gostit me gjinjtë e saj të etshëm edhe Rrufjanin. Mos u habit o lexues i nderuar e i urtë, kur gruaja jote besnike një ditë do të rrokulliset nëpër kashtë. Më kot Hoxhë Efendiu nga minarja e xhamisë i vështron me bisht të syrit gjithë këto mrekullira dhe na i kripë gratë me hajmali për t’ua larguar magjitë. Lugati i Koçajve prapë e bën atë të veten duke na i rrokullisur nuset natën…

Shkrimtari. Ç’të bëjë kësaj nate Shkrimtari me të gjitha këto lloj-lloj fytyrash të tmerrshme që vijnë e i zgërdhihen prapa xhamave. Çka? Mendoni se është i çmendur? Ose Tollosuni i ka rënë me tokmak në kokë? Apo i kanë bërë magji? Sa për magji, që sot hiqnje këtë mendësh! Mos i mundoni kot trutë! Nëna vetë i ka thënë se nuk e zënë magjitë. Biro, nuk lash hoxhë te i cili nuk bëra hajmali të më kthehesh në shtëpi. Çudi! Ti nuk u ktheve edhe sot e kësaj dite. Edhe hoxhallarët më kanë bindur më se ty nuk të zënë hajmalitë. E sa për Tollosunin nuk jam e sigurt të them asnjë fjalë… Ndodh, vërtet, të të ketë rënë me tokmak në kokë. E gjora nënë! Po të jetë puna te magjitë e Tollosuni, atëherë lutni të gjithë hoxhallarët e botës le të bëjnë hajmali që të shërohet Shkrimtari, bashkë me njerëzit nga sëmundja e rëndë që i ka vënë në shtrat. S’ka shpëtim, ë? Jo. Jo, nuk mund të na shpëtojnë as hoxhallarët, as hajmalitë. Ju mund të shëroheni vetë, tha një hije prapa xhamave të dritares. Kur’ani thotë: kur prishen njerëzit, bëhet Kiameti. Dritareve matanë gardhit dëgjoi një krrau-krrau në terr. Vrapoi. E hapi dritaren. Hija ikte. Ikte. E thirri. Deshi ta pyes diç, por ajo nuk u kthye nëpër natë. Ruajna Zot nga të këqijat që ua dëgjoj hapat!...

       Ora dy pasmesnate. Vonë. Secili fle në gji të natës. Po, Shkrimtari? Edhe Shkrimtari. Pse, a s’është kjo natë me barrë? Të tjerët tekefundit i lënë rehat të flejnë librat. E Shkrimtarin librat e mbajnë gjithë natën e lume zgjuar si lugat. Hesht! Ja, lehin qentë. Budallatë. Po këta pse s’flenë me këmbët nën bark? Mos edhe këta shohin ëndrra si Shkrimtari i zgjuar mbi libra? Ujkun në mesin e qëngjave. Dhelprën duke i mashtruar pulat. Lopën duke e thithur Bolla me flokë… Mjaft më! Pushoni! Kësaj nate Shkrimtari do t’ia dëgjojë të rrahurat e zemrës. Mjaft më ju dëgjoi në dhomë, në rrugë, në shtëpi… Çka? S’doni, ë? Mosni se i dhemb koka, i përzihen trutë. Prapë, ë? Nani, naani, naaani!...

       Xhamat e dritareve nga grushti i fortë u bënë copë e grimë. Duart iu skuqën nga gjaku. Hi-hii-hiii… Ku mbetët? Dilni në fushën e mejdanit t’i provojmë forcat ballë për ballë! Pse fshiheni në terr, he qenë? Mendoni se gjaku i Shkrimtarit është ujë? Kopilat. Ju vraftë heshtja e kësaj nate!...

       Nata. Çka? Nata de. Hë? E për të satën herë duhet të ju thotë Shkrimtari se po e merr gjumi? Tani edhe dritaret i ka pa xhama. Mund të vijë të flejë me të kush të dojë gjithë natën. Por, një gjë ju lutet, mos thoni nesër se kopilat i keni me të, pse i shteri herdhet në errësirë. Ose, t’ia flukni kopilat pas dere. Për çdo gjë fajtore është nata. Edhe për pagjumësinë, edhe për duart e tija, edhe për kopilat…

       RRUFJANI. Si, ai Rrufjani para se të agojë dita mund të vijë të bisedojë me mua autorin e këtij libri? Sa trim që shitet në rrugë, para njerëzve! Nëse vjenë do ta lus të më tregojë çka di ai për Kiametin? Me ndihmën e tij mund ta shkruaj më së lehti këtë libër. Ndërsa, atë do ta marr si personazh kryesor e të ecën nëpër rreshta. Gati jam. Ja, lapsin. Ja, fletoren. Pres të vijë Rrufjani. Edhe një orë del drita. Desha e s’desha më mori gjumi. Prapë Rrufjani. Erdhi Rrufjani me kësulë në kokë. Gazetën e kishte në dorë. Uh, sa u frikësova! Njëherit aty për aty nuk m’u kujtua ajo fytyrë. E pyeta nga është? Kur më tha nga varret, përpak desh ika si i marrë nëpër natë. Ndalu, e urdhërova veten! Po, ky është ai Rrufjani me të cilin do ta shkruash librin. E hapa fletoren dhe i thash: - Urdhëroni, shoku Rrufjan! Ai hyri. Kush? Paj Rrufjani, de. Mirë. Po, ku e di ti se ajo hije që erdhi në dritare ishte Rrufjani? U njoftuam. Me Rrufjanin?! Po. E kush është Rrufjani? Hija e Lugatit të Koçajve me shokë…

       Lufta. Lufta është Kiameti, që e përmend nëpër faqe Kur’ani. Ujqërit i heqin zvarrë kufomat e njerëzve. Ajri çon dashuri me barotin. Toka mezi na mbanë në shpinë me gjithë këto mëkate. Hënën e mbështjellin në grusht mjegullat… Diellit këmbë e duar ia lidh nata… Lirinë e mbyll në burg hija e Lugatit të Koçajve me shokë… Po hoxhallarët çka bëjnë gjithë ditën, gjithë natën? Pse nuk u bëjnë hajmali gjithë këtyre marrëzirave të njerëzve? Mos vallë edhe ata ecin pas hijes së Lugatit të Koçajve?!...

       Pas çdo Kiameti, kur përmbytet bota, krejtë marrëzitë, Zoti me të madhin e vet e bën nga balta Adamin. Pastaj Evën. Ata përsëri lindin kopila që të bëjnë marrëzira dhe prapë ta shkatërrojnë botën. Ta thërrasin Kiametin. Kështu thotë Ku’rani. Shpëtona, o Zot, nga Kiameti! Hija e Lugatit të Koçajve me shokë!... Rrufjani…



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora