E diele, 28.04.2024, 07:18 PM (GMT+1)

Mendime

Edita Kuçi-Ukaj: Interviste me kompozitorin e madh Akil Koci

E diele, 20.01.2008, 07:36 PM


"Krijuesi muzikor është i vetmuar në mes të botës, me gjuhën e vet pakashumë të pakuptuar" - Albert Rusel

Nga Edita Kuçi-Ukaj

Akil Koci
Të bashkëbisedosh me Akil Kocin, për veprimtarinë krijuese të tij, do të thotë edhe të flasësh për një fenomen të rrallë të muzikës shqipe që i ka dhënë nder e dinjitet kombit shqiptar në rrafshin universal të muzikës dhe të artit muzikor. Me shpirtin e pasionuar për të bukurën dhe të këndshmen estetike, Akil Koci ka tharmuar misteret më magjike të muzikës, për t'u bërë një model në vete krejt i veçantë në botën shqiptare, por edhe me gjerë, në atë evropiane. Ai është personifikimi më i mirë i një kulture të emancipuar muzikore, duke harmonizuar stilet e dukuritë muzikore me qëllim të krijimit të veprave të mëdha muzikore.
Kompozitori, pedagogu, publicisti dhe organizatori i jetës muzikore në Kosovë tash e pesëdhjetë vite, Akil Koci është i lindur në Prizren më 1 shtator 1936, ku ka kryer shkollën fillore dhe atë të mesme muzikore gjatë viteve (1954-57). Në vitet 1957-58 ka qenë arsimtar në Shkollën Normale të Prishtinës. Ndërsa në vitin 1958 regjistrohet në Akademinë Muzikore të Sarajevës dhe e përfundoi më 1962.
Pas këtyre studimeve emërohet Kryeredaktor i programit muzikor në Radio-Prishtinë. Ndërkohë vijon një varg specializimesh profesionale të kompozimit, kurse në vitin 1972 regjistrohet në Akademinë Muzikore të Shkupit, dega e kompozimit te kompozitori Prof. Dr. Toma Proshev. Më tutje, shkollimin dhe specializimin e vazhdon në Konseravatoriumin e Kelnit me kompozitorin K. Shtockhauzen, për muzikë elektronike me Prof. Karkoschka dhe në Nyrnber te profesori Baumgartner.
Fiton bursën shtetërore gjermane DAAD dhe vazhdon studimet dyvjeçare te profesori dhe kompozitori i njohur kroat Milko Kelemen, në Stutgart (Gjermani) në Staatliche Hochschule fur Music.
Akil Koci përfundon studimet postdiplomike në muzikologji në Akademinë Muzikore të Sarajevës më 1981 te Prof. Dr. Zija Kuçukaliq. Në vitin 1975, pranohet në Fakultetin e Arteve. Pas kryerjes së studimeve postdiplomike emërohet docent, gjegjësisht profesor i rregullt i lëndës "Njohuri e literaturës muzikore".
Dy herë ka qenë prodekan. Në vitet 60-90, Koci mori pjesë në shumë konferenca, simpoziume dhe kongrese ndërkombëtare, duke lexuar punimet e veta shkencore, kurse ka mbi 250 artikuj, kritika, ese dhe studime shkencore të botuara në gazeta dhe revista kombëtare dhe ndërkombëtare.

Është anëtar i shumë asociacioneve dhe shoqatave profesionale të kompozitorëve, siç janë Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës, Kroacisë, Britanisë së Madhe, i Qendrës së Informacionit Muzikor të Britanisë, anëtar i Akademisë së Britanisë së Madhe të Kompozitorëve, anëtar i Akademisë Shqiptaro–Amerikane të Shkencave dhe Arteve në Nju Jork, dhe i disa shoqatave të tjera profesionale.

Akil Koci ka qenë promotor i jetës muzikore në Kosovë dhe të ish-Jugosllavisë. Ishte një ndër themeluesit e Shoqatës së Kompozitorëve, Pedagogëve, Artistëve muzikor, kryetar i Rinisë Muzikore të Kosovës, sekretar, nënkryetar dhe kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, nënkryetar dhe kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve të Jugosllavisë. Themelues dhe bashkëthemelues i shumë manifestimeve muzikore, Akordet e Kosovës, Skena muzikore, Ditët e muzikës kosovare dhe një ndër bashkëthemeluesit e festivalit të Muzikës së Re, Tiranë.
Fitues i shumë çmimeve, siç janë Vendi i Parë dhe Okarina e Artë në Akordet Muzikore të Kosovës, Shpërblimi vjetor i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës për baletin e parë kosovar "Sokoli e Mirusha", ka marrë Çmimin e Nëntorit të komunës së Prishtinës, atë të Dhjetorit të Kosovës, pastaj Mirënjohje nga Ministria për Kulturë dhe Sport e Kosovës, dhënë nga ministri Astrit Haraqija, Mirënjohje nga Drejtorati për Kulturë nga drejtori Mustafa Halili... (ato të 7 korrikut të Serbisë dhe 4 korrikut të LNÇSH të cilat pas përjashtimit nga puna në fakultet dhe në RTV të Prishtinës në v. 1989, i ka refuzuar me këto fjalë: "derisa bëni gjenocid ndaj popullit tim liridashës, mirënjohjet e juaja nuk kanë kurrfarë vlere për mua".).

Gjatë këtij viti (2007) ka shënuar 70 vjetorin e lindjes dhe 50 vjetorin e krijimtarisë së tij muzikore me një koncert autorial. Manifestime të tilla janë bërë edhe në Londër dhe Zagreb.
Shprehja muzikore e Kocit bazohet në tendencat zhvillimore të muzikës avantgarde evropiane - dodekafoninë e lirë, e cila është e rastësishme dhe jotematike. Veprat e tij janë interpretuar në shumë festivale, bienale dhe koncerte në Evropë dhe botë, si premiera botërore.

Nga veprimtaria kompozicionale dallohen baleti i parë kosovar "Sokoli e Mirusha", veprat orkestrale Filigranet I-XVI, Sirigmofonia, Pentalfa, Ab aeterno, Multiple sonorities, Koncerti për violë dhe orkestër. Veprat kamertale: 3 monologë për klarinet, Arabesques, Impresionet, Asimetria plus atematikon, Diskordia, Transfiguracionet, Dialogjet, Mikrosonata, Filigranët IV muzikë elektronike, Ritmet e zgjuara, Muzikë për katër balete, Kënga e Rexhës, Zef Lush Marku, Apokaliptika. Veprat vokale: Krenar edhe në litar, këngët popullore Zambaku i Prizrenit dhe mbi 30 të tjera, pastaj këngët korale,Vashës, Pa titull, Mes Njerëzve, Kaltërsirat dhe shumë të tjera.
Me rastin e përvjetorit të 2 jubileve janë ekzekutuar këngë korale "Psalm", këngë Nënës Tereze dhe fragmente nga Kanata "Gloria Festive".
Akil Koci është qytetar nderi i komunës së Prishtinës (1974).

Cilat janë rrugët e zhvillimit tuaj si artist? Na thuani diçka më shumë për fillimet e para të marrjes me artin muzikor!

Tash kur kam hyrë në dekadën e tetë të jetës sime dhe në dekadën e gjashtë të krijimtarisë është vështirë që njeriu të përkujtojë për fillimet e krijimtarisë së vet artistike, megjithatë në pika të shkurtra do t'i përgjigjem pyetjes suaj.
Muzika është art i "pastër" joekspresiv, siç është edhe arkitektura, dhe kërkon një angazhim të gjithanshëm. Kështu edhe unë që nga dita e parë, më kujtohet, kur kam kompozuar këngën "Zambaku i Prizrenit", jam munduar që të mos shkëputem nga hulumtimi i së bukurës në muzikë. Me të drejtë thotë Albert Rusel se "krijuesi muzikor është i vetmuar në mes të botës, me gjuhën e vet pak a shumë të pakuptuar". Në kohën kur fillova të studioj muzikën, mentaliteti i popullit tim "rreth muzikës" (ku jetoja atëherë, në Prizren) ishte në nivel jashtëzakonisht të ulët, kur më shihnin me violinë në dorë thoshin: “ja ky jevgu i bardhë".
Megjithatë kam bërë përpjekje të vazhdueshme, jo vetëm si nxënës por edhe si student, e sidomos si profesor që t'iu ofroj muzikën dhe atë prapë, jo vetëm muzikën time, por edhe atë të klasikëve e të masave të gjëra, përmes emisioneve në Radio Prishtinë, shkrimeve e ligjëratave. Ngase muzika dhe teoria e saj muzikore e konsideron jo vetëm si pjesë integrale të saj, por edhe të ontologjisë, për karakterin e saj universal, të pushtojë... dhe në këtë mënyrë krijuesi e transferon jo vetëm muzikën por edhe kuptimin e saj subjektiv.
Pra, kur kemi parasysh përvojën e gjatë, patjetër duhet të insistojmë që bukuria, eleganca që na sjell ky art të jetë pronë e popullit, në mënyrë që të lirohemi nga paragjykimet, e që të cilat i përjetonim në çdo çast.
Me qëllim nuk u përgjigja në pyetjen tuaj direkt, sepse problemi nuk ka qenë se… a duhet të merrem me një degë artistike të cilën vetë kam zgjedhur me dëshirë dhe me talentin që kam treguar në muzikë dhe për muzikën, por problem ka qenë: a të vazhdohet me krijimtari apo me popullarizimin e saj.
Gjenerata jonë ka bërë edhe njërën edhe tjetrën, sepse për mua si krijues është me rëndësi "të qenurit dhe koha". Unë ekzistoj, e kjo do të thotë se edhe krijoj, kurse masat duhet edukuar drejtë e mirë që ta kuptojnë krijimtarinë tonë dhe atë të mirëfilltë muzikore.
Krijimtaria ime për opinionin e revistës suaj është e njohur dhe nuk kisha hyrë në detaje që ta shpjegoj, sepse, me siguri lexuesit e nderuar të revistës Ars Poetica i përcjellin krijimet e krijuesve shqiptarë.

Na flisni për rrethanat e largimit tuaj nga Kosova dhe kalimit në Angli, në një qendër të madhe të kulturës perëndimore, ishte kjo e vështirë për një artist shqiptar?

Kurrë nuk kam menduar që ta lëshoj Kosovën, mirëpo meqenëse kishim probleme me sëmundjen e bashkëshortës sime, këngëtaren e mirënjohur Xhejlane Broqi-Koci, u detyrova që të shkoj në Angli në kërkim për shërim, por për fat të keq pa efektin e dëshiruar.
Shumë e vështirë ishte të largohem e edhe më e vështirë të integrohem në rrjedhat jetësore të Britanisë. Është dashur të tregohem çdo ditë dhe të verifikohem si artist, si krijues, si njeri që i takoj një populli me vlera të larta morale, intelektuale dhe në çdo aspekt. Pra vështirë ishte të "mbroj dinjitetin e popullit tim" prej lloj-lloj provokimeve me të cilat jo vetëm unë, por shumica e njerëzve tanë ballafaqohen ditë për ditë.

Megjithatë, kam krijuar një rreth, duke forcuar pozitën krijuese dhe tani jam anëtar i shoqatave më prestigjioze muzikore, siç janë Shoqata e Kompozitorëve të Britanisë së Madhe, anëtar i Akademisë Britanike të Kompozitorëve, anëtar i Qendrës për Informim të Muzikës, poashtu këtu në Londër dhe i disa shoqatave profesionale që ekzistojnë. Jam poashtu anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane në Nju Jork.

Merrem me krijimtari dhe ndiej kënaqësi, nuk jam larguar nga Kosova, jam jo vetëm me vepra prezent atje, por edhe me aktivitete të tjera të shumanshme.
Sa për dijeni, ndahen mbi gjashtë shpërblime dhe dy bursa - Për ekzekutimin veprës të kompozitorit shqiptar; Për ekzekutimin e veprës së Mocartit; Për kompozitorin më të ri në gara; Për veprën më të mirë të botuar në Takimet e Dom Mikelit; Unaza e Katit-donator në Takimet e Shtjefën Gjeçovit, Dy bursa njëvjeçare për dy studentë më të mirë kosovarë në Garat Ndërkombëtare të Muzikës Klasike në Prishtinë). Garat ndërkombëtare të muzikës klasike mbajnë emrin  tim "Çmimi i kompozitorit Akil Koci-Grand Prix", që është një nder për mua.
Veprat e mia ekzekutohen anekënd Evropës. Para pak kohe ishte ekzekutimi i një vepre në Gjermani, kurse tani kam ekzekutimin e një vepre në Pulë të Kroacisë, dhe shi, atë e ekzekuton në kitarë Genc Çivalaku, shqiptar i cili jeton në Split, fitues i shumë shpërblimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, kurse sivjet në Prishtinë ai fitoi Çmimin e kompozitorit Akil Koci - Grand Prix, në garat ndërkombëtare të muzikës klasike.

Ju jeni ndër kompozitorët më të njohur shqiptar, si e vlerësoni muzikën shqipe sot dhe sa është reprezentative ajo në botën perëndimore?

Ju falënderoj për komplimentin por nuk jam më i njohuri, kam kolegë që janë poashtu të çmuar dhe cilësorë. Sa i përket muzikës klasike si në Kosovë, po ashtu edhe në Shqipëri (ndërsa nuk di dhe aq se çfarë ndodh momentalisht në Maqedoni dhe në Luginën e Preshevës), muzika ka një zhvillim normal.
Kompozitorët krijojnë vepra dhe prezantohen jo vetëm para auditoriumit shqiptar por edhe më gjerë. Sa i përket muzikës, siç e quajnë popullore, zbavitëse, ajo është duke marrë një kahje shqetësuese sepse kemi shumë "kompozitorë" që nuk dinë as të lexojnë e të shkruajnë gjuhën muzikore, krijojnë muzikë talla–vam. Nuk bëjnë asgjë tjetër pos "shund muzikor", dhe janë turpi i kombit me muzikat e ashtuquajtura Turbo-Folk, e që janë si ndikim i jashtëm prej kulturave sllave, turke etj. Në ato "këngë" ka një lloj përzierje të melosëve të shumtë në kuptimin më primitiv, siç janë melosi sllav, oriental, jevg, grek etj. Është më interesante dhe brengosëse se të gjitha ato këngë transmetohen nëpër televizionet dhe radiot tona pa kurrfarë kriteresh dhe kontrolli. Them madje se është turp.
Ne kemi një folklor muzikor që na e kanë lakmi jo vetëm fqinjët tanë (prej të cilëve vjelim "gjëra dytësore" ose ndikime të tyre muzikore), por edhe më gjerë, prandaj bazamenti i këngëve tona duhet të jetë patjetër parësor me origjinalitetin, të ruajë origjinalitetin... e jo të ndodhë ashtu siç i përmenda më lart.

Çfarë i duhet më shumë muzikës shqipe sot?

Një edukatë më serioze në lëmin e muzikës, e për këso mangësi janë fajtore shkollat tona, aso të ulta, të mesmet dhe fakulteti i arteve në Prishtinë, që nuk i kushtojnë kujdes më të madh edukimit të nxënësve të tyre në aspektin estetik dhe në drejtim të vlerave të njëmendta.

Cilat krijime do t'i veçoni nga krijimtaria juaj në fushën e muzikës?

Pa dyshim baletet... Baleti i parë kosovar Sokoli e Mirusha, Kënga e Rexhës, Zef Lush Marku, Apokaliptika si dhe shumë vepra orkestrale, pra ato nuk ndahen, janë sikur t'iu thuash prindërve: cilin e keni fëmiun më të mirë.

Ju në Londër keni edhe shkollën tuaj, si arrini të zhvilloni gjithë këto aktivitete, të kompozoni, të shkruani, të merreni me aktivitete humanitare?

Jo, ajo nuk është shkollë, të them… me "parametra normal". Në kuadrin e "Koci Temporary Arts Center" ekziston edhe dega e muzikës me disa seksione, por sivjet meqenëse nuk kemi lokale jemi të detyruar ta reduktojmë aktivitetin tonë. Mirëpo këta nxënës japin provime në Royal Music School në Londër, pra në një shkollë muzikore mjaft prestigjioze ku është patrone Mbretëresha Elizabeta, kurse Kryetar i Bordit, Princ Çarlsi.

Një kompozim i juaji është zgjedhur që të prezantojë Anglinë në Lojërat Olimpike 2012?

Në një konkurs të shpallur nga Këshilli i Lojërave Olimpike të cilat do të mbahen në Britaninë e Madhe, mora dhe unë pjesë, dhe kënga ime "Vera" në tekstin e Ndre Mjedës u zgjodh që të këndohet nga Kori Mbretëror i të Rinjve me 2012, në Lojërat Olimpike në kuadrin e programit kulturor. Jam i lumtur që ajo do të këndohet në gjuhën shqipe si e vetmja.

Na flisni pak për projektet tuaja të ardhshme?

Si çdo krijues edhe unë kam ca projekte, edhepse në këtë moshë të shtyer. Por nuk parapëlqej të flas tash, sepse flas vetëm atëherë kur ato të realizohen.
Krijuesit e shumtë flasin me entusiazëm për projektet e tyre e kur vjen te realizimi shpesh nuk janë askund. Një fjalë popullore thotë: "Mos bëjë hop, pa kapërcyer gardhin". Kjo fjalë e urtë ka domethënie të madhe për një artist.

Për fund, çfarë do t'i sugjeronit brezit të ri, cili është mesazhi juaj për artistët e mbarë botës shqiptare?

Dihet, pikësëpari mësim, edukim dhe ndershmëri, por unë do të shërbehem me një thënie të Nënës tonë të madhe Terezë, e cila është botuar në librin e bukur me titull "Nëna Tereze - 100 fjalë të urta", të cilin libër e ka përmbledh meshtari Mr. Don Marjan Frrok Marku në Zvicër, ku thotë: "Ne kurrë nuk mund ta dimë se sa të mira na sjell një buzëqeshje e thjeshtë. Një buzëqeshje është sikurse një prekje. Ajo sjell në jetën tone diçka nga bota hyjnore".

Ju falënderoj që më zgjodhët të parin për intervistën e Ars Poetica, shpresoj se do të jem bashkëpunëtor i juaj i vyer.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora