E premte, 26.04.2024, 07:06 AM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Muhameti në vitet 610-622, si Lenini në vitet 1902-1917 (1)

E shtune, 11.12.2010, 08:58 PM


Muhameti në vitet 610-622, si Lenini në vitet 1902-1917 (1)

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Muhameti dhe Lenini ngjajnë edhe se ata të dy i përkisnin shoqërive me kasta tribale dhe nacionale, dhe të dy i përkisnin kastës së privilegjuar. Në Hexhaz, krahinën ku gjendej Meka, qyteti i lindjes së Muhametit, kishte filluar të konturohej një shoqëri tribale në trajtën e një federate të lirshme fisnore, të përqëndruar rreth kultit të Kaaba. Rusia e kohës kur lindi Lenini ishte një shoqëri dyfish me kasta. Rusia ishte jo vetëm një shoqëri aristokratike, por edhe një imperi shumënacionale, ku rusët qenë në krye të hierarkisë nacionale. Nga kjo pikëpamje Rusia e asaj kohe ngjante me federatën fisnore që kishte lindur në Hexhaz, me qendër Mekën, ku kurejshët qenë fisi sundues. Lenini ishte rus, pra i përkiste nacionit sundues të imperisë, ashtu si Muhameti ishte kurejshi, një anëtar i fisit sundues. 

Si Muhameti ashtu dhe Lenini i përkisnin aristokracisë në shoqëritë të cilat i përmbysën. Muhameti ishte një aristokrat nga fisi kurejshi. Lenini i përkiste një familjeje e cila kishte fituar një titull të trashëgueshëm aristokratik nga cari. Kjo ishte  një praktikë kjo që e kishte origjinën tek reformat modernizuese të Pjotrit të Madh, i cili kështu donte të krijonte një establishment në mbështetje të kurorës në shoqërinë ruse. Lenini ishte një dvoryanin, një aristokrat. Ai ishte një aristokrat intelektual. Pjotri i Madh dhe carët pasues të tij, kishin menduar se diplomantët me arsim të lartë, një prej të cilëve ishte dhe Lenini, në kushtet e Rusisë do të ishin për një kohë shumë të gjatë aleatët dhe mbështetësit e Absolutizmit carist, duke e parë atë si forcë reformatore. Të gjithë carëve, që nga koha e Pjotrit të Madh, u pëlqente që të joshnin intelektualët rusë, duke u krijuar përshtypjen se Kurora në anën e tyre, dhe e prirur për reforma të thella, por pengohej nga forcat konservatore, aristokracia, Kisha, fshatarësia bestyte, që mund të manipulohej nga Kisha dhe aristokracia për t' u rebeluar. Gjithashtu, Kurora kërkonte që të krijonte përshtypjen tek intelektualët se ajo qe mbrojtësja e tyre dhe përballonte presionin e aristokracisë dhe Kishës për represion të shkallëzuar ndaj intelektualëve. Lenini u diplomua si jurist dhe u licencua si avokat. Në Gjermani, të cilën e shikonin si shembull carët rusë të cilët qenë me origjinë gjermane, një njeri i tillë ishte një qelizë konsistente e establishmentit ku mbështetej monarkia. Në Rusi nga ky rreth njerëzish dolën disa nga revolucionarët më ekstremistë. Në Rusi ndodhi kështu për shkak të thelbit barbar të shoqërisë ruse, i cili impononte një mobilitet destruktiv.

Muhameti, duke qenë biri i një familjeje tregtare të pasur i përkiste  Mekës elitës së Mekës. Vdekja e prindërve që në moshë të vogël e ndryshoi vetëm ëprkohësisht statusin e tij shoqëror, por jo në mënyrë radikale. Ai u rrit nga xhaxhai, i cili gjithashtu ishte i pasur. Për Muhametin është thënë se ishte një analfabet i pashkolluar, gjë që duket krejt e pabesueshme, po të konsiderojmë familjen ku lindi dhe atë se ku u rrit. Muhameti analfabet është një krijesë e hagiografëve shtetërorë arabë të tij, pas vdekjes së tij, për arsye të cilat nuk është e vështirë që të kuptohen. Kur u rrit Muhameti punoi si agjent tregtar, çka do të thotë se ai nuk ra më poshtë se shtresa e mesme e shoqërisë. Në moshën 25 vjeç ai u ngjit në shkallët e hierarkisë shoqërore, kur u martua me një vejushë të pasur. Kur Muhameti qe 37 vjeç, dhe ai pretendoi se filloi t' i zbulohet Kurani nga Zoti, ai u bë një rebel ndaj shoqërisë brenda së cilës jetonte, se sfidoi jo thjesht kultin kryesor religjioz të Mekës dhe të Hexhazit, por edhe pushtetin politik, i cili praktikisht bazohej mbi këtë kult.

Të gjitha gjasat janë se kjo sfidë e Muhametit ka qenë më e hershme se momenti kur ai pretendoi se pati zbulesën hyjnore. Shoqëria mekane ishte e ngjashme me atë ruse të kohës së Leninit. Vetëm disa gjenerata para Muhametit, Meka kishte filluar të bëhej qendër sedentare e fiseve nomade. Ashtu siç ndodhi në Rusi, ku urbanizimi dhe arsimimi patën si efekt të padëshiruar krijimin e një segmenti me prirje subversive të shtresës shoqërore të arsimuar, edhe në Mekë, lindja e një shoqërie sedentare, paraurbane, krijoi mjedisin ku lindi një shtresë shoqërore subversive mes rinisë, e cila ishte e joshur të shtinte në dorë instrumentet e pushtetit politik, të cilat qenë të përqëndruara tek kulti i Kaaba. Elita kurejshe që kontrollonte kultin e Kaaba dhe instrumentin e pushtetit politik që vinte prej tij, kishte ndërmarrë disa reforma religjioze-politike për të ndërtuar sundimin e saj. Efekti i padëshiruar i këtyre reformave, ashtu si në Rusi, ishte se krijoi tek pjesa aktive e rinisë dëshirën për të ndërmarrë reforma religjioze dhe politike më radikale, dhe lindja e një aktivizmi të llojit të shoqërive konspirative, për ndërmarrjen e këtyre reformave. Lenini dhe Muhameti qenë pikat kulmore të kësaj prirjeje. Muhameti vetë e ka pohuar se ai para se të kishte zbulesën e pretenduar hyjnore, mori pjesë në një shoqatë të quajtur "Bashkimi për Virtutin", e cila duke konsideruar realitetin e Mekës së kohë që ishte një teokraci politeiste, nuk mund të ishte tjetër veçse një shoqatë revolucionare subversive. 

Tradita islame thotë se Muhameti, që gjashtë muaj para se të kishte zbulesën hyjnore, rreth moshës 40 vjeç, shkonte në shpellën Hira, afër Mekës, ku ai u përgatit për profetësinë. Kjo do te thotë se ai në shpellën Hira takohej me të dërguarit e spiunazhit persian, të cilët e përgatisnin për misionin e tij subversiv. Tradita islame thotë se Muhameti në këtë periudhë, e cila përbën një të dyzetegjashtën e profetësisë së tij, u instruktua me anë të ëndrrave hyjnore. Nuk përjashtohet që të ketë qenë në një gjendje transi, duke qenë se persianët përdornin gjerësisht manipulimin mendor të njerëzve me anë të drogave. Kështu që përgatitja e Muhametit për misionin e tij mund të ketë pasur si pjesë të agjendës edhe krijimin e gjendjeve halucinante ku atij i krijohej besimi se ishte profet. Një gjë duket e sigurt. Kryeengjëlli xhibrail (Gabriel), i cili iu shfaq Muhametit dhe i bëri kumtesën hyjnore, nuk ishte gjë tjetër veçse një oficer i spiunazhit persian. Muhameti nuk i tregon kurrkujt veç së shoqes, Khedije, e cila nga ana e saj, i tregoi një të afërmit të saj për këtë eksperiencë të burrit të saj.

Ajo që të bën përshtypje është se, në kohën që ai vetë ka dyshime për atë që i ka ndodhur, gruaja e tij është e bindur se ai ka pasur një komunikim hyjnor! Kjo duket tepër e çuditshme. Pse duhej që të ishte kaq e sigurt ajo? Kjo ka vetëm një shpjegim, atë se gruaja e tij ishte më tepër se ai në dijeni të këtij operacioni të spiunazhit persian. Gruaja e parë e Muhametit është një person mjaft misterioz dhe me një autoritet të çuditshëm ndaj tij. Muhameti, i cili më pas do të qe një poligam në kuptimin më të gjerë të fjalës, do të ishte një monogam në kohën e martesës me gruan e parë, sigurisht jo me dëshirën e tij.

Pasi biseduan të dy, gruaja e Muhametit e çoi këtë tek djali i xhaxhait të saj, Varaka bin Nevfel. Ky është i pari njeri jashtë familjes së ngushtë, i cili mësoi për atë që i kishte ndodhur Muhametit. Dhe ajo që të bën përshtypje është se edhe ky nuk ka asnjë hezitim, por beson saora se Muhameti ka pasur një eksperiencë hyjnore, edhe pse ky vetë dyshonte shumë për këtë. Me sa duket, biseda me Varak bin Nevfel ishte pjesë e operacionit të spiunazhit persian, për ta bindur Muhametin. Varak bin Nevfel vdiq shumë shpejt pas kësaj bisede, çka nuk duket që të jetë një koincidencë. Ai duhet të merrte me vete një sekret. Edhe vetë gruaja e Muhametit do të vdiste para se ai të largohej nga Meka për në Medina, çka shënonte fillimin e vërtetë të profetizmit të tij.

Pas komunikimit të parë të supozuar hyjnor të Muhametit, pati një ndërprerje prej tre vitesh, e cila përkon me vitet 610-613. Kjo duket se ndodhi ngase persianët nuk qenë të bindur se Muhameti ishte i aftë të luante rolin e profetit dhe të shefit të revolucionit në Mekë. Ai kishte nevojë ende për instruktim. Vetëm pas tre vitesh Muhameti supozohet se pati përsëri një komunikim hyjnor ku u urdhërua që të fillonte të bënte thirrjen e fshehtë në Islam, do të thotë që të ftonte në fenë e re njerëzit më të afërt të fisit të tij, në mënyrë konspirative. Në Suren Al-Shu' ara, Allahu supozohet që ta ketë urdhëruar Muhametin:

"Pra, përpos Allahut mos lut zot tjetër e të bëhesh prej të dënuarve.

Dhe fto farefisin tënd më të afërt

E të jesh i butë ndaj besimtarëve që të pranuan ty".(Kuran, Al-Shu' ara: 26/ 213-215)

Kjo ishte në traditën e konspiracioneve në shoqëritë tribale, ku i besohej të afërmit nga gjaku. Muhameti, ndryshe ngaqë Krishti, po e fillonte karrierën profetike si një profet tribal. Përse duhej që profeti i Allahut të gjithëfuqishëm ta fillonte misionin e tij të thirrjes së njerëzve për t' iu nënshtruar një Zoti të vetëm dhe për ta adhuruar atë, si një konspirator i rëndomtë? Përse duhej që Allahu të vihej në rolin e shefit të konspiracionit dhe Muhameti në rolin e leitnantit të tij? Përse nuk duhej që Muhameti të dilte publikisht dhe t' i ftonte të tjerët që të pranonin Allahun si Zotin e vetëm dhe ta adhuronin atë? Se në këtë rast idhujtarët do ta kishin vrarë Muhametin, do të përgjigjet shumëkush. Ndoshta, por a nuk ishte jeta e Muhametit në dorën e Allahut të gjithëfuqishëm? Idhujtarët nuk mund ta vrisnin Muhametin nëse ky nuk ishte vullneti i Allahut. Përgjigjia e vërtetë është sepër Muhametin nuk ekzistonte vërtet Allahu, prandaj ai vepronte sipas manualit të konspiratorit. Ajo çka të bën përshtypje është edhe porosia që i jepet Muhametit që të jetë i butë me besimtarët. Kjo na ndriçon për karakterin e Muhametit si një njeri brutal, një ngjashmëri tjetër me Leninin. Brutaliteti ishte një anë e domosdoshme e personalitetit të shefit të një konspiracioni tribal, por i shqetësonte persianët kur e kapërcente masën, se i largonte njerëzit prej Muhametit.

Muhameti shtroi një drekë të njohur si Da' ëat dhul Ashira (tubimi i familjes). Atje ftoi rreth 40 veta nga fisi i tij Banu Hashim. Pasi atyre iu shërbye ushqim dhe pije, Muhameti filloi të bënte me dije shpalljen e pretenduar hyjnore. Kjo ishte në stilin e konspiracioneve religjioze-politike, dy sfera këto që në atë pjesë të botës nuk kane qenë kurrë të ndara. Kështu, shpallja e Islamit filloi si një konspiracion i rëndomtë dhe kështu e perceptuan edhe të pranishmit. Duke ftuar në Islam njerëzit më të afërm të tij nga gjaku, Muhameti praktikisht po kërkonte të krijonte një organizatë konspirative të llojit tribal, ekuivalenti i organizatës revolucionare pararojë të Leninit në Arabinë e kohës së Muhametit. Deklarimi i Muhametit shkaktoi largimin e të gjithë të ftuarve, për të cilët ky deklarim ishte baras me ftesën për të marrë pjesë në një konspiracion kundër regjimit në fuqi në Mekë. Muhameti i ftoi përsëri të nesërmen dhe u tha se ishte urdhëruar nga Allahu që të mbështesnin Muhametin. Ai që do të pranonte i pari, do të bëhej vëllai i tij dhe pasuesi, do të thotë khalifi. Kushëriri i tij, Aliu, më i vogli ndër të pranishmit, pranoi. Katër njerëzit e parë që e pranuan Islamin qenë gruaja e Muhametit, shërbëtori i tij Zejdi, kushëriri i Muhametit Aliu, si dhe Abu Bekri, miku i këtij të fundit.

Shpallja e fshehtë e Islamit nga Muhameti vazhdoi për tre vite (613-616) dhe gjatë kësaj kohe Islamin e pranuan shumë pak veta. Abu Bekri u tregua shumë më i aftë se Muhameti për të konvertuar njerëz të tjerë në fenë e re. Abu Bekri arriti që të bëjë pesë ithtarë të fesë së re, gjithherë brenda rrethit fisnor, duke arritur në nëntë numri i muslimanëve, pa llogaritur Muhametin. Në një jetëshkrim të Muhametit, të shkruar nga Safijurrahman El-Mubarrekfuri, me titull "Nektari i vulosur i xhenetit", që ka fituar çmimin e parë në një konkurs të Ligës Islame-Rabita, në Mekë, në 1979, thuhet:

"Të gjithë njerëzit e përmendur fshehurazi e pranuan Islamin. Resulull-llahu alejhis-selam takohej me ta në vendet e caktuara dhe ua kumtonte Islamin, larg syve të botës. Misioni i tij ende ka qenë: misioni i thirrjes së fshehtë individuale në Islam". (Safijurrahman El-Mubarrekfuri, "Nektari i vulosur i xhenetit", "Shoqata e Vakëfit Islamik", Tiranë 1998, f. 27)

Gjatë periudhës së predikimit të fshehtë Muhameti shpall Suren Al Fattehah, e cila është e para në Kuran, por e pesta në rendin e shpalljeve. Kjo sure është një formulë e adhurimit të Allahut, por e përpunuar me kujdes, ashtu që të mos atakohen zotat idhujtarë. Atje thuhet vetëm se falenderimi i takon vetëm Allahut. Derisa Allahu ishte edhe kryezoti i panteonit mekan, kjo nuk i acaronte shumë mekanët. Në këtë fazë Muhameti është shumë i përmbajtur. Në Sure El Kaaferoon (E mohuesve), e cila është e njëqindenënta në Kuran, por e tetëmbëdhjeta në rendin e sureve të shpallura, Muhametit i kërkohet që t' u thotë kundërshtarëve:

"Ju keni fenë tuaj e unë kam fenë time".(Kuran, El Kaaferoon: 109/ 6)

Vetëm në Suren Al-A' raf, e cila është e tridhjetëenënta në rendin sureve të shpallura, por e shtata në Kuran, Muhameti shpalli:

"O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut te të gjithë ju. Allahut që vetëm i Tij është sundimi i qiejve e i tokës, s' ka të adhuruar tjetër pos Tij".(Kuran, Al-A' raaf: 7/158)

Por në Suren A' alaa (Më i Larti), e cila është e teta në rendin e shpalljes së sureve (pra pas së mësipërmes), por e tetëdhjetëeshtata në Kuran, Allahu i thotë Muhametit:

"Madhëroje larg të metave Zotin tënd, më të lartësuarin".(Kuran, A' alaa: 87/1)

Këtu Allahu nuk është zoti i vetëm, por vetëm më i lartësuari. Idhujtarët nuk kishin kundërshtim që dikush ta adhuronte Allahun, kryezotin e panteonit më tepër se idhujt e tjerë. Në predikimin e tij të parë klandestin para një grupi të madh njerëzish, Muhameti pati një dështim të vajtueshëm. Ai mblodhi dyzet veta të fisit të tij më të afërm brenda tribusë kurejshe, fisit Hashim dhe provoi t' i tërhiqte në fenë e re, duke u predikuar.

 

kastriotmyftaraj@sot.com.al

 

Vijon

 



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora