Mendime
Albert Zholi: Intervistë me Minsitrin e Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Z. Kosta Barka
E premte, 18.01.2008, 05:48 PM
Intervistë me Minsitrin e Punëve, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Z. Kosta Barka
Albert zholi
..”Aktualisht janë në fuqi marrëveshjet bilaterale të punësimit me Gjermaninë, Greqinë dhe Italinë”..
“...Përsa i përket marrëveshjeve reciproke të sigurimeve shoqërore, si një nga problemet më të mëdha që shqetësojnë me të drejtë emigrantët tanë, pasi zgjidhja e këtij problemi do të thotë zgjidhje përfundimtare e problemit të pensionit të tyre të pleqërisë, mund të them se kemi kohë që kemi filluar negociatat me vendet pritëse dhe është rënë dakort në parim...”
Nga Albert Zholi
Cili është roli dhe pozicionimi i Ministrisë në fushën e politikave migratore?
Politikat migratore të një vendi, aq më tepër të një vendi dërgues emigrantësh, si Shqipëria, nuk janë dhe nuk mund të jenë kompetencë dhe atribut i vetëm një institucioni, as edhe thjesht shumatore matricash, aktesh ligjore, masash apo planesh veprimi. Ato janë shumë më tepër se kaq, janë produkt i bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të ngushtë të institucioneve përgjegjëse të vendit me njëri-tjetrin, por i negociatave me vendet pritëse të emigranteve, të kombinuara këto me politikat komunitare dhe globale.
Ministria e Punës është autoriteti kombëtar për koordinimin e të gjitha çështjeve që lidhen me evidentimin dhe menaxhimin e flukseve të emigrantëve për motive punësimi dhe institucioni përgjegjës për përmirësimin e vazhdueshëm të kuadrit ligjor migrator, në kuadër të përafrimit me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin përkatës të BE-së.
Si është komunikimi i Qeverisë shqiptare dhe veçanërisht i Ministrisë së Punës me qeveritë e vendeve pritëse të emigrantëve?
Qeveria shqiptare dhe ne, si Ministri përgjegjëse për çështjet e emigracionit, jemi në kontakte të vazhdueshme me institucionet përgjegjëse të vendeve pritëse për hartimin dhe zbatimin e politikave sa më mbrojtëse dhe lehtësuese për emigrantët.
Dua të theksoj se komunikimi ynë nuk është vetëm për të zgjidhur probleme emergjente dhe vetëm për ngjarje konkrete, ai është i vazhdueshëm dhe për një sërë problemesh.
Kështu gjatë dy viteve të fundit personalisht jam takuar dhe kam biseduar me homologun grek si dhe me përfaqësues të lartë të Ministrisë homologe italiane, në qendër të të cilave kanë qenë emigrantët shqiptarë dhe kushtet e tyre social-ekonomike, si dhe mundësitë e bashkëpunimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve dypalëshe në fushën e punësimit, formimit profesional, vlerësimit reciprok të kontributeve shoqërore, etj.
Kemi ngritur grupe pune të përbashkëta specialistësh për të disktutuar çështje të ndryshme dhe për të propozuar drafte marrëveshjesh që, pas nënshkrimit, do t’i vijnë në ndihmë veçanërisht emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në këto vende, por edhe atyre potencialë, pra shqiptarëve që dëshirojnë të emigrojnë për arsye punësimi.
A ka Shqipëria marrëveshje me vendet pritëse të emigrantëve?
Aktualisht janë në fuqi marrëveshjet bilaterale të punësimit me Gjermaninë, Greqinë dhe Italinë. Ministria ka filluar kontaktet institucionale për hartmin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të reja, të cilat të reflektojnë realitetin e ri të marrëdhënieve ndërmjet vendeve tona si dhe të zhvillimin social-ekonomik.
Kështu, aktualisht jemi në fazën e fillimit të negociatave për hartimin dhe nënshkrimin e një protokolli bashkëpunimi në fushën e zhvillimit të politikave të reja sociale dhe të punësimit si dhe të projekt-marrëveshjes bilaterale për Punësimin dhe Formimin Profesional nëpërmjet Punës, si me Greqinë, ashtu edhe me Italinë.
Është hartuar dhe së shpejti do nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me Qeverinë italiane në fushën e migracionit të punës, etj.
Cilat janë marrëveshjet me Italinë dhe Greqinë për problemin e njohjes së sigurimeve shoqërore?
Përsa i përket marrëveshjeve në fushën e njohjes reciproke të sigurimeve shoqërore, si një nga problemet më të mëdha që shqetësojnë me të drejtë emigrantët tanë, pasi zgjidhja e këtij problemi do të thotë zgjidhje përfundimtare e problemit të pensionit të tyre të pleqërisë, mund të them se kemi kohë që kemi filluar negociatat me vendet pritëse dhe është rënë dakort në parim për hartimin dhe nënshkrimin e marrëveshjeve bilaterale për sigurimet shoqërore me Greqinë e Italinë, dhe jemi në proces negocimi të projekt drafteve të këtyre marrëveshjeve. Tashmë janë vendosur kontaktet me autoritetet lokale dhe rajonale në Greqi dhe Itali.
Me palën greke kemi zhvilluar dy takime në nivel ministror dhe dy takime në nivel specialistesh.
Sigurisht që emigracioni shqiptar nuk është përqëndruar vetëm në këto dy vende, ai është i shpërndarë në të gjithë hartën e Evropës, madje edhe të botës, për këtë arsye, kemi kontaktuar edhe me vendet e tjera.
Kështu, në kuadër të bashkëpunimit me vendet e Rajonit për mbrojtjen sociale dhe, në vecanti, të mbojtjes së emigranteve shqiptare që punojnë jashtë vendit, u organizua në Tiranë Konferenca rajonale Ministrore, në të cilën pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë për bashkëpunim në përafrimin e legjislacionit në fushën e sigurimeve shoqërore. Po ashtu, kemi rënë dakort për shkëmbim dypalësh informacioni për legjislacionin e sigurimeve shoqërore, si hap i parë, për fillimin e negociatave me Kanadanë dhe SHBA, me qëllim nënshkrimin e marrëveshjeve dypalëshe në këtë fushë.
Kur do të vihen në zbatim këto marrëveshje?
Sigurisht që nuk mund të përcaktoj një datë fikse, pasi proçesi është kompleks dhe kërkon jo vetëm vullnetin e palëve, por edhe studimin e legjislacioneve përkatëse, në mënyrë që të gjenden mundësitë dhe hapësirat e nevojshme jo vetën për nënshkrimin, por edhe zbatimin e marrëveshjeve, pasi ato kanë edhe kosto financiare të konsiderueshme për vendet nënshkruese.
Konsideroj se e rëndësishme është që ekziston vullneti i mirë për të disktuar dhe për të punuar për zgjidhjen e këtij problemi. Elementët e tjerë si koha dhe mënyra e zgjidhjes u mbeten ekspertëve për t’i diskutuar.
A ka politika Qeveria për lehtësimin e investimeve të emigrantëve?
Përdorimi më i mirë i kapitalit financiar, human dhe social të emigracionit në zhvillimin ekonomik, politik, shoqëror dhe kulturor të vendit është në qendër të vëmendjes së Qeverisë, e cila, nga ana e saj, e ka të qartë se remitancat e emigracionit po rriten me ritme të shpejta, duke arritur në vitet e fundit në mbi 1 miliardë dollarë. Për këtë arsye, në Programin e Qeverisë po i kushtohet një kujdes i veçantë përdorimit të remitancave të emigranteve si një burim investimi dhe zhvillimi, të cilat po konkurrojnë me investimet e huaja direkte në vend.
Nxitja e kthimit vullnetar të incentivuar të emigrantëve të suksesshëm, nëpërmjet incentivave ekonomike, fiskale, ligjore, bankare është një nga synimet kryesore të politikave qeveritare. Kështu, inisiativa “Shqipëria 1 EURO” ka si target të saj edhe emigrantët, por incentivat ndaj kapitaleve të emigracionit nuk duhet të jenë uniforme, ato duhet të jenë fleksible dhe të zhdërvjellta, duke pasur parasysh kategoritë kryesore të emigrantëve shqiptarë, si ata që tashmë kanë fituar nënshtetësinë në vendet e destinimit, emigrantët e përhershëm pa ndonjë perspektivë të afërt të fitimit të nënshtesisë, emigrantët e përkohshëm, emigrantët sezonale, emigrantët e brezit ndërkufitar, etj.
Hartimi dhe miratimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Dërgesat në Para të Emigrantëve në Shqipëri, mendohet të ndikojë në rritjen e flukseve formale të dërgesave nga emigrantët shqiptarë drejt vendit të tyre, por edhe në zhvillimin e ekonomisë të vendit, duke krijuar akses më të madh për kredi për emigrantët që ndodhen jashtë dhe atyre që kthehen.
Cfarë është bërë në drejtim të emigrantëve shqiptarë në të kaluarën dhe çfarë do të bëhet në të ardhmen?
Politikat lehtësues të Qeverisë tashmë nuk konsistojnë vetëm në përkujdesjen ndaj emigrantëve shqiptarë që tashmë ndodhen jashtë vendit, por edhe ndaj atyre që dëshirojnë të emigrojnë, ku me qëllim që ata të jenë të përgatitur paraprakisht për t’u integruar në tregun e punës së vendit pritës, do t’u ofrohen falas kurse të formimit orientues, të cilat do t’i njohin ata me kulturën dhe tiparet kryesore të vendit ku do të emigrojnë, por edhe kurse profesionale në profesione që kërkohen në këtë treg. Pra, politikat tona tashmë janë të tilla që emigrantët të asistohen dhe të ndihmohen nga shteti amë që në momentin që ata përgatiten për të emigruar, dhe sigurisht edhe më pas, në vendet pritëse.
Një problem që ka qenë dhe vazhdon të jetë shqetësim është evidentimi i të dhënave të sakta për numrin e shtetasve shqiptarë që dalin dhe hyjnë në territorin e Shqipërisë, të dhëna që do të ndihmonin në njohjen e tendencës së lëvizjeve për ndërtimin e politikave më eficente në fushën e emigracionit, si për emigrantët e kthyer apo që kërkojnë të kthehen, ashtu edhe për emigrantët potencialë. Kështu, është hartuar një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbim të dhënash ndërmjet Ministrisë së Punës, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Jashtme, nëpërmjet të cilës do të identifikohet fluksi i hyrje-daljeve në kufi.
Ministria e Punës ka nisur bashkëpunimin me IOM për realizimin në një kohë sa më të shkurtër të hartës së emigrantëve shqiptarë në botë, me të dhënat e plota të tyre, si koha në emigracion, gjendja familjare, ekonomike, sociale, profesioni, statusi në vendet pritëse, etj. IOM do të ndihmojë nëpërmjet 300 zyrave të saj në të gjithë botën dhe harta do të ndihmojë jo vetëm në evidentimin e saktë të numrit të emigrantëve në secilin vend, por do të japë edhe një panoramë të saktë të problematikës që ata hasin si dhe të tendencës për kthim apo jo të tyre.
Qeveria shqiptare po intensifikon bashkëpunimin me qeveritë e vendeve pritëse për ndryshimin e dikotomisë aktuale të trajtimit të imigracionit në vendet fqinje, nga një çështje e sigurisë dhe e rendit publik, në trajtimin si një dukuri sociale komplekse, me impakt pozitiv për Shqipërinë dhe vendet pritëse. Njwkohwsisht, Qeveria ka filluar bashkëpunimin me vendet pritëse për të siguruar kushte për shkollimin e brezit të dytë e të tretë të emigrantëve në gjuhën amtare, me synim kombinimin e integrimit të komunitetit të emigrantëve me ruajtjen e identitetit të tyre kulturor.
Ne do të vazhdojmë të ndjekim me vëmendje ndryshimet e politikave dhe legjislacionit migrator evropian dhe në vendet fqinje, do t’i bëjmë ato prezentë për publikun shqiptar brenda dhe jashtë vendit dhe, njëkohësisht, do të vazhdojmë përmirësimin e legjislacionit vendas në përputhje dhe koherencë me kwto ndryshime.