E enjte, 02.02.2023, 05:14 PM (GMT)

Editorial

Çlirim Uça: Loja me buste dhe fotografi

E hene, 14.03.2011, 07:59 PM


LOJA ME BUSTA DHE FOTOGRAFI

 

Nga Çlirim Uça

 

Turqija e sotme e ka nderue Adem Jasharin tue i dhanë emnin dhe tue vu bustin e tij në një shesh të Stambollit. Por ajo nuk ka ndyshue qëndrimin për Kryeheroin tonë, Gjergj Kastriotin. Derisa paraardhësit e tyne ia kishin plaçkitë edhe varrin, të tashmit nuk duen t`ia shohin as bustin në Atdheun e vet, në Shqipni. Per shqetësimin e tyne sot kujdesen edhe krenët e Shqiptarisë: sa t`u vijë për vizitë arkadashët (shokët) nga Turqija, ata heqin bustin e Kryetrimit nga ambientet e pritjes.

Veprimet tjera, si bie fjala, shoqnimi i delegacioneve turke për tek varrezat dhe monumentet e mbetuna nga e shkuemja, ose thirrja me - “vëllezër”- e mysafirëve, as që ia vlen të komentohen.

Në ballafaqim me ketë turp, do te doja të shtroj pyetjen: a meriton sovranitet një popull që përbuzë vlerat e tij ma të shejta?

Dy muej ma parë, më pat tregue një mik i imi, që papritmas i ishte dashtë të shkonte në Kosovë. Në shtëpinë e mikut të tij, ku kishte ndodhë një vdekje tragjike, për kryeshnoshje kishte ardhë edhe një saudit, i cili, që nga paslufta drejtoka një organizatë “humanitare” islamike me seli në Pejë.

Sauditi tash qenka ba edhe dhandër i yni, paska mësue gjuhën shqipe dhe, kuptohet, përvetësue edhe zakonet tona, ndër ta edhe zakonin e kryeshnoshjes.

Mbasi paska qëndrue në kryeshnoshje, kur asht ngritë për t’u largue, i paska shkue pranë një minibusti të Gjergj Kastriotit, i cili ndodhej sipër një tavoline, afër televizorit, dhe, mbasi i kishte vu dorën sipër, kishte pyetë: Ç`asht ky këtu? Ky duhet hedhë, seps ka qenë anmik i islamit!

Kështu ka thanë burri i zi i botës dhe asht largur prej aty, tue lane atë mesazh poshtnues pa marrë as ma të voglin kundërshtim nga të pranishmit.

A nuk tregon ky rast se populli ynë nuk njeh vlerat e trashëgimisë së tij të çmueshme?

A nuk asht provue kjo edhe me rastin e uzurpimit nga forcat serbe të kompleksit të Lidhjes së Prizrenit?

Kryekuvendari i Kosovës, z. Jakup Krasniqi, sapo mori Presidencën e Kosovës, tregoi shenja mosdurimi kur vendosi largimin e fotografisë së Ibrahim Rugovës nga salla e pritjes.

Morali njerëzor dhe logjika demokratike ta imponojnë veç tjerash edhe ndjenjën e përmbajtjes. Pa këte vlerë, na nuk mund të bajmë hapin e duhun kah civilizimi dhe demokratizimi i andrruem. Të kryesh atë që ke në dorë pa marrë në shqyrtim pikëpamjen e tjetrit asht tirani dhe antiinstitucionalizëm.

Këto veprime, mjerisht, janë vese tonat të shëmtueme.

Talebanisti Meli Krasniqi, qysh ditën e parë te punës si Ministër i Kulturës, tregoi sa i pakulturë asht e sa mjeran. Ani pse asht biri i një intelektuali, ai, si me ngutjen e vaktit te sabahut, urdhënoi largimin e fotografive të Nanës Terezë dhe ish të ishkryetarit Ibrahim Rugova, me arësytimin se u kishte kalue koha.

Mund të na plasë zemra, por s`kemi si ta kundërshtojmë justifikimin e tij. Vërtetë ka ardhë një kohë e re për popullin shqiptar: koha e shkretnimit total të trunit. Talebanët janë tash në modë. Sot ata e kanë mbërthye vendin në të katër anët. Janë në Qeverinë e Kosovës, janë në Presidencë, janë në arsim, në rrugë, dhe në çdo qelizë të jetës së Kosovës me zhurmën mbytëse të megafonave të tyne. Kosova asht ba si një emirat arab. Idhujt e shkretimit e morën radhën, medet!

Ndoshta edhe vendimi i Nanës Terezë për të qëndrue në Kalkutë ka qenë një parandjenjë e adhurimit të paqës. Se t`jesh kush të jesh ndër shqiptarë, shpirti në paqë nuk të prehet kurrë: Eshtnat t’i hedhin në lumë, bustin ta përdhosin simbas nevojës së ditës, fotografinë ta heqin dhe nanën ta shajnë.

Mjerë ky popull! Të bahesh i lumtun që nuk vdiqe për ta dhe të vdesësh sa ma parë, nëse duhet jetue për ta!.



(Vota: 15 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora