E premte, 26.04.2024, 01:00 AM (GMT+1)

Mendime

Urim Gjata: Një histori me baronë dhe socialistë

E diele, 03.10.2010, 07:57 PM


Një histori me baronë dhe socialistë

 

Nga Urim Gjata

 

Shqipëria është një vend i sigurisë së lartë. Qeveria e Kryeministrit Berisha gjatë 5 vjetëve të fundit, bazuar në një platformë të tolerancës zero ndaj krimit të organizuar, ia ka dalë t'i kundërvihet elementëve kriminalë dhe rrjeteve kriminale në një mënyrë agresive dhe thelbësore. Shqipëria nuk është më "Kolumbi e Europës", "parajsë e drogës", apo "shtet i baronëve të drogës", siç përshkruhej nga ndërkombëtarët vetëm 5 vjet më parë.

Shqipëria nga një vend i cili konsiderohej si një kërcënim për Unionin Europian, për shkak të eksportimit të krimit të organizuar në kontinent, është tashmë anëtare e NATO-s dhe pret liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Çështjet e sigurisë dhe të kontrollit të kufijve ishin nga kriteret kryesore të anëtarësimit të vendit në Aleancën e Atlantikut të Veriut, por edhe për përmbushjen e standardeve për heqjen e vizave me vendet e Unionit. Nuk do pyetje, Shqipëria arriti të rivendosë dhe të stabilizojë rendin dhe sigurinë në vend së pari, sepse i dha fund mbështetjes politike ndaj krimit të organizuar. Qeveria ndau shtetin nga ortakëria me krimin e organizuar. Gjatë këtyre 5 vjetëve ranë në duart e drejtësisë dhjetëra anëtarë të rrjeteve kriminale të vendit dhe të huaja, u shtetëzuan dhjetëra prona të krimit dhe mafies ekonomike. Operacionet në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare kundër krimit të organizuar dhe drogës qenë të suksesshme dhe profesionale. Ato nuk u dekonspiruan, siç ndodhte rëndom në vitet 1997-2005, ku paguanin vetëm policët e mbetur viktima të këtyre pazareve të ndyra të shefave të tyre dhe as dosjet e krimit nuk u mbajtën në sirtaret e policisë.

Përveç kësaj, u miratua një kuadër i plotë ligjor bashkëkohor, u institucionalizua bashkëpunimi me agjencitë e specializuara të vendit dhe atyre ndërkombëtare. U realizua menaxhimi i integruar i kufijve me qëllim forcimin e kontrollit për të goditur krimin ndërkufitar. U realizua monitorimi i vazhdueshëm i të gjitha transaksioneve financiare të dyshimta me financimin e trafikut të drogës, si dhe vendosja e një sistemi të sofistikuar për shkëmbimin në kohë të këtyre informacioneve. U realizua zbutja e faktorëve socialë dhe ekonomikë, në planin e brendshëm, që kushtëzonin rritjen e trafikut të drogës. Kjo i ka dhënë Shqipërisë një imazh të ri, duke e bërë atë pjesë të një sistemi rajonal dhe global në luftën kundër terrozimit, kundër trafiqeve të paligjshme dhe korrupsionit.

Është krejt e qartë se grupet e krimit të organizuar vazhdimisht bëjnë përpjekje të përdorin Shqipërinë si një pikë tranziti për drogat dhe lloje të tjera të kontrabandave, për shkak të vendndodhjes strategjike të vendit. Sipas raporteve të agjencive të specializuara në luftën kundër krimit të organizuar, pas vitit 2005 rrjetet ndërkombëtare të drogës e anashkaluan Shqipërinë si vend tranziti, për shkak të forcimit të autoritetit të shtetit dhe ndarjes së ortakërisë së shtetit me krimin e organizuar.

Pas anëtarësimit në Aleancë, Shqipëria po përjeton një bum investimesh të huaja të shprehura këto në kontrata që shkojnë në rreth 5 miliardë euro. Shteti shqiptar doli me shpejtësi nga kategoria e vendeve të dështuara duke u bërë partner i denjë në NATO. Shqipëria doli qartazi nga raportet e zeza ndërkombëtare që i patën bërë shqiptarët kokulur kudo ku ishin në botë. Qeveritë socialiste njëra pas tjetrës e patën shndërruar vendin në një xhungël të drogës, duke përmbysur imazhin e mirë të vendit në vitet 1992-1996, ku rendi dhe siguria qenë të një niveli të lartë, po kështu edhe lufta kundër trafikut të drogës.

Jo për retorikë, por në një raport të Ministrisë së Rendit të Italisë thuhej se gjatë vitit 1996 policia italiane kishte kapur gjithsej 650 gram heroinë dhe kokainë të ardhur nga Shqipëria. Ndërkohë që gjatë viteve 1997-2004, po sipas këtij burimi të kohës, nga Shqipëria tranzitoheshin 50% të të gjithë drogës që hynte në ato vite në Itali. Europoli në raportin e tij të vitit 2004 e përshkruante Shqipërinë si shumë problematike, me lidhje me Kolumbinë dhe vendet e tjera të njohura si bazë për lëndët narkotike. Sipas raportit, krimi i oganizuar kishte rekrutuar drejtues të lartë të policisë dhe të shtetit, duke ndërtuar një ortakëri, e cila vlerësohej si një rrezik edhe për vendet e Unionit Europian. Qeveria amerikane e tronditur nga kjo bashkëjetesë e shtetit me krimin e organizuar në Tiranë, pati bërë deklarata të fuqishme dhe kërcënuese ndaj eksponentëve të përfshirë në krimin e organizuar me suport politik. Po kështu, ish-ambasadori amerikan në Tiranë pati deklaruar se, "ne i njohim baronët e drogës dhe do t'i gjejmë atje ku janë". Paralelisht me këto qëndrime amerikane, më 26 qershor 2004 raporti i OKB-së për drogën në botë e përmendte Shqipërinë si bazë kolumbiane të drogës. Kreu i Agjensisë së OKB-së, për drogën dhe krimin e organziuar Antonio Maria Costa, në raportin e tij pati shprehur shqetësim të madh për shndërrimin e Shqipërisë në një Kolumbi të Europës. Në raport thuhej "vendi i cituar më shpesh si burim në Europë është Shqipëria, e cila furnizon shumicën e vendeve në rajonin e Ballkanit dhe Italinë.'

Njerëzit e drogës ekzekutoheshin në paradhomat e ministrave, në dhomat e ajrimit të burgjeve, nëpër ambasada dhe anembanë botës. Janë tronditëse faktet se si eksponentë të krimit të organizuar kishin rekrutuar edhe ministra, të cilët thirreshin pa dinjitet në lokalet e periferisë së Tiranës si kamarierë të krimit. Janë po kaq tronditëse faktet se si krimi i organizuar emëronte hierakinë e Policisë së Shtetit. Një institut ndërkombëtar pati botuar edhe çmimet për çdo post në polici, duke shkuar nga 100 mijë euro për një shef komisariati të zakonshëm, deri në 500 mijë euro emërimin si shef komisariati në Rinas apo në Portin e Durrësit.

Shqipëria në vitet 2005-2010 ndryshoi me shpejtësi imazhin e saj falë përpjekjeve këmbëngulëse të qeverisë "Berisha". Arritjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve janë të njohura ndërkombëtarisht nga SHBA-të, BE si dhe institucionet ndërkombëtare. Nuk i njohin vetëm baronët socialistë të lejeve të ndërtimit, të rrjeteve që projektojnë qytete të tëra mbi baza kriminale të njëzet përqindëshave.

Përpjekjet e ndonjë medie të majtë për të paraqitur Shqipërinë si një vend të lulëzimit të drogës apo mafies janë të pabaza dhe armiqësore. Zelli për të përbaltur imazhin e vendit vetëm pak ditë para marrjes së vendimit për heqjen e vizave për të gjithë shqiptarët është i dënueshëm dhe duhet refuzuar nga opinioni shqiptar.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora