E premte, 02.05.2025, 11:52 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Profeti tregtar: Kurani si libër tregtie

E marte, 07.12.2010, 10:59 PM


PROFETI TREGTAR: KURANI SI LIBËR TREGTIE

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Muhameti si profesion ishte tregtar. Mrekullia e parë e Muhametit ishte në tregti. Ai dyfishoi pasurinë e Khadijes, femrës me të cilën do të martohej më pas. Në mënyrë domethënëse profesioni i tij ka lënë gjurmë në suret e Kuranit, të cilat ai supozohej që thjesht t' i shpallte, në emër të Allahut. Edhe Allahu në Kuran flet çuditërisht në terma tregtare, kur paralajmëron jobesimtarët se: "janë ata që blejnë gabimin me çmimin e udhëheqjes, kështu që tregtia e tyre nuk lulëzon, as janë ata të udhëzuar drejt".(Kuran, El Bekare: 2/16). Këtu raporti i njerëzve me Allahun shprehet në terma tregtare. Duke konsideruar profesionin e Muhametit, nuk është për t' u habitur që Kurani, në disa aspekte, ngjan me një manual tregtie. Në Sure El Bekare Allahu thotë:

 

"O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Nga ju le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurojë nga të shkruarit, ashtu siç e ka mësuar Allahu. Le të shkruajë e atij le t' i diktojë ai që e pranon borxhin, le t' i frikësohet Allahut, Zotit të tij dhe të mos lerë mangut asnjë send nga ai. Dhe mos përtoni për të shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë, apo i madh, sepse kjo është më e drejtë tek Allahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit. Vetëm nëse tregtia është e atypëratyshme, që e praktikoni mes jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat, mos e shënoni. Por kur bëni shitblerje, dëshmojeni".(Kuran, El Bekare: 2/282). Kjo këshillë tregon se Kurani i adresohej një populli të paqytetëruar si arabët, të cilët nuk i praktikonin marrëdhëniet kontraktuale formale, në një kohë që popujt përreth, në Imperinë Bizantine (Romane) dhe atë Persiane, e bënin këtë punë prej mbi 1000 vjetësh. E drejta romane ishte përhapur në krejt Europën dhe pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme me pushtimin roman. Arabët kishin mbetur jashtë sferës së saj, për shkak se ata qenë tribu të shkretëtirës, për të cilët Roma dhe Persia nuk treguan interes t' i pushtojnë.

 

Në Suren El Mutaffifinë Allahu jep të tjera urdhëra për tregtinë:

 ?Të mjerët ata që mangut masin e peshojnë. Ata që kur masin për vetë diçka të të tjerëv e bëjnë në rregull. E që kur masin ose peshojnë diçka të vetën që e blejnë të tjerët, u lenë mangut".(Kuran, El Mutaffifinë: 83/1-3) Nuk mund të mos bëhet pyetja se përse Allahu nuk mjaftohet me porosi të përgjithshme morale, siç qe tradita e fesë abrahamike, e ndjekur nga Moseu dhe Krishti, por hyn në detaje që kanë të bëjnë me tregtinë, masat dhe peshat? Kjo pyetje nuk ka tjetër përgjigje veç asaj se Muhameti si tregtar ishte veçanërisht i interesuar për tregtinë. Por, derisa Allahu në Kuran tregon kaq shumë interes për tregtinë dhe funksionimin e saj, ai çuditërisht nuk flet kurrë për paranë, nuk e urdhëron Muhametin të bëjë një monedhë për Ummah, bashkësinë e muslimanëve. Allahu mjaftohet duke ndaluar kamatën mbi paratë, një urdhër i çuditshëm ky, kur në Arabi nuk ekzistonte një monedhë vendase dhe huamarrja bëhej në monedha persiane e bizantine. Arsyeja që Allahu nuk flet për monedhën arabe, nuk është e vështirë që të kuptohet.

 

Kjo gjë nuk do t' u pëlqente persianëve, padronëve të Muhametit. Persianët donin që në Arabi të përdorej monedha e tyre. Në hagiografinë e Muhametit ka dhe një ndodhi sa të habitshme, aq edhe domethënëse, ku ai dhe Allahu bëjnë tregti teologjike me lutjet islame. Sipas një rrëfimi të Muhametit për udhëtimin e tij në qiell, dhe që transmetohet si hadith nga një autoritet si Bukhari, kur Muhameti ishte duke zbritur nga lartësitë qiellore pas takimit me Allahun, në një rrafsh të mëposhtëm të qiellit Musai (Moseu) e pyeti: "Çka t' u urdhërua që të bësh?". Muhameti iu përgjigj: "Unë u urdhërova që t' i ofroj Allahut pesëdhjetë lutje në ditë". Moseu i tha Muhametit: "Ndjekësit e tu nuk mund të përballojnë pesëdhjetë lutje në ditë, e për Allah, unë i kam vënë njerëzit në provë para teje. Dhe kam provuar të bëj më të mirën me Bani Israel, më kot. Prandaj kthehu përsëri tek Zoti tënd dhe kërko për një zbritje, ashtu që të lehtësojë barrën e ndjekësve të tu". Këtu Allahu, Muhameti dhe muslimanët janë në një situatë tregtie. Allahu shet mallin e vet që është mbështetja hyjnore për besimtarët.

 

Muhameti vepron si komisioner për llogari të besimtarëve. Allahu kërkon si çmim adhurimin dhe çmimin e kërkon bukur të lartë, pesëdhjetë lutje në ditë. Moseu, si më me përvojë i sugjeron që të kërkojë një ulje çmimi. Muhameti u rikthye tek Allahu, bëri pazar me të dhe arriti që ta zbresë numrin e lutjeve ditore deri në dyzet. Kur takoi përsëri Moseun, rrugës për të zbritur në tokë, ky i tërhoqi vërejtjen se edhe dyzet lutje në ditë qenë shumë. Kështu Muhameti shkoi disa herë lart e poshtë nga Allahu tek Moseu, derisa numri ditor i lutjeve zbriti deri në pesë. Moseu edhe këtë numër e gjeti të lartë dhe i tha përsëri Muhametit: "Ndjekësit e tu nuk mund të përballojnë pesë lutje në ditë, e unë kam eksperiencë me njerëzit para teje. Dhe kam provuar të bëj më të mirën me Bani Israel, më kot. Prandaj kthehu përsëri tek Zoti tënd dhe kërko për një zbritje, ashtu që të lehtësojë barrën e ndjekësve të tu".

Por Muhameti hezitoi që të rikthehej edhe një herë tek Allahu duke thënë: "Unë i kërkova aq shumë Allahut, saqë ndjehem i turpëruar. Unë jam i kënaqur tashmë dhe i nënshtrohem vullnetit të Zotit".(Sahih al-Bukhari, vol 5, libri 63, nr. 3887; Shih edhe: Safijurrahman El-Mubarrekfuri, "Nektari i vulosur i xhenetit", "Shoqata e Vakëfit Islamik", Tiranë 1998, f. 147-148)

 

Kështu, muslimanët sot falen pesë herë ditën vetëm se Muhameti në një moment u tradhtua nga instinkti i tregtarit dhe hezitoi që të shkonte edhe një herë tek Allahu dhe t' i kërkonte një ulje çmimi për mallin hyjnor që po blinin besimtarët me monedhën e adhurimit. Allahu i cili në Kuran urdhëron vazhdimisht që të luftohen e të vriten jomuslimanët, nuk mungon të shikojë edhe aspektin financiar, fitimin. Në Suren Et Tevbe, muslimanëve u kërkohet që të luftojnë kundër jomuslimanëve dhe pasi t' i mposhtin ata t' u marrin një taksë për mosbesimin: "Luftoni ata që nuk besojnë Allahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar atë që e ndaloi Allahu dhe i Dërguari i tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa të japin xhisjen në dorë e duke qenë të mposhtur". (Kuran, Al Tawbah, 9/29) Në Suren Muhamet, Allahu thotë: "Prandaj, kur t' i takoni jobesimtarët, goditini pas qafe dhe kur të keni bërë një banjë gjaku me ta, vendosni një shpërblim për lirimin e atyre që mbeten gjallë".(Kuran, Muhamet: 47/4)

 



(Vota: 27 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx