E premte, 26.04.2024, 04:10 AM (GMT+1)

Mendime

Gazmend Kapllani: Shënime nga Kosova

E hene, 21.01.2008, 08:25 PM


Shënime nga Kosova

Nga Gazmend Kapllani

Në Prishtinë bën shumë ftohtë. Kosovarët thonë se kanë vite që nuk kanë parë një të ftoht të tillë. Në shëtitoren kryesore të qytetit duhet të jesh i kujdesshëm kur hedh hapat se mund të gjendesh befas në ajër. Askush nuk e pastron. Fëmijët e vegjël, shitës ambulantë me kuti cingaresh në duar, improvizojnë pirueta që të ngrohen. Pak më tej, dy Baba Dimra të vegjël (Shën Vasila apo Santa Klausa më saktë), i urojnë Vitin e Ri kalimtarëve. Ngjitur me ta një kal i zhytur në mendime qëndron me durim para karros së tij. Në të majtë të karros shkruhet ‘Gëzuar Vitin e Ri’.Djathas ‘Pavarësia’...
***

Ditët që unë isha në Prishtinë zhvillohej samiti i KS në Nju Jork dhe priteshin habere për pavarësinë e Kosovës. Megjithatë kam përshtypjen se banorët e Prishtinës ishin më të preokupuar me përgatitjen për festën e kurban bajramit se sa me problemin e pavarësisë. Me sa kuptoj, këtu njerëzit janë nginjur duke dëgjuar gjithë këto vite të njëjtën bisedë për pavarësinë. Dhe janë më shumë të ankthsur se çfarë do bëhet pas pavarësisë. Këtë të fundit megjithatë e konsiderojnë çështje kohe, por nuk e dinë se kur do ndodhë pikërisht. E dinë që kështu siç erdhën punët pavarësia do jetë e njëanshme. Që andej e tutje Perëndia SHBA dhe BE na ndihmoftë. Serbët nga ana e tyre, besojnë tek një Perëndi tjetër, tek Rusia, duke shpresuar se loja nuk është humbur njëherë e përgjithmonë. Sikur dikush të kishte rënë në gjum letargjik dhe të ishte zgjuar befas në Kosovë në vitin 2008, do kujtonte se Lufta e Ftohtë jeton e mbretëron. Dhe duke parë pasionin e Putinit për të ringjallur Perandorinë Ruse të mesit të shekullit të 19të, nuk përjashtohet që Ballkani të bëhet sërish pikënisje e një Lufte tjetër të Ftohtë. Fati i keq i Ballkanit, siç duket, të mbetet një jetë të tërë në udhëkryq, mes Lindjes dhe Perëndimit...

***

Kësaj radhe Prishtina m’u duk si e mpirë. Ndoshta për shkak të të ftohtit. Për shkak të ambjenteve që me zor ngroheshin ose duhet të qëndroje i mbuluar me batanije leshi që t’u rezistoje. Për shkak të dritave që ikin aq shpesh. Sa herë që iknin dritat, bashkëbiseduesit e mi më kujtonin historinë e Herr Trushlerit, drejtori i KEK të Kosovës. Një mashtruesi Gjerman që zhvati katër milionë e kusur euro. Këtu bisedat për korrupsionin, të të huajve dhe të politikanëve vendas, mbulojnë çdo lloj bisede tjetër. Akoma edhe ato për pavarësinë. Nuk është e rastësishme që teksti i gazetarit Suedez Maciej Zaremba ‘Mirëserdhët në Unmikistan’, i cili flet për Herr Trushlerin dhe për shumë gjëra të tjera, qarkullon mes të rinjve të Prishtinës si best seller informal. Sa për të tjerat, sa për bashkëjetesën e Shqiptarëve dhe Serbëve, të them të drejtën atë nuk e shoh gjëkundi. Mesazhet që merr për të janë kontradiktore. Kur pyes bashkëbiseduesit e mi, studentë në Universitetin e Prishtinës, pse nuk e mësojnë serbishten, sepse do t’u duhet në të ardhmen, ata heshtin. Nuk u pëlqen kjo bisedë. Më përgjigjen me një ‘t’a shohim’ ose ‘Serbët pse nuk e mësojnë shqipen?’. U them se në Shkurtin e kaluar në Gracanicë takova dy adoleshentë Serbë që mësonin shqip. Bashkëbiseduesit e mi habiten. Pastaj shtojnë se mbi 50% e tregtisë sot në Kosovë bëhet me Serbinë. Edhe pse sot jetojnë më keq se sa ç’jetonin me Serbinë. Por më sugjerojnë të mos e shkruaj më mirë diçka të tillë. Mandej një ndërprerje dritash risjell në bisedë sërish Trushlerin dhe të ardhmen e tyre. Dhe njëri prej tyre shton se ‘entuziazmi në Kosovë po pakësohet çdo ditë. Nuk mjafton pavarësia për të qeverisur mirë vehten. Por as atë nuk e kemi. Kush vjen të investojnë në një vend të tillë?’. Pavarësia këtu ngjan si një kufi për fillimin e një epoke të re. Disa shpresojnë se pas pavarësisë gjithçka do shkoj mirë. Të tjerë mendojnë se sfida e vërtetë fillon pikërisht atëherë. E pavarur ishte edhe Shqipëria për dhjetëra vite. Por nuk mjaftoi pavarësia për të siguruar një shtet demokratik dhe të begat. Të vërteta që dhembin, megjithatë diçka duhet mësuar nga historia. Bashkëbiseduesit e mi janë para së gjithash të ankthosur. Pasi të mbarojnë studimet, nuk dinë në sedo mund të gjejnë punë në Kosovë, apo do detyrohen të emigrojnë diku në Perëndim. I pyes për shifrat e papunësisë sot në Kosovë dhe përgjigja është e tipit ‘mos e ngit më mirë atë muhabet’...

***

Që të gjesh Serbë në Kosovë duhet të shkosh jashtë Prishtinës. Në kryeqytetin e Kosovës, që ka arritur 500.000 banorë për shkak të emigrimit të brendshëm, Serbët e mbetur nuk e kalojnë numrin 300. Shumë prej tyre shitën shtëpitë dhe shkuan në Serbi ose në Mitrovicën e Veriut. Ata që kanë mbetur nuk kanë shumë dëshirë të flasin me gazetarët. Thënë më troç kanë frikë. Megjithatë gjërat duket se janë qetësuar. Ikja e Serbëve ka ndaluar. Në çdo rast, nuk kanë mbetur më shumë se 100.000 në të gjithë Kosovën. Disa Serbë, akoma të pakët, kthehen në shtëpitë e tyre. Serbët në Mitrovicën e Veriut, nën kontrollin e plotë të Beograit, jetojnë krejt të ndarë dhe kanë sajuar ‘një shtet brenda shtetit’. Në rast se Kosova shpall pavarësinë është e sigurt që nuk do t’a njohin. Mitrovica e Veriut do jetë një alibi për Serbinë se Kosova nuk u humb plotësisht. Dhe ndoshta një alibi edhe për politikanët e Kosovës për të justifikuar dështimet e tyre. Pa asnjë ‘ndoshta’ do vazhdojë të jetë parajsa e kontrabandistëve, Serbë e Shqiptarë bashkë. Sepse, me sa kuptova unë, i vetmi institucion ku bashkëekzistojnë për bukuri Shqiptarë e Serbë është kontrabanda. Në fakt kështu është ngaherë në Ballkan dhe jo vetëm. Sa më shumë urrehen mes tyre njerëzit e ndershëm dhe të varfër, në emër të nacionalizmit, aq më shumë begatohen kontrabandistët...

***

Në fshatin Talinovaç, pranë Ferizajt (Orasevaç) vizitoj shtëpinë e Milovanit. Talinovaçi është një një fshat i përzjerë. Shqiptarë e Serbë bashkëjetojnë këtu pa probleme. Gjesti i parë i Milovanit, pasi na fton brenda, është të na ofrojë një gotë raki të bërë vetë. Mes një ftohti të tillë si t’i rezistosh tundimit? Milovani flet shqip. Në mur, mbi televizor, shoh fotografitë e nipërve të tij. Më shpjegon që fëmijët e tij janë të martuar dhe jetojnë në Serbi. Nuk kanë ndërmend të kthehen këtu, shton. Këtu nuk kanë të ardhme. Papunësia në Kosovë hedh valle, uji i pijshëm shpesh mungon dhe rryma elektrike gjithashtu. ‘Këto janë problemet tona kryesore, të Serbëve dhe Shqiptarëve’ thotë. Milovani më rrëfen se si në vitin 1999, gjatë bombardimeve të NATOs, ushtarët Serbë deshën të përzinin Shqiptarët e fshtatit por ai iu kundërvu. Sa për ‘planin Ahtisari’ e ka dëgjuar por nuk e di me saktësi çfarë thotë. Di që sipas këtij plani Kosova bëhet e pavarur dhe atij nuk i pëlqen diçka e tillë. Çfarë do bëj në se Kosova bëhet e pavarur? ‘Ndoshta do iki’ thotë. Milovani nuk ka problem me Shqiptarët e fshatit, por me sa kuptoj ka frikë se në Kosovën e pavarur jeta e Serbëve do bëhet e padurueshme. Pas pak shton: ‘edhe tani ndihmat më të shumta nga Beogradi i marrim’. Milovani na përcjell deri tek porta jashtë. Në atë çast vjen një bashkëfshatari i tij Shqiptar, Ademi. Përshëndeten në shqip dhe pas pak diçka thonë në serbisht. Kuptoj që Shqiptarët dhe Serbët në Talinovaç bashkëekzistojnë pa probleme. Por problemi i statusit të Kosovës mund t’i ndajë përgjithmonë. Pyes vehten në se dikush nga politikanët Shqiptarë ka marrë ndonjëherë mundimin të vij të bisedojë me njerëz si Milovani. Nuk do t’a kishte dhe të vështirë, përderisa ai flet edhe shqip...

***

Në një fshat tjetër, në Pabljak, shtëpitë e Shqiptarëve dhe Serbëve janë ngjitur me njëra-tjetrën. Por Shqiptarët e Serbët nuk flasin me njëri-tjetrin. Sipas Ugres, një Serbi shtëpinë e të cilit vizitova, hendeku u krijua gjatë luftës. Pas ikjes së ushtrisë Serbe nga Kosova, shtëpitë e Serbëve në Pabliak u dogjën. Më parë, rreth e rrotull, në fshatra të tjera, por jo në Pabaljak, ishin djegur shtëpitë e Shqiptarëve. ‘Këtu në Pabljak nuk u prek shtëpia e asnjë Shqitari’ thotë. Ugre është nga Serbët që sapo janë kthyer. Bisedojmë nën dritën e qirinjve, sepse dritë elektrike nuk ka. E para gjë që më thotë ka të bëjë me shtëpinë. ‘Supozohet se do banonim katër veta në këtë shtëpi’ thotë ‘dhe ka vetëm një kravat. Ku të flemë?’. Pastaj flet për ikjen e rrymës, për ujin që vjen kur i teket, për ilaçet që kanë nevojë por nuk kanë si t’i sigurojnë. Megjithatë ai është i vendosur të rrijë në Kosovë edhe pasi të bëhet e pavarur. ‘Këtu linda, këtu dua të vdes’ thotë ‘më mirë i varfër dhe në Kosovë se sa refugjat në Serbi’. Shton që Serbët kanë 350 hektarë tokë në këtë fshat, por nuk kanë mjete që t’i punojnë. Ugre dhe njerëzit e tij shpresojnë në diçka më të mirë, por për momentin nuk e shohin. Duke u larguar nga shtëpia e tij i hedh një vështrim të fundit fshatit. I zhytur në errësirë, i rrethuar nga ngrica dhe bora e bardhë që arrin deri në gju...

*(Pjesa e dytë ‘Shënime nga Kosova’ do botohet të Djelën tjetër, në rubrikën ‘Ditari im i dashur’)...

Rubrika DITARI IM I DASHUR botohet çdo të dielë në Shekulli. Autorit mund ti shkruani në gazikap@gmail.com



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora