Kulturë
Vaso Papaj: Poezi nga vëllimi "Mbeta mik me shpirtin"
E diele, 20.02.2011, 08:28 PM
Vaso Papaj
Poezi nga vëllimi "Mbeta mik me shpirtin" botuar së fundi nga SHB UEGEN.
“Dhe yjet rrijnë e vështrojnë…”
Ca jetojnë nëpër barraka,
vilat ca s’dinë ku i kanë.
Cave peshku i vjen me barka,
ca dhe bukën han me gram.
Ca kanë vapë nëpër pishina,
ca shtëpinë e kanë pa ujë.
Ka që blejnë ç’far’ ka vitrina,
ca pse lypin bëjnë aq bujë.
Ca shtëpinë në lloto humbin,
ca një shtrat nuk kanë përjetë.
Ca për paqen po luftojnë,
paqe s’kanë në shtëpin’ e vet.
Ca kërkojnë pensione lufte,
kur s’kanë mbushur shtatëdhjetë.
Ca mbajn’ frymën me një qindëshe,
ndonse derdhën djersë një jetë.
Ca që thone:” Kapni hajdutin”,
antifurte kanë nga dhjetë.
S’i zë gjumi natë e ditë,
mbrojnë atë që kan’ vjedh vet.
Ca me qumësht vetëm lahen,
ca për foshnjet s’kan’ një gotë.
Disa zemër nuk kanë fare,
ca veç zemra gjuajnë sot.
Ca ndërtojnë në tokat arë
dhe kërkojnë bukë në Pazar.
Ca ndërtojnë brenda në det,
që ta pijnë dhe detin vet.
Disa bëjnë duva dhe lutje
dhe moralin flakin tutje.
Ca lexojnë te dora fatin,
dyqint n’orë me Benzin kapin.
Këto, Kroninin më kujtojnë,
“Dhe yjet rrijnë e vështrojnë…”
Requiem për një takim të humbur…
Rastësisht u pamë një mbrëmje
Sytë mbërthyer te hiçi, mbaj mënd
Përmes errësirës seç kishe, nxitoje
Dhe un’ kisha aq shumë për të thënë.
Pranë më kalove dhe diçka belbëzove
Si me guxim e përfole fatin tënd
Të dëgjoje fjalët e mia s’ ndalove
Megjithse të doja atëher me gjithë mënd.
Buzqeshe dhe “natën e mire” më urove
Ta ktheva: prap do të shoh në një vënd
Por ti nëper terr pa ndjerë u largove
Megjithse të doja atëher me gjithe mend
Këtë nat’ të gjatë, në ca orë vetmie,
sa herë të pyes, përgjigje s’ke dhënë.
Dua të të shoh, të të shoh prap’, dije.
O Zot, kisha aq shumë për të thënë.
Ti je ëngjëlli im
Ç’emocion provoja, kur në krahë më ngrije.
Aroma jote nënë, thesar i rrallë në botë.
Si prehesha aq thellë, në sytë e tu plot hije,
në mëndje ngulitur i kam edhe sot.
Dhe dimrave pafund, në atë bodrum me cikma,
jorganin ma tërhiqje, gjithnjë më lart’ mbi sytë.
E nëse qielli i egër lëshonte zjarr dhe klithma,
në shtratin tënd të ngroht’, me gaz më fusje zhyt.
Ma kishe bër’ zakon, të zgjohesha me gjelat,
të përsëritja lëndët e ditës në vijim.
Më rrije përmbi kokë, më krihje kaçurrelat
e m’dukeshe gjithmon’ si ëngjëll në fluturim.
Në ndihmë të cilitdo të shihja, nëna ime.
N’ atë rrugicë të bardhë buronte dashuri.
Kalove kohë të errta, mëngjese pa agime.
Më shumë se ëndërra moshe, ti njohe pleqëri.
Të mbijnë syt’ andej, rrugicës nga ku vija.
Sa shumë dëshëroje t’ isha unë dikush.
Kur koha më largoi me vite nga shtëpia,
me letra të melhemta një sirtar m’u mbush.
Po sot atë sirtar me çelës e kam mbyll.
Nuk dua që fëmijët të kthehen tek e vjetra.
Kur portat na i mbyllën, me nga një vulë në dyll
dhe unë vajtoja gjatë nga njëra port’ te tjetra.
Nuk dua të të kujtoj si ëngjëll në lartësi.
Nuk dua të të shoh me thinja, me të zezë.
Fotografinë e vajzërisë e mbaj mbi skrivani.
Mirësi më jep dhe forcë, e më rrit shpresë.
E sot, ngado që shkoj, përher’ të ndjej si shpresë.
Ti ëngjëll më qëndron mbi kokë gjithnji.
Kështu do të mbaj mënd, gjer ditën që do t’vdes
O këngë e jetës time, ninull plot mirësi.
Ushqyem shpresa të mëdha
Si zogj të trembur u shpërndamë,
nga toka, ajri e deti.
Ushqyem shpresa të mëdha,
tashmë asgjë s’na mbeti…
Si ikëm, vallë, atë korrik!?...
Të heshtur, qëmenatë…
Ca në Europë , ca n’Amerik’,
të etur për pak fat.
Vështrimin humb në horizont
O Zot, sa vjet kaluan!?...
Sërisht i njejti jam dhe sot,
për fëmijët edhe për gruan…
Si zogj të trembur u shpërndamë,
nuk ka më lot poeti.
Me shpresë të ndezur kudo vamë,
Në xhep një gur na mbeti
Ai që ikën
Ai që ikën ësht’ gjithmon’ i skllavëruar
Ai që ikën dhe më i forti ësht’ gjithmon’
Ai që ikën mbetet prap i përmalluar
Ai që ikën, vetë Zoti e kërkon…
Ai që ikën nga brenga zë e tretet
E brenda nesh një mall na ndez më shumë
Ai që ikën në zemrat tona mbetet
Ndaj na ndodh shpesh ta shohim dhe në gjumë.
Po unë nuk ika, kur ti më the të ikja
Më mirë kështu, të ishim pranë e pranë
Isha i dobët, e nuk më linte frika
Prandaj dhe mbeta si varkë në oqean.