Mendime
Martin Leka: Buuum!...Gëzuar!
E premte, 04.01.2008, 11:33 AM
Buuum!...Gëzuar!
Nga Martin Leka
Po e bëj dhe unë këtë herë ritin e Vitit të Ri: Gëzuar të gjithëve, një vit të mbarë! Të gjithë e keni bërë padyshim këtë rit, sipas dëshirave dhe emocioneve që sjell kjo festë e përbotshme, pavarësisht numrave që çdo vit shtohen dhe që shumë pak e ndjejnë se koha kalon dhe duhet të jemi pak më të mirë, shumë më të dashur, më pak hakmarrës, më njerëz… Në fakt, mua më pëlqejnë kartolinat, madje nuk bezdisem nga fakti se të tjerët më quajnë "nostalgjik" për këtë gjë, pra për kartolinat, të cilat më pëlqejnë me pamjet e vendit, me natyrën e bukur, peizazhet e mrekullueshme, kostumet e vjetra popullore nga treva të ndryshme, etj, etj. Por këto rrallë i gjen nëse kërkon shumë, ose edhe kur i gjen, nuk ke besim se shkojnë aty ku duhet, sepse për paradoks dhe për absurd, edhe në kryeqytet, ne nuk kemi një sistem të saktë adresash. Hahaha, më vjen të qesh (për turpin e të tjerëve), por po e tregoj se si mu përgjigj dikush që i kërkova adresën: "Lagjja e qytetit studenti, kalon policin e parë (postbllokun), ecën nja njëqindepesëdhjetë-dyqind metra, është një dyqan ushqimor, diku përballë është një pallat i bardhë gjashtë katësh pas një ndërtese private, në katin e dytë banoj…"?! Humor origjinal, ë?! I pasforcuar me fjalë të papërshtatshme, banale, si shumë aktorë e autorë nëpër disa televizione gjatë natës së Vitit të Ri, ë?! Nejse. E kishim fjalën tek urimet. Shqiptarët i harruan kartolinat pra, ashtu siç harruan edhe shumë gjëra të tjera të bukura, për t'iu kthyer "modernitetit", pa e kuptuar se do të ishte shumë më bukur që fëmijët tanë duhet të njohin përpara peizazheve të Podgoricës, bukuritë unikale të Valbonës; përpara tokave me det nga ikën nizamët, bukuritë e bregdetit të Jonit; e me radhë mund të përmendnim një radhë të gjatë nga Veriu në Jug të vendit me bukuri e histori të pashoqe. Moderne, e thjeshtë, edhe pse pa kurrfarë ndjenje dhe emocioni, një "çokë" për t'u bërë, është edhe kjo moda e urimeve me SMS në celular. Por edhe kjo nuk funksionon dot mirë tek ne, pasi këto lloj urimesh ose duhet t'i dërgosh një ditë përpara "paradhënie", ose të presësh që të tjerët t'i marrin ose të të vijnë një apo dy ditë pas ndërrimit të viteve… Ka ngarkesë aparatura e kompanisë celulare?!...
Por ajo që "ta shpif", është zhurma e pakuptimtë që bëhet me ato që thuhet se janë fishekzjarrë, por që në fakt shumica janë "armë" vrasëse, sëmundjeje dhe ndotjeje… Të shpërndara e të shitura në mënyrë të pakontrolluar, ato janë një mjet i dëmshëm në duart e fëmijëve dhe një mjet i sigurt fitimi për tregtarët e tyre. Janë një mjet që shton stresin tek të gjithë dhe që ndotin festën kur kalojnë masën. Thjesht, janë shumë shqetësuese. E dini sa pak i kontrollon shteti këto biznese? Diku afër stadiumit "Dinamo", në një prej dyqaneve të bulmetit buzë rrugës "Komuna e Parisit", në krah të gjalpit janë disa murtaja, në krah të djathit disa granata, në krah të kaçkavallit disa tuba të gjatë fishekzjarrësh e kapsolla?! Hajde e merre vesh këtë punë?!...
Bukur. Po i "kapërdijmë" edhe këto, siç bëjmë zakonisht ne shqiptarët, i fusim një "mendje të lehtë" si i themi në zhargon, por si t'ia bëjmë me vrasjet e vërteta, të cilat na e "nxjerrin" nga barku, megjithë pupla, gjelin e Vitit të Ri?! Një gocë e re vdiq dhe dy të tjerë u plagosën rëndë në rrethrrotullimin e Laprakës, diku afër doganës së Tiranës. Shkak, siç u tha, ishte shpejtësia e madhe. Në fakt, sikur të gjithë shoferët të zbatonin rregullat e qarkullimit dhe sikur të gjitha rrugët të ishin brenda standardeve, nuk do të kishte aksidente. Por a është vetëm faji i drejtuesve të automjeteve në gjithë këtë nam me aksidente e të vdekur? Le të ndalemi tek ky rrethrrotullimi i famshëm, tek i cili, nuk ka natë që të mos përplaset një makinë. Tani diçka është rregulluar, por dy vjet më parë, edhe unë u nisa për në Washington dhe përfundova me gjithë makinë në këtë rrethrrotullimin e famshëm. Për fat, shpëtova paq. Nuk kishte asnjë sinjalistikë nate, asnjë llambë, asnjë dritë, nuk kishte asnjë shenjë tokësore paralajmëruese, siç janë disa hekura mbi rrugë në çdo rrethrrotullim të botës, të cilat të lajmërojnë për të shmangur aksidentet. Dikush atëherë, më pat thënë të hidhja në gjyq bashkinë apo struktura të tjera që kanë për detyrë mirëmbajtjen dhe rregullimin e rrugëve (ishte në ndërtim rrethrrotullimi atë kohë), por edhe unë, si gjithë të tjerët, nuk pata besim. Harrova dhe gabova se do ta bëj prapë këtë rrugë dhe harrova se dikush duhet ta bëjë këtë gjë. Tani unë nuk e kam ndërmend t'i bie më rrethrrotullimit me makinë, por dikush duhet të kujtohet të hedhë në gjyq dikë që e ka për detyrë të mbrojë qytetarët e vet. E thjeshtë fare: të zbatohen standardet rrugore ndërkombëtare, kaq duan qytetarët. Më pas, gjithë faji është i tyre! Të tjerë të vrarë janë regjistruar në akset rrugore të vendit. Në orën 20.30, të pasdites, një aksident në rrugën Lezhë-Shkodër, i merr jetën njërit prej udhëtarëve, plagoset tjetri. Të aksidentuarit ishin burrë e grua. Po në Lezhë, digjet një makinë bashkë me shoferin brenda, dyshohet se është përplasur me një automjet të rëndë ndërtimi. Autostrada Fushë-Krujë-Lezhë po merr përditë e më shumë emrin fatkeq "autostrada e vdekjes"! A e ka konsumuar shteti mekanizmin e parandalimit të këtyre vdekjeve në aksidente? Aspak.
…Më tej, si për të na e "nxjerrë" nga gryka gjithë gëzimin e festës e për të na paralajmëruar për vazhdimin e histerisë së fenomenit më të egër, atë të gjakmarrjes, një djalë dhe një vajzë, motër e vëlla, u vranë dje në një rrethinë të Tiranës… për gjakmarrje!
Çfarë të shkruajmë tjetër?!... S'kemi! Vetëm "Gëzuar" nuk themi dot më!
Shyqyr që ikën dritat, justifikohemi të paktën…!Buuum!...Gëzuar!
Martin Leka

Shyqyr që ikën dritat, justifikohemi të paktën…!