E marte, 04.08.2020, 10:17 AM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Në Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve kujtojmë mbrojtësin dhe përkrahësin e refugjatëve shqiptarë - Dom Prenk Ndrevashaj

E enjte, 23.06.2011, 08:05 PM


NË DITËN NDËRKOMBËTARE TË REFUGJATËVE KUJTOJMË

MBROJTSIN DHE PËRKRAHSIN E REFUGJATËVE SHQIPTARË - DOM PRENK NDREVASHAJ

 

Nga Frank Shkreli

 

20 Qershori është data që Kombet e Bashkuara festojnë Ditën Ndërkombëtare të Refugjatëve dhe në të njëjten kohë, këte vit, kjo datë shënon edhe fillimin e celebrimeve të themelimit të 60-vjetorit të Entit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (UNHCR), që kujdeset për refugjatët anë  e mbanë botës. Këjo ditë shënohet në shumë vende për të mësuar më shumë në lidhje me fatin e refugjatëve neë të gjitha kontinentet, si edhe për të kujtuar dhe për të falenderuar personat dhe organizatat që nuk kursejnë asgjë për të ndihmuar refugjatët e shpërngulur nga shtëpitë e tyre dhe  shpesh të detyruar për arsye politike, ideologjike, etnike e tjera, të largohen nga vendet e tyre, ku kanë jetuar brez pas brezi.  Pasi ky vit shënon 60-vjetorin e krijimit të UNHCR, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Zoti Ban Ki- moon u shpreh me këte rast se "Askush nuk dëshiron të behet refugjat. As një njeri nuk duhet të  vuaj një poshtërim dhe një provë të tillë të rëndë.  Bile edhe një refugjat i vetëm që detyrohet të largohet nga vendlindja kundër vullnetit te tij, është i tepërt dhe nuk duhet të lejohet të ndodhë", tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara.

 

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore solli lëvizjet më të mëdha  të njerëzve anë e mbanë kontinentit evropian.  Vendosja e regjimeve komuniste në cdo vend të Evropës Lindore shkaktoi një valë të madhe refugjatësh anë e mbanë kontinentit.  Qindra mijëra refugjatë evropiano-lindorë, duke përfshirë edhe shqiptarë nga të gjitha trojet në Ballkan, u larguan nga vendlindja, nga frika se regjimet komuniste do hakmerreshin kundër tyre, frikë këjo qe tani e dimë se ishte krejtesisht e justifikueshme, pasi regjimet komuniste, në rëndin e parë të ditës, kishin elimiminim e atyre që i konsideronin si armiq kundershtarët politikë. Shumica e këtyre refugjatëve të shpërngulur detyrimisht, dëshironin të shkonin e të vendoseshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Një valë të re refugjatësh në Evropë gjatë shekullit të kaluar, shkaktoi ndërhyrja brutale ushtarake sovjetike që shtypi revolucionin hungarez më 1956 dhe më vonë okupimi sovjetik i Cekosllovakisë me 1968,  gjithashtu përfundoi në një numër te madh refugjatesh cekosllovake e te kombeve te tjera, te cilet moren rrugen per ne Perendim. Numerit të madh refugjatëve që silleshin nepër kampe të ndryshme, sidomos në Itali, pa shpresë e pa përspektivë, që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe si rrjedhim i ndërhyrjeve ushtarake sovjetike në Hungari, Gjermaninë Lindore dhe në Cekosllovaki, u shtuan refugjatët shqiptare nga trojet shqiptare në Ballkan, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi.  Pas demonstratave të shqiptarëve në Kosovë me 1968, kundër politikes së egër e brutale anti-shqiptare të regjimit jugosllav, gjatë të cilave ata bënë thirrje për të drejta dhe për trajtim të barabartë me popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë, Beogradi zbatoi masa të egëra me burgime e tortura barbare kundër shqiptarëve anë e mbanë Kosovës dhe trojeve të tjera në ish-Jugosllavi, duke përhapur panik dhe në këte mënyrë duke detyruar largimin e mijëra shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore.  Shumica e tyre, nga njëherë familje të tëra, me dokumenta udhëtimi e shumë të tjerë pa asnjë dokument, i drejtohen Perëndimit, duke u arratisur në Itali dhe në disa vende të tjera perëndimore, si Zvicra, Austria e Gjermania, për të kërkuar strehim e mundësisht një jetë më të mirë për veten dhe familjen.  

 

Nga fundi i 60-ave dhe fillimi i 70-ave, numëri i refugjatëve shqiptarë sa vinte e shtohej në kampet e Italisë. Ishte bërë një problem për autoritetet lokale dhe jeta e vështirë dhe e pa përspektivë e refugjatëve shqiptare tërhoqi shpejt vëmendjen e Vatikanit dhe të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për refugjatë në Gjenevë. Refugjatët shqiptarë kishin nevojë për mbrojtje ndërkombëtare dhe nevojitej një bashkrendues dhe ndërmjetesues midis komunitetit të refugjatëve shqiptarë dhe enteve ndërkombëtare që merreshin me refugjatët. Me marrëveshje midis Vatikanit dhe Zyrës së OKB-es për Refugjatët në Gjenevë, caktohet prifti Dom Prenk Ndrevashaj si personi që do të ndihmonte bashkatdhetarët e tij refugjatë të krijonin një jetë të re larg atdheut, e përtej oqeanit, në Amerikën e largët.

 

Kush ishte Dom Prenk Ndrevashaj? Ky emër është shumë i njohur në diasporën shqiptare, sidomos në radhët e mijëra shqiptarëve të vendosur në Shtetet e Bashkuara, por edhe midis shqiptarëve të emigruar në Evropë e Australi gjatë 60-ave dhe 70-ave. Por sidoqoftë, lexuesi nevojitë një portret të shkurtër të këtij burri e fetari, i cili nuk kurseu asgjë për të ndihmuar bashkatadhetarët e vet të përhapur nepër botë, pa marrë parasyshë se nga cila krahinë vinin ose cilës fe i përkisnin.  I lindur në Brash të Dukagjinit, Dom Prenka kryen mësimet e para nën kujdesin e priftit të njohur gjerman Alfred Stracki, i cili që vrarë nga komunistët pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa mësimet e mesme i ndoqi në seminarin e Jezuitëve në Shkodër.  Me ardhjen e komunistëve në fuqi në Shqipëri, ai si dhe të gjitheë klerikët e tjerë shqiptarë, pëson arrestim, vuajtje e tortura.  Kapet në një kishë që banorët e Tiranës e quanin "Kisha e Anton Harapit" dhe të lidhur neë pranga e dergojnë me kamion në Shkodër me qellim për ta vrarë rrugës. Hidhet nga kamioni dhe shpëton.  Ikën nga Shqipëria dhe vendoset në Guci ku ndihmoi në hapjen e shkollës së parë shqipe në ato treva shqiptare.  As aty nuk gjenë paqë dhe nga presionet sllavo-malazeze detyrohet, që me nënën dhe motrën e tij, të largohej së andejmi dhe arratiset në Rome të Italisë ku vazhdon studimet e larta në filozofi e teologji dhe në vitin 1961 shugurohet meshtar. Nga gjysma e 1970-ave ai emigron në Shtetet e Bashkuara, ku në vitin 1976 themelon Kishën Zoja Pajtore Shqiptare në Detroit duke u shërbyer, deri sa doli në pension bashkatdhetarëve të tij - atyre bashkatdhetarëve refugjatë, që i mblodhi nga të gjitha anët e Italisë dhe për të cilët bëri c'mos duke mos kursyer "mund as djersë", që ata të mos merreshin më nepërkembë nga askush, duke u mundësuar atyre që të vendoseshin në një vend të lirë, në Shtetet e bashkuara të Amerikes, ku jeta e tyre më në fund do të gjente paqë e rahati.  Dom Prenka ndërroi jetë në Shkodër me 1 tetor 2004 në moshën 76-vjecare.  Ai ishte këthyer në atdheun e tij, që e donte aq shumë pas një mërgimi të gjatë.

 

Edhe unë isha njëri prej këtyre mijëra të arratisurve  refugjate shqiptarë që kalova ilegalisht kufirin jugosllavo-italian në dimërin e vitit 1969, dhe jam i bindur se pa ndihmën dhe përkrahjen e Dom Prenk Ndrevashajt në atë kohë, fati i im, si edhe i mijëra të tjerëve, do të ishte mundësisht shumë i keq, pasi qeverisë italiane i bëhej presion në atë kohë për të kethyer refugjatët në vendet nga vinin, pasi "nuk kishte më shtypje e keqtrajtime", dhe se pothuaj të gjithe ishin "emigrantë ekonomikë" dhe jo "politikë."  Dom Prenka, që jetonte në Rome, dhe e dinte mire realitetin politik në rajon, ishte zyrtari përfaqsues i caktuar nga Vatikani me pëlqimin e Organizatës së OKB-es për refugjatët (UNHCR), që t'i regjistronte,  të kujdesej dhe të mbronte interesat e refugjatëve shqiptarë, të cilët ishin shpërndarë nepër kampe anë e mbanë Italisë, me qellim që t'i përgatiste ata për emigrim, kryesisht në Shtetet e Bashkuara, por edhe në vende të tjera, që në atë kohë i pranonin shqiptarët, sic ishte Australia, megjithse preferenca e të gjithë shqitarëve ishte të vendoseshin në Amerikë.  Ai punoi ditë e natë për të siguruar që pothuaj 15.000 emigrantë shqiptarë të arratisur nga të gjitha trojet shqiptare, gjatë asaj periudhe, të gjenin strehim në vendin ku dëshironin të vendoseshin, duke zbatuar kështu misjonin humanitar që ai i kishte caktuar vetes dhe për të cilin e kishte berë përgjegjës Kisha që ai i shërbente si edhe organizata e OKB-es për refugjatët.  Dom Prenka bënte të mundur praktikimin dhe zbatimin e dhënjes së strehimit politik bashkatdhetarëve të përsekutuar nga sllavo-komunizmi që kishte kapluar trojet tona.  Ishte ky një mandat i entit të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, (UNHCR), që sipas Konventës për Refugjatët, në bazë të cilës u themelua (UNHCR) me 1951, "refugjat është ai i cili ka frikë të besueshme se do të persekutohet për arsye race, feje, kombësie, antarësimi në ndonjë grup shoqëror ose për opinionin e tij politik, e i cili gjëndet jashtë kufijve të vendit të kombesise së tij, dhe i cili, për arsye të kesaj frike nuk deëshiron dhe nuk kërkon mbrojtjen e tij nga ai vend."

 

Dom Prenk Ndrevashaj ishte një mbrojtës dhe përkrahes entuziast i refugjateve shqiptarë, i cili ndihmoi mijera shqiptarë dhe familjet e tyre të shpëtonin jetën, të ruanin lirinë dhe të përmirësonin të ardhmen e tyre, pasi ata - jo vetëm që nuk kishin përkrahjen e shtetit të tyre, por në të vertetë, ishte vet shteti që kërcënonte jetën dhe lirinë e tyre. 

 

Anë e mbanë botës, 60-vjetori i themelimit te UNHCR po festohet - nga qeveri dhe organizata jo-qeveritare - me ceremoni të ndryshme duke përfshirë shfaqje kulturore me koncerte dhe po kujtohen e nderohen organizatat kombëtare e ndërkombëtare si edhe personat që kane luajtur një rol të rëndësishem duke ndihmuar refugjatët e arratisur nga persekutimet në vendin e tyre, të rifillonin një jetë të re, më të dënjë për veten dhe për familjet e tyre. Nuk jam në dijeni nëse Shqipëria ose Kosova do t'u bashkohen vendeve te tjera te botes ose nëse kanë ndonjë plan të shënojnë 60-vjetorin e themelimit të organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, por nëqoftse do të bënin një gjë të tillë, roli humanitar i Dom Prenk Ndrevashaj në shërbim të refugjatëve shqiptarë duhet të zente vendin e merituar.  Dom Prenk Ndrevashaj, falë dhimbjes dhe dashurisë që kishte për bashkombasit e tij të vuajtur rrugëve të botës, meriton në 60-vjetorin e UNHCR, si asnjë person tjetër, mirënjohjen dhe falenderimet e kombit dhe vecanërisht të mijëra ish-refugjatëve shqiptarë, të cilët ai i ka ndihmuar, shpesh me vuajtje e sakrifica personale, e nganjëherë dhe me sharje, që të vendosen e të fillojnë një jetë të re në botën perëndimore, ne radhë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

 

I dashur Dom Prenk - unë si një ish-refugjat shqiptar - falenderoj UNHCR-in në 60-vjetorin e saj për ndihmen e dhenë - dhe të falenderoj nga zemra për të gjitha ato që ke berë për mua gjatë qendrimit tim në kampet e Italisë dhe për mundësinë e hapjes së rrugës dhe me në fund  të vendosjes time dhe të familjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikes, ku kemi gjetur realizimin e plotë të aspiratave tona.  Dhe në të njëjtën kohë, dua të falenderoj për frymëzimin që na dhe ne të rinjve në atë kohë, peër një paqë e bashkim të shqiptarëve, pa dallim feje a krahine, kudo që ndodheshim në botë. Megjithëse në rrethana jo normale të jetës së vështirë nepër kampe refugjatësh, edhe aty, Ti na porosite me ruajtë krenarinë e emërit të fisit tonë shqiptar, si edhe vetitë e traditat e shënjta të stërgjyshëve tanë me shpresen se e ardhmja e kombit shqiptar do të jetë më e mirë dhe më e mbarë se e kaluara.  (Të falenderoj gjithashtu edhe për Lahutën e Malësisë teë Patër Gjergj Fishtës, që ma dorëzove në vizitën e parë në zyren tende në dimër të vitit 1969 -e  të cilën, megjithse e vjetëruar, e ruaj ende si sytë e ballit - falë frymëzimeve dhe ideve të fuqishme të asaj vepre madhështore.)



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora