E premte, 26.04.2024, 01:30 PM (GMT+1)

Kulturë

Luan Çipi: Dashuri e ndërprerë (II)

E merkure, 22.06.2011, 07:08 PM


DASHURI E NDËRPRERË

 

TREGIM NGA LUAN ÇIPI

 

PJESA E DYTE

 

Të nesërmen, në pasdite rreth orës 18.00, siç e kishim lënë me Kolën, u takuam te Furra e Pjekjes së Poçeve. Ndërkohë furin e gjetëm gati, të mbushur brenda me gjithfarë poçesh të thara mirë në ajër dhe pjesërisht të smaltuara.

I hodha një sy shpejt e shpejt : Furra e Poçeve nga brenda ishte si një sferë e madhe me diametër rreth tre metër, me një ndarje në planin horizontal me tulla me bira, pikërisht si dy gjysmësfere të barabarta me bazë të përbashkët. Në të dy pjesët, lart e poshtë, kishte nga një derë të hapur. Në gjysmë sferën e sipërme nga baza deri te qemeri ishin radhitur poçet e papjekura. Dera e sipërme, që ishte rreth një metër e lart dhe po kaq e gjerë, u bllokua krejt me tulla e baltë, duke lënë vetëm një oxhak të ngushtë, sa për kalimin e tymit, si dhe për të kontrolluar temperaturën.

Zjarrin e ndezëm me shkarpa dhe mbeturina dërrasash. Herë pas here, sipas nevojës, shtonim dru zjarri. Pasi kryem këto punë na ngelej vetëm kontrolli dhe sigurimi i temperaturës së përshtatshme, (që e kontrollonim nga termoçifti). Kjo arrihej nëpërmjet shtimit apo pakësimit të intensitetit të zjarrit.

-Tani, punën e vumë në terezi, tha Kola. Është koha të pushojmë pak, të lajmë duart, të hamë darkë dhe të bisedojmë. Pamë orën dhe u çuditem kur kishte shkuar  mesnatë. Ishte një errësirë e plot. Natë dimri e ftohtë. Qielli pa hënë ishte mbushur me yje që rrezatonin shkëlqim. Ne u ulëm afër grykës së furrës dhe në të ftohtin që na pllakosi, po ndjenim lezetin e ngrohtësisë së zjarrit bubulak. Afruam dy stola druri  dhe një si tavolinë të vogël, të sajuar me ca arka druri bosh.

Kola nga trasta e vet nxori një bukë misri, e çau në mes me thikë, e ndau në katër pjesë dhe e vendosi në këmbë, afër prushit që të thekej. Nxorëm djathë, vezë të ziera, një rrotë sallami, prodhuar me cilësi të lartë nga i famshmi Koço Lloci, ca ullinj Narte, që sa i kishte zënë kripa, një shishe raki rrushi ballë kazani dhe dy gota të vogla, që i kishim marrë enkas me vete.

Duke ngrënë e nisëm bisedën për problemet e punës e më pas u futëm në hallet shoqërore e familjare.

Ashtu, krejt natyrshëm, Kola nisi të tregojë për jetën e tij: Poçar, brez pas brezi... Origjinën e hershme e kishin nga Myzeqeja e Vlorës. Ajo zonë, tregonte Kola, sidomos fshati Poro ka argjilë fort, me përbërje mineralogjike optimale, të përshtatshme për qeramikë. Kola mburrej për gjyshin e vet që, siç thoshte ai, ishte poçari më i dëgjuar në krahinë. Plaku arriti, në moshën e tij, të bënte qypa balte të stërmëdha për agallarët dhe bejlerët e Vlorës dhe të Beratit.  Ato ishin hambarë të vërtetë për nga madhësia, të fortë si guri dhe të sigurt për të kripur ullinj dhe për të depozituar mushtin dhe verën “Vlosh”, që parapëlqehej në të gjithë Ballkanet e deri në Raguzë e Veneti.

-Ne, tha Kola, tradicionalisht kemi qenë profesionistë të mirë, por ishim dhe ortodoksë tepër fanatikë në rregullat dhe dogmat fetare. E them këtë, se këtu gjendet edhe zanafilla e fatkeqësisë dhe e brengës sime.

Kështu, ca e nga ca, duke ngrënë e duke pirë, Kola, si pa dashur, doli shpejt te tema e tij e parapëlqyer, te shqetësimi i vetëm dhe i vazhdueshëm, që i ziente orë e çast përbrenda dhe që po gjente rastin e volitshëm ta nxirrte, sadopak, jashtë vetes e ta ndante me një shok qe e vlerësonte se edhe e dëgjonte me durim, e ndihmonte në punë e në jetë dhe, me këtë rast e nderonte me praninë e tij, në atë natë dimri të mërzitshme e të pafund.

-Më duket se pikërisht ky fanatizëm dhe paragjykim i vjetër fetar, përsëriti Kola, ishte shkaku fillestar që unë e humba të dashurën time të zemrës… Ajo ishte myslimane dhe nëna ime, bijë prifti ortodoks, nuk e honepste fare atë dhe asnjëherë nuk ngeli dakord me zgjedhjen e zemrës sime… Ajo kundërshtoi ta fuste në shtëpinë e prindërve tanë dhe unë, siç do të ta shpjegoj, u detyrova të strehohem gjetiu, larg familjes, të afërmve të mi, që i kisha rreth e rrotull, njerëzve dashamirës, miq të vjetër të lagjes dhe të të njohurve për rreth. Si të thuash, e lashë atë të vetme, në gojën e ujkut… Ajo, ç’është e vërteta, meqë kish mbaruar me nota të mira shkollën e mesme teknike, u punësua menjëherë në Ofiçinën Mekanike të Fabrikës së Çimentos.

Unë e dëgjoja me vëmendje Kolën, teksa hanim dhe pinim të qetë, ndaj e pyeta Kolën:

-Po, kush ishte kjo vajzë. E kujt është, si e quajnë? A e njoh unë?

-Nuk e besoj, se janë Beratas. Unë u njoha me të në “ Rrugën e Dritës”. Edhe ajo sapo kishte marrë maturën dhe në pushimet e verës, si ne të tjerët, maturantë nga shumë shkolla të mesme të vendit, kishte dalë vullnetare në aksionet e rinisë. Fati na bashkoi në të njëjtin sektor pune dhe në të njëjtën brigadë. Atje u njohëm. Më nga afër u miqësuam në mbrëmjet e vallëzimit, që bënim çdo darkë dhe në grupin artistik të sektorit. Edhe ajo këndonte bukur, me një zë melodioz e të ngrohtë altoje. Na caktuan të këndonim bashkë një duet. Më kujtohet si tani. Ishte një këngë e bukur ruse: “Akacia e dashurisë”. Një nga ato këngë që duket se dalin nga shpirti, nga vorbullat e valëve të lumit Vollga e Dniepër, nga tajgat, nga thellësia e zemrës së popullit të madh rus. Ne na puqeshin aq ëmbël zërat!? Pikërisht ajo këngë e lindur aq larg nesh, në brigjet e Dnieprit qe fati ynë, që na

bashkoi buzë lumit Fan, aty, në atë breg lumi, ku po ndërtonim rrugën e Dritës, në atë sektor pune gjithë gjallëri me emrin Shkopet.

Ishte koha kur ky emër, Shkopet, deri atëherë i padëgjuar u lidh me heroizmin e “Luanit të Tuneleve”, Sali Vatës...Është e çuditshme po, vetë Saliu i famshëm për kohën, sikur të qe vëllai ynë i madh, e bekoi dhe e nxiti dashurinë tonë të sinqertë e të pafajshme… Nuk kaluan veçse pak ditë kur s’ngeli vullnetar pa e marrë vesh lidhjen tonë. Të gjithë na përkrahën dhe na përgëzuan. Na uronin se ishim të dy të rinj, të bukur dhe gazmorë. Fakti që e dashura ime, me atë emër të lasht turk Resmije, ishte myslimane dhe unë me një emër të njohur mirë edhe në atë zonë, Kolë, apo Nikoll, në të vërtet ortodoks, po që mund të ish dhe katolik. Edhe këta emra, kaq të ndryshëm, nxitnin për një solidaritet njeridashës. Pastaj mos harrojmë: Ne ishim të pëlqyer edhe në skenë. Të gjithë aksionistët ndihmuan për organizimin dhe zyrtarizmin e një ceremonie kolektive në ditën që ne kishim vendosur

ta shpallnim fejesën.

Në një kapanon të madh të Sektorit të Shkopetit, që përdorej si mensë për aksionistët, u mblodhën të gjithë vullnetarët. U ftuan dhe grupet artistike të sektorëve të afërt që nga Ulza, Skuraj dhe Fershkopeti. Ceremonia ishte madhështore, e denjë për një martesë mbretërore.

-Hajde, gëzuar, Kolë! E ndërpres unë, duke rimbushur, gotën e zbrazur e duke e bërë toka. Gëzuar, vazhdova. Zëre se më ke dhe mua atje në Shkopet, si të isha në Oborrin Mbretëror.

-Gëzuar, Vëlla, gëzuar! Një gëzim i madh ishte, që më lumturoi për pesë vjet rresht, se Resmija me bukurinë dhe çiltërsinë e saj ishte e denjë për të qenë  mbretëreshë dhe që gjatë gjithë kohës më tej më fali boll gëzim e kënaqësi.

Ne u kthyem në Vlorë, vazhdoi rrëfimin Kola, që të dy me gjokset të mbushur me shkronjat :”S“, sulmues, të dalluar për tejkalimin e normave e për sjellje shembullore dhe plot dëshirë dhe shpresë për një jetë familjare të qetë e të lumtur. Ndërkohë kishim njoftuar edhe familjet tona. Ata, të Resmijes, në të vërtetë, deshën që këto punë të kryheshin me lezet dhe hap pas hapi, por çështë e vërteta,  në parim ishin dakord me vullnetin tonë. Një vëlla i Resmijes erdhi nga Berati dhe ne me të u takuam në Rrëshen, ku bëmë dhe celebrimin dhe lidhjen zyrtare të martesës. Prindërit e mi, veçanërisht nëna, jo vetëm kundërshtoi, por dërgoi mallkimin “mos iu shkeltë më këmba në shtëpinë time”

Në ato kushte ne, me ndihmën e Komitetit të Rinisë së Vlorës, që drejtohej nga njeriu i mirë Duro Mustafaj, gazetar dhe poet, që ishte njëherazi miku im, si dhe me përkrahjen e Këshillit të Lagjes, u strehuam në një garsonierë, që u gjet në atë kohë e lirë, larg familjes sime, në një lagje fare të panjohur.

Punën e filluam menjëherë. Unë në poçeri, ku më prisnin me padurim, nga që ma dinin vlerën profesionale, ku dhe unë kisha interes, se paguhesha mirë, ndërsa Resmija, mekanike, në Ofiçinën e Fabrikës së Çimentos. Pavarësisht nga largësia dhe ndihma e papërfillshme e njerëzve të fisit tim, ne ndjenim mjaft kënaqësi dhe gëzonim, në harmoni të plot jetën e re bashkëshortore, duke e ndihmuar njëri tjetrin, deri në punët e rëndomta shtëpiake. Këtu, në Vlorën e bukur e plot jetë, u aktivizuam menjëherë edhe në grupet artistike të rinisë. Resmija me sjelljen, bukurinë dhe ëmbëlsinë e sajë, shpejt, bëri shoqe dhe shokë e miq të shumtë...Ne nuk linim raste gëzimi pa i shfrytëzuar. Shikonim çdo premierë të teatrit, estradës dhe kinemasë; frekuentonim lokalet me pistë vallëzimi në barlulishten e qytetit, bar Sazani, lokalet e tjerë si Dom Marku e më vonë Adriatikun dhe Hotelin Ushtarak. Shumë kohë

na merrnin banjat në det. Jeta kalonte normalisht, si e shumë çifteve të tjerë të rinj pa shqetësime, aq më tepër se punët na ecnin mbarë dhe paguheshim deri diku mirë.

Më kujtohet njëherë, midis dhjetëra mbrëmjeve të gëzueshme në lokalet e qytetit, një rast kur në “Hotel Sazani”, padyshim lokali më luksoz i kohës dhe më i frekuentuar nga të rinjtë, kishte ardhur një orkestër e kompletuar me muzikantë të talentuar Pogradecar. Salla ishte mbushur plot dhe entuziazmi ishte lartësuar në zenit edhe pse kishin ardhur edhe marinarët Rus të nëndetëseve të Orikumit. Ata, pasi kishin pirë dhe ishin bërë çakër qejf, shikon si të dalldisur nga tavolina aty afër Resmijen dhe të tërhequr nga bukuria dhe hijeshia e trupit të saj, që u kishte tërhequr vëmendjen kur vallëzonim bashkë, insistonin të kërcenin me të, mandej duke ofruar dhurata të kushtueshme. Për mos të bërë skandal u detyruam të largoheshim para kohe. Resmija gjithandej tërhiqte vëmendjen e kalimtarëve, por gjithnjë tregohej e kujdesshme dhe asnjëherë nuk jepte rast tundimi.

Kaloi viti i dytë dhe ne u bëmë me një vajzë të bukur, që duket se na lidhi edhe më shumë me njeri tjetrin.

 

VAZHDON



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora