E enjte, 07.11.2024, 02:48 AM (GMT)

Mendime

Në Shkodrën që po ikën

E diele, 20.01.2008, 04:58 PM


FATOS BAXHAKU

"Hapi sytë, a ktu e gjete me kalu!". Një shkodran i vjetër, i stërpikur gjithandej me baltë, nuk pranon t‘ia hapë rrugën një goxha fuoristrade që ngulmon të kalojë se s‘bën në shtegun e vetëm të kalueshëm që ka mbetur. Jemi në Shkodër, vetëm pak metra larg teatrit "Migjeni". Shkodrani i vjetër, si shumë të tjerë, nuk ka pranuar të heqë dorë nga "dashuria" e kahershme e qytetit, nga biçikleta. Mirëpo, është janar dhe, sigurisht, në Shkodër bie një shi që nuk ka ndërmend të pushojë shpejt. Bash e në këto ditë në rrugën "Lekë Dukagjini", kështu quhet rruga e vjetër, bashkia ka vendosur të vazhdojë punimet. Një përzierje me historisë, shtëpive të vjetra, të lagura, baltës ngjitëse dhe një ndjenje të të qenit dëshmitarë të një situate, e cila nuk do të vonojë të ikë, na rrethon gjithandej. Njësoj si ajo mjegulla e lehtë që ka rrethuar qytetin në këtë ditë janari. E lëmë pas shkodranin e inatosur, që nuk pranon të zbresë nga biçikleta në mes të baltës dhe pak nga pak i afrohemi shtëpisë së Fadil Krajës, shkrimtar e dramaturg i njohur në krejt vendin dhe shkodran deri në palcë.

Me Fadil Krajën dhe kujtimet

Shtëpia e shkrimtarit ndodhet në Rusin e Vogël, njëra prej lagjeve që morën zhvillim kur qyteti i vjetër, që ndodhej në kodrat rreth kalasë së Rozafatit, nisi t‘i largohet kurthit të rrezikshëm që u krijua pas një tërmeti të fuqishëm nga bashkimi i Kirit, Drinit dhe Bunës. Më së shumti shtëpitë e vjetra të Shkodrës së sotme janë ndërtuar asokohe, nga fillimi dhe mesi i shekullit XIX. Tani prej tyre kanë mbetur vetëm gjysma muresh dhe gjysma portash të larta. Shkodra e sotme nuk ka më as ndërmend dhe as fuqi të mbajë në këmbë shtëpitë e vjetra gjysmëkala dhe gjysmëbanesa. Vetëm në ndonjë rrugicë të harruar dhe në ndonjë kthinë të errësuar edhe më nga retë e dimrit, arrijmë të shijojmë atë atmosferën e kahershme që duket sikur na afron me historitë e vjetra.

Shkrimtari ka dalë të na presë në pragun e portës së shtëpisë së tij. Na duhet të mbajmë ekuilibrin mbi disa dërrasa të rrëshqitshme, të vendosura mbi baltë derisa të shijojmë atmosferën e paqtë në shtëpinë e Krajës. Një maçok plak na sheh i habitur teksa ngrohet mbi një stabilizator. Na i ngul një herë sytë me ngulmim dhe pastaj nis të gërhasë fort. "As këtij nuk i duhen më historitë e vjetra", bën shaka njëri prej nesh teksa "profesori", sikurse e thërrasin Krajën në Shkodër, nis të kujtojë copëza historish nga fëmijëria e tij. Në fillim nuk flasim edhe aq shumë për Shkodrën, por për Krajën, vendin e tij të origjinës, sot në territorin malazez. "Askush nuk e di me saktësi se kur jemi vendosur në Shkodër - na thotë profesori - di vetëm se stërgjyshi dhe gjyshi im i kanë pasur vorret në atë vendin në krah të teatrit të sotëm, ku sot po ndërtohet ai pallati i lartë. Aty kanë qenë vorret e xhamisë, që quhej ‘e Begos, e cila u prish kur u ndërtua teatri ‘Migjeni‘. Lagjja që ju e shihni sot të përbaltun dhe të rrëmujshme ka qenë krejt e qetë, e mbushur me shtëpi tipike me mure të larta, me shtëpi me çardak dhe me puse. Por kohët ndryshojnë. Asokohe shtëpitë ndërtoheshin ashtu për një funksion të caktuar, sot jeta është ndryshe…". Profesori, të cilin kohë me parë e kishim quajtur një "optimist i pandreqshëm", sot na duket i nënshtruar ndaj fatit që pret atë pjesë të Shkodrës në të cilën është rritur dhe ka kaluar pjesën më të madhe të jetës. "Shkodra nuk mund të jetë ajo e kohëve të fëmijërisë sonë. Kjo është e kuptueshme - kujtohet shkrimtari pas një heshtjeje - megjithatë, diçka mund të shpëtohej nga kjo marria që na xuni k‘to kohët e fundit. Shkodra ka qenë e njoftun për lulishtet e saj. Lulishtja në qendër, Milet Bahçeja, sikurse i kanë pasë thanë është ndërtuar që në kohë të Turqisë, mbase ka qenë e para lulishte publike në Shqipëri, sot shikojeni vetë si është, e më kanë thënë se edhe aty do të ndërtohet një pallat i ri. Ose, ma vonë, u ndërtua një tjetër lulishte publike edhe ma e madhe se e para. Në fillim u quajt ‘Zogu I‘, ma vonë ‘Viktor Emanueli‘ e në fund ‘Luigj Gurakuqi‘. Sot prej saj ka metë vetëm nji pjesë e vogël. E po kshtu duhet të ishin ruejtë edhe dy-tri shpi që kanë qenë shumë domethanëse për historinë, por edhe për mënyrën e jetesës në Shkodër. Shtëpia e Pashko Vasës nuk asht ma, ajo e Migjenit po ashtu, Kulla e Kapidanit të Mirditës nuk njihet. E po kshtu edhe shtëpia e Luigj Gurakuqit, por për këtë do të flasim edhe ma vonë kur të shkojmë atje në vend. Masanej, duhet shkru edhe ma shumë për historinë e Shkodrës. Unë nuk jam aspak lokalist, por ktu janë zhvillu disa nga ngjarjet ma t‘ransishme të historisë së krejt shqiptarëve. Për shemull, vetëm për pak vetë asht e njoftun se në një përvjetor të Pavarësisë, kumanorja e Kishës së Fretënve dhe xhamia pranë u lidhën me një kordon dritash me ngjyra ku valëviteshin flamujt kombëtarë. Ishte një iniciativë e përbashkët e At Gjergj Fishtës dhe Myftiut të Shkodrës. Me atë rast kisha i ra kumonve ma t‘mira që kishte, kurse në xhami këndoi hoxha me za ma t‘bukur. Nji histori që duhet përsëritë sa herë të kena mundësi. Po, kshtu paska qenë, historinë tonë ta shkruajnë të huajt. Po vazhdoi kshtu kurrë nuk kena me e njoftë vedin...".

Profesori bëhet gati të dalë së bashku me ne në atë që kemi nisur ta quajmë "Shkodra që nuk është", apo më mirë "Shkodra që nuk do të jetë më", apo "Shkodra që po ikën". Në qetësinë e lagjes së vjetër rrotullohemi një copë herë në oborrin e shtëpisë së Krajës. Nuk është shtëpi klasike shkodrane, nga ato të qëmotit. Vetëm, një pus, në anë të murit rrethues me gurë nga zalli i Kirit, nga sjell pak nga ajo koha të cilën po mundohemi me mund ta përjetojmë. Shtëpia është ndërtuar në 1938. Një arkitekt, që projektoi një xhami, asokohe ia bëri dhuratë projektin babait të shkrimtarit, në atë kohë llogaritar i Komunitetit Mysliman. Shiu i famshëm i Shkodrës vazhdon të bjerë me këmbëngulje ndërsa ne dëgjojmë edhe një herë shkrimtarin të thotë një fjali që e ka fort për zemër: "Nji kjo asht Shkodra, djepi jem, por edhe vorri jem".

E kalojmë edhe një herë së bashku me mikpritësin tonë atë rrugën e përbaltur që mban emrin e madh "Lekë Dukagjini". Kalojmë një si portë të rrënuar ku mbahen ende në këmbë dy kolona gurësh të rëndë. "Kjo ka qenë shkolla jeme e parë - bën me dorë profesori - ktu kam msu me shokët e mi Osman Kraja, ma vonë Rektor i Universitetit të Tiranës, dhe Bashkim Fehmiu, nga Kosova, i vëllai i aktorit Bekim Fehmiu, e sot një arkitekt shumë i njoftun në botë". Të mësuar me tjetër pamje shkollash neve na bën përshtypje ajo godinë e harruar dhe e arrnuar, që duket sheshazi se pret ndonjë firmë ndërtimi të shpëtojë nga rrënimi i saj. Dhe shpëtimi i saj mund të jetë vetë shkatërrimi i saj, njësoj si një plakë shekullore që shpreson të vdesë sa pa i mërzitur edhe më me të rinjtë.

Punëtorët, të zhytur deri në mes në baltë, bëjnë mund teksa mundohen të ngrenë lopatat e rënda të mbushura me baltën ngjitëse. Por këndej humori nuk dorëzohet edhe aq kollaj. Disa thirrje të hareshme vijnë që nga xhadeja e përbaltur. Një maçok e ka mbërthyer fort një mace mu në mes të sheshit të punimeve. As nuk do t‘ia dijë për shiun e ftohtë dhe as për shpotitë e punëtorëve, që më në fund e kanë gjetur një rast për të qeshur në atë paradite të zymtë e të lagur. "O gazetarë, pash Zotin, a muneni me e qit nji kët shokun tonë n‘gazetë", bën me kokë nga maçoku qejfli një nga njerëzit e përbaltur. I themi se kjo punë varet nga shefat tanë, por do mundohemi gjithsesi të bëjmë diçka. "Ia kemi kaq gja borxh micave t‘Shkodrës", ia kthen njëri nga ne me humor.

Pranë godinës së vjetër të shkollës kthejmë në një rrugicë që është e asfaltuar. Mbi të biçikletat tradicionale mund të kalojnë fare pa teklif. Edhe këtu sërish ato gjysma muresh dhe gjysma portash të vjetra. "Kjo asht shpia e Shpuzajve - na thotë profesori duke bërë me dorë nga shtëpi krejt e heshtur - asht nji familje e njoftun n‘Shkodër".

Bezisteni, lagjja "Liria" dhe "Shpia e Mushkajs"

Kraja ngul këmbë që të shkojmë një herë andej nga ka qenë djepi i vërtetë i Shkodrës së vjetër, në kodrat mes liqenit dhe kodrës së kalasë. Për fat, rruga në të hyrë të Shkodrës është bërë fare e mirë këto kohët e fundit dhe ne mund ta kalojmë në fare pak minuta distancën mes Rusit të Vogël dhe anës së liqenit. Ndalojmë vetëm pak minuta sa të përshëndoshemi me miqtë tanë të vjetër, peshkatarët e liqenit. Ndër govata të mëdha disa krapë tundin me dëshpërim bishtin, njësoj sikur ta ndiejnë fundin e paracaktuar: tavën në tjegull. Ca më tej një "mal" me gjiuca e saraga u bëjnë shoqëri disa bajzave me trup të shpuar nga saçmet. Ndërsa peshkatarët na rrëfejnë ca nga hallet e tyre të përditshme ne vrasim mendjen se si mund të ketë qenë një bisedë me paraardhësit e tyre të paktën një shekull më parë. Pak gjë duhet të ketë ndryshuar - na shkon mendja - me siguri vetëm veshjet dhe çizmet e njerëzve të liqenit. Të tjerat, portretet e lodhura, por të qeshura, shakatë, humori i thekur, mikpritja, era e athët e peshkut të Shkodrës, shikimet që nuk i ndahen buzës së ujit, të gjitha këto me sa duket duhet t‘i shënojmë në listën e shkurtër të gjërave që nuk ndryshojnë kollaj.

Profesori do të na tregojë edhe ndonjë përpjekje për të ringjallur atë Shkodrën e vjetër, atë që nuk do të jetë më. Një godinë e madhe është në përfundim të saj. Një djalë fare i ri, del të na presë në hyrje të saj. Është pronari i Bezistenit të ri të qytetit, një lidhje mes së djeshmes dhe të sotmes. Bezisteni, pazari i mbyllur i Shkodrës, ka qenë qendra e Pazarit të Vjetër të Shkodrës, që sot nuk është veçse një kujtim i lavdishëm, i mbyllur ndër faqet e librave të historisë. Në shekullin XIX Pazari kishte mbi 3500 dyqane, gjashtë xhami. Vetëm në Bezistenin e vjetër kishte 63 dyqane, ku tregtoheshin mallra me vlerë. Ai ishte ndërtuar në fillim të shekullit XIX nga Ibrahim Pashë Bushtalliu. Bezisteni i vjetër kishte katër dyer të fortifikuara, tre prej të cilave mbylleshin nga brenda, ndërsa e katërta, ajo e jashtmja dhe më e madhja, mbyllej në mënyrë demonstrative nga "pazvani", roja. Thonë se oshtima e përplasjes së saj dëgjohej deri në shtëpitë e qytetit. Çelësi i kësaj porte peshonte diku afër gjysmë kilogram. Goditjen e parë të rëndë, Pazari duket se e ka marrë nga devijimi i Drinit. Në mesin e shekullit XIX e më pas përmbytja e pazarit dhe e lagjeve të vjetra ishte bërë në Shkodër një dukuri thuajse normale, njësoj si shiu që binte. Pastaj erdhi hapja e Kanalit të Suezit, ndërtimi i hekurudhës Selanik-Mitrovicë dhe aneksimi i Ulqinit nga Mali i Zi, luftërat ballkanike... Pak nga pak lavdia e Shkodrës nisi ta humbasë rëndësinë e saj. Në fund të Luftës së Dytë Botërore edhe ato pak dyqane që kishin mbetur nisën të shiteshin si lëndë ndërtimi. Në 1964, Mehmet Shehu dha urdhër që të rrafshoheshin godinat tashmë të braktisura. Fshesa e fundit u dha në 1967, kur u shembën edhe objektet e fundit të kultit që kishin mbetur në lagjet tashmë të rrënuara.

Biznesmeni i ri shkodran na shoqëron nëpër Bezistenin e ri. "Ja këtu do të bëj një teleferik, që do t‘i dërgojë njerëzit në kala. Shpresojmë që lagjet e Shkodrës së vjetër të nisin të marrin rëndësinë e parë", na tregon një shesh në anë të liqenit. Përballë nesh ngrihet një lagje me rrugica të pështjelluara, me rrobet e nderura laramane, që i merr era e liqenit, dhe me portretet e zeshkëta të banorëve. Është lagja "Liria", dikur pjesë e Pazarit të Vjetër, tani lagja më e varfër e qytetit. "T‘part e Shkodrës e kanë pasë thanë pa ba humor: Ma t‘vjetrit e ksaj Shkodre janë magjyptë, sikurse i thojmë na dhe ata vedit, atyne që ju sot i quani egjyptianë - na rrëfen profesori - kur Shkodra ra n‘dorë të turkut në 1479, popullsia autoktone e vjetër mori rrugën e mërgimit për në Venedik. Zona rreth e qark kalasë u banua në fillim nga prapavija e ushtrisë turke: nallbanë, kovaçë, kasapë, xhelatë, punëtorë ndërtimi. Kështu asht vendosë kjo popullsi, pasardhësit e së cilës i shihni në këtë lagje. Banorët e tjerë të Shkodrës erdhën nga malet dhe nga fshatrat përqark".

Afër nesh liqeni ka marrë një ngjyrë të murrëtyer të nxitur nga mali i reve që vazhdon të hedhë ujë mbi sipërfaqen e trazuar. Nuk mund të rrimë pa e bërë një shëtitje të shkurtër anës liqenit, atje ku dikur ishte "gjymryku", dogana e kohës. Hera-herës nga uji dalin disa si ishuj të vegjël, të palëvizshëm. Janë të mbeturat e kalldrëmit të vjetër, që lidhte dikur Shkodrën me malet. "Rruga e Karvaneve" i thoshnin dikur. Që këndej mallrat që zbarkonin në port merrnin rrugën deri në qytetet e Kosovës dhe më tej akoma. Edhe ca më poshtë, atje ku kanë nisur të ngrihen disa pallate të eja, një shtëpizë e vogël na kujton një histori të vjetër. Është krejt e vetmuar, e rrethuar nga të gjitha anët nga bimësia e dendur që ka nxjerrë krye në bregun e ulët të ligatinës së liqenit. Ne na kujtohet një histori që ka lidhje me këtë godinë, tashmë drejt fundit të saj të pashmangshëm. Në vitet ‘30-të, Ahmet Zogu, asokohe Mbret i shqiptarëve, kishte nisur të merrej me një nga problemet më të rënda shëndetësore të kohës, me malarien. Fondacioni "Rockfeler" kishte hapur misione në të gjitha vendet problematike. Njëra prej tyre u hap edhe në Shkodër, në breg të liqenit. Këtu duhej të vaksinoheshin e të mjekoheshin shkodranët e sëmurë nga ethet malarike. Me sa duket, vendasve të mësuar me porta të mëdha e me mure të lartë, kjo shtëpi duhet t‘i jetë dukur aq e vogël, saqë preferuan ta quanin më mirë "shpia e mushkajs" (shtëpia e mushkonjës), sesa "shtëpia e malaries". Vite më vonë në shtëpinë e ndërtuar me paratë e "Rockfeler" linin veglat pastrueset e komunales. Bileta e rrugës pa kthim ishte prerë që atëherë.

Në kërkim të portave të vjetra

"Do t‘ju tregoj një shtëpi fare të vjetër", na thotë profesori ndërsa ne jemi tashmë në njërën prej lagjeve katolike të Shkodrës, farë afër "piacës", bulevardit kryesor. Trokasim në një portë të madhe që duket sikur ka ngrirë në kohë. Është njësoj si një portë kalaje. Profesori nis ta humbasë durimin, kur më në fund porta e rëndë hapet dhe, në vend që të shohim ndonjë burrë të rëndë me mustaqe, sikurse do të na e kishte ënda, na shfaqet një vajzë e vogël, e ndrojtur. Ajo duket edhe më e imët nën hijen e portës së rëndë. "Nuk asht kurrkush n‘shpi", na thotë duke parë me dyshim nga grupi i njerëzve të panjohur që i kanë prishur befas qetësinë. Nga porta gjysmë e hapur arrijmë të shohim një shtëpi të vërtetë si prej qëmoti. Me një palë shkallë të rënda, me çati të drunjtë sikur do të presin tokën, me një fjalë me të agjiatë hijen e rëndë që rrethonte dikur shtëpitë e vjetra shkodrane. Profesori mërzitet ca. "Kisha me i‘u dftu nji mbishkrim qi asht në shkallët e gurit. Atje shënohet viti 1492. Në këtë shtëpi kanë pasë jetue pasardhësit e fisit të Sumejve, dhe ka shumë mundësi që edhe pjestarë të fisit të Duodajve, që kanë qenë përfaqësues të Venedikut në Shqipëri". Porta e rëndë mbyllet ngadalë ndërsa ne nisim të kujtojmë relacionet e botuara të Antuon Dodës të shekullit XVIII. "A është ai që shkruante për piratët e Ulqinit dhe që gjatë të gjithë kohës kërkonte rritje rroge nga Senjoria, sepse jetonte në një vend shumë të vështirë?", e pyesim Krajën. "Po, po njaj vetë asht", na përgjigjet shkrimtari ndërsa na drejton në një lagje tjetër të Shkodrës katolike në Gjuhadol.

Neve na bën përshtypje një ngrehinë ndryshe nga të tjerat. Krejt e gurtë dhe me disa shkallare të drunjta të mbajtura me kujdes. Profesori duket sikur na e kupton mendimin. "Pa gjejeni pak se shpia e kuj asht?", na pyet duke vënë në provë kujtesën tonë. Pas përgjigjeve tona, sigurisht të pavlefshme, atëherë Kraja na thotë: "Asht shtëpia e Filip Shirokës, tani asht lokal e quhet Tradita. T‘paktën nuk asht shemë si disa të tjera". Shiroka, i mbylli sytë në Egjipt në 1935. "Poeti i mërgimit" që kurse iku ndër "dhena t‘largët" nuk e pa kurrë më shtëpinë e tij të lindjes.

Serreqi është një ndër lagjet më të njohura, por edhe më të mirëmbajtura të Shkodrës. Shiu nuk na pengon që të bredhim do kohë mes rrugica të tij. Një siluetë vajze që ecën me ngadalë poshtë çadrës së saj na e kujton dhe më Shkodrën e vjetër. Ngado hasim shtëpi të vjetra të rregulluara, por ka edhe fasada, dikur hijerënda, që duken si të harruara në braktisjen e tyre. Një ndër shtëpitë e lagjes duket se është rregulluar në këto vitet e fundit. Është shtëpia e Koliqëve. Pikërisht këtu lindi Mikeli, kardinali shqiptar, dhe Ernesti shkrimtari i famshëm i gegërishtes. Vetëm pak metra më larg është shtëpia, a më mirë, vendi ku ka lindur Luigj Gurakuqi. "Këtu për herë të parë kam ardhë shumë me nerva e i mërzitun - na tregon Kraja përballë pllakës përkujtimore - por isha gabuar. Isha i nervozuar me pronarin e shtëpisë që nuk e kishte ruajtur shtëpinë e Luigjit, por pashë se nuk ishte aspak faji i tij. Shtëpia ishte shembur sa nga pakujdesia sa nga pamundësia e shtetit për ta mbajtur në këmbë". Shtjefën Gega, pronari i këtij vendi na tregon një dosje të trashë të letërkëmbimit të tij me shtetin. "E tash a m‘thoni - tund kokën - a e kam unë fajin se u shem shtëpia e vjetër?". Nuk na duket se ka faj punëtori i mbarë me duart me graso. Qëndrojmë do kohë para pusit të vjetër, e vetmja shenjë e mbetur nga shtëpia e Gurakuqit, kundrojmë ca atmosferën e begatë që na rrethon ngado dhe ia mbushim mendjen vetes: A nuk ishte edhe kjo ëndrra e Gurakuqit?

Vizitën më të fundit sigurisht që do ta bëjmë në muzeun e Shkodrës. Ky është i vendosur në shtëpinë e njërit prej njerëzve më të famshëm të Shkodrës së vjetër, në atë të Oso Kukës. Zamiri, drejtori na tregon me krenari të dukshme me radhë një odë të vjetër shkodrane, pushkën e Ali Pashë Gucisë, trapazane, mindere, puse që mbajnë ende shenjën e luanit të Shën Markut, një varr pashai me çallmë të gurtë, një stemë të mermertë ku janë shënuar bëmat e lavdishme të një komandanti osman… E ndiejmë veten më në fund të rrethuar plotësisht nga Shkodra e vjetër. Shtëpia, bisedat, objektet që shohim, duket sikur nuk kanë më lidhje me zhurmën që vjen që përtej portës së madhe e të drunjtë. Për pak minuta duket sikur me botën përtej murit na lidh vetëm shiu që lag njësoj si ne këndej historisë, si të tjerët, matanë historisë. Një pavijon, ai i arkeologjisë na shtyn edhe më shumë në shekuj. Ndalojmë te një poçe qeramike, që ka shërbyer për të mbledhur monedhat e kursyera, njësoj si ato që përdorin fëmijët sot. Kush e di se ç‘jetë ka pasur ai fëmijë që mblidhte para pas pareje në këtë qyp të thjeshtë. Ca metra më tej ndodhet një "çinar", kështu u thonë shkodranët rrepeve. Ky afër nesh quhet i "Hoxhë Dhesë", një klerik mysliman që njëqind vjet më parë ishte i njohur jo vetëm për predikimet e tij, por edhe për oreksin e tij të pashoq. "Edhe kte kanë dashtë me e pre kur u banë pallatet e reja. Tu kalu knej krejt rastësisht e kena pa bashkë me Jonuz Dinin dhe kshtu e kena pshtu. Druvarët që kishin ardhë me e pre i kishin varë spatat n‘trung", Kraja zhutet edhe një herë në kujtimet e tij. E shohim teksa largohet, përmes shtegut të përbaltur drejt Shkodrs së tij. Asaj që njëherazi edhe është edhe nuk është.

--- --- ---

Për këtë shkrim u konsultuan edhe librat: Hamdi Bushati, Shkodra dhe motet, Idromeno, Shkodër 1990, dhe Agim Parruca, Shkodra, bastion i qytetërimit shqiptar, Tiranë 2003. Fotot historike të ribotuara këtu u përkasin këtyre botimeve.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora