E marte, 03.12.2024, 01:57 AM (GMT)

Mendime

Andrea Stefani: Vlora dhe besa e pambajtur e Sali Berishes

E diele, 06.01.2008, 02:19 PM


Vlora dhe besa e pambajtur e Sali Berishes

Nga Andrea Stefani

Andrea Stefani
Ajo që po ndodh këto ditë në Vlorë është një tjetër episod i përplasjes së detyruar të vullnetit të lirë të qytetarëve me arrogancën autoritariste dhe të pabesë të qeverisë së Kryeministrit Berisha. Në njërën anë janë qytetarët që duan të ushtrojnë të drejtën e protestës që ua jep liria dhe demokracia të themeluar mbi Kushtetutën dhe në anën tjetër është qeveria që, në kundërshtim me Kushtetutën, lirinë qytetare, demokracinë dhe fjalën e dhënë prej saj, ka urdhëruar policinë të ushtrojë dhunë për të mbytur protestën qytetare. Për të përligjur dhunën mbi protestuesit, drejtues të policisë i akuzojnë ata se kanë shkelur ligjin. Por ky justifikim i përjetshëm i pushteteve është vetëm maska, po jo thelbi i konfliktit që po përndizet në Vlorë. Thelbi i përplasjes atje nuk është shkelja e ligjit nga qytetarët, por shkelja e fjalës së dhënë nga një parti, nga një lider, nga një kryeministër, nga një qeveri. Shkelja e premtimit të bërë qytetarëve të Vlorës se në Vlorë do të ndërtohej vetëm një TEC dhe jo një park industrial. Shkelja e besës së dhënë nga Berisha qytetarëve të Vlorës, se do të ishin ata që do të vendosnin me referendum nëse do të lejohej ndërtimi i industrive me bazë nafte në gjirin e Vlorës. Ndaj, sot vlonjatët po kërkojnë që për "Petroliferën" të shprehin vullnetin e tyre me referendum, pra të lejohen të bëjnë pikërisht atë që premtoi Berisha në kohën kur përgatitej të vinte në pushtet.

Dhe nuk është faji i vlonjatëve që me t‘u bërë Kryeministër, Berisha e ktheu pllakën, madje vuri në veprim edhe veglat e tij në KQZ për ta paraqitur referendumin, këtë kërkesë demokratike, si të paligjshëm. A ka hata më të madhe se kjo që autoritarizmi berishist i ka bërë demokracisë? Sepse ta paraqesësh kërkesën për referendum qytetar si të paligjshme (aq më tepër ta shtypësh me dhunë atë), do të thotë, në thelb, ta shpallësh demokracinë si të paligjshme! Ndaj protesta e qytetarëve të grumbulluar rreth Aleancës për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës nuk është thjesht një protestë ambientaliste, por akoma më shumë. Është një protestë për të mbrojtur lirinë qytetare të referendumit, një protestë për mbrojtjen e institucionit të besës, një protestë kundër një qeverisjeje autoritariste që kërkon të mbysë lirinë qytetare vetëm e vetëm sepse shpërfill dhe dhunon interesat qytetare.

***

Të vendosur që të mos lejojnë ndotjen e mjedisit dhe bregdetit, qytetarët vlonjatë kanë vite që kundërshtojnë ndërtimin në Gjirin e Vlorës të një terminali për depozitimin e naftës dhe nënprodukteve të saj. Arsyeja? Rrezikimi deri edhe i ardhmërisë së industrisë turistike në Vlorë nga ndotjet që pashmangshëm do të sillte ngritja e industrive me bazë nafte. Ndaj vlonjatët e kanë kundërshtuar edhe kur 4 vjet më parë qeveria socialiste e Fatos Nanos nënshkroi një marrëveshje koncesionare me italianët për ndërtimin a atij që cilësohet si parku energjetik. Në atë kohë me protestën e qytetarëve vlonjatë u bashkua edhe opozita e udhëhequr nga Sali Berisha. Edhe sot qytetarët vlonjatë nuk kanë ndryshuar qëndrim lidhur me "parkun energjetik". Ata vazhdojnë t‘i thonë atij "jo". Por ndërkohë ka ndryshuar qëndrim politikani Berisha, i cili nuk është më në opozitë, por në pushtet dhe në postin e Kryeministrit. Dhe nuk duhet harruar se Berisha erdhi në pushtet pikërisht në sajë të premtimit "madhor" se do të qeveriste krejt ndryshe nga qeveria e korruptuar Nano, se do të rishikonte të gjitha marrëveshjet korruptive të asaj qeverie. Një nga këto premtime ishte edhe ai lidhur me çështjen aq të debatuar të Gjirit të Vlorës, për të cilën lideri i atëhershëm i opozitës, Berisha, dha të kuptohej se më e pakta që do të bënte ishte t‘jua linte në dorë vetë qytetarëve ta vendosnin, me referendum. Sot Berisha po e dhunon hapur "besën" e dhënë vlonjatëve dhe prandaj i lind edhe nevoja politike që ta dhunojë edhe protestën e tyre të ligjshme. Sa shumë i ndryshon pushteti politikanët! Ose bën që të dalë sheshit fytyra e tyre e vërtetë! Në kohën kur Kuvendi votonte marrëveshjen koncesionare të qeverisë Nano me kompaninë "La Petrolifera Italo-Rumena", deputetët e opozitës me në krye Berishën braktisën sallën në shenjë kundërshtimi, proteste dhe solidariteti me qytetarët e Vlorës.

Përse? Sepse atëherë Berisha kishte më shumë interes për votat që do ta sillnin në pushtet, sesa për marrëdhëniet e ngrohta me kompaninë italiane. Por sot, pasi ka ardhur në pushtet, u kthen shpinën qytetarëve vlonjatë dhe miraton një marrëveshje me "Petroliferan" për të mos prekur "parkun energjetik" në Gjirin e Vlorës. Por paska edhe më. Po del se në mars të vitit 2007, Kryeministri Berisha paska dhënë fjalën se në Vlorë nuk do të ndërtohet më shumë se një TEC dhe se në të kundërt do të dilte edhe vetë në protestë. Ja sa e ligjshme shfaqet protesta e ndershme e qytetarëve vlonjatë përballë dredhave dhe kësaj pabesnaje të pushtetit. E vërteton me premtimet e tij të djeshme dhe qëndrimet e tij të sotme Kryeministri që duhet të ishte në protestë bashkë me qytetarët. Por ndodh e kundërta. Sepse për interesa pushteti, por tashmë edhe përfitimi, Berisha nuk e ka për turp të dalë edhe kundër Berishës. Kryeministri dërgon policinë që të shkelë qytetarët dhe bashkë me ta edhe fjalën e tij, edhe besën e tij. Dhe pas gjithë këtyre që dëgjojmë e shohim, është e vështirë të mos thërrasësh duke perifrazuar Hamletin: Tradhti, e ke emrin... Sali!

***

Nuk kanë munguar as justifikimet e qeverisë për kthesën e saj lidhur me parkun energjetik. Qeveria Berisha ankohet se nëse nuk i përmbahet marrëveshjes koncesionare të nënshkruar nga qeveria Nano, ka rrezik që Shqipëria të penalizohet me rreth 7 milionë euro, pasi "Petrolifera" e ka hedhur në gjyq qeverinë shqiptare në Gjykatën e Parisit. Çfarë arsyeje "madhore"! Nuk ka rast më klasik se ky për të dëshmuar sesi një politikan si Berisha përpiqet të mjelë dy herë një lopë, që në këtë rast është qeveria e korruptuar Nano. E moli një herë duke kritikuar marrëveshjet e saj korruptive (si kjo me Petroliferën) dhe prandaj erdhi në pushtet. Tani kërkon ta mjelë prapë qeverinë Nano, duke u hequr si viktimë e marrëveshjeve të qeverisë Nano. Nuk mund të mos pyesësh: Çfarë është Berisha, Kryeministri që premtoi "ndryshimin", apo zbatues i testamentit të qeverisë së korruptuar Nano? Dhe nëse shkelja e marrëveshjes së ish-qeverisë Nano kushtoka 7 milionë euro, sa kushton shkelja e fjalës së dhënë? Sa kushton shkelja e premtimit për referendum, që është në fakt premtimi për liri qytetare dhe demokraci? S‘ka asnjë dyshim shumë e shumë më tepër. Aq sa nuk matet dot me para. Sepse fjala e dhënë, urdhri i pavdekshëm i nderit dhe i përmbushjes e besës, e ka ngritur shqiptarin edhe nga varri. Jo rastësisht në themelet e këtij kombi dergjet edhe balada e mrekullueshme dhe tronditëse e Konstandinit dhe e Doruntinës. Dhe nuk gjejmë dot fjalë më të zjarrta dhe më të qashtërta për domosdoshmërinë e përjetshme të institucionit të besës, sesa ato të kapitenit Stres në romanin e famshëm të Kadaresë. Edhe për ne, si për Stresin, besa është një ligj shpirtëror nga shkelja e të cilit shtetit mund t‘i ndodhin lemerira. Aq më tepër një shteti me demokraci. Sepse demokracia vdes nëse qytetarët e lirë të një vendi tolerojnë qeveritarët e tyre të shkelin premtimet, fjalën e dhënë, besën. Aq më tepër një demokraci si kjo e jona, që është në provë para Evropës. Sipas shkrimtarit të shquar, ringjallja e Konstandinit për shkak të besës, ndodhi në një kohë kur Arbëri ndodhej para sfidës së invazionit otoman, që do ta ndante dhunshëm nga kontinenti i tij mëmë, Evropa.

Dhe në kushtet e "keqësimit të klimës në botë, në këtë kohë krimesh e pabesish aq të lemerishme, sa që mund ta quash "pabesnajë", ç‘fytyrë do të ketë njeriu arbëresh? Do të njëjësohet me të keqen apo do t‘i kundërvihet asaj?... Dhe në qoftë se gjindja jonë - vazhdon Stresi - ka nisur të përpunojë në thellësitë e veta ngrehina të tilla sublime, siç është besa, kjo do të thotë se Arbri është duke bërë ndërkaq zgjedhjen e vet". Kadare, që flet me gjuhën e personazhit të tij, ka të drejtë. Protesta e gjindjes qytetare të Vlorës dëshmon sesa thellë është ngulitur institucioni sublim i besës në shpirtin e popullit, se nuk ka ligj që t‘i kundërvihet këtij ligji shpirtëror, që i detyron politikanët të mbajnë premtimet dhe të mos mashtrojnë qytetarët, se ky ligj shpirtëror është boshti i një demokracie të vërtetë. Ndaj protesta e qytetarëve në Vlorë nuk bëhet për të mbrojtur vetëm Gjirin e Vlorës, por edhe institucionin e besës, nuk bëhet vetëm për ekologjinë e ambientit, por edhe për ekologjinë e shpirtit. Ajo dëshmon se edhe sot, kur ndodhen para dyerve të Evropës, jo vetëm vlonjatët, por edhe shqiptarët në tërësi janë të vendosur t‘i mbeten besnikë ligjit shpirtëror të besës. Edhe nëse një gjë e tillë, sikundër thotë Kadare me gojën e kapitenit Stres, "do të kërkojë flijime të rënda brez pas brezi".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora