E hene, 11.11.2024, 11:10 PM (GMT)

Mendime

Baki Ymeri: T´i njohim figurat tona kombëtare

E shtune, 12.01.2008, 12:33 PM


Dr.XHELKU MAKSUTI – DALAI LAMA I SHQIPTARËVE NË RUMANI

Shkruan: Baki YMERI

Ish/kandidati për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në Parlament, prof. Xhelku Maksuti është i njohur në historiografinë rumune përmes emrit Gelcu Maksutovici. U lind në Plojesht, më 8 mars 1923, nga një baba shqiptar dhe një nënë rumune. Shkollimin fillestar, sekondar dhe special në fushë të teknologjisë së naftës dhe gazeve, i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin e Historisë në Universitetin e Bukureshtit (1956). Në vitin 1948, mban kumtesën e parë mbi Ditën e Flamurit shqiptar në Bukuresht. Në vitin 1980, mbron në Bukuresht tezën e doktoratës me titull “Lëvizja e rezistencës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore”, rast me të cilin iu dha titulli shkencor “Doktor në Shkencat e Historisë”. Vlen të përkujtohen dhjetëra manifestime masive që organizoi në Bukuresht, Konstancë e qendra tjera, në funksion të afirmimit të diasporës dhe lidhjeve shqiptare me botën rumune.

I konsideruar nga ata që e kanë njohur si Dalai Lama i shqiptarëve të Rumanisë, profesor Maksuti ka ndjekur shembujt e shenjtë të rilindësve tanë, duke e afruar, bashkuar dhe afirmuar komunitetin shqiptar, duke e përforcuar miqësinë konkrete ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë, duke botuar në Rumani, Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, mbi 400 studime dhe artikuj mbi lidhjet rumuno-shqiptare. Shquhet si autor kontributesh shkencore të historisë moderne rumune dhe universale. Disa nga studimet e tij e kanë parë dritën e botimit në revistat prestigjioze Magazin istoric, Studime historike, Gjurmime albanologjike dhe Historia. Është koautor i vëllimeve Rezistenca evropiane gjatë Luftës së Dytë Botërore, vëll. I, Bukuresht, 1973, dhe Afirmimi i shteteve të pavarura e të bashkuara kombëtare në Evropën Qendrore dhe Juglindore (1821-1923), Editura e Akademisë Rumune, Bukuresht, 1979. Në maj të vitit 1990, themeloi me një grup veteranësh shoqatën Bashkësia Kulturore e Shqiptarëve të Rumanisë (BKSHR), me një numër të panumërt aktivitetesh dhe botimesh. Në gusht të vitit 1993, themelon dhe boton serinë e re të revistës Albanezul / Shqiptari, duke dhënë kontribute konkrete për botimin e dhjetra veprave shkencore dhe letrare autorësh shqiptarë dhe rumunë, në kuadrin e BKSHR-së.

Në vitin 1995, profesor Xhelku Maksuti organizoi simpoziumin mbi 400 vjetorin e ardhjes masive të 15 mijë shqiptarëve në veri të Danubit (1595). Në vitin 1999 dha kontribut të denjë për organizimin e një manifestimi dinjitoz në shenjë solidariteti me Kosovën, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E vetmja që nuk e nderoi këtë manifestim madhështor dhe kërkesën e Parlamentit për shfrytëzimin nga ana e NATO-s të hapsirës ajrore rumune kundër forcave kriminele të Millosheviqit, ishte deputetja joshqiptare e komunitetit shqiptar, Oana Manolescu. Fati i Bashkësisë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë filloi të shuhet që nga viti 2001, si pasojë e faktit, se doli në skenë një organizatë fantomë, e udhëhequr nga një deputete e cila manipuloi mbi dhjetë vjet me buxhetin qeveritar në emër të interesave personale dhe merkanteliste. Në ndërkohë, profesor Maksuti botoi mijëra ekzemplarë të vjetarit Albanezul, me vlera të larta albanologjike, historike dhe letrare, si dhe këto vepra: Historia e Komunitetit Shqiptar të Rumanisë (Kriterion, Bukuresht, 1992), Mbi shqiptarët dhe Shqipërinë, Ararat, Bukuresht, 1995, Nën shenjën e shqiponjës (Ararat, 2001), Historia e Shqiptarëve të Rumanisë (Kriterion, 2003). Nga projektet e parapara për botim: një vepër për Skënderbeun në gjuhën rumune dhe një libër për Kosovën në Bukuresht. (Baki Ymeri)

Bukuresht, 08. I. 2008



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora