Mendime
Ballkani dhe Shqiptarët
E hene, 31.12.2007, 10:29 AM
Shkruajnë: Arben DERVINA - Faik SMAJLI
Ballkani në përgjithësi e sidomos Ballkani perëndimor ka qenë dhe ende është një ndër rajonet më problematike në botë. Që nga largimi i Perandorisë Osmane, popujt e Ballkanit ende nuk kanë arritur t'i zgjidhin mosmarrëveshjet e shumta, dhe në këtë mënyrë po e mbajnë situatën gjithnjë para shpërthimit. Luftërat e pareshtura që e kanë përcjellë këtë rajon, shumica prej tyre kanë qenë luftëra pushtuese, të cilat kanë shkaktuar gjenocide e spastrime etnike, siç ishte lufta në Bosnje dhe së fundi në Kosovë. Shkaktari pothuajse i të gjitha tragjedive ballkanike ka qenë hegjemonizmi serb, i cili kurrë nuk është ngopur me pushtime te tokave të fqinjëve të tyre, e sidomos të fqinjëve shqiptarë. Këto tragjedi e pushtime, Serbia nuk do të arrinte t'i bënte pa mbështetjen e fuqive të mëdha botërore, e sidomos të Rusisë! Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, u fuqizuan dhe u përcaktuan kufijtë e rinj, dhe në shumicën e rasteve në mënyrë të dhunshme. Me këtë rast, të gjithë popujt e Ballkanit përfituan në një mënyrë apo në mënyrën tjetër. Përjashtim bëjnë vetëm shqiptarët, të cilët ende janë të ndarë në shumë copa, dhe gjysma e tij ende gjendet nën sundimin e sllavëve. Dezintegrimi i arsyeshëm i ish-Jugosllavisë artificiale, i cili filloi para më shumë se një dekade, ende nuk ka përfunduar. Edhe pse janë zgjidhur shumë probleme duke u krijuar shtete të reja, prapë kanë mbetur shumë probleme të pazgjidhura, të cilat kërkojnë zgjidhje urgjente, në një kohë shumë të afërt. Po si duket sot Ballkani perëndimor? Cilat janë problemet kryesore të cilat gjenerojnë krizë dhe presin zgjidhje? - Bosnja po mbahet me zor si shtet, me Marrëveshjen e Dejtonit. As serbët e as kroatët nuk dëshirojnë të integrohen në shtetin e quajtur Bosnje. Edhe pse Bashkësia Ndërkombëtare po mundohet që ta mbajë në këmbë këtë shtet, çdo ditë e më shumë po e kupton se një gjë e tillë është e pamundur. Është çështje kohe se kur do të kërkohet zgjidhje tjetër. Pëshpëritjet veç kanë filluar. - Në Sanxhak tensionet po shtohen çdo ditë e më shumë dhe popullsia e kësaj treve po kërkon Autonomi deri në shkëputje. - Vojvodina, poashtu nuk është e kënaqur me statusin e saj. Hungarezët, atje, kërkojnë të drejtat e tyre të plota. - Kosova Lindore(Lugina e Preshevës), poashtu kërkon zgjidhje urgjente. Atje janë të dislokuara forca të shumta ushtarako-policore serbe dhe ka shtim të dhunës. Gjendja është para shpërthimit. - Maqedonia me të dy këmbët po i shkel të drejtat e shqiptarëve. Diskriminim, dhunë e terror po përjetojnë edhe sot shqiptarët atje. Maqedonia po ekziston falë durimit të shqiptarëve, por shtrohet pyetja se deri kur?! Bullgaria vazhdon politikën asimiluese ndaj sllavo-maqedonasve. Vetëm ta cekim rastin me studentët maqedonë, të cilët studiojnë në Universitetet bullgare, e të cilëve u ofrohen studime falas me kusht që të deklarohen bullgarë. Gjithnjë e më shumë ka zëra si nga politika bullgare e poashtu edhe nga ajo maqedone, që deklarohen për ndarjen e Maqedonisë. Parë nga ky prizëm, Maqedonia ka ardhmëri të errët. - Edhe Shqipëria po ballafaqohet me probleme të shumta të natyrës ekonomike e politike. Ende mungon sundimi i ligjit, funksionimi i mirë i demokracisë-bashkëpunimi i sinqertë ndërpartiak etj. Korrupsioni është në shkallën më të lartë, duke u radhitur si njëra nga shtetet më korruptive në botë. Pra, ende nuk mund të flasim për një shtet plotësisht të stabilizuar ku sundon rendi dhe ligji. - Kosova, pjesë e trungut shqiptar, me një sipërfaqe prej 10-mijë km2, e sunduar nga të gjithë e më së paku nga shqiptarët, në ankth po i pret ditët e ardhshme kur pritet t'i caktohet fati i saj. Kosova po kërkon dekolonizim, vetëvendosje dhe ka sakrifikuar shumë për këtë, kurse Serbia hegjemoniste me politikë fashiste dhe me përkrahjen si gjithmonë të Rusisë, po kërcënon seriozisht duke e bërë padrejtësisht më të vështirë zgjidhjen e problemit të saj. Përpos problemit shqiptar, më lartë i cekëm edhe problemet tjera përreth, sepse janë të lidhura njëra me tjetrën dhe çdo zgjidhje e njërit problemi ndikon në mënyrën e zgjidhjes së problemit tjetër. Natyrisht se ka edhe shumë e shumë pyetje që ne shqiptarëve na interesojnë të marrim përgjigje të menjëhershme: A do të zgjidhet çështja e Kosovës (çështja më parësore e shqiptarëve sot) në favor të shqiptarëve, apo do të bëhet plaçkë tregu e fuqive botërore, ashtu siç është bërë edhe më herët? A mos do të ketë ndarje të saj? Çka do të bëhet me Veriun e saj? A do të ketë Kosova Integritet të plotë? A do të ketë Kosova subjektivitet të plotë ndërkombëtar? A është në interes të shqiptarëve vetëm pavarësia e Kosovës, apo bashkimi i saj me shtetin amë - Shqipërinë? Çka do të bëhet me Kosovën Lindore? Si do të shkojnë rrjedhat politike në Maqedoni? etj. etj. Do të dëshironim t'u japim përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve, por askush tani për tani, nuk është në gjendje ta bëjë këtë në mënyrë të saktë. E ardhmja është misterioze dhe mund të sjellë surpriza të këndshme, por edhe të pakëndshme. Megjithatë, mund ta japim një përgjigje përgjithësuese dhe që është fundamentale për shqiptarët. Problemi shqiptar nuk guxon të parcializohet e të zgjidhet në mënyrë të ndarë, veç e veç, sepse problemi ynë është gjithëshqiptar dhe si i tillë duhet të trajtohet. Nëse i ndajmë problemet tona veç e veç, do të kemi zgjidhje gjysmake dhe nuk do të arrijmë të dekolonizohemi e të çlirohemi plotësisht. Është momenti tani, që intelektualë, politikanë e atdhetarë, të hartojnë strategji konkrete, gjithëkombëtare dhe të bazuar mirë, afatgjatë, që problemin tonë ta zgjidhim njëherë e përgjithmonë. Kosova e pavarur mund të jetë zgjidhje e përkohshme, por kurrsesi përfundimtare. Nuk është një zgjidhje, as mbetja e trojeve tjera shqiptare nën sundimin e popujve sllavë! Pse?Sot Evropa është duke shkuar drejt integrimit, kështu që Shqipëria , Kosova dhe Maqedonia do të integroheshin si pjesë të veçanta në të. Por një ditë, nëse e kaplon një krizë Evropën nga baraspesha e superfuqive ne botë, duke u nisur nga fakti se çdo gjë është relative, atëherë mund të ndodhë që të ketë një dezintegrim në Evropë, ku me atë rast, fqinjë tanë do ta kërkonin rastin t'i tregojnë dhëmbët prapë dhe do të provojnë t'i nënshtrojnë prapë shqiptarët, në Kosovë, Maqedoni e gjetiu. Kush mund të na garantojë se nuk do të ndodhë një gjë e tillë?[Photo] Pra, vetëvendosja, bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm "Shqipërinë e Bashkuar" dhe integrimi i saj në Evropë si subjekt i pavarur, është zgjidhja më e mirë dhe e vetme që garanton siguri dhe ardhmëri për fëmijët, nipat tanë dhe gjeneratat pas tyre. Në vitin e Ri që po hyjmë tani, Ballkanin Perëndimor po e presin ditë shprese, por edhe ankthi, për shkak të politikës çoroditëse të shtetit rus ndaj popullit shqiptar. Të kujtojmë këtu përsëri se, ishte perandoria ruse, ajo që kishte gisht dhe është bashkëfajtore për terror dhe gjenocid ndaj popullit shqiptar, duke filluar që nga vitet e 1800-ta, duke i përkrahur serbët për t'i shpërngulur dhe asimiluar shqiptarët. Dhe ia arritën qëllimit, duke filluar nga pika më veriore shqiptare Kraleva në Serbi, pastaj me pastrimin etnik që ju bë Toplicës në vitet 1877-78. Gjithashtu, përkrahjen që ia bëri Malit të Zi për grabitjen e Ulqinit, Tivarit, Plavë e Gucisë. Mali i Zi u mundua ta pushtonte edhe Shkodrën, dhe dihet se çfarë lufte e përgjakshme është bërë, por nuk arriti dot që ta gllabëronte edhe atë. Rusia cariste, gjatë luftës së parë botërore u dha sinjal serbëve të marshonin në Kosovë dhe mundësisht të mos ndaleshin deri në Durrës. Pastaj, përkrahen bullgarët për të pushtuar trojet etnike shqiptare në lindje, dhe gjithashtu përkrahen grekët në pushtimin e trevave jugore shqiptare . Pra, kush janë armiqtë e vërtetë të popullit shqiptar, fqinjët tanë apo Rusia? Fqinjët tanë asnjëherë nuk do të kishin aq forcë dhe nuk do të arrinin t'i pushtonin tokat shqiptare pa ndihmën e Rusisë Ne shqiptarët nuk e kuptojmë pse shteti RUS çdoherë del haptas kundër shqiptarëve si komb. Mirëpo kësaj radhe, qëndrimi rus ndaj Kosovës mund t'i kushtojë shtrenjtë Rusisë dhe t'i kthehet si bumerang me acarimin e marrëdhënieve me perëndimin, e ndoshta edhe me dezintegrimin e federatës ruse, çka do të thotë se, Rusia do të futej në histori. Shqiptarët e Kosovës kohëve të fundit kane filluar te binden vetvetiu se Kosova e Pavarur si shtet, është zgjidhje e përkohshme. Zgjidhja që e stabilizon dhe qetëson Ballkanin, është vetëvendosja e popullit shqiptar anekënd trevave shqiptare. Shpresojmë që në vitin 2008, do të dëgjojmë më shumë zëra nga intelektualë e politikanë që haptas dhe pa drojë, deklarohen për Bashkim Kombëtar, por edhe të udhëheqësve të Vetëvendosjes, për bashkim të të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar. Nuk ka rrugë tjetër për Kosovën, Preshevën, Ulqinin, Tetovën pos bashkimit kombëtar, nuk do të ketë as punë, as ekonomi të mirëfilltë, pa i përfunduar problemet dhe vuajtjet që janë duke përjetuar shqiptarët nën kthetrat e të huajve dhe fqinjëve të tyre. Kemi besim shumë të madh që Shqipëria e Bashkuar do të jetë shtet i prosperuar dhe demokratik në rajon, duke i mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo që ndodhen nëpër botë. .Jemi ngopur me diskriminim, me përbuzje, tallje e nënçmim. Jemi ngopur me premtime boshe, me varfëri, me ikje nëpër botë!!! Jemi ngopur! Nuk durojmë më! Dhe kemi drejtë të shpresojmë! Në vitin tjetër, pakthyeshëm do të jemi një hap më afër ëndrrës sonë shekullore - Bashkimit Kombëtar Shqiptar! RROFTË SHQIPËRIA ETNIKE!