E enjte, 12.12.2019, 12:24 AM (GMT)

Kulturë » Muzikë

Rebelë në rrugicat e serenatave

E premte, 14.12.2007, 12:34 AM


Kënga e tyre jeton sot një moment që nuk e njeh “mollën e ndaluar”. E brumosur në kohë e hapësirë ajo tashmë është kthyer përfundimisht në vendlindje. Aty, në Korçën e ëmbël, me kalldrëmet e gurta dhe muzën e serenatave të pavdekshme. Për Endri dhe Stefi Priftin, kjo është më tepër se nostalgji, pasi rikthimi nga periudha e gjatë emigrimit, ku gëzuan më shumë popullaritet nga talenti i tyre, nuk ishte krejt një rastësi... Kënga e tyre jeton sot një moment që nuk e njeh “mollën e ndaluar”. E brumosur në kohë e hapësirë ajo tashmë është kthyer përfundimisht në vendlindje. Aty, në Korçën e ëmbël, me kalldrëmet e gurta dhe muzën e serenatave të pavdekshme. Për Endri dhe Stefi Priftin, kjo është më tepër se nostalgji, pasi rikthimi nga periudha e gjatë emigrimit, ku gëzuan më shumë popullaritet nga talenti i tyre, nuk ishte krejt një rastësi... Gladiola Bendaj Pas plot 11 vitesh larg, guri duhej vënë në vendin e vet. Kështu rrugët, rrugicat, parqet e gjithçka që mbante emrin e qytetit që i lindi e i rriti, do të gjallëroheshin nën tingujt e ëmbël të kitarave të tyre, në një ditë feste siç ishin Pashkët e vitit 2002. Qysh atëherë kanë kaluar plot pesë vjet. Vëllezërit Prifti kanë zgjuar në kujtesën e të gjithëve talentin e djemve që dikur dhe ende sot, mbeten militantë të rrokut klasik, të asaj rryme që në mënyrën e saj do të njihte shpërthimet e veta edhe në Shqipërinë e fillimit të viteve ’90. Por nuk është vetëm kaq. Gjithçka e pati zanafillën tek rrugicat e serenatave, aty ku dhe pasioni i tyre nisi rebelimin, sepse “rruga të bën rebel”, kujtojnë ata. Të mbetur jetim nga babai kur ishin ende fëmijë, ata u rritën vetëm me të ëmën, të cilën sot e kujtojnë si një heroinë për gjithë sakrificat që ju përballi jeta. Ndoshta jo vetëm për këtë, kënga e tyre më e bukur vazhdon të mbetet ajo që i kushtuan asaj. Një duet i përsosur në jetë, shkollë dhe skenë, Stefi dhe Endri nuk janë aspak kopja e njëri-tjetrit. Si më i madhi, Stefi ishte më i shtruar dhe njihte një vullnet të hekurt për të qenë gjithmonë shumë mirë me mësime. Për Endrin, vëllain më të vogël, ai ishte më tepër se një shembull për tu ndjekur, prandaj çdo kohë i gjente bashkë e vazhdon të jetë kështu edhe sot e kësaj dite. Kujtojnë se ka qenë kështu gjithmonë. Si më i vogli, Endri do të ecte gjithmonë në gjurmët e tij, qysh atëherë kur së bashku me shokë të tjerë ai do të bashkohej për të kënduar mbrëmjeve me kitarë në dorë. Përballë vullnetit të të vëllait ai ishte gjithmonë më çapkëni. “Në shkollë mësueset vinin duart në kokë kur merrnin vesh se isha vëllai i Stefit”, - kujton ai duke qeshur, për të vijuar se, “Ai ka qenë gjithmonë më i shtruar, ndërsa unë gjithmonë rrezikoja të mbesja në klasë”. Por për djemtë e rrugicave, kjo ishte e natyrshme. Asgjë nuk do t’i pengonte të ndiqnin pasionin e tyre për muzikën. Të dy përfunduan studimet në “Akademinë e Lartë të Arteve”, Stefi për violinë dhe Endri për oboe. Ky ishte një hap shumë i rëndësishëm që i dhuroi talentit të tyre profesionalizmin, por jo i vetmi. “Rebelimi me anë të rrokut ka lindur jo vetëm nga skena, por edhe nga rruga. Ishte brezi ynë që në atë kohë, - ku izolohej gjithçka, - kishte nevojë për këtë rebelim. Ndaj e ruajmë me ndjenjë këtë lloj muzike”, kanë thënë vëllezërit Prifti për ONE. Pas kthimit nga Greqia pritja që do t’i bënte publiku i qytetit të tyre të lindjes, do të ishte e jashtëzakonshme. Nuk ishte e vështirë të kuptohej se, suksesi do të ishte i padiskutueshëm. Bashkë me disa ortakë të tjerë ata do t’i përcillnin rinisë korçare muzikën e tyre “live” në një qiell të hapur. Skena Park verore apo Skena Park 1, do të bëhej shumë shpejt pika kyçe në xhirot dhe argëtimet e jetës së natës në Korçë. Atmosfera kishte brenda nostalgji dhe altruizëm së bashku. Rinia do të vlerësonte këngët korçare, jo vetëm sepse ishin ato të kënduara brez pas brezi, por edhe për vetë faktin se pas moderimit, ato përsëri përcilleshin deri tek ata pa e prekur origjinalitetin. Tani Skena Park ka krijuar një tjetër hapësirë më të madhe. Quhet Skena Park 2 dhe ka një popullaritet që shkon përtej kufijve të qytetit. “Ata që pëlqejnë muzikën tonë, miqtë, të njohurit, vijnë këtu nga të gjitha qytetet e vendit. Duke kthyer kokën pas, mendojmë se diçka e tillë mund të quhet një revolucion në Korçë”. Gjatë gjithë kësaj, periudhe, me gjithë ftesat e shumta, ata nuk kanë menduar asnjëherë të largohen nga Korça, moli i vogël që i pret gjithmonë me një ngrohtësi tërësisht familjare, pa doza zilie. Vera e sivjetshme, përgjatë gjithë korrikut dhe gushtit i gjeti të fokusuar në bregdet, në skenën e ngritur enkas në ambientet e kompleksit “Tropikal” në Durrës. Mes një publiku të gjerë, që i duartrokiste pa pushim, për djemtë nga Korça dhe orkestrën e tyre nuk ishte e vështirë të interpretonin “live” deri në orët e para të mëngjesit. Rrok klasik, etno rrok, muzikë popullore të moderuar dhe natyrisht më të mirën e buqetës së serenatave. Ndërkaq, Tirana mbetet për ta “xhevahiri që herë pas here ju pëlqen ta grishin me koncerte dhe performanca të tjera ‘live’”. Prandaj do ta prisnin me shumë kënaqësi e seriozitet edhe ftesën për të marrë pjesë në “Këngët e Shekullit 2”, që do t’i serviren publikut përgjatë këtij muaji. Përgatitjet kanë filluar, ndërsa vëllezërve Prifti nuk iu pëlqen të zbulojnë shumë gjëra. Por ajo që nënvizojnë është se, qëllimi duhet të jetë rritja e vlerave të këngëve që kanë përzgjedhur. Do të jenë gjithsej shtatë këngë: “Nuk donim të ishin këngë që në kohën e tyre bënë bujë të madhe, pasi është më mirë të jetë kështu. Ne kemi zgjedhur këngë të bukura, shumë të bukura, dhe jemi të sigurt që do t’ia arrijmë qëllimit për t’ua rritur vlerat edhe më shumë. Do të jetë si një rizgjim i tyre. Jemi të sigurt se çdo gjë do të shkojë sipas parashikimit”, kanë shtuar ata. Kështu vera e sivjetshme e vëllezërve Prifti ndahet mes Korçës, Durrësit dhe Tiranës, sepse ata nuk ja lejojnë vetes t’i mungojnë qytetit të tyre. Nuk mund t’i mungonin as familjes, ndaj çdo lëvizje i gjen gjithmonë bashkë me ta, ndaj çdo sukses i merituar është midis të tjerave edhe meritë e tyre. “Ime shoqe më ka mbështetur gjithmonë dhe shpesh asaj dhe vajzave tona u është dashur të sakrifikojnë shumë për hir të punës sime”, thotë Stefi. Për atë, qenia e saj pranë tij, ka qenë një mbështetje e padiskutueshme nëpër shtegtimet e shpeshta në qytetet e Greqisë përgjatë kohës së emigrimit. Ndërsa “vajzat i ngjajnë babit. Maria, 13 vjeç është që tani një këngëtare shumë e mirë, ndërsa Joana 4 vjeç, shumë shpejt do t’ia kalojë të motrës”, qesh ai me të madhe, por pa e fshehur se do të donte vërtet që të bëheshin të tilla. Por përpara pjesëmarrjes në “Këngët e Shekullit”, për familjen Prifti kishin nisur përgatitjet për një tjetër festë të madhe. Më 2 shtator, më shumë se 400 të ftuar pritet të mblidhen në Korçë për dasmën e Endrit, që ndoshta nuk e tepron aspak kur tregon se, “ka për të qenë një spektakël i vërtetë dhe jo një dasmë si gjithë të tjerat”. Lista e të ftuarve është e gjatë, e një pjesë e mirë e tyre janë artistë e këngëtarë. Të ftuar specialë, Eli Fara dhe Altin Goci me grupin e tij muzikor. Përgatitjet kanë filluar që herët. Ishte menduar për të gjitha. Nuk kishte aspak ndër mend të priste flokët e gjatë, pasi kështu siç i kishte i shkonin shumë cilindrit që plotësonte kostumin e dhëndërisë. Ai “nuk do të ishte një dhëndër si gjithë të tjerët e kohës së tij”. Një frak i qepur dhuratë nga stilistja dhe mikja e tij, Enada ‘At Nikolla, së bashku me fustanin i nusërisë së zonjës së ardhshme Prifti, ishin dhurata e saj për çiftin e ri. Në krah të dhëndrit do të qëndrojë shoqëruesi i tij i parë, Simone 8 vjeç, djali i Endrit nga martesa e tij e parë, i ngjashëm me të atin dhe i veshur me kostum si ai. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT