E premte, 06.12.2024, 09:52 AM (GMT)

Kulturë

Ndue Dedaj: Libromania, një patologji e sotme shqiptare

E diele, 21.08.2011, 01:53 PM


Libromania, një patologji e sotme shqiptare

 

Nga Ndue Dedaj

 

1. Dhjetë vjet më parë pata botuar shkrimin e natyrës polemike “Libromania, epidemia e shkrimanëve”, që mbartte shqetësimin qytetar, social dhe intelektual se çfarë po i lëçisnim lexuesit? Një tollovi letrare, studimore, pa një kandar. Ndërkohë që në shtëpinë e motrës së vuajtur të Dom Nikollë Mazrekut (alias Nikë Barcolla) në Shkodër prisnin një turrë dorëshkrimesh që askush nuk ua ngjiste dorën për t’i publikuar. Bile as sot e kësaj dite, ku pos nja dy poemave që pati botuar prej tij At Zef Pllumi, të tjerat janë si atëherë në sirtar. Vetëm vepra “Me flamujt e Kastriotëve” në tre vëllime ngërthen 1500 faqe dorëshkrim. Sikur veç për stilin dhe sqimën e të shkruarit të publikohej do të ishte me interes. Por jo! Nuk është koha e autorëve të tillë seriozë, që koha i rrëzoi si ata lisat e mëdhenj rrufeja, por e shkrimanëve pa fre, që e kanë kthyer librin në një teknologji, që sipas tyre do t’u sjellë emër, lavdi dhe përjetësi(!) Nëse në shkrimin e para dhjetë viteve libromania trajtohej si shkrimanì, autorësi e pretenduar, por e pamundur dhe rrjedhimisht e paqenë, kësaj here meraku është dhe më i madh, pasi kjo lloj “krijimtarie” po sulmon me të gjitha mënyrat që të institucionalizohet, duke synuar të bëhet pjesë integrale e kulturës shqiptare. Pra nuk është diçka që mund të kalohet me të qeshur, “hajt more lëri grafomanët të bëjnë qejfin e tyre, se dihet sa vlejnë”.

 

Ka qenë zakon që autorët e dobët të etiketoheshin “mediokër” dhe kaq ishte e mjaftueshme që ata të refuzoheshin, ose të lexoheshin pa shumë pretendime, pasi çdo të presësh nga mesatarizmi në art, kur lexuesi o aty o askund kërkon elitaren. Por tashmë autorë librash janë bërë të gjithë, prej 10 në 90 vjeç, para se të jenë lexues!? Duket se askush nuk bën gjë tjetër, por merr lapsin e shkruan libra, si në kohën para “Don Kishotit”. Në të vërtetë qysh se pati dalë në log kalorësi i fytyrës së vrerosur me shpatën thyer me mullinjtë e erës, dhe më aventurierët për të mbetur përmes shkrimtarisë, iu kthyen punëve të veta të dobishme, të cilat dinin t’i bënin për bukuri dhe ajo sadopak lavdi, aty në ara e vreshta, ishte e mirëqenë dhe jo e rrejshme. Që këta kinse autorë kërkojnë të bëjnë vend dukshëm në atë që quhet hierarkia e letrave, kjo shihet në promovimet butaforike që u bëjnë “veprave” të tyre, ku lehtësisht u lëshohen salla entesh shtetërore, bibliotekash, pallatesh kulture etj., e ku miqësisht e si pafajësisht gjendet në ato auditorë dhe ndonjë emër i njohur, që thotë dy a tri fjalë vlerësuese për “autorin e admirueshëm”, ku ky i fundit si rregull shtron dhe një koktej a drekë me fruta deti a zogj mali. Ja, kështu ujdisen punët e “letrave” të letrarëve dhe studimtarëve të orëve të vona në këtë vend, teksa rrallë kemi parë të promovojnë vepra, autorë të shquar, qoftë dhe Kasem Trebeshina e Mehmet Myftiu, që qenë ndaluar për gjysmëshekulli. Dikur mediokrit i kultivonte sistemi monist, për të pasur shkrimtarë e “doktorë shkencash” në çdo rreth, ashtu si dhe “heronj të popullit” e “heronj të punës socialiste”. Shkrimtarë punëtorë. Shkrimtarë ushtarakë. Shkrimtarë bujqësorë etj. Kurse tani i stimulon mungesa e një site vlerash krijuese dhe shpërdorimi i lirisë së fjalës prej etheve të megalomanisë.

 

2. Po aq përgjegjës sa grafomanët, në mos më shumë, janë dhe ata që i presin e përcjellin botime të tilla pa kurrfarë fryti brenda, redaktorë e recensentë (jo pak të vetëshpallur), studiues e shkrimtarë, që pranojnë ta vënë emrin në libra të tillë, duke i thënë lexuesit “garanti jam unë”. Një gazetë periferike ditë më parë botonte: “Analizë e veprës së shkrimtarit... (inicialet)”, ndërkohë që ky “shkrimtari” ishte një pensionist që kurrë më parë nuk i kishte shkuar mendja të shkruante, por tash i ishte vardisur aq fort kësaj gjëje, që ta bënte sa më shpejt kolanën e veprave të tij të (pa)zgjedhura. Kishte qenë kuadër, punëtor i vyer i regjimit të djeshëm, por i kishte mbetur dhe një gjë pa bërë... të qenët shkrimtar! Autorë të tillë kanë ardhur duke i shtuar “detyrimet” ndaj vendlindjes, nuk u mjaftojnë më kujtimet e shënimet autobiografike, por po hartojnë libra për fshatin, zonën, krahinën. Mësuesit dhe ish-ushtarakët duket se janë ndër shkrimanët më të zellshëm të kësaj kohe. I janë bashkuar kësaj armate dhe disa letrarë modestë që pas nëntëdhjetës nuk munden të bënin asgjë si të tillë, por që tani shkruajnë libra për komshinjtë e dalluar të pallatit e lagjes. Nuk ka mbetur ish-zyrtar, kryetar, drejtor, shef pa iu “kënduar kënga”, siç thotë populli, domethënë pa iu bërë monografia, ndërkohë që ende nuk dimë të ketë monografi për Princ Vidin, Ahmet Zogun, Sulejman Delvinën, Spiro Moisiun, Sejfulla Malëshovën, Nako Spiron, Pjetër Arbnorin etj.

 

Elita krijuese dhe studimore e vendit nuk mund të thotë se nuk ka asgjë në dorë për ta ndaluar ketë flamë kulturore, që ndot krejt mjedisin shkrimor të një populli. Ti si botues, edhe pse bën biznes, mund të mos e pranosh një libër të dyshimtë për nga vlerat artistike, që vetëm vargëzon rëndom e ku në pesë mijë vargje nuk xixëllon qoftë dhe një metaforë. Tipari kryesor i kësaj kategorie është se ata nuk lexojnë asgjë nga letërsia, vetëm kur duan të ndërtojnë ndonjë plagjiaturë, ashtu si një varg “studiuesish” kësodore që nuk dinë të lexojnë në dokumentet arkivore, por thjesht mbartin referencat nga librat e autorëve të njohur në librushkat e tyre minore. Kështu një ish-mësues, që nuk kishte shkëlqyer në zanatin e tij, ishte bindur në talentin e vet letrar kur ishte bërë 65 vjeç dhe pushimet në Itali te fëmijët i kalonte duke vargëzuar për katundin, farefisin, të njohurit dhe fëmijërinë... Hajt se po ia bëjmë babës qejfin se është i vjetër, njëherë e dy, kishin thënë në fillim të bijtë, por kur kishin parë se baba “shkrimtar” nuk e kishte ndërmend të ndalej, u shtrënguan t’i thoshin si me takt, se mund ta qiste ndonjë aso librash në të rrallë, por jo aq dendur, se nuk kishte parà. Janë bijtë e emigracionit që paguajnë faturat e shtypshkronjave të etërve “plangprishës” që kanë zënë të argëtohen në një mënyrë vërtet të çuditshme, për libërshkruarjen. Një komedi e dhimbshme kulturore, sociale, pse jo dhe kombëtare. Kur sheh këto soj botimesh thua: sikur të kishin “tepruar” ca lekë për ato dorëshkrimet e Dom Nikollë Mazrekut e shumë të tjerëve si ai.

 

Dihet se koha bën seleksionin e saj, mbetet ajo që është vlerë, kurse ajo që nuk është e tillë shkërmoqet dhe autorit i rroftë fotografia në kapakun e librit, që askush nuk ia hedh sytë. Në letërsi dhe në art nuk ka kuptim perifrazimi: “shkruaj, shkruaj se diçka do të mbetet”, “nga sasia vjen cilësia” e të tjera parime doktrinare të realizmit socialist. Ka veçse një ligjësi universale në këtë lëmë, mbetët ajo që është esencialisht cilësore, e krijuar prej autorësh esencialisht të talentuar. Por kjo është një gjë që e dinë profesionistët, zotërit e penës dhe jo ata që shtiren si të tillë.

 

3. Edhe nëse këtë soj shkrimtarie do të donim ta përligjnim sadopak me lirinë e krijimit e të tjera slogane “demokratike”, pra edhe nëse do ta anashkalonim me pa të drejtë Konicën, që na ka lënë amanetin shekullor “kur nuk keni gjë për të thënë, mos e hapni gojën”, si t’ia bëjmë kur kjo grafomani u është sulur shkollave? Autorë të vetëshpallur, me çanta të rënda në duar, trokasin në dyert e komunave dhe zyrave arsimore në rrethe për t’ua shitur mallin e tyre bibliotekave shkollore e publike. Kështu, këta libra pa sens, në një mënyrë apo në një tjetër, i gjen nëpër klasa mbi tryezën e nxënësve, kinse tekste për vendlindjen, matematikën (ushtrime, teste) etj., që depërtojnë në mjediset shkollore duke krijuar një gjendje artificiale të librit. Edhe pse pragu i shkollës është i shenjtë dhe organet e arsimit e kanë për detyrë t’i ndalojnë grafomanët t’i afrohen dijes. Është dhe paaftësia e drejtuesve kësodore që i qasin këta anonimë, që kanë ardhur të bëjnë karrierë në “shkrimtarì” dhe “ekonomi tregu” përmes sajesave të tyre në formë tekstesh. Ka drejtorë shkollash që lejojnë shitjen e librave “rifuxho” gjimnazistëve apo nxënësve të shkollës 9-vjeçare, ashtu si kryetarë bashkish apo drejtues të tjerë lokalë që marrin pjesë në promovime librash që nuk thonë asgjë. Puna është se nuk ka më biblioteka serioze, por një “sallatë” botimesh, njëlloj si ai lëmi i paseleksionuar i fshatit. Por nëse atëherë për ta veçuar kallinjtë e krimbur të misrit nga të tjerët viheshin punëtorë, sot lexuesi i gjerë gjendet i hutuar, nuk përzgjedh dot dhe ka rrezik ta braktisë librin, të krijojë ftohje me të.

 

Por nëse e gjitha kjo mund të quhet puna me librin “në të zezë”, që nuk del dot nga amatorizmi, si i bëhet kur vetë shteti dashur padashur bëhet pjesëmarrës në një gjullurdi të tillë. Kohë më parë, shoqata e librit “Shqip” ngriti me mjaft shqetësim faktin se zyrat dhe drejtoritë arsimore, me paratë e buxhetit e shtetit të vëna në dispozicion nga MASH për pasurimin e bibliotekave të shkollave, porosisin libra autorësh mediokër nga shtëpi botuese jo kryesore. Sipas tyre, lista e librave që është hartuar nga kjo ministri ka mungesa të theksuara autorësh të njohur dhe njëherësh ka libra autorësh mediokër që as në kohën e diktaturës nuk përfilleshin. Siç mund të shihet, problemi i libromanisë është më të vërtet kompleks dhe i duhet prerë çdo rrugë që ajo të mos depërtojë zyrtarisht në shkolla, biblioteka, por të hijeshojë vetëm sëndukun e sendeve vetjake të autorit. Kultura shqiptare dhe sot e kësaj dite nuk është pastruar nga tekstet e këngëve të bëra nga përgjegjësit e vatrave të kulturës në fshatra, për të cilat Kadare e kishte ngritur zërin qysh para 30 vjetësh, pasi i kishin zënë vendin Eposit të Kreshnikëve në tekstet shkollore. Ata ishin grafomanë që i interesonin propagandës t’i bënte “poetë”, këta të sotmit janë grafomanë vullnetarë, por porsa i përket kulturës shqiptare, njëlloj të rrezikshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora