E merkure, 13.11.2024, 01:27 AM (GMT)

Mendime

Lek Previzi: “Kur flas me vete.”

E shtune, 19.01.2008, 09:21 PM


Fragmente poetike nga një i internuem.

1. I mendueshem vështroj hanen kalimtare,
Aq ma e zbehtë dh’e largët ajo më duket
Ndërsa shtegton mes yjeve vetmitare
E dalëngadalë pas maleve zhduket.

2. Due të bertas, të qaj, të uluroj,
Të tranden malet e të çuditet qielli,
Këtë botë të ligë, barbare, të dënoncoj,
Ta marrin vesh yjet, hana dhe dielli.

3. Vetmitar qendroj mes vorbulles se jetes,
Sa qe heshtja po me mbyt, po me tmerron,
Due te shprehem, te flas, s’i besoj as vetes,
Me duket se dhe muri i betonit po pergjon.

4. U shuen dëshirat e moshës së rinisë,
Njak pas fyti na e ka ngjit terrori,
Të trishta grumbullohen kujtimet e mjerisë,
Se kështu vendosi një sadist diktatori.

5. Me furi po përplasen tallazet e valët,
Mbi shkrepat e thepisun shumë shekullorë,
Gjemimi përhapet, ushtojnë rreth malet,
Tronditun nga ky llahtar e ky terror.

6. Udhëtim kemi marrë me anije me vela,
Nëpër dete dhe oqeane tallazore,
N’errësinën e stuhive le të na shkapesë era,
Mjafton të na perplasë ne brigje miqsore.

7. Ja njohem njeriut ma të kobshmën egërsi,
Me vite të tana, me lëngime pa shpresë,
Cili ka me radhitë të tonën histori,
Mos valle asnjë deshmitar nuk do të jesë ?

8. Njoha një krijesë njeqindvjeçare,
Që aty vuente në ato shpella ciklopike,
E denueme sepse ishte veç fetare,
E pafajshme, krenare e sojnike.

9. Pafajsine unë pashë me pranga mbërthye,
Torturat ma të tmerrshme ajo përjetonte,
Tue iu shpifë e torturue, rrahun e fye :
Përbindeshi gajasej që po e mundonte.

10. Bota, nji ditë, e fuqishme ka me u çue,
Ka me i shkallmue muret e felliqësisë,
Lirinë e drejësinë në fron për me naltue,
Lumturinë e harrueme me ia sjell njerëzisë.

(Porto Palermo, Tepelena,)
(Kuç i Vlores, 1949 -1958)


(Shenim: Me t’i gjetë këto vjersha, perfundoje para pushkatimit ose në burgjet sketerrore, siç përfunduen disa te rinj aq e tmerrshme ishte diktatura qe nuk ngopej duke krye krime pas krimesh mbi qenje njerezore shqiptare krejtësisht të pafajshme.)

Marre nga revista “KUQ E ZI” qe publikohet ne Bruksel nga z.Lek Previzi 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora