Mendime
Kastriot Myftaraj: Elmedina, unë dhe muhaxhirunët (1)
E merkure, 08.12.2010, 10:57 PM
Elmedina, unë dhe muhaxhirunët (1)
Nga Kastriot MYFTARAJ, Gazeta Sot
"20 vjet jetë dhe tri luftra". Ky mund të ishte fare mirë titulli i një libri me kujtime, i një ditari. Në fakt është titulli i një artikulli të shkurtër të botuar në gazetën "Koha e Re", në Shkup, në 11 qershor 2010. Artikulli ka vetëm 4050 karaktere (pa hapësira), por
shumë rrallë kam lexuar tekst më të ngjeshur, më sintetik. Është nga ato lloj tekstesh që kur i lexon të krijojnë përshtypjen se po shikon një film serial, një film me 20 pjesë,
një pjesë për çdo vit. Është një efekt që e bëjnë vetëm tekstet e shkurtra të autorëve të mëdhenj. Hm, autorja, një vajzë shqiptare nga Maqedonia, siç mësova nga një kërkim i shkurtër në internet, është nga një fshat pranë Tetovës. Autorja, e cila ishte krejt e
panjohur për mua, dhe mbetet kështu edhe tash që po shkruaj, i ka vetëm diçka më tepër se 20 vjet, si moshë. Nuk e fsheh, ndjeva zili, do të kisha dashur që në moshën e saj edhe unë të kisha pasur këtë teknikë të shkruari.
Emri i saj është po aq kurioz sa teksti, Elmedina. Në fakt ishte pikërisht efekti i kombinuar i titullit të shkrimit, me emrin e çuditshëm të autores, që më bëri ta lexoj shkrimin. Dhe do të më kishte ardhur shumë keq sikur të mos e kisha lexuar. Është një
tekst paradigmatik, një tekst që më ngacmoi shumë. Që në tre fjalitë e para të shkrimit, të shkurtra, ndjeva se kishte diçka që më ngacmonte fort, diçka që kërkonte të formësohej në mendjen time. Elmedina Shafi e fillon kështu shkrimin: "Ne ishim gjenerata
e pritjes. Kaluam njëzet vjet jetë dhe përjetuam tri luftëra. Si
shumë për një jetë njeriu".
Autorja e kishte fjalën për luftrat në ish-Jugosllavi të përjetuara gjatë jetës së saj, që prej luftës në Bosnjë-Herzegovinë, pastaj lufta në Kosovë dhe në fund lufta në Maqedoni, të gjitha të përjetuara në një mënyrë ose tjetër prej saj. Fjala-kyç në paragrafin e cituar më sipër është ajo "gjenerata e pritjes". E pritjes së luftës. Historia e nacionit (kombit) shqiptar është e përbërë nga cikle, kur për një gjeneratë historia befas është ngjeshur, është përshpejtuar, dhe kjo gjeneratë ka përjetuar një ndjenjë pritjeje plot alarm, në një situatë kur tensionet shkallëzoheshin drejt luftrave të njëpasnjëshme, me interval të shkurtër ndërmjet tyre. Edhe Pineu, djali i vogël i adoptuar i Mbretëreshës ilire Teutë, kështu do të kishte shkruar në moshën e tij, mbi 2200 vite më parë, edhe Gjoni, djali i Skënderbeut.
Një tjetër gjë që të impresionon në shkrim është mënyra se si autorja e artikulon shkallëzimin e tensionit në kohë dhe hapësirë. Autorja e përjeton luftën si një forcë të projektuar në kohë dhe hapësirë, e cila përfshin gradualisht gjithçka. Në shkrim rrëfehet për luftën, si një dinamikë që përparon në kohë dhe hapësirë, gjë që përjetohet me një ndjenjë fataliteti, sikur takimi me luftën është i pashmangshëm, një ngjarje natyrore. Autorja vetë është një projektim kurioz në hapësirë dhe kohë. Është interesante se emri i
autores është projektim i një toponimi arab në trojet shqiptare. Emri i autores është ai i qytetit Medina në Arabi, vendi ku është varrosur Muhameti, me nyjen arabe "el". Emri tregon se autorja i përket një familjeje muslimanësh praktikues dhe se ajo vetë është
e tillë. Kështu, autorja bëhet edhe mishërim i alarmit, i rrezikut që ndjen muslimani praktikues shqiptar (në fakt të vetmit që janë realisht muslimanë në trojet shqiptare) për shkak të shkëputjes në hapësirë me botën islame, pas dëbimit të Imperisë Osmane prej
Ballkanit.
Gjatë krejt historisë, shqiptarët kanë përjetuar alarm dhe rrezik në trojet e tyre në Ballkan, por qartësisht, alarmi dhe rreziku që përjetojnë muslimanët praktikues shqiptarë është quintia essentia e këtij sensi alarmi dhe rreziku. Që prej dëbimit të Imperisë
Osmane prej Ballkanit, muslimanët shqiptarë dhe ata boshnjakë jetojnë si ai të cilit befas një furtunë ia ka zhvenduar shtëpinë tutje, duke e lënë atë me tryezën e ngrënies dhe shtratin e tij në mes të një hapësire të shkretë, ku enden bisha. Këtu ai pret më të keqen. Autorja shkruan: "Jemi rritur nga prindër që flisnin për ikanakë nga Bosnja, për një luftë që mund të vinte padiktueshëm".
Në fjalinë e mësipërme ka një frazë-kyç: "luftë që mund të vinte padiktueshëm". Më duket sikur këtu është arhetipi, nënvetëdija historike shqiptare e rrënjosur tek kjo vajzë që flet. Kështu u kanë ardhur luftrat shqiptarëve, padiktueshëm. Lufta erdhi padiktueshëm, ka thënë me siguri Mbretëresha Teutë dikur, për luftën e saj me Romën. E njëjta gjë ndodhi edhe me dyndjet sllave, me shfaqjen e osmanëve në shekullin XIV, me Luftën Ballkanase të vitit 1912, kur ushtritë serbe dolën në Adriatik, pasi përshkuan njëkohësisht Kosovën dhe Maqedoninë e sotme etj. Ikanakët nga Bosnjë-Herzegovina që shkuan në Maqedoni, në fshatin e autores, bënë që ajo të kishte një qasje më pranë luftës. Ikanakët nga Bosnjë-Herzegovina zgjojnë tek autorja një ndjenjë alarmi arhetipal, të trashëguar në mendjen e saj nga paraardhësit e ikur nga trojet e tyre, të shtyrë nga dyndjet sllave. Kështu kanë ikur shqiptarët në shekuj nga trojet e gjera ilire, të detyruar nga presioni i armiqve, duke u ndryrë në këtë kënd të Ballkanit Perëndimor. Autorja e përjetonte luftën në Bosnjë-Herzegovinë me një ndjenjë alarmi arhetipal, si një luftë që mund të zgjerohej
befasisht dhe ta përfshinte edhe atë, në Maqedoni, në fshatin e saj. Dhe lufta u zgjerua, erdhi në Kosovë, në trojet shqiptare, pranë vendbanimit të autores. Kjo e përshkruan kështu përjetimin e kësaj lufte: "dhe na është sugjeruar të shkonim në dhomat tona, teksa prindërit ngujoheshin pranë ekraneve TV për të ndjekur edicionet qendrore informative. Dhe, mund të jemi fshehur e të kemi dëgjuar lajme, siç kam bërë dhe unë.
'Babi, a nuk është folësja e lajmeve të RTP-së?'
'Po'
'E ç'bën në TVSH?'
'Në Kosovë ka luftë".
Luftën në Kosovë autorja do ta përjetonte edhe më drejtpërdrejt, se në Maqedoni shkuan qindra mijë shqiptarë të dëbuar nga Kosova: "Unë bëra një shoqe nga Prishtina, që dëgjonte lajme, sepse babanë e kish në luftë. Pastaj ngujohesha pranë ekranit se mos dëgjoja diç për babain e saj. Në Kosovë vriteshin njerëz dhe dëboheshin nga shtëpia, njëjtë sikur mua dhe prindërit të na dëbonin. Sa kohë kaloi duke dëgjuar fshehtas biseda xhaxhallarësh, që thoshin: 'Ndoshta pas tri ditësh', 'Ndoshta pas një jave' do të përfundoj gjithçka... Dhe erdhi ajo ditë. Më iku shoqja. Unë qaja, kurse e ëma më thoshte se duhej të gëzohesha se ajo kthehej në shtëpinë e saj".
Dinamika e luftës përparon dhe e përfshin drejtpërdrejt autoren e cila tashmë është vetëdijësuar për kuptimin e saj: "Kur isha në klasë të shtatë, papritur rinisën krismat. Dhe, sugjerimet e prindërve për lëvizje të kujdesshme. Tash e dija çka është lufta, por lutesha të mos vinte tek ne. Pastaj lutje për shpëtimin tonë. Të strukur në bodrum nuk dinim shumë gjëra, por e dinim se drita duhej fikur, se nuk duhej lëvizur pa një lajmërim. Aty mësuam fjalë të reja: 'granatë', 'kallash', 'bunker', 'plumb qorr'. S'dija ç'ishte plumbi që kërcet dy herë, derisa nuk më plasi pas shpine, sapo hoqa këmbën. Ra aty ku kisha lënë gjurmë. S'e dinim çka ishte 'punkt policor', 'orë policore', por e mësuam".
Autorja e ka fjalën për luftën në Maqedoni në vitin 2001. Gjatë leximit të shkrimit, duke parë se si e shtjellonte autorja në kohë dhe hapësirë përjetimin e dinamikës së luftës, e cila afrohej prej larg, prej Bosnjë-Herzegovinës, prisja me kureshtje të shikoja se si do ta shprehte përjetimin e luftës në kohë dhe hapësirë kur lufta ta përfshinte atë vetë. Prisja të shikoja një sinjal nga arhetipi. Sipas atyre që gjeta nga kërkimi për të, vendi ku autorja e ka përjetuar luftën Përshefci, gjendet sipas faqes zyrtare online të tij: "Rrëzë Malit Sharr, përgjatë rrugës magjistrale Tetovë-Jazhincë, 12-13 kilometër larg qytetit të Tetovës gjendet fshati Përshefcë. Ky fshat në anën e djathtë kufizohet me fshatin Tearcë kurse në anën e majtë me fshatin Gllogjë. Mbi fshatin shtrihet Mali Sharr kurse ndën fshatin shtrihen fushat që janë pjesë e Luginës së Pollogut".
Autorja në shkrimin e vet thotë: "Jemi studentë që mësuam 'psikologjinë e turmës' në shkollë fillore". Nëse autorja kur mësoi Gustav Le Bonin në shkollë, kuptoi se koha e posaçme në të cilën jetoi bëri që ato gjëra t' i kishte përjetuar, të njëjtën gjë duhet ta kishte thënë edhe për librin e famshëm "Masa dhe pushteti" të nobelistit Elias Canneti, të cilin me siguri duhet që t' ja kenë përmendur profesorët e saj të shkencave të komunikimit ku ka diplomuar. Në këtë libër, i cili gjendet i përkthyer edhe në shqip, Canneti analizon simbolet e nacioneve të ndryshme, të cilët janë kthyer në simbole për shkak edhe të funksionalitetit që kanë pasur në jetën e këtyre nacioneve. Sipas Canneti, për gjermanët ky simbol është pylli, për anglezët është deti, për holandezët është diga, për zviceranët është malit. Canneti nuk i përmend shqiptarët, por sigurisht që edhe për ne ky simbol është mali. Mali është funksionalizuar historikisht në jetën e shqiptarit dhe ka një peshë të madhe në psikologjinë arhetipale të njeriut shqiptar. Përparimi i dinamikës së rrezikut gjatë historisë, bënte që pjesa më aktive e shqiptarëve t' i drejtohej malit si strehë. Mali ishte në qendër të dinamikës së mbijetesës të shqiptarit gjatë krejt historisë. Në mal shqiptarët aktivë përqendronin forcat, përgatiteshin, për t' u rikthyer më pas në fusha, ku në bashkëveprim me shqiptarët e atjeshëm të nënshtruar, rifitonin vendin. Hyrja me tren e 30 mijë kryengritësve shqiptarë në Shkup në 1912, pjesa më e madhe e të cilëve malësorë, është shfaqja më spektakolare e këtij praktikisht rituali historik. Mali i krijonte shqiptarit një ndjenjë sigurie.
Edhe pse autorja ka lindur dhe është rritur nën hijen e Sharrit, këtij vargmali madhështor, mali mungon krejt në vizionin e saj. Pse ky deformim i arhetipit shqiptar në mendjen e saj? Shkaku duhet kërkuar me siguri tek emri i saj, tek feja e saj, Islami.
Autorja, për nga emri është një projektim arab në trojet shqiptare. Simboli i arabëve është shkretëtira, ku gjendet edhe Medina, prej ku e ka marrë emrin autorja. Mendësia që i ka dhënë religjioni, ushtruese e të cilit është autorja, ka bërë që të zhduket mali si simbol nga mendja e saj, dhe të zëvendësohet me një hapësirë pa formë, ku përparon pandalshëm dinamika e rrezikut, çka nuk është tjetër veç shkretëtirës.
Autorja u gëzua nga ato që u thanë me përfundimin e luftës dhe pritshmëritë qenë të mëdha: "do të mësonim edhe për Skënderbeun dhe jo vetëm për Dame Gruevin. Do të mësonim ABC pastaj ABV. Më nuk do t'i thoshin ndonjë xhaxhai në komunë që emrat Vlora, Donika, Arbër, Shkodran t'i zëvendësonin me emra të tjerë".
Eh, por autorja nuk e shpjegon se përse sllavo-maqedonët nuk e patën ndaluar babin e saj shqiptar që ta quante vajzën e vet me emrin arab "Elmedinë", por ndalonin vetëm emrat "Vlora", "Donika", "Arbër", "Shkodran". Gjithashtu, autorja nuk e shpjegon se përse sllavo-maqedonët patën ndaluar që të mësohej për Skënderbeun, por i lejonin shqiptarët e Maqedonisë që të mësohej lirisht për khalifët islamikë, shokët e Muhametit, mbretërit-luftëtarë arabë Ebu Bekrin, Uthmanin, Umarin etj. Nëse Islami kishte bërë që shqiptarët që ruanin identitetin nacional, siç pretendohet nga disa apologjetë të Islamit, atëherë ishte dashur që serbët dhe sllavo-maqedonët të ndalonin edhe Islamin së bashku me Skënderbeun etj. Por serbët dhe sllavo-maqedonët bënë të kundërtën. Ata stimuluan Islamin tek shqiptarët, duke e lejuar ushtrimin e lirë të tij, ashtu që tek shqiptarët të potencohej profili arabo-islamik. Prandaj serbët dhe sllavo-maqedonët nuk i ndalonin shqiptarët që t' i quanin fëmijët e tyre "Elmedina", "Riad", "Ebubekr", "Salajdin", por i ndalonin që t' i quanin "Vlora", "Kastriot", "Donika".
Autorja i përket gjeneratës së të rinjve shqiptarë në Maqedoni, të cilët "përfituan" nga lufta, se në Tetovë u hap Universiteti i Europës Juglindore (UEJL), ku ajo studioi dhe u diplomua për shkencat e komunikimit. Në faqen zyrtare online të fshatit Përshefcë thuhet me krenari për të se: "Studentja Elmedina Shafi këtë vit fitoi edhe dy çmime në UEJL. Çmimi i parë ishte ai i CV më të kompletuar, konkurs i organizuar nga Qendra e Karrierës pranë këtij universiteti, ku Elmedina si shpërblim fitoi një laptop. Dhe çmimi i dytë ishte zgjedhja e saj si studentja më e mirë e gjeneratës në Fakultetin e Shkencave të Medias dhe Komunikimit".
Vijon...