E merkure, 04.12.2024, 07:18 PM (GMT)

Mendime

Andrea Stefani: Viti i Ri dhe inflacioni i mjerimit

E premte, 04.01.2008, 11:43 AM


Viti i Ri dhe inflacioni i mjerimit

Nga Andrea Stefani

Andrea Stefani
Edhe këtë herë gëzimi i festës së fundvitit u ndriçua nga fishekzjarret, por u err nga çmimet e larta të mallrave ushqimore që fluturuan në qiell bashkë me fishekzjarret. Edhe këtë herë tregjet e ushqimeve në Shqipëri bënë dallim nga sa ndodh përgjithësisht në tregjet e botës, ku festa e Vitit të Ri shoqërohet me një tendencë të uljes së çmimeve. Edhe këtë vit konsumatorët fajësuan për rritjen e çmimeve dhe nuk rreshtën së shari (ashtu si mallkonim deri dje borgjezët) tregtarët "e pashpirt". Edhe këtë vit me konsumatorët u bashkua qeveria që ndërmorri tamam si paraardhësja e saj, aventurën sa donkishoteske aq edhe populiste, për të stopuar rritjen e çmimeve ushqimore nëpërmjet presioneve dhe kontrolleve të policisë financiare. Por pa sukses. Përse? Sepse si përherë edhe këtë fundviti, mbi të gjitha ankimet e konsumatorëve dhe përpjekjeve populiste të qeverisë, u ngrit e pamëshirshme forca djallëzore dhe e pamposhtur e varfërisë, edhe këtë herë festa e ndërrimit të viteve në Shqipëri mori damkën e saj të shëmtuar. Duket si një paradoks por është pikërisht varfëria ajo që vazhdon ti bëjë më të shtrenjta tryezat e më të varfërve, është varfëria ajo që rrit çmimet e ushqimeve duke rritur në prag feste kërkesën për to. Sepse veçanërisht për të varfrit, festa e Vitit të Ri nuk mund të mos jetë festa e tavolinës së shtruar si asnjëherë tjetër, gëzimi i festës nuk mund të mos jetë një "gëzim ushqimor". Dhe Shqipëria, sikundër kanë treguar edhe vëzhgimet e fundit, mbetet shteti më i populluar me të varfër i Ballkanit dhe Evropës.

***

Si shpjegohet që pikërisht në vendin më të varfër të Evropës ku tregjet janë më pak të begata dhe ka më pak para, dhe jo në tregje më të pasura poret e të cilëve djersijnë pa pushim para, çmimet e mallrave ushqimore kreshpërohen egërsisht çdo fund viti? Mos vallë nga që tregtarët shqiptarë të shumicës dhe të pakicës janë më mizorë, më spekulatorë, më të etur deri në çmenduri për fitime krahasuar me tregtarët e tjerë të ballkanas apo europianë? Të pranosh një gjë të tillë do të thotë të biesh përsëri në batakun e propagandave primitive komuniste mbi natyrën kriminale të borgjezisë dhe tregtarëve kapitalistë. Ndaj është dëshpëruese kur sheh se pas rreth 18 vjet "ekonomie të tregut" në Shqipëri, jo vetëm një pjesë e opinionit por edhe vetë qeveria "demokratike" shpalos mendësi proletare të mbarsura me urrejtjen për tregun dhe "tregtarët e poshtër". Mendësi që në rastin e qeverisë u konkretizua jo vetëm me politika kontrolli financiar mbi tregjet dhe çmimet, por edhe me orvatje sa qesharake aq edhe tragjike (që në ndonjë rast morën edhe formën e raprezaljeve të policisë financiare mbi tregtarët), për të ulur çmimet e mandarinave apo mollëve me forcë. Por çmimet ulen kur qeverisja pasuron popullin dhe jo duke mbytur lirinë e tregjeve. Edhe qeveria e mëparshme socialiste që nuk arriti të gjenerojë punësim siç premtoi, u përpoq pa sukses për vite me radhë të frenonte inflacionin çdo fundviti duke vënë në veprim edhe një propagandë që e udhëhequr nga Banka e Shqipërisë, i bënte thirrje tregtarëve të mos rritnin çmimet. Por të gjitha dështuan përballë ligjeve të tregut të lirë që veprojnë më kokëfortësinë e ligjeve objektive të natyrës pavarësisht propagandës apo dhunës së çdo qeverie. U provua edhe një herë që tregu sa kohë është i lirë, nuk i bindet asnjë urdhri përveç urdhrit të parasë dhe fitimit dhe se çmimet e mallrave, i binden vetëm "urdhrave" që ju vijnë nga kërkesa dhe oferta.

***

Kafshatë që s‘kapërdihet është o vlla mjerimi! Kjo thënie e një prej poetëve më të shquar shqiptarë, Migjenit, e gjen konfirmimin më të dhimbshëm për shqiptarët në festat e tyre të vitit të ri. Sepse pasi e kanë kapërdirë kafshatën e varfërisë për gjithë vitin, shumë familje të varfra shqiptare refuzojnë (ashtu si thoshte Migjeni) ta kapërdijnë këtë kafshatë të hidhur në festën e fundvitit. Ndaj ndërsa kalendari i afrohet fundit, buxhetet e varfra mobilizohen, paratë e hequra mënjanë për një ditë të keqe dorëzohen para gëzimit të festës dhe vihen në veprim për këtë ditë të mirë, rrëmohen edhe qindarkat e fundit nga kuletat ndërkohë që disa të tjerë, futen edhe më thellë në borxh në listën e dyqanit të ushqimeve. U mobilizuan edhe 5 mijë lekëshat që qeveria i dhuroi (a ka shenjë varfërie më të madhe se kjo kur qeveria detyrohet të ushtrojë bamirësinë?) pensionistëve në prag festë. Por asnjë shqiptar nuk e la të zbrazur tryezën për ditën e festës më të madhe të vitit, sepse ajo zbrazëtirë është "një kafshatë që s‘kapërdihet dot". Ndoshta është edhe shpresë supersticioze për mbarësi se "po na gjeti me bollëk, bollëk do na sjellë viti që po vjen". Eshtë ky sforcim i varfërisë që përpiqet të ngrihet mbi mjerimin, që mobilizon përballë tregjeve ushqimore një kërkesë agregate për produkte të ngrënshme që nuk është parë gjatë gjithë vitit. Eshtë një kërkesë që ndryshe nga të gjithë tregjet e tjera të botës, është e përqëndruar te ushqimet, te gjeli i detit, te arrat, mollët, portokajtë, perimet e zarzavatet, është përqëndruar te ajo që shqiptarët e përmbledhin me një fjalë të vetme, te "buka". Sepse festa e Vitit të Ri për njerëzit e varfër, shfaqet si festë e gëzimit ushqimor. Dhe si është e mundur që mallrat ushqimore të mos i përgjigjen kësaj kërkese të rritur me rritjen të çmimeve? A nuk do të ndodhte kështu në çdo treg kudo që të jetë ai? Pra ajo që i shtrenjtoi ushqimet edhe këtë herë, nuk ishte shpirti mizor i tregtarëve por varfëria që si gjithmonë, bën që në prag të festës së vitit të ri, të lindë nga gjiri i mjerimit masiv ekonomik, një kërkesë e hatashme për ushqime. Një kërkesë që si për ironi të të varfërve, e bën edhe më të rëndë por edhe më sublime sakrifikimin e buxheteve të tyre të mjera për festën. Sepse i shton rritjes së çmimeve përgjatë vitit për shkaqe të krizës energjetike apo shkaqeve të tjera edhe atë që mund të emërohet saktësisht si inflacioni i mjerimit. Një inflacion që nuk dëshpëron vetëm fëmijët. Ata ju gëzuan ushqimeve të shtrenjta që mbushin si asnjëherë tryezën e festës dhe që në fakt, prindërit e varfër e kishin begatuar pikërisht dhe vetëm për ta.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora